Nga Mohamed Ghilan

Megjithëse jetoi shtatë shekuj më parë, Ibn Tejmije, dijetari sirian i mesjetës, ka pasur një trashëgimi të qëndrueshme. Në fakt, vepra e Ibn Tejmijës përmendet vazhdimisht në literaturën moderne akademike dhe jo akademike si një shpjegim për ngritjen e vehabizmit, Islamit militant dhe akteve të dhunës të “motivuara nga feja”. Në përgjithësi, shpjegimet e kësaj natyre  janë shumë të thjeshtëzuara. Por kjo ndoshta është arsyeja pse priren të jenë kaq të përhapura dhe joshëse.

Pretendimet për një lidhje të qartë midis Ibn Tejmijes dhe “vehabizmit” nuk arrijnë ta sqarojnë problemin serioz dhe kompleks të ekstremizmit. Është e pavend dhe thjeshtëzuese të pohohet se grupet si ISIS-i ose Al-Kaeda janë të motivuar nga një filozofi e vetme, apo se njerëzit iu bashkohen atyre grupeve për një arsye të vetme. Ekspozimi ndaj veprave të Ibn Tejmijes, ose keqinterpretimet e disa ajeteve kur’anore, nuk e shndërrojnë automatikisht një person paqësor në të dhunshëm. Sikurse vëren me vend profesori i universitetit Georgetown, Jonathan Brown në librin e tij të titulluar “Misquoting Muhammed” (Të keqcitosh Muhamedin):

“Është një diçka e thjeshtëzuar dhe naive ta shpjegosh xhihadizmin thjesht si një rritje e pashmangshme nga shkrimet e shenjta ‘të dhunshme’ të Islamit, ose si një interpretim i dështuar, i shkaktuar vetëm nga një keqinterpretim tragjik. Një gjë e tillë nuk mund të ndahet nga pakënaqësia ekonomike, konteksti përfshirës i fuqisë botërore të SHBA-ve, ndikimi i Amerikës dhe veprimet ushtarake në botën muslimane, e mbi të gjitha, nga plagët e hapura të konfliktit Izrael-Palestinë”.

Për të patur një kuptim me më ngjyresa të Ibn Tejmijes, të bindjeve që ai ka përkrahur dhe popullaritetit të tij te grupet ekstremiste sot, është e domosdoshme që të studiohet dhe të kuptohet nga afër konteksti i tij historik.

Kush ishte Ibn Tejmije?

I lindur në qytetin Harran (në Mesopotaminë e Epërme, tani Turqia e moderne), në vitin 1263, Ibn Tejmije ishte që herët refugjat në Damask, para moshës shtatë vjeçare. Familja e tij ishte detyruar të braktiste shtëpinë me qëllim që t’i shmangej pushtimit mongol i cili kishte kapluar Bagdatin në vitin 1258.

Sipas tregimeve biografike, Ibn Tejmije zotëronte një mençuri të mahnitshme, e cila ishte e dukshme që nga fëmijëria e tij. Kjo është e kuptueshme, pasi ai vinte nga një linjë e shquar intelektualësh. Si babai, ashtu dhe gjyshi i tij, ishin dijetarë të shquar të shkollës hanbelite të ligjit islam.

Nuk ka dyshim se Ibn Tejmije ishte, e mbetet, një nga dijetarët më të diskutueshëm në traditën islame. Kjo për shkak se ai ishte një mendimtar i lirë (free thinker) – qoftë si aktivist apo si dijetar – çka e bëri atë në mënyrë të pashmangshme nxitës dhe rebel. Po të mos ishte për personalitetin e tij unik kundërshtues dhe për faktin se ai jetoi në një kohë trazirash politike, luftërash civile dhe pushtimesh të huaja, ka shumë gjasa që ndikimi i Ibn Tejmijes do të mund të mbetej i kufizuar në mënyrë rigoroze në sferën e dijes, pavarësisht se sa i i mprehtë ishte. Sado i shkëlqyer të ketë qenë Ibn Tejmije, rrethanat socio-politike të kohës së tij ishin padyshim diçka e rëndësihme në njohjen dhe afirmimin e tij në shkallë të gjerë.

Tema e përbashkët e shumë prej veprave të Ibn Tejmijes ishte relativisht e drejtpërdrejtë: dëshira për të arritur lirinë për muslimanët, si fizikisht dhe metafizikisht. Për shembull, ai shprehte keqardhje për mënyrën me të cilën muslimanët ishin të dashuruar dhe të hutuar nga filozofia greke. Sipas tij, kjo magjepsje çoi në humbjen e vetëvetes si myslimanë. Ai e bëri këtë pikë mjaft të qartë në hyrje të ar-Rad ‘ala al-Mantiqi’yeen, ku ai kritikon ashpër logjikën greke:

“Unë gjithmonë e kam ditur se ‘logjika greke’ nuk është e nevojshme, as që përfiton prej saj i mençuri e as budallai. Megjithatë, unë kisha menduar se çështjet me të cilat merrej ishin të sakta, duke pasur parasysh të vërtetën që vura re në shumë prej tyre. Pastaj u bë e qartë për mua gabimi i një pjese të konsiderueshme të pohimeve të saj dhe shkrova diçka rreth saj. Më vonë, kur isha në Aleksandri, u takova me dikë që i imitonte dhe i lavdëronte filozofët jashtë mase, kështu që i përmenda disa nga gabimet dhe devijimet që meritojnë të adresohen”.

Ndonëse Ibn Tejmije e kundërshtonte fort logjikën greke (e midis të tjerash edhe teologjinë racionale), kjo nuk ishte thjesht demasktimi irracional i një fanatiku fetar kundër përdorimit të arsyes. Por, ajo që Ibn Tejmije po përpiqej të arrinte kishte diçka më të thellë (e shumë specifike), e që lidhej drejtpërdrejt me të dhe me ndikim nga realiteti i kohës së tij. Në fakt, Ibn Tejmije ishte shumë i shqetësuar nga pushtuesit mongolë, të cilët besonte se ishin fizikisht dhe intelektualisht kolonizues të muslimanëve. Kështu që mesazhi dhe qëllimi kryesor i veprave të Ibn Tejmijes ishte që të çlirohej bashkësia myslimane nga pushtuesit e huaj. Për ta arritur këtë, argumentonte ai, ishte shumë e rëndësishme që së pari të çlirohej mendja muslimane nga shpërqendrimet që vinin prej filozofisë jomuslimane.

Pikërisht kjo është arsyja që Ibn Tejmije i kushtoi një pjesë të madhe të veprave të tij kundërshtimit të përdorimit të burimeve të jashtme në teologji dhe në ligj (dmth, burimeve jashtë Kur’anit dhe Hadithit). Për Ibn Tejmijen, vetë Kur’ani dhe Hadithi kishin trajtuar në mënyrë të efektshme çështjet që dijetarët e mëparshëm muslimanë (dhe shumë bashkëkohës të tij) po përpiqeshin të zgjidhnin nëpërmjet filozofisë greke, që por në fund dështonin. Në njëfarë mënyre, Ibn Tejmije ishte angazhuar në një projekt të rëndësishëm të rindërtimit të pavarësisë intelektuale muslimane.

Të kuptosh popullaritetit e Ibn Tejmijes

Ajo që e bën Ibn Tejmijen figurë aq të njohur sot në nivel popullor në mesin e myslimanëve, është fakti se ai ishte një dijetar që shkroi duke pasur popullin në mendje. Ai ishte më pak i shqetësuar për debatet me dijetarët e tjerë dhe më shumë ishte i interesuar të fliste direkt me masën, gjë që mund të vërehet me lehtësi në retorikën e tij. Tërheqja e paraleles midis politikës aktuale në Lindjen e Mesme dhe asaj të kohës së Ibn Tejmijes,i kanë bërë veprat e tij edhe më tërheqëse për ata që kërkojnë t’i bazojnë veprimet e tyre në traditën islame.

Në këtë kuptim, pikëpamjet e Ibn Tejmijes për mongolët janë kritike. Ndërkohë që mosdakordësimi i tij me konsensusin e dijetarëve shpesh ishte i padëmshëm (zakonisht kishte të bënte me vendimet ligjore që preknin sjelljen e myslimanëve në jetën private sikurse janë: ligjet e divorcit dhe bërja kaza – falja jashtë kohes – e namazeve të humbura), dallonte mendimi i tij mbi çështjen mongole, e që ishte dukshëm i rreptë. Ndryshe nga shumë studiues të tjerë, ai jo vetëm që  i shikonte Mongolët si pushtues armiqësor, por dhe refuzoi t’i pranonte si sundimtarë legjitimë, madje edhe pasi ata u konvertuan në Islam. Ai shkoi aq larg saqë do të lëshonte një fetva ku urdhëronte muslimanët që t’i luftonin ata.

Ibn Tejmije, i njohur për praktikimin e asaj që predikonte,  ishte në mesin e atyre që luftuan mongolët kur ata iu afruan Damaskut.

Prandaj, dikush që do e shihte veten si një luftëtar i rezistencës kundër okupimit të huaj dhe tiranisë lokale, nuk e ka të vështirë ta bëj lidhjen me Ibn Tejmijen.

Lidhja me pikëpamjet e Ibn Tejmijes

Një ironi e madhe është se duke cituar Ibn Tejmijen, grupet ekstremiste si ISIS-i i janë qasur shkrimeve të tij në mënyrën më moderne të mundshme. Në vend që ta shohin për atë që ishte; një mendimtar i thellë, ekstremistët sot po i interpretojnë idetë e Ibn Tejmijes nëpërmjet korrnizës së një edukimi kryesisht të sekularizuar dhe po e armatosin punën e tij për të justifikuar llojin e sjelljeve dhe agjendave politike që ai vetë i kundërshtonte haptas.

Këto grupe përvetësojnë një proces interpretimi me dy hapa për t’u ndërlidhur me filozofinë e dijetarit sirian. Së pari, ata i qasen punës së Ibn Tejmijes në një boshllëk, duke e zhveshur atë nga çdo kontekst social dhe historik. Së dyti, ata i shkëpusin tekstet dhe i ndajnë në pjesë të izoluara që të mund të citohen sipas dëshirës, duke prishur kështu çdo përputhje të brendshme tekstuale.

Nuk është e befasishme që ky proces u lejon grupeve ekstremistëve të shtrembërojnë pikëpamjet e Ibn Tejmijes për përfitimet e tyre. Për shembull, ISIS-i zakonisht e citon këtë dijetar për të justifikuar krimet sektare. Anëtarët e tij pretendojnë se kritkat e tij të ashpra kundër Shiitëve, Sufive dhe Druzëve lejojnë qartë vrasjen e tyre. Por në fakt, Ibn Tejmije e refuzonte sektarizmin.

Respekti i Ibn Tejmijes për dijetarët dhe për vendin e tyre në shoqëri nuk e pengoi atë që të bënte kritika polemike për shumë nga idetë intelektuale me të cilat ai nuk pajtohej. Ndonëse pasojat e “heterodoksisë” së tij mund të kenë qenë të buta brenda qarqeve të dijetarëve (meqë  dijetarët prireshin të ishin më të hapur ndaj mosmarrëveshjeve intelektuale), ato rrezikonin të prodhonin sektarizëm në shoqërinë e përgjithshme. Qasja ndaj veprave të Ibn Tejmijes për njerëzit e zakonshëm që nuk ishin të stërvitur në diskursin e dijetarëve, i bënte shkrimet e tij të cenueshme nga zhveshja e konteksit dhe keqkuptimeve në një mënyrë që do të prodhonte qëndrime antagoniste ndaj atyre me të cilët nuk pajtohej. Megjithatë, Ibn Tejmije ishte shumë i vetëdijshëm për këtë dhe me forcë ishte kundër ndarjeve sektare, siç dëshmohet nga njëra prej fetvave të tij:

“Nuk lejohet  që mësuesit të sektarizojnë njerëzit dhe të mbjellin armiqësi e urrejtje mes tyre. Përkundrazi, ata duhet të jenë si vëllezërit që mbështesin njëri-tjetrin në mirësi dhe devotshmëri, siç ka thënë i Lartësuari: “dhe ndihmoni njëri-tjetrin në mirësi dhe devotshmëri dhe mos ndihmoni njëri-tjetrin në mëkate dhe armiqësi.” [Kur’an 5: 2]. Për më tepër, nuk është e lejueshme që secili prej tyre që ka besëlidhje me dikë të pajtohet me të për gjithçka që ai dëshiron, as të mbështesë atë që e mbështet ai dhe të jetë armik i cilitdo me të cilin ai është armik. Në të vërtetë, kushdo që bën një gjë të tillë është i llojit të njëjtë si Xhengis Khani dhe njerëzit e tij që bëjnë shok të mirë e mbështetës këdo që pajtohet me ta dhe këdo që është ndryshe nga ta e konsiderojnë armik e tradhëtar.

Fakti që sot emri i Ibn Tejmijes përmendet vazhdimisht për qëllime sektare është një tregues fatkeq se sa shumë është keqkuptuar ai.

Kontekstualizimi i traditës sonë

Për të kuptuar Ibn Tejmije dhe arsyen pse grupet ekstremiste duken aq të tërhequra nga ai është e rëndësishme të kuptojmë rolin e dyfishtë që ai luajti gjatë jetës së tij si dijetar dhe aktivist. Sot, ai frymëzon grupet militante jo vetëm për shkak të perceptimit intelektual dhe meritave për deklaratat e tij dhe vendimeve ligjore, por edhe për shkak të frymës së tij revolucionare. Për llojin e ISIS-it, Ibn Tejmije është dikush që është në terren me ta, duke luftuar kundër tiranisë dhe duke e bërë Islamin një realitet të gjallë. Nuk ka rëndësi se sa objektivisht e gabuar është kjo! E vetmja gjë që ka rëndësi është se ata e besojnë këtë.

Pa dyshim, Ibn Tejmije ishte një burrë për kohën e tij dhe i kohës së tij. I zhveshur nga konteksti tij historik, atë tani e kanë armatosur si një “frymëzim modern i ekstremizmit”. Këto përpjekje nuk mund dhe nuk do të mposhten nga kundër-narrativat që nuk adresojnë problemet më të gjera politike që prekin ummetin, diçka që vepra e Ibn Tejmijje arriti ta bënte. Në të vërtetë, “realiteti modern shekullar” që shumë myslimanë përjetojnë dhe mungesa e përgjithshme e lirisë në shumë shoqëri muslimane, ka ndikuar shumë në rëndësinë dhe fuqinë moderne të diturisë islame për masën e gjerë. Në këtë kontekst, puna e Ibn Tejmijes bëhet mjaft e rëndësishme, ku të tjerët nuk janë, edhe nëse interpretuesit e filozofisë së tij janë historikisht të paedukuar.

Mbase një ditë, në një “ndryshim të rrëfimit të ngjarjeve” historike, ekstremistët mund të frymëzohen nga Ibn Tejmije për t’u “zgjuar”, – siç kishte ai për qëllim – e për të luftuar kundër kolonializmit intelektual, kundër të cilin shkroi pa u lodhur, e nga i cili ata vuajnë qartë. Ne vetëm mund të shpresojmë. 

Autori është doktorant i shkencave neurologjike në Universitetin e Viktorias, Kanada, dhe studiues i jurisprudencës islame.
Observer.al

ASNJË KOMENT

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!