Pamje nga iftari i KMSH-së i shtruar për mediat. Foto: kmsh.al
Ndiqeni!

Enes Neza

Themelues dhe Kryeredaktor i Observer.al
Student i doktoraturës në fushën e medias dhe komunikimit. Është i interesuar mbi studimet rreth Islamofobisë, ksenofobisë, racizmit, identitetit, religjionit dhe studimeve kulturore.
Ndiqeni!

Shtrimi i iftareve ku ftohen njerëz me ndikim në shoqëri nga fusha të ndryshme; media, biznesi, politika etj., është kthyer tashmë në një trend global. Presidentë, kryeministra e OJQ të ndryshme shtrojnë gjithandej iftare luksose me muslimanë e jomuslimanë.

Vetë presidenti i Amerikës Obama e ka kthyer shtrimin e iftareve në një traditë të përvitshme. Edhe në vendin tonë, presidenti i Republikës Bujar Nishani shtroi një darkë ramazani ku të panishëm ishin figura të politikës, biznesit, edhe të fesë. Gjithashtu, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga u rezervoi një iftar grave të Departamentit të Gruas në Bashkësinë Islame të Kosovës.

Edhe përfaqësuesit e fesë nuk kishin si të mos ishin pjesë e këtij trendi. Tek e fundit iftaret janë nga muslimanët për muslimanët.

Mirëpo, nëse ndalemi një moment, do të shohim se ka diçka thellësisht të gabuar në këto iftare. Realiteti në të cilin jetojmë dhe njerëzit që i organizojnë i bën këto raste të duken krejt paradoksale.

Barak Obama çdo vit gjatë këtyre tryezave nuk humbet rastin t’u kujtojë muslimanëve amerikanë sa të vefshëm janë ata për Shtetet e Bashkuara dhe sa i vefshëm është kontributi i tyre. Ndërkohë, nga ana tjetër, administrata Obama, (ashtu si ajo para saj, e tjetra më përpara) është përgjegjëse për vrasjen e mijëra muslimanëve në Lindjen e Mesme e më gjërë. Mjafton të kujtojmë këtu qindra e mijëra viktimat e luftës në Siri, por edhe Irak, Palestinë, Afganistan etj. si pasojë e politikave amerikane në këtë rajon.

Mirëpo, ajo që të habit më shumë këtu nuk është përpjekja e Shtëpisë së Bardhë për t’i mbuluar e zbukuruar krimet e veta me darka të tilla ku mundohet t’i tregojë botës se nuk ka asnjë problem me muslimanët, por fakti se muslimanët e ftuar e bëjnë një sy qorr dhe i harrojnë vëllezërit e tyre anë e mbanë botës. Në asnjë rast, liderët muslimanë të pranishëm në këto iftare nuk janë prononcuar e as nuk e kanë shfrytëzuar rastin për të denoncuar politikat anti-muslimane të Amerikës në botë.

Në mënyrë të ngjashme, hipokrizia e presidentës së Kosovës Atifete Jahjaga për të “nderuar” femrat muslimane është një pafytyrësi e pashoq. Jo më larg se para një viti e gjysëm, ajo deklaroi publikisht gjatë një interviste për emisionin Rubikon në KTV se nuk do të lejonte mbajtjen e shamive në shkolla, madje duke e përsëritur disa herë këtë. “Kjo (mbajtja e shamisë në shkolla) nuk lejohet dhe nuk do të lejohet, sepse Republika e Kosovës është shtet laik”, ka thënë ajo. Gjithashtu, ajo dhe qeveria e Kosovës janë përgjegjëse për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të besimtarëve muslimanë, pengimin e fesë Islame, kategorizimin e muslimanëve si rrezik i mundshëm për sigurinë e vendit dhe arrestimin e tyre për terrorizëm pa asnjë provë me anë të operacioneve policore spektakolare në mes të ditës. Këto nuk harrohen me një iftar!

Edhe në Shqipëri kemi pak a shumë një tablo të ngjashmë, edhe pse ndoshta më pak dramatike. Komuniteti Musliman i Shqipërisë në vazhdën e iftareve të organizuara, kishte ndarë një darkë të posaçme edhe për përfaqësuesit e mediave në Shqipëri. Deri këtu asnjë problem! Të shtrosh darka e të ftosh njerëz i shërben mirëkuptimit dhe afrimit të njerëzve me njëri-tjetrin.

Sipas njoftimit në faqën zyrtare, Komuniteti Musliman “ka mbledhur në tryezën e iftarit gazetarët më të njohur në vend, si dhe përfaqësues të ndryshëm të medias në Shqipëri, në shenjë respekti të punës dhe misionit të tyre fisnik në informimin e publikut.” Kryetari Bruçaj gjatë fjalës së tij theksoi se “Roli i medias është shumë i rëndësishëm dhe dëshira dhe vullneti ynë është që të kemi pranë opinionit publik, t’i sqarojmë gjërat siç duhet edhe shoqëria, por edhe ju ta ndjeni dhe njihni më afër kontributin, që ka ky institucion në të mirën publike, në të mirën e përbashkët, sepse mirëqenia sociale arrihet vetëm me kontributin e përbashkët”.

Ndërsa sipas prononcimit të nënkryetarit Ali Zajmi, këto iftare shërbejnë “që njerëzit të jenë sa më afër njëri-tjetrit, të komunikojnë dhe të zhvillojnë ide të ndryshme, se si mundet të kontribuojnë për shoqërinë.”

Edhe pse iftaret mendohet se duhet të jenë për muslimanët që agjerojnë, ose të paktën për ndonjë që dëshiron të provojë këtë përjetim shpirtëror dhe fizik për të kuptuar sakrificën që bëjnë muslimanët gjatë këtij muaji, të pranishmit e ftuar nga KMSH-ja jo vetëm që nuk kishin asnjë lidhje me fenë (e nuk kanë pse të kenë), por përkundrazi, ata janë përfaqësues të një makinerie e cila punon pa reshtur natë e ditë për prishtjen e imazhit të Isamit dhe muslimanëve në këtë vend.

Në këtë kuptim, Institucioni që përfaqëson muslimanët në këtë shtet, bashkë me kryetarin e nderuar z. Skender Bruçaj, nuk ditën ta shfrytëzojnë këtë rast për të adresuar ballë për ballë me përfaqësuesit e medias një nga problemet më kryesore sot më të cilën po përballen muslimanët: islamofobinë në media. Siç është cekur edhe në një artikull të e-zanit, gjatë kësaj darke nuk u tha asnjë fjalë e vetme për promovimin  dhe nxitjen e urrejtjes nga media apo lejimin e gjuhës së urrejtjes ndaj musimanëve në komentet online. Pa përmendur këtu faktin se sa herë bëhet fjalë për Islamin dhe muslimanët niveli i gazetarisë shqiptare bie në nivelin më të ulët, duke publikuar lajme të paverifikaura në dëm të imazhit të muslimanëve. Rasti i Lazaratit dhe pretendimit për “terrorizëm islamik” nga disa media është akoma i freskët.

Raste të tilla duhet të shfrytësohen për të nxjerrë në pah probleme që e shqetësojnë vendin tonë, në mënyrë të veçantë muslimanët e këtij vendi, e jo të firtohet me mediat e t’u përkëdhelet egoja.

Me keqardhje, na duhet të themi se KMSH-ja ka dështuar disa herë që të ngrejë zërin në mbrojtje të muslimanëve dhe imazhit të Islamit në vendin tonë. Rasti më i fundit ishte deklarata e kryeministit të vendit Edi Rama, i cili u tha shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se Shqipëria rrezikohet nga “Islami radikal” dhe se muslimanët e këtij vendi përbëjnë rrezik potencial në këtë drejtim. Nga institucioni që mendohet se duhet t’i përfaqësojë muslimanët dhe të jetë zëri i tyre, nuk pati asnjë reagim!

Kryetari Bruçaj dhe zotërinjt e nderuar që punojnë në këtë institucion duhet të dinë se edhe të drejtat e muslimanëve janë po aq të shenjta sa edhe vakëfet e lëna amanet nga të parët, për të cilat nuk ngurrojnë të prononcohen sa herë që janë në rrezik. Madje, muslimanët janë pasuri më e çmuar se vakëfet dhe për ta duhet ngritur zëri më shpesh, sidomos në këto lloj rastesh!

Observer.al

4 KOMENTE

  1. Pse dreqin mundoheni te nxitni mosmarreveshje mes muslimaneve dhe pastaj fajesoni te tjeret per problemet qe kemi mes njeri tjetrit? Fajesoni median kur juve si media e keni mendjen te merreni me KMSH e vellezerit muslimane. TURP

  2. Askush nuk po nxit mosmarreveshje mes muslimaneve ketu, perkundrazi kjo kritike ka per qellim terheqjen e verejtjes me qellim permiresimi. Pastaj secili ka te drejte t’i kerkoje KMSH-se, si intitucion qe perfaqeson muslimanet, qe te beje detyren e vet ashtu sic duhet. Per sa i perket medias, mundohu te besh dallimin ndermjet nesh qe po mundohemi te ngreme zerin per dicka qe i shqeteson muslimanet dhe mediave te tjera qe prishin imazhin e muslimaneve.

  3. Urime per kete permbledhje qe keni bere per dukurine e iftareve hipokrite dhe shanset e humbura nga muslimanet. Pergezime per punen ne pergjithesi. Me respekt…

  4. Ne te gjithe artikujt qe permendet KMSH-ja do jete se sben se sipash jush kane bere gabime. E para e punes atje ka njerez te cilet i mendojne shume mire gjerat te cilat i bejne dhe e dyta rishikojini mire idete e juaja dhe studiojini mire pasi te flasesh ne ajer i ben dem vetes dhe te gjithe atyre qe lexojne kesisoj artikujsh pa pike lidhje nga ana juaj

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.