Emigrantët sirianë përballen me Islamofobi dhe diskriminim në Europë

0

Shumë qytetarë europianë nuk duken aspak entuziastë për të pranuar më shumë refugjatë sirianë që ikin nga lufta dhe varfëria në Siri. Kjo “krizë” ka provokuar një valë të jashtëzakonshme ksenofobie dhe Islamofobie, sidomos në vendet e Europës Qendrore.

Reagime të ngjashme jo tolerante ka pasur në Republikën Çeke dhe në Sllovaki.

Bashkë me këtë  mungesë tolerance ndaj refugjatëve, Islamofobia duket se është në rritje. Kohët e fundit, një organizatë e emëruar “Nuk e duam Islamin në Republikën Çeke” ka arritur rreth 137 mijë pëlqime në Facebook. Ajo poston rregullisht përmbajtje fyese dhe denigruese ndaj muslimanëve.

Ndërsa në Hungari dhe Sllovaki ka pasur liderë shtetërorë “të krishterë” të cilën kanë bërë thirrje që Europa të mbetet një kontinent “i krishterë” e të mos marrë veçse refugjatë të krishterë. Gjatë një deklarate kryeministri hungarez Viktor Orban deklaroi se prioriteti i qeverisë së tij është ruajtja dhe forcimi i kufijve të BE-së. Gjithashtu ai theksoi se Hungaria është kundër pranimit të më shumë refugjatëve për shkak se shumica janë muslimanë.

“Në shumicë, ata nuk janë të krishterë, por muslimanë. Është një çështje e rëndësishme, pasi Evropa dhe identiteti evropian kanë rrënjë të thella kristiane”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, Kancelaria gjermane Angela Merkel, duke iu referuar fjalës së kryeministrit hungarez, ka kujtuar se “vlerat e krishtera e mbrojnë dinjitetin e çdo qenieje njerëzore që është në rrezik”.

Ndërkohë, kushtet në kampet e ngritura në shumë vende europiane mund të konsiderohen pa frikë si çnjerëzore dhe mund të krahasohen me kampet e përqendrimit. Ka mungesë të theksuar të ushqimit dhe përkujdesjes mjekësore për familjet emigrante.

Ajo që vlen të theksohet këtu është se numri i emigrantëve sirianë që synojnë Europën është relativisht i vogël (rreth 350 mijë) në krahasim me numrin e madh të refugjatëve të strehuar në vendet muslimane, i cili shkon në disa miliona. Turqia, Libani, Egjipti dhe Jordania kanë marrë barrën më të madhe me rreth katër milionë emigrantë. Ndërsa Arabia Saudite dhe vendet e tjera të Gjirit kanë dërguar ndihmën e tyre dhe kanë ngritur kampe për mijëra refugjatë sirianë në Turqi dhe Jordani.

Ndërkohë, mungesa e vullnetit të Europës për t’u përballur me këtë krizë i ka hapur dyert një tragjedia të madhe në brigjet e Detit Mesdhe, ku qindra njerëz kanë humbur jetën si pasojë e udhëtimeve klandestine me gomone. Rasti më i fundit i trevjeçarit kurd Ajlan Al-Kurdi dhe fotoja e trupit të tij të pajetë në brigjet e Turqisë ka tronditur botën mbarë.

Ajlani është vetëm njëri nga shumë viktimat e kësaj tragjedie, e cila duket se pak nga pak po zgjon Europën dhe botën mbarë dhe po e ndërgjegjëson për fatin tragjik të këtij populli. Madje ka pasur prej atyre që e kanë konsideruar vdekjen e vogëlushit kurd si “jetë” dhe zgjim për botën e sidomos për popullin e rajonit. Në një postim në Tëitter imami i xhamisë Kuba (në Medine) Shejh Salih el-Megamesi ka thënë se shpreson që vdekja e Ajlanit t’i japë jetë “Umetit musliman”. “…shpirti i djaloshit sirian ka shkuar drejt qiellit , mirëpo ai gjithashtu ka  hedhur brenda umetit islam një jetë jetë të re…” ka thënë ai.

Ndërkaq, në një mbledhje urgjente vendet e Gjirit Persik kanë marrë vendimin që të pranojnë në territoret e tyre të gjithë emigrantët që ikin nga lufta.

Përgatiti N.N.

Observer.al

ASNJË KOMENT

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!