Saturday, April 20, 2024

Akademikë nga e gjithë bota, në Stamboll për Islamofobinë: kush po e ushqen dhe si frenohet

Ata e përshkruan Islamofobinë si një kërcënim të rrezikshëm, jo vetëm për myslimanët, por për të gjithë njerëzimin.

Nga Riyaz ul Khaliq | AA

Mbi 20 akademikë dhe ekspertë nga mbarë bota janë mbledhur sëbashku në një konferencë 3-ditore në Stamboll për të adresuar shkaqet gjeopolitike të Islamofobisë.

Ata e përshkruan Islamofobinë si një kërcënim të rrezikshëm, jo vetëm për myslimanët, por për të gjithë njerëzimin.

“Në Myanmar, Rohingyat vendas janë dhunuar, vrarë dhe dëbuar për shkak të besimit të tyre mysliman”, tha Mehmet Bulut, rektor i Universitetit Sabahattin Zaim në Stamboll, i cili organizoi konferencën. Bulut tha se është detyrë e të gjithë “qytetarëve të shqetësuar të botës” që ta adresojnë problemin e tmerrshëm të Islamofobisë në të gjitha format dhe manifestimet e tij. “Në Indi, Islamofobia ka marrë një kthesë të rrezikshme e të shëmtuar, sidomos në Kashmir dhe shtete të tjera.Nacionalistët hindu kanë shkatërruar bashkëjetesën paqësore duke futur përçarje ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare. Muslimanët ujgurë [në Kinë] po ashtu po i nënshtrohen persekutimeve në shkallë industriale”, shtoi ai.

Nevoja për edukim

Folësit në konferencë thanë se myslimanët duhet të mësojnë si ta luftojnë problemin në rritje të Islamofobisë.

Anne Norton, profesoreshë e Shkencave Politike dhe e Letërsisë Krahasuese në Universitetin e Pensilvanisë në SHBA, tha se Islamofobia ishte pjesë e një “rrjeti më të madh të fanatizmit dhe ksenofobisë” bashkë me anti-semitizmi dhe racizmin kundër të zinjve.

Gjatë fjalës së saj, Norton tha se njerëzit duhet të mbrohen nga pushteti i shtetit, nga “torturat, uria, ndarja nga familjet e tyre dhe privimi. Për ta luftuar Islamofobinë dhe format e tjera të urrejtjes e fanatizmit, ne duhet të mësojmë t’i pranojmë dallimet ndërmjet njëri-tjetrit,” tha ajo.

Duke diskutuar gjeopolitikën e Islamofobisë, Salman Sayyid, profesor i Retorikës dhe Mendimit Dekolonial në Universitetin e Leeds-it në Mbretërinë e Bashkuar, vërejti se Islamofobia e “tejkalon gjeografinë”. Ai nënvizoi se nuk ishte sjellja e viktimave që duhej fajësuar për islamofobinë. “Çfarë kanë bërë Rohingyat për të merituar fatin e tyre? Nuk është problem që ka të bëjë me sjelljen (e viktimave)”, tha Sayyid.

Roli i rrezikshëm i think tankeve

Duke shpjeguar rolin e rrezikshëm të think tankeve në racionalizimin e Islamofobisë, Farid Hafez, studiues dhe ligjërues në Universitetin e Salzburgut në Austri, tha: “Ashtu si lëvizja anti-xhihadiste, disa qarqe të krahut të djathtë dhe fondacione të ndryshme përkrahin interesa politike specifike. Këto [qarqe] mbështesin think tanke të ndryshme në mënyrë që të mbledhin njohuritë e nevojshme”. “Ata marrin fonde për të mbështetur e për të analizuar realitetin. Dhe ajo që mund të vëzhgojmë kur bëhet fjalë për axhendat anti-muslimane brenda disa instituteve të mendimit është se ato ndjekin qëllime specifike. Ato ofrojnë ekspertizë, duke dhënë këshilla për aktorët politikë, “shtoi ai.

Islamofobia dhe anti-semitizmi

Duke shpjeguar ngjashmëritë dhe dallimet midis Islamofobisë dhe anti-semitizmit, Tamara Sonn, profesoreshë në Universitetin Georgetown në SHBA, tha: “Islamofobia është urrejtje ndaj të gjithë myslimanëve për shkak të përceptimit të veprimeve të disa muslimanëve. Ngjashëm, anti-semitizmi është urrejtje ndaj të gjithë hebrenjve për shkak të përceptimit të veprimeve të disa hebrenjve. Këto forma fanatizmi duhet të trajtohen të marra së bashku. Islamofobia dhe anti-semitizmi përbëjnë të njëjtin kërcënim”, tha Sonn.

Asim Qureshi, drejtor e hulumtimeve pranë CAGE, një grup për të drejtat e njeriut me bazë në Londër, tha se Islamofobia është një “formë racizmi jo vetëm sepse përdor logjikën e racizmit, por edhe sepse patologjizon muslimanët”.

Në prezantimin e saj mbi fuqizimin e të djathtës ekstreme dhe rritjen e ndjenjës anti-muslimane në SHBA, Dalia Fahmy, profesoreshë e asociuar e shkencave politike në Universitetin Long Island, tha se ka pasur një rritje dramatike të dhunës anti-muslimane që nga viti 2015 .

Autokratët arabë dhe Islamofobia

Duke folur për mënyrën se si është përdorur Islamofobia si mjet për mbështetjen e pushteteve autokratike, Usaama al-Azami, lektor në Institutin Markfield të Arsimit të Lartë në Britani, tha se regjimet autokrate në botën arabe ishin “Islamofobet më të fuqishme” në botë. “(Dhe) konteksti gjeopolitik i [një fenomeni i tillë] është pranvera arabe,” tha ai në prezantimin e tij.

Pohimet e tij u mbështeten dhe nga Sami Al-Arian, drejtor i Qendrës për Islamin dhe Çështjet Globale (CIGA), i cili tha: “Ne kemi disa qeveri në rajon, në botën muslimane, të cilat po i ndihmojnë Islamofobët dhe fuqizojnë praktikuesit e Islamofobisë për të luftuar qytetarët dhe lëvizjet e tyre. Kjo për shkak se ata po përpiqen të mbajnë privilegjet e tyre dhe regjimet autokratike “.

Hatem Bazian, profesor dhe ligjërues në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, tha se pikëpamjet perëndimore mbi Islamin shpesh janë të bazuara mbi marrëdhënie të kufizuar ose pa asnjë lloj kontakti me muslimanët, qoftë në aspektin teologjik, kulturor apo filozofik. “Islamofobia nuk është thjesht një formë racizmi kulturor, ajo ka rrënjë në racizmin historik biologjik kundrejt të tjerëve”, tha ai.

Ahmed Bedier, president i organizatës United Voice of America me qendër në Shtetet e Bashkuara, tha se Islamofobia është më shumë se sa thjeshtë racizëm.”Bëhet fjalë për një rrjet të mirë organizuar me rrënjë të thella në politikë”, tha Bedier. “Islamofobia është më efektive sot për shkak se muslimanët janë të dobët”, shtoi ai.

Është e nevojshme një bazë ligjore për të luftuar Islamofobinë

Në rekomandimin e tij, drejtori i CIGA-s, Al-Arian, tha se është e rëndësishme të kuptohet Islamofobia dhe të kundërshtohet në të gjitha nivelet. “Për t’u përballur me Islamofobinë, ne duhet të mësojmë e pastaj të veprojmë,” theksoi ai.

Talip Kucukcan, një ish-anëtar i Asamblesë së Madhe Turke dhe profesor në Universitetin e Marmarasë në Stambollit, tha se është e nevojshme një kornizë ligjore kundër Islamofobisë. “Përndryshe, çfarëdo pune që bëjmë [për të luftuar Islamofobinë], do të shkojë kot”, tha ai. Ai këmbënguli duke thënë se politikanët duhet të përfshihen në adresimin e problemit të Islamofobisë. Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC) ka 57 shtete anëtare dhe kjo çështje duhet të adresohet duke angazhuar të gjitha shtetet”, tha ai.

Duke folur mbi Islamofobinë Indi, Varsha Basheer, profesëreshë në Universitetin e Keralas, tha se bashkësia myslimane ka nevojë për ndryshime strukturore nga brenda. “Ne kemi nevojë për forcë, e jo vetëm për intelekt,” shtoi ajo.

Duhet të dijmë të tregojmë historinë tonë

Elsadig Elsheikh, drejtor i Programit për Drejtësi Globale në Institutin Haas për një Shoqëri të Drejtë dhe Gjithëpërfshirëse në Universitetin e Kalifornisë tha se ka nevojë për ndërhyrje në nivele të shumëfishta, përfshirë shoqërinë, arsimin e politikën. E mbi të gjitha, ka nevojë për ndërhyrje në mënyrën “si e tregojmë historinë tonë”. “Duhet të dekolonizojmë vetvetën duke punuar me vetën dhe shoqëritë tona,” tha ai.

James Carr, lektor në Universitetin e Limerick-ut në Irlandë, tha se muslimanët duhet të “bëhen pjesë e sistemit [shtetëror], por duke qenë gjithmonë vigjilentë”. “Ne duhet të shfaqim një identitet të fuqishëm musliman”, tha Carr.

Shaireen Rasheed, profesoreshë në Universitetin Long Island, tha se myslimanët duhet të ndërtojnë koalicione me komunitete të tjera. “Akademikët duhet t’i shndërrojnë fjalët e tyre në veprim,” tha ajo.

Ravza Kavakci Kan, deputete turke nga partia në pushtet për Drejtësisë dhe Zhvillim (AK Parti), tha se sulmet si ato të muajit të kaluar në Zelandën e Re shkaktojnë më shumë tensione në shoqëri. “Por, duke parë se si populli i Zelandës së Re u bashkua dhe qëndroi në solidaritet [me viktimat] kjo na jep shpresë si qenie njerëzore, sidomos kur marrim parasysh se jetojmë në një botë ku diskriminimi, ksenofobia dhe Islamofobia janë gjithnjë në rritje. Ato janë të ndërlidhura e nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra”, përfundoi Kan.

Observer.al

Të ngjashme
Related

Analizë: Rritja e paprecedentë e Islamofobisë nën administratën e Bidenit 

Incidentet islamofobe nën administratën e Presidentit Joe Biden kanë arritur nivele të paprecedentë, duke tejkaluar në një farë mënyre edhe rekordin e tmerrshëm të administratës së mëparshme të Trumpit.

Si mund ta përdorë Izraeli sulmin e Iranit për të nxitur Islamofobinë në botë

Proçka medemek hakmarrëse e shtetit shiit që dëmton kauzat e drejta dhe vetë muslimanët.

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar?

Dita Ndërkombëtare për Luftimin e Islamofobisë: një thirrje globale për veprim

Vetëm përmes veprimit kolektiv dhe një angazhim global për të luftuar Islamofobinë, mund të garantojmë sigurinë dhe dinjitetin e muslimanëve kudo që ndodhen.
Verified by MonsterInsights