Thursday, March 28, 2024

Disa fakte mbi Betejën e Kosovës (1389)

Cila është e vërteta lidhur me betejën e Kosovës? Për çfarë u luftua në atë Betejë historike? Pse e gjithë bota katolike e asaj kohe ka abstenuar nga ajo betejë, duke i lënë serbët ortodoksë dhe vasalët e tyre, që të ballafaqoheshin vetë me osmanët? Dhe pse dy distastitë shqiptare të Ballshajve dhe Topiajve nuk morën pjesë në luftë kundër Osmanëve?

Lidhur me Betejën  e Kosovës të vitit 1389, si ngjarje që e fillon rënien finale të sundimit serb dhe e fillon instalimin e sundimit osman, nuk mund të kenë qasje të njëjtë shqiptarët dhe serbët, sepse arsyet e serbëve për të vajtuar disfatën e tyre janë reale, por arsyet e shqiptarëve, për ta trajtuar me të njëjtat terma atë betejë, nuk janë racionale. Sipas mitologjisë serbe, gjaku i car Llazarit, i cili e ka “shenjtëruar tokën serbe të Kosovës”, është gjak i cili simbolizon serbizmin e Kosovës dhe prezencën e përhershme të Serbisë në Kosovë. Ata thonë se car Llazari e ka humbur pushtetin tokësor, por e ka fituar pushtetin qiellor. Kjo mitologji është produkt i Kishës Ortodokse Serbe dhe i nacionalizmit ortodoks serbomadh, prandaj me asgjë nuk lidhet me të vërtetat shqiptare.

Nga pikëpamja shqiptare, ajo betejë ose roli i saj duhet të shikohet në mënyrë kritike, e jo romantike. Shqiptarët nuk mund t’u konkurrojnë serbëve për t’ua marrë primatin në rolin që kanë pasur në Betejën e Kosovës. Prandaj, kur shqiptarët flasin për ardhjen e osmanëve në Ballkan, në këtë rast duhet të flasin për ardhjen e tyre në territoret, të cilat kanë qenë të sunduara prej serbëve. Më saktë, këto territore kanë qenë të sunduara nga Llazar Hrebellanoviçi, (pjesa lindore e Kosovës me Novobërdën si qendër), nga Vuk Brankoviçi (me Prishtinën si qendër) dhe nga Toma Preluboviçit, (ky i fundit në Epir). Ata ishin sundimtarë në mbeturinat e dinastisë serbe, e cila filloi të fragmentohej pas vdekjes së Uroshit në Betejën e Maricës, (1371), me ç’rast u shua trashëgimia nemanjide. Kjo është pika të cilën duhet ta kemi gjithmonë parasysh, sepse kur kanë ardhur Osmanët në Ballkan, nuk ka pasur një shtet shqiptar, ose mbretëri shqiptare, të cilën ata ta kenë prishur, por ka pasur popull shqiptar që ka qenë i pushtuar prej serbëve dhe në një proces të thelluar asimilimi fetar e kolonizimi etnik.

Atëherë cila është e vërteta lidhur me betejën e Kosovës? Koalicioni për Betejën e Kosovës ka qenë arritur ndërmjet Llazar Hrebelanoviqit dhe mbretit të Bosnjes, Tvërtko, të cilët paraprakisht kishin arritur një marrëveshje për ndarjes e shtetit të  Dushanit, i cili kishte filluar të shkërmoqej. Ajo ndarje e negociuar  e trashëgimisë së Dushanit në dy njësi të mëdha, i mbante ata të lidhur në interesat e tyre për mbrojtjen e sundimit dhe për eliminimin e pretendentëve të tjerë të fronit perandorak serb. Pretendent mbi trashëgiminë e Dushanit, ishte edhe Kraleviq Marku, i biri i mbretit Vukashin, i cili sundonte në Prilep dhe i cili në Betejën e Kosovës ishte në anën e ushtrisë osmane. Rreshtimi i Kraleviq Markut në anën e osmanëve ka implikime serioze mbi karakterin e asaj beteje. E para, kjo tregon se nuk ka qenë një betejë ndërmjet një koalicioni të krishterë dhe një tjetri mysliman, meqë rreshtimi i Kraleviq Markut në anën e forcave osmane, e rrëzon këtë pretendim. Pra, rivaliteti ishte edhe ndërmjet vetë serbëve, që po rivalizonin e po bënin përpjekje që të zhvatnin sa më shumë territore e pushtet mbi rrënojat e ish shtetit të Dushanit. Mbreti Vukashin nga ana e vet dhe i biri i tij, Kraleviq Marku, kishin pretendimin se ishin trashëgimtarë të ligjshëm të shtetit perandorak serb.  Në kohën e sundimit të car Dushanit, Vukashini ishte emërtuar prej tij sekretar i shtetit dhe me testament ishte emëruar këshilltar i Uroshit, birit të Dushanit. (Giuseppe Gelcich, Zeta dhe dinastia e ballshajve, Shtëpia Botuese 55, Tiranë, 2009, fq. 84) Vdekja e mbretit Vukashin dhe e mbretit Urosh në Betejën e Maricës në vitin 1371, paraqet ngjarjen më kulmore tragjike të serbëve dhe nëse do të duhej të mbahej mend ndonjë ngjarje nga ajo periudhë, është pikërisht beteja e Maricës, e cila i hapi rrugë marshimit osman.

Pas disfatës në Maricë, shumica e sundimtarëve serbë pranuan vasalitetin ndaj sundimit osman, e ndër ta edhe i biri i mbretit Vukashin, Kraleviq Marku. Ai si vasal edhe mori pjesë në betejën e Kosovës në anën e osmanëve, megjithëse arsyet e tij mund të kenë qenë më të thella, se sa detyrimi i imponuar nga vasaliteti. Kraleviq Marku mund të ketë pasur idenë që pas disfatës së Llazarit e të Tvërtkos, të shtrijë sundimin e vet edhe mbi territoret e tyre dhe të rikthejë territoret që ia kishin marrë Ballshajt, vetëm disa vite më parë. Nëse kjo do të mund të dokumentohej me të dhëna dokumentesh, atëherë do të rezultonte se beteja e Kosovës ka pasur edhe elemente të luftës civile ndërmjet vetë serbëve. Këngët epike serbe e theksojnë elementin e tradhtisë, të Vuk Brankoviqit, (i cili ishte dhëndërr i Llazarit!), me çka në një mënyrë edhe e krijojnë idenë e një komploti brendaserb. E drejta, disa vite para Betejës së Kosovës, mbreti Vukashin marshoi kundër Llazarit dhe dhëndrrit të tij, Vuk Brankoviqit, duke ua marrë një pjesë të territoreve. (Gelcich:  84)

Ç’është e vërteta, përçarjet dhe konfliktet ndërmjet Vukashinit, Lazarit e Vuk Brakoviqit, të plotësuara edhe nga veprimet e Nikolo D’ Altomanos, pasardhësit të Vojnovit, e lehtësuan marshimin e osmanëve. Prandaj, më shumë se sa epitetin e një koalicioni unik, ata e  kanë epitetin e  rivalëve të përçarë, që ia kishin me hile njëri-tjetrin. Edhe fakti që menjëherë pas Betejës, trashëgimtarët e sundimit të Llazarit e pranuan vasalitetin ndaj osmanëve dhe bënë krushqi të rrufeshme me ta, duke ia dhënë sulltan Bajazitit për grua Milevën, të bijën e Llazarit, është tregues i atij pasioni për ruajtjen e pushtetit me çdo kusht.

Një element me rëndësi lidhur me Betejen e Kosovës është abstenimi i dy sundimtarëve më të fuqishëm shqiptarë të asaj kohe, Karl Topisë dhe Gjergj  Balshës I.  Mospjesëmarja e tyre në koalicion i ka brenda vetes dy motive, motivin etnik dhe atë fetar. Motivi etnik ka të bëjë me përpjekjet e tyre që të kompaktësohen e të forcohen, pas fillimit të shkërmoqjes së perandorisë serbe të Dushanit, e cila ua kishte zënë frymën shqiptarëve. Fitorja e Gjergj Ballshës I kundër Kraleviq Markut dhe marrja prej tij e Prizrenit, kishte shkaktuar edhe një fërkim etnik në territoret e përfshira në atë konflikt.  Nga ana  tjetër, “ Ballshajt kishin përqafuar  fenë katolike më 1369” (Gelcich:105) gjë që ka pasur implikimet e veta, së paku psikologjike në raport me ortodoksinë serbe. Poashtu, edhe Karl Topia ishte katolik dhe i lidhur me lidhje speciale me Venedikun, gjë që poashtu ka pasur implikimet e veta në qëndrimin e mbajtur ndaj koalicionit serb.

Me rëndësi edhe më të madhe në këtë kontekst është qëndrimi abstenues ndaj koalicionit ndërmjet Tvërtkos e Llazarit dhe aleatëve të tyre, që mbajtën dy shtetet më të fuqishme katolike të asaj kohe, Hungaria dhe Venediku.  As njëra e as tjetra nuk e ndihmuan koalicionin. Edhe ky qëndrim e bën të qartë se nuk mund të bëhet fjalë për një konflikt ndërmjet feve e qytetërimeve, sepse mospjesëmarrja e shteteve katolike të kohës, e përjashton motivimin fetar të asaj beteje.

Shteti serb ose shtetet serbe në atë kohë ishin të dobësuara e nuk ishin lidere të botës krishtere. Përkundrazi, Hungaria dhe Venediku kishin primatin e shteteve lidere të krishterimit, prandaj pa pjesëmarrjen e tyre në një koalicion, ai nuk ka mundësi kurrsesi që të quhet koalicion i krishterë. Në koalicion nuk ka marrë pjesë me asgjë as Raguza, poashtu një entitet i rëndësishëm dhe i proviniencës katolike e madje as Kotorri apo ndonjë komunë tjetër bregdetare. Prezenca e Raguzanëve ka qenë e dukshme në qytetetet e gadishullit ballkanik në atë kohë, por ata janë rezervuar nga çfarëdo implikimi në anën e koalicionit serb. Bile, është shënuar një gjest i tyre shumë domethënës edhe nga aspekti fetar: kur Gjergj Balsha I e mundi dhe ia mori Prizrenin Kraleviq Markut,  raguzanët që jetonin në atë qytet, e kanë pritur me dhurata të vlefshme. Ndërsa, në ditën e Betejës së Kosovës, sundimtari i Zetës, Gjergj Strazimir Ballsha II, “ në ditën fatale të betejës së Kosovës, ndodhej pikërisht në Ulqin”. (Gelcich: 170)

Pra, e gjithë bota katolike e asaj kohe ka abstenuar nga ajo betejë, duke i lënë serbët ortodoksë dhe vasalët e tyre, që të rropateshin vetë në konfrontim jo vetëm me osmanët po edhe me renegatët e vet, si puna e Kraleviq Markut. Mungesa e shteteve dhe e entiteteve katolike të asaj kohe, pashmangshëm e bën atë betejë më pak të rëndësishme për popujt e rajonit e edhe për Europën.

Përundimisht, mospjesëmarrja e dy dinastive me elemente shqiptare,  e Ballshajve dhe e Topiajve në atë koalicion, tregon mospjesëmarrjen faktike të shqiptarëve. Pjesëmarrja e shqiptarëve në radhët e ushtrisë së Vuk Brankoviqit, ishte pjesëmarrje e të nënshtruarve, që ishin të detyruar të luftonin nën komandën e sundimtarit të tyre të imponuar. Ndonjë pjesëmarrës tjetër, si  Dhimitër Jonima, (ishte edhe ai vasal i osmanëve), ishin feudalë të vegjël e pa asnjë element të subjektivitetit shtetëror, i cili në atë kohë, me aq sa ishte, ishte nën autoritetin e Ballshajve dhe të Topiajve.

Po të shikohen rrjedhimet pas Betejës së Kosovës, tabloja duket edhe më e habitshme: e bija e Llazarit, Mileva u bë gruaja e sulltan Bajazidit, e  bija e Llazarit, Mara ishte gruaja e Vuk Brankoviqit, ndërsa Helena, poashtu bijë e Llazarit, ishte gruaja e Gjergji II të Ballshajve.  Kjo lidhje krushqie ndërmjet tyre dhe sulltanit, e përjashton krenarinë kombëtare dhe fetare nga sjelljet e serbëve, të cilët me të siguruar të vasalitetit nga osmanët, u treguan shumë entuziastë dhe besnikë të sulltan Bajazidit. Të dy bijtë e Llazarit,  Stefani dhe Velkoja, luftuan me besnikëri në krahë të sulltan Bajazidit, deri sa ai  humbi në Betejën e Ankarasë më 28 korrik 1402.

Lidhur me Millosh Kopiliqin në relacione dhe dokumente të kohës nuk ka të dhëna konkrete, që do ta prezantonin si një personalitet historik. Formësimi i figurës së tij më shumë i dedikohet poezisë se sa historisë, ndërsa dihet që nga Aristoteli se poezia i paraqet gjërat ashtu si kanë mundur të ndodhnin e jo ashtu si kanë ndodhur. Prandaj, duken joseriozë ata historianë dhe intelektualë që hulumtimin dhe vlerësimin e bazojnë në këngët epike, qofshin ato serbe, shqiptare apo të popujve të tjerë.

Në fund të fundit, vrasja e sulltan Muratit, nuk e ndërroi fatin e serbëve, nuk e pengoi disfatën e tyre, prandaj nuk ka pse të ekzagjerohet si ngjarje. Janë të shumtë mbretër e perandorë që kanë rënë në beteja, por edhe ajo inkuadrohet në rrjedhën e përgjithshme të ngjarjeve, e nuk ka pse të krijohen mite tronditëse, që pastaj e deformojnë pamjen e vërtetë të historisë. Por, kjo u ndodh popujve të vegjël e të kompensuar, të cilët vogëlsinë e tyre faktike mundohen ta zëvendësojnë me madhështinë e rreme mitike të së kaluarës. Serbët janë shembull tipik i kësaj mendësie.

Milazim Krasniqi
Milazim Krasniqihttps://milazimkrasniqi.wordpress.com/
Profesor i asocuar i gazetarisë dhe letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi udhëheq Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik, aty ku në vitin 2004 ka fituar titullin e doktorit të shkencave filologjike. Themelues i Institutit të Medies, redaktori i parë i zhurnalit “Media”, Krasniqi ka shërbyer edhe si anëtar i Bordit të Drejtorëve të Radiotelevizionit Publik të Kosovës (2001-2009) dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (2008-2010.)

Të ngjashme
Related

Dita Ndërkombëtare për Luftimin e Islamofobisë: një thirrje globale për veprim

Vetëm përmes veprimit kolektiv dhe një angazhim global për të luftuar Islamofobinë, mund të garantojmë sigurinë dhe dinjitetin e muslimanëve kudo që ndodhen.

Manipulimi me “Fenë e vjetër’ të shqiptarëve në letërsinë shqipe

Falsifikimi i fakteve dhe i të vërtetave historike dhe fetare, për gjoja “fenë e vjetër- “krishterimin dardan”, nuk i bën asnjë dobi krishterimit sot ndër shqiptarë.

A po rikthehet Islamofobia sot si pas 11 Shatorit?

Si dikur pas 11 shatorit, edhe sot me luftën e Izraelit në Gaza mediat perëndimorë e shfrytëzojnë maskën e çlirimit për të çuar përpara agjendat e tyre koloniale.

Raport: Racizmi anti-palestinez dhe Islamofobia në mbulimin e luftës në Gaza

Racizmi anti-palestinez dhe Islamofobia janë të gjalla dhe po luajnë rol në justifikimin e vrasjeve të dhjetëra mijëra palestinezëve të pafajshëm.
Verified by MonsterInsights