Në foton ilustruese: Një xhami dhe një kishë përkrah njëra-tjetrës
ROALD A. HYSA |  

Përpara pak kohësh na ra në dorë një shkrim studimor me shumë të dhëna të vlefshme mbi konvertimet nga muslimanë në të krishterë protestanë, ortodoksë apo katolikë. Theksi kryesor vihet tek ata të konvertuar që i përkasin kryesisht kishave dhe misioneve ungjillore nëpër botë. “Besimtarë të Krishti nga një e kaluar muslimane – një census global”, është rishikim i një punë shumë-vjeçare mbi konvertimet dhe arsyet e mundshme të këtyre konvertimeve dhe një vështrim kritik ndaj burimeve të informacionit nga janë marrë këto të dhëna. Autorët janë Patrik Xhonstone një misionar protestant, dhe Duejn Aleksandër Miler profesor në San Antonio, Teksas. Autorët përdorin akronimet BMB për të treguar, besimtarët në Krishtin me të kaluar Muslimane. Xhonston dhe Miler shprehen, se “në mbyllje ne e njohim ambiguitetin (dykuptimësinë) e termit “besimtar”, kur ai përdoret për të nënkuptuar pasuesit e besimit të krishterë. (fq.7)” Ky akronim sipas autorëve tregon më shumë për gjendjen aktuale të këtyre njerëzve, por nuk tregon më shumë se kaq, gjë që mbetet për t’u parë në vijim të këtij shkrimi studimor.

Xhonstone në studimet e veta për këtë census ka qenë gjithmonë i prirur për të dhënë një ndihmesë për të gjithë pastorët protestantë, të cilët mund të kishin një bazë për punën e tyre misionare, po ashtu edhe për WEC International, një qendër misionare protestante për të cilën ai ka qenë kontribues nga viti 1960. Janë dashur vite të tëra, që këto lloj të dhënash të fitojnë besueshmëri, dhe besueshmëria e tyre është e lidhur ngushtë edhe me rrethanat dhe situatën politiko historike të vendeve nga vijnë këto të dhëna. Xhonston dhe Miler shohin se numri i të konvertuarve BMB nga muslimanë në të krishterë ortodoksë në Evropë dhe në Afrikën e Veriut është 0-zero, ndërsa ky numër rritet paksa kur vjen fjala për të krishterët katolikë. Një rast jo i zakonshëm na jepet për një republikë autonome të Gjeorgjisë, Axharia, ku ka pasur 200,000 BMB në ortodoksë. Rrethanat e konvertimit janë krejtësisht të paqarta, po ashtu edhe arsyet, gjë e cila hedh më tepër dyshime se sa na jep ndonjë domethënie për këtë rast, po ashtu edhe burimet janë shumë gjenerike në këtë drejtim.

Këto të dhëna tentojnë të marrin parasysh realitetin e emigracionit të BMB nga vendet ku mund të ekzistojë persekutimi politik, dhe shkëputja e tyre nga një identitet vendas drejt një vendi të ri, ku këtyre emigrantëve iu duhet tashmë të përshtaten dhe të krijojnë një identitet të ri kulturor (fq.4). Autorët janë munduar të shmangin llogaritjet e dyfishta, të cilat vijnë për shkak se BMB-të e pagëzuar si të krishterë protestantë janë pagëzuar e ripagëzuar disa herë brenda të njëjtit mision, por në degë të ndryshme të tij (fq.6). Një mision i vështirë ky për ta, kur shpesh këta pastorë vendosen përpara një gjendje presioni për mbledhje fondesh dhe tendenca është drejt inflacionit të numrave të BMB prej tyre (fq.5). Të dhënat mund të mos jenë të sakta edhe për shkak se në ato vende nga vijnë BMB janë diktatura dhe ka një injorim nga pushteti për numrat e këtyre të konvertuarve në këto vende. Një pjesë e këtyre të dhënave janë për ata që kanë emigruar në SHBA nga vendet e Magrebit, Egjiptit, Palestina, Iraku, Siria e Arabia Saudite.

Një nga shkaqet e konvertimit të BMB-ve në Evropë plus atyre politike kanë qenë edhe martesat, të cilat lehtësojnë marrjen e nënshtetësisë. Ndërsa e parë kjo në vendet e origjinës fjala vjen në Tunizi konvertimet e BMB në vitin 2014 janë 14 katolikë dhe 0-zero ortodoksë (fq.9). Realizimi i këtij censusi ka filluar në vitet 1960 e vijon akoma. Sipas këtij studimi arsyet e konvertimit të BMB-ve në Indonezi 1960 dhe Iran kanë qenë pikërisht masat shtrënguese të regjimeve totalitare që u ngritën në këto vende, megjithëse shifrat e dhëna në këtë studim krahasuar me popullsinë nuk janë të ndjeshme (Indonezia 249 milionë>6,5 milionë; 75 milionë> 100,000). Numri i konvertimeve në rritje në këtë studim nga autorët na jepet në bazë të progresionit rritës, që do të kishte kjo tendencë nga vitet 1960 e në vijim, po të kishte vazhduar kështu kjo tendencë edhe në ditët tona. Xhonstone dhe Miler vejnë në dukje vështirësitë e kësaj përllogaritje kur vjen fjala për Arabinë Saudite, e cila tingëllon e pabesueshme, por që ndryshon në vende të tjera.

Censusi fotoPër Shqipërinë pas marrjes parasysh të shumë komponentëve të mësipërm na jepet shifra 13,000 BMB-ve, e cila e krahasuar me numrin e popullsisë aktuale, dhe rrethanat e krijuara nga një regjim komunist, i cili i la njerëzit krejtësisht pafe, nuk është ndonjë numër i ndjeshëm, pavarësisht entuziazmit dhe zellit misionarizues të pastorëve ungjillorë. Ndërkaq në shënimin e dhënë për Shqipërinë po aty na jepet një shifër mbi 6,000 BMB (fq.10), gjë që nuk na tregon sa duhet zhvillimet e ndryshme shoqërore dhe nuk duket të marrë parasysh shtimin nëpërmjet lindjeve.

Ky studim hedh dritë mbi shumë probleme sociale, të trashëguara nga e kaluara dhe na kujtojnë edhe aktualitetin që po përjetojmë. Kjo analizë e bërë në pak rreshta rreket të përcjelli një mesazh mirëkuptimi dhe të njohjes më të thellë të problemeve, të cilat na duhet t’i ndajmë së bashku.

*Autori është aktivist shoqëror dhe sekretar i Forumit Musliman të Shqipërisë, një organizatë që monitoron dhe mbron të drejtat e njeriut.
Oberver.al

©Ndalohet kopjimi këtij materiali pa lejen paraprake të Observer.al!

Roald A. Hysa

Aktivist shoqëror dhe sekretar i Forumit Musliman të Shqipërisë, një organizatë që monitoron dhe mbron të drejtat e njeriut.

ASNJË KOMENT

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.