Në foto: pamje nga falja e namazit të Barjramit 2015 në Tiranë
ROALD A. HYSA |  

Termi “Islamofobi” përbëhet nga dy fjalë: Islam dhe Fobi. Pjesa e dytë e këtij termi është edhe përcaktuese ndaj pjesës së parë. Fobi do të thotë frikë e fortë ose mosdashje: mosdashje shumë e fortë apo frikë irracionale kundrejt diçkaje, si fjala vjen, prej merimangave apo hapësirave të mbyllura. Pra, kemi të bëjmë me një frikë irracionale dhe të vazhdueshme kundrejt një objekti të specifikuar, situate apo aktiviteti.

Na duhet ta kemi parasysh anën irracionale si përbërëse e rëndësishme e këtij termi. Pra, ata që janë islamofobë kanë një frikë irracionale kundrejt Islamit dhe muslimanëve dhe njëkohësisht mundohen vazhdimisht ta përhapin e ta mbjellin këtë fenomen në shoqëritë e tyre përkatëse ku jetojnë. Por trendi i globalizimit të gjithçkaje e bën këtë mesazh shumë të ndjeshëm në Perëndim, i cili po e përdor edhe për efektet frenuese të tij. Në thelb fenomeni islamofobi nuk është vetëm një sulm propagandistik, por gjithashtu është përdorur edhe si frenues kundrejt përjapjes së Islamit. Një gjë të tillë deri në vitet 1990 e kishin bërë dy blloqet më të rëndësishme politike: ai perëndimor kapitalist me atë lindor komunist, ku me protagonizmin e tyre dominonin në skenën botërore, duke bërë ndarjen në kampet e së mirës dhe të së keqes.

Islamofobia në Perëndim është nxitur në forma të ndryshme. Një gjest tejet i ulët dhe krejt i pa vend ishte ai i gazetës daneze “Jylland Posten” dhe i botimit të karikaturave për Profetin, i cili zgjoi zemërimin e të gjithë muslimanëve në mbarë botën. Mund të përmendim këtu edhe shumë ngjarje apo fenomene të tjera mediatike, të cilat mund të shihen si kontribuese në rritjen dhe kultivimin e Islamofobisë në të gjithë Perëndimin, nga pikëpamja mediatike. Si shkak i kësaj fushate globale anti-islame kanë rrjedhur edhe shumë keqkonceptime mbi Islamin, të cilat praktikisht janë synuar me kohë dhe synohen akoma, ku mund të numërojmë këtu disa prej tyre:

  1. Muslimanët janë të dhunshëm, terroristë, ekstremistë,
  2. Në vendet islame gruaja shtypet,
  3. Muslimanët adhurojnë një Zot të ndryshëm nga ai i tyre,
  4. Islami është përhapur me dhunë dhe nuk i toleron fetë e tjera,
  5. Të gjithë muslimanët janë arabë,
  6. Të gjithë muslimanët martohen me 4 gra,
  7. Muslimanët janë njerëz të pazhvilluar e barbarë,
  8. Muhamedi është themelues i Islamit dhe Muslimanët e adhurojnë atë dhe
  9. Muslimanët nuk e besojnë Jezusin apo ndonjë profet tjetër.
A mund të flasim për Islamofobi në një vend musliman?

Gjatë periudhës së viteve 1990 kur hapet për herë të parë rihapet një xhami në Shkodër pas një errësire totale dhe pason me rihapjen e xhamive të Et’hem Beut dhe Kokonozit në muajt e parë të vitit 1991 në kryeqytet, e deri në fillim të vitit 1998 pason një periudhë ringjallje e Islamit.

Fillimisht kemi sulmet e Kastriot Myftarajt, i cili ka shkruar dy libra me frymë anti-islame, madje ai ka shpalorsur edhe një program të tërë për deislamizimin e Kosovës dhe më pas ka marrë si kundërpërgjigje artikuj, si dhe një libër nga Abdi Baleta.

Pas vitit 1998 fillojnë edhe sulmet e para në shtypin vendas me tituj bombastikë të orkestruar për të fituar edhe terren mediatik, edhe sa më tepër shitje. Ndërkaq vërehet nga titujt dhe nga brendia e shkrimeve dhe e reportazheve, se nuk kemi të bëjmë me injorancë, por me shkrime të përgatitura qëllimisht për të sulmuar. Gjuha e përdorur nga gazetarët në përcjelljen e lajmit kur ka qenë fjala për të realizuar tituj bombastikë dhe tekste po aq të forta, ka qenë ajo e trendit global anti-islam. Pra, mund të themi hapur dhe pa doreza se ka qenë një gjuhë shumë e ashpër dhe agresive.

Observer.al

(Nuk lejohet ripublikimi i këtij artikulli pa lejen paraprake të Observer.al)

Roald A. Hysa

Aktivist shoqëror dhe sekretar i Forumit Musliman të Shqipërisë, një organizatë që monitoron dhe mbron të drejtat e njeriut.

ASNJË KOMENT

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!