Ilustrimi nga Necmettin Asma

Ibrahim AltayNga İbrahim Altay

Reagimi i mediave ndërkombëtare dhe atyre vendase (turke) ndaj sulmeve terroriste në Sulltanahmet dhe Diyarbakır la shumë për të dëshiruar. Hipokrizia dhe standardet e dyfishta ishin të dukshme nëse e krahasojmë mënyrën e mbulimit të secilit sulm, apo me sulmet në vende e tjera.

Viti 2016 nuk ka nisur me këmbën e mbarë për Turqinë e cila përjetoi dy sulme terroriste brenda kufijve të saj në dy javët e fundit. Sulmi i parë e shndërroi zonën më historike të Stambollit, Sultanahmet, në një ground zero kur një kamikaz në qendrën historike të qytetit la 10 vetë të vdekur e disa të plagosur. Shumica e viktimave ishin turistë nga Gjermania. Dy ditë më pas, terroristët goditën anën tjetër të vendit në një sulm me bombë në Diyarbakır. Gjashtë vetë mbetën të vdekur në sulm – përfshirë një foshnje dhe dy fëmijë – dhe 39 të tjerë u plagosën. Si civilë ne thjeshtë mund t’u ofrojmë ngushëllimet familjeve të viktimave dhe të shprehim pikëllimin tonë për këto sulme të tmerrshme.

Ajo që kemi parë nga mbulimi mediatik gjatë këtyre ngjarjeve tragjike kërkon vëmendjen tonë. Pa dyshim, të dyja ishin sulme terroriste, të cilat shkaktuan vdekjen dhe plagosjen e disa civilëve. Megjithatë, kur shohim mbulimin që i ka bërë media ndërkombëtare dhe ajo vendase (turke) këtyre dy sulmeve – si dhe sulme terroriste të mëparshme – ajo që vëmë mund të përshkruhet vetëm si hipokrizi.

Le t’ia nisim me mediat ndërkombëtare

Është mjaft e qartë se mediat ndërkombëtare i kushtojnë një transmetim të gjatë mbulimit të sulmeve terroriste në vendet e tyre përkatëse; siç e kemi parë pas tragjedisë së sulmeve të 11 Shtatorit në qytetin e Nju Jorkut. Rasti më ekstrem i këtij lloj mbulimi të njëanshëm u pa pas sulmeve të Parisit. Megjithatë, është e dukshme se kur sulme terroriste të ngjashme ndodhin në Lindjen e Mesme apo Afrikë kjo përgjegjësi e mediave zhduket shpejt, ndërsa etika hidhet nga dritarja në favor të pamjeve dhe videove të pa censuruara të sulmeve terroriste.

Shpërthimi në Sultanahmet na tregoi se mediat ndërkombëtare vazhdojnë të mbajnë një qëndrim hipokrit ndaj sulmeve terroriste, e Turqia nuk përbën përjashtim.

E kemi theksuar edhe herë të tjera se çdo kush e di se për organizatat terroriste sulmet terroriste janë të suksesshme për aq kohë sa u bëhet publicitet në media. Synimi i këtyre organizatave është të përhapin frikë dhe terror – prandaj përdoret ky emër për t’iu referuar këtyre grupeve – e në këtë atmosferë përpiqen t’i arrijnë synimet e tyre. Kështu që, mënyra më e lehtë për të shkaktuar kaos masiv dhe dallgë paniku në të gjithë botën është manipulimi i mediave të mëdha.

Prandaj, ekspertët e terrorizmit dhe të medias këmbëngulin gjithmonë se media është mjeti më i rëndësishëm që kanë organizatat terroriste.

Megjithëse në mënyrë të pavetëdijshme, mediat përhapin terror dhe frikë duke e amplifikuar terrorizmin me anë të taktikave sensacionale, duke u bërë kështu lajmëtarë të terroristëve.

Sigurisht kjo nuk do të thotë se mediat nuk duhet të merren më me mbulimin e sulmeve terroriste. Përkundrazi, mediat duhet t’i qasen mbulimit të këtyre sulmeve nga një perspektive humane e jo politike; duke vepruan në përputhje me udhëzimet e gazetarisë së përgjegjshme. Kjo përfshin ruajtjen e etikës mediatike; apo “gazetarisë etike”. Pamjet e viktimave të gjakosura nuk duhet të transmetohen në stacionet televizive apo të shfaqen në faqet e gazetave pasi respekti ndaj familjeve të viktimave është parësor. Transmetimi i spekulimeve se “si” dhe “pse” mund të kenë ndodhur këto sulme duke mos pasur informacion është gjithashtu në kundërshtim me një gazetari të përgjegjshme. Rrjeti CNN shfaqi imazhe të sulmit në Sultanahmet pa censurën që e kishte përdorur gjatë mbulimit të sulmeve në territorin amerikan apo atë francez.

Me shfaqjen e imazheve të të vrarëve në masakër, media në mënyrë të paturpshme po e diskriminon Turqinë dhe përçmon ata që humben jetën dhe familjarët e tyre. Po i njëjti rrjet zgjodhi në qasje tjetër kur mbuloi sulmin në Diyarbakır.

Shembuj të tjerë të sjelljeve jo profesionale

Fatkeqësisht mediat ndërkombëtare nuk janë të vetmet që duhen fajësuar. Tani le ta vëmë veten në mikroskop dhe t’i hedhin një sy mediave turke. Ato vazhdimisht kanë vepruar në shkelje me parimet e gazetarisë, pavarësisht paralajmërimeve të shumta dhe argumenteve të gjata në lidhje me këtë çështje.

Në mënyrë të veçantë, ato media që kanë pasur një qëndrim opozitar i kanë përdorur vazhdimisht këto sulme si propagandë politike për të mbrojtur axhendat e gazetave dhe televizioneve të tyre, duke përdorur në mënyrë të vazhdueshme çdo sulm terrorist si një mundësi për të sulmuar qeverinë. Sigurisht mediat botërore ndjekin shembullin e tyre. Këtë do ta sqaroj më poshtë. Mediat opozitare kanë tendencën të mbajnë qëndrime të ndryshme ndaj sulmeve terroriste – duke ofruar perspektiva të ndryshme siç e kemi parë gjatë mbulimit të sulmeve në Sultanahmet dhe Diyarbakır javën e kaluar. Mediat opozitare e përmendën Daesh-in (akronimi i ISIS-it në gjuhën arabe) si fajtor të sulmit në Sultahahmet gjatë titujve kryesorë të lajmeve, por kur erdhi puna të sulmi në Diyarbakır, organizata terroriste PKK – e cila me shumë gjasa është fajtorja – nuk u përmend. I njëjti dallim gjithashtu u pa qartë edhe në raportimin e mediave të huaja. Ato e transmetuan sulmin e Daesh-it në Stamboll mjaft gjerësisht, por e injoruan sulmin e PKK-së pothuajse tërësisht. Gjithashtu, ato iu referuan qartas Daesh-it si një organizatë terroriste; siç duhet të jetë. Megjithatë, lidhjet e PKK-së me sulmet e  Diyarbakırit u paraqiten shumë të paqarta. Ato përdorën shprehje të paqarta të tipit, “PKK-ja, e cila shihet nga Turqia si organizatë terroriste,” etj.

Megjithëse trendi i hipokrizisë se medias shkon më larg. Në këtë drejtim, i njëjti krahasim mund të bëhet duke parë burimet e mediave turke. Pas sulmeve terroriste në Francë, kryeartikulli i gazetës Cumhuriyet (Republika) thotë: “Fransa Çocuklarına Ağlıyor”, (Franca qan për fëmijët e saj). Në kontrast të plotë me këtë, sulmi në Sultanahmet u shfaq me kryetitullin: “Katliamlar Ülkesi”, (Vendi i masakrave). Këtu mund të vëmë re një model sjelljeje ku Cumhuriyet-i e vë vendin e vet në shënjestër në vend të Daesh-it – fajtorët e sulmit – duke i vënë gazetat turke kundër njëra-tjetrës.

Disa uebfaqe lajmesh gjithashtu bënë të njëjtat gafa. T24, një uebfaqe lajmesh e cila herë pas here e përmend etikën ne media, nuk pati asnjë problem të publikonte imazhet e viktimave të sulmit të Daesh-it. Gjithashtu, gazeta Hurriyet, vetëm disa orë pas sulmit në Sultanahmet shfaqi një kryeartikull ku shkruante: “”Bu Saldırı Turizmi Kötü Vurdu”, (Ky sulm sulmon rëndë sektorin e turizmit), duke prodhuar një diskurs që i shkon përshtat interesave të Daesh-it.

Retorika e mësipërme e publikuar nga mediat është bërë oksigjeni i organizatave terroriste. Media në tërësi nuk duhet të operojë me standarde të dyfishta, por duhet t’i përmbahet gazetarisë së ndershme dhe të paanshme, e jo të bëhet mjet në shërbim të organizatave terroriste.

Marrë nga Daily Sabah | Përktheu dhe përshtati në shqip E.N.
Observer.al

ASNJË KOMENT

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!