Friday, April 19, 2024

Intervistë me Linda Hyökki: Islamofobia është një formë racizmi

Linda Hyökki është nga Finlanda. Studimet pasuniversitare i ka kryer në Gjermani. Ajo është hulumtuese në Qendrën për Islamin dhe Çështjet Globale në Universitetin “Sabahattin Zaim” në Stamboll. Hulumtimet e saja bazohet në islamofobinë dhe minoritetin mysliman në kontekstin europian. Momentalisht, ajo ndjek studimet e doktoratës në Universitetin “Ibn Haldun” në drejtimin e hulumtimeve të qytetërimeve. Ajo, po ashtu, është e angazhuar edhe në Qendrën për Politika Postnormale dhe Studime të Ardhmërisë (CPPFS). Në këtë numër të revistës Shenja, arritëm të zhvillojmë një intervistë me të rreth problemit të islamofobisë në Europë dhe problemet me religjionin dhe ksenofobinë në përgjithësi.

Çfarë është islamofobia në thelb?

HYÖKKI: Ka një sërë përkufizimesh për islamofobinë dhe një pjesë e mirë e kritikës vë në shenjë vetë fjalën “islamofobi”, duke argumentuar se ajo krijon një imazh që njerëzit, të cilët shprehin antipati ndaj myslimanëve ose e thonë mospëlqimin e tyre për Islamin, do të viheshin në të njëjtin nivel si ata që vuajnë nga fobia klinike. Megjithatë, islamofobia nuk është termi i parë me një domethënie të kuptuar gjerësisht, që shtrihet përtej kuptimeve të veçanta të përbërësve të tij kur gjykohet i izoluar, për të menduar homofobinë, ksenofobinë apo antisemitizmin.

Disa studiues e shohin islamofobinë vetëm nga një këndvështrim njohës, ndërsa të tjerë i shqyrtojnë gjithashtu lidhjet e saj historike me orientalizmin dhe kolonializmin, e që këtej mënyrat në të cilat islamofobia ka zënë vend në ditët tona si një paradigmë diskriminuese në strukturat e shoqërisë dhe ka hedhur rrënjë thellë në ligjërime si çdo formë tjetër racizmi. Unë dua t’i bashkoj të dyja aspektet në perceptimin tim të këtij fenomeni. Por, unë e konsideroj islamofobinë si një formë racizmi dhe ky pohim është i mbërthyer në pranimin e sotëm të racës si një kategori shoqërore, jo si një kategori biologjike. Kjo mund të shihet përmes procesit të racializimit, që e kthen një grup etno-fetar, të tillë si myslimanët, në një racë dhe, vijueshëm, në ligjërimin racist antimysliman, ku myslimanët trajtohen si më të ulët karshi jomyslimanëve, kjo për shkak të dallimeve të tyre në një mënyrë të ngjashme, siç racizmi – i bazuar në dallimet biologjike – do t’i trajtonte njerëzit me ngjyrë. Në këtë kuptim, islamofobia është për mua një lloj paradigme e rreme ontologjike, teksa i trajton si të njëjtë të gjithë myslimanët dhe nganjëherë jomyslimanët e perceptuar si myslimanë me të njëjtat karakteristika të brendaqenësishme. Islamofobi nuk pyet vërtet se çfarë beson individi, por e kategorizon më së pari si “një mysliman” me rrjedhoja të dëmshme.

Kësisoj, në nivelin individual, islamofobia ndërton një “identitet mysliman” të palëvizshëm, të veshur me terma negativë dhe të përdorur për t’i kategorizuar të gjithë personat me të shkuar ose sfond mysliman. Por, në nivelin kolektiv, kjo paradigmë diskursive përdoret për të krijuar struktura në shoqëri, kështu që një grup mbizotërues njerëzish, përgjithësisht jomyslimanë, mund ta shfrytëzojnë atë për objektivat e tyre, për ta forcuar pozitën e pushtetit duke e tjetërsuar popullsinë myslimane, duke e bërë atë “kokë turku” për çdo gjë të keqe që ndodh në shoqëri dhe duke e justifikuar përjashtimin e saj nga shpërndarja e burimeve dhe pasurisë. Një shembull i kësaj janë diskutimet mbi myslimanët imigrantë, që përhapin kriminalitet, që nuk u binden “normave kulturore” të shoqërisë pritëse, dhe, për pasojë, të nënshtruar ndaj mohimit të shërbimeve të mirëqenies shoqërore, ndërsa portretizohen pothuajse metaforikisht si parazitë në shoqëri. Në aspekt të islamofobisë mund të shohim po ashtu qartë se si ajo është e lidhur historikisht me ideologji të tjera supremaciste, të tilla si orientalizmi, i përdorur në mënyrë të ngjashme për t’i tjetërsuar nënshtetasit myslimanë të Perandorisë dhe për t’i përligjur kështu veprimet imperialiste kundër tyre.

Bazuar në shumë ndodhi, a mund të flitet për Islamofobinë si mendësi e re, duke e tejkaluar dimensionin e një fenomeni të thjeshtë psikik në atë të një strukture epistemologjike?

HYÖKKI: Islamofobia ka, në mënyrë të prerë, përbërës të lidhur me prodhimin dhe konfirmimin e dijes. Për më tepër, unë mendoj se struktura epistemologjike dhe dimensioni psiko-individual po e ushqejnë njëri-tjetrin. Prandaj kurrë nuk do ta konsideroja këtë të fundit si një dimension të izoluar të islamofobisë. Mendimet e individit, stereotipat që ai ose ajo i ka dhe antipatia që ai ose ajo mund të ndiejë ndaj myslimanëve, formohen nga informacioni i disponueshëm për myslimanët dhe Islamin; ai i shpërndarë nga mjetet e informimit, në ligjërimin e politikanëve, në kërkimin e “saktë” të bërë nga institutet ose nga narrativa “autentike”, të shpërndara si nga “ish-myslimanë” dhe të tjerë “ekspertë”. Dhe, pa hyrë në shumë hollësi për të, vetëm doja të thosha se ne duhet të jemi të vetëdijshëm për rrjetet e gjera të industrisë së islamofobisë, organizuar dhe financuar nga aktorë të qarqeve sioniste dhe neokonservatore. Institutet e tyre dhe aktorë të tjerë, të lidhur gjithashtu me rrjetin “kundërxhihadist”, kontribuojnë në mënyrë aktive për shpërndarjen e narrativave islamofobe anembanë globit.

Një prej mënyrave të vështrimit të prodhimit të dijes mbi myslimanët dhe Islamin është ta konsiderosh atë të bërë nga lart poshtë dhe individët bëjnë bazën në shpërndarjen e saj nëpërmjet kanaleve të medias sociale dhe në rrethet e tyre shoqërore. Për më shumë, konfirmimi i dijes që ka të bëjë me myslimanët dhe Islamin është i lidhur me kontekstin më të gjerë të racizmave epistemike dhe unë do të rekomandoja punët e studiuesit portorikan Ramon Grosfoguel për një analizë më të thellë të islamofobisë epistemike. Islamofobia epistemike shfaqet veçanërisht në përpjekjet për t’i diskredituar ata myslimanë që shprehen kundër narrativave islamofobike si “joobjektive”. Për shembull, kur unë dhashë një intervistë mbi punën time për një platformë akademike gjermane të përqendruar në botën islame, një prej komenteve në median sociale pyeste nëse ishte “Linda akademike që fliste apo Linda myslimane”. Forma epistemike e islamofobisë thotë se vetëm një person jomysliman, që po ndjek një mënyrë eurocentrike, shekullariste të menduari, do të ishte në gjendje të fliste objektivisht mbi Islamin dhe myslimanët dhe në formën e saj seksiste do ta minonte, madje, aftësinë e një femre myslimane për të folur për veten. Bie fjala, kur një mbajtëse e hixhabit do të thoshte se kishte zgjedhur për veten e saj të vinte shaminë e kokës, reagimi është të hidhet poshtë përgjigjja e saj dhe të bindet ajo se është “trushpëlarë”, “e shtypur” dhe, që këtej, në nevojë për shpëtim nga Mashkulli (Femra) e Bardhë. Kjo mënyrë mendimi është e lidhur me racizmin e përgjithshëm epistemik të përjetësuar nga Perëndimi, sipas të cilit vetëm prodhimi perëndimor i dijes (pas iluminizmit?) është konsideruar si i vlefshëm dhe racional.

Ju jeni marrë me studimin e islamofobisë edhe në vendet perëndimore. Çfarë elemente mund të dalloni dhe cilat janë specifikat saj?

HYÖKKI: Siç e kam treguar më sipër, unë besoj se islamofobia shfaqet në ligjërim, në ideologji, në sjellje dhe struktura, pra në ligje, në politika dhe në qëndrimin zyrtar të funksionarit shtetëror. E, ashtu si e shoh, të tëra këto dimensione e ushqejnë njëra-tjetrën. Raste të islamofobisë diskursive janë mënyrat në të cilat media riprodhon stereotipa të meshkujve terroristë myslimanë ose të femrave të shtypura myslimane, ndërsa, për shembull, raporton për vërshimin e refugjatëve. Sigurisht, ju mund ta keni vënë re këtë edhe kur vëzhgoni gazetat shqiptare. është një strategji shumë e zakonshme nga media, që fatkeqësisht ecën mirë. Në ideologji, islamofobia është si shembull i lidhur me supremacinë e bardhë, me kuptimin që myslimanët janë në mënyrë të brendaqenësishme të ndryshëm nga jomyslimanët dhe për procesin e racializimit të myslimanëve, të cilit iu referova më parë. Në këtë pikëpamje flet, gjithashtu, mënyra në të cilën të konvertuarit e “bardhë” janë kategorizuar në të njëjtën mënyrë si myslimanët me ngjyrë si Tjetri dhe atyre u janë atribuar karakteristika të ngjashme, të përdorura për t’i përshkruar ata si inferiorë karshi bashkëqytetarëve jomyslimanë. Me t’u përvetësuar, idetë islamofobe reflektohen në sjelljen e disa njerëzve, si akte të dhunshme ndaj myslimanëve (këtu mund të përmenden raportet nga ODIHR-i dhe ENAR-i mbi krimin e urrejtjes), si për shembull: përpjekja për të hequr një shami koke prej një myslimaneje ose agresionet e vogla të përditshme, si sjellja diskriminuese në shërbimin e klientit, mes të tjerash, duke mos e lejuar një kliente myslimane t’i përdorë mjetet gjimnastikore për shkak të shamisë së saj të kokës (raste ilustruese janë raportuar nga Gjermania).

Së fundi, për ta bërë të qartë si islamofobia ka zënë rrënjë në strukturat shoqërore, mund të përmend një rast nga vendi im, Finlanda, ku në një seminar të quajtur “I humbur në Helsinki”, të organizuar nga departamenti përgjegjës për çështjet e imigracionit në Policinë e Helsinkit, një varg diapozitivash në powerpoint u paraqitën nga përfaqësuesit e forcave policore, që përshkruanin “klientët më të zakonshëm” të policisë. Disa prej përshkrimeve ishin marrë prej stereotipave islamofobe – një profil i një klienteje femër të quajtur “Aino”, duke e huazuar figurën e famshme të veprës poetike epike kombëtare finlandeze të hartuar nga Elias Lönnrot. “Aino” ishte përshkruar si një vajzë me një shami koke, aq qartë, duke iu referuar lidhjes së saj fetare si një myslimane. Ajo qe supozuar të ishte një grua shtëpiake, ndërsa, nga sa pretendohet, qëndrimi brenda dyerve është diçka që “feja” e saj e “detyron” atë të bëjë – një viktimë e dhunës familjare, dikush që është e paaktivizuar në tregun e punës dhe, madje, nuk mund të komunikojë për shkak të mungesës së aftësive gjuhësore. Shembuj të tillë të profilizimit etnik dhe të islamofobisë së institucionalizuar nuk bëjnë asgjë më pak se ta përhapin fanatizmin, paragjykimet dhe të kontribuojnë, për pasojë, për gjuhën e urrejtjes dhe viktimizimin e pakicave, manifestuar në sjelljen e individëve e, kësisoj, qarku plotësohet.

Çfarë ndërlidhje mund të ketë islamofobia dhe antisemitizmi?

HYÖKKI: Unë nuk jam një eksperte e studimeve të antisemitizmit, por nga ajo çfarë kam vënë re deri më tani, ndërkohë që studioj islamofobinë, mund të them me siguri se Hebreu dhe Myslimani (po përdor shkronjat e mëdha për të treguar idenë e një figure ose kategorie ontologjike, të ndërtuar megjithatë nga pikëpamja shoqërore) kanë luajtur rolin e “Tjetrit” përgjatë shekujve në imagjinaren europiane. Judaizmi dhe Islami, i fundit veçanërisht nga kohët e Gjonit të Damaskut dhe kryqëzatave e këtej, janë përdorur për të krijuar një identitet europian të bazuar në Krishterimin dhe në trashëgiminë e jashtëzakonshme kulturore të periudhës antike – për të mos folur për ironinë e filozofëve të periudhës antike që huazojnë intelektualisht prej filozofëve të botës islame – ndërsa tjetërsohen dhe demonizohen ata të besimeve të tjera po ashtu për të justifikuar mizoritë e kryera kundër tyre në emër të Zotit ose të “qytetërimit”.

Derisa antisemitizmi lulëzoi në fundin e shekullit të 19-të dhe u shfrytëzua për t’i nxjerrë qytetarët hebrenj të mirëvendosur prej pozicioneve të tyre shoqërore, e në fund çoi në veprimet e tmerrshme të holokaustit, një ngjashmëri ideologjike bie në sy. Si hebrenjtë, ashtu edhe myslimanët, janë përshkruar si brendaqenësisht të ndryshëm nga jomyslimanët, ndërsa të parët janë barbarë, lakmitarë (për para dhe pushtet) dhe në mënyrë të shtrembër, duke u përpjekur për ta “marrë në dorë shoqërinë”. Që këtu pason dhe krijimi i koncepteve të tilla, si “islamizimi i Europës” dhe Eurabia. Akoma, siç po e shohim së fundi, krimet e urrejtjes të kryera kundër myslimanëve dhe hebrenjve janë të ngjashme: të shtëna në vendet e adhurimit, që ngjajnë me masakër, sulme të dhunshme në rrugë, si dhe vandalizim i pasurisë. Në përgjithësi, do të thosha se urrejtja është përhapur nga të njëjta grupe dhe prandaj ngjashmëritë janë jo vetëm të vëzhgueshme në nivelin ideologjik dhe në lidhje me funksionin historik të dy ideologjive, por islamofobia vepron në kohët e sotme në mënyrë të ngjashme siç bëri antisemitizmi gjatë shekullit të fundit, kjo nëse i marrim në konsideratë agjendat politike të përfaqësuara nga partitë e ekstremit të djathtë, nga grupet nacionaliste dhe të supremacistëve të bardhë, mbrojtëse të idesë së një nevoje në pastrimin e “kombit europian” ose të “racës së bardhë kristiane”.

A mund të konsiderohet mbulesa e femrave myslimane si shënjimi kryesor i rritjes së islamofobisë?

HYÖKKI: Ndonëse viktimizimi i madh i femrave myslimane sa ka të bëjë me ngacmimin dhe krimin e urrejtjes veçanërisht në Europë është dokumentuar nga raporte (Rrjeti Europian Kundër Racizmit [European Network Against Racism]) dhe nga kërkime cilësore të kryera nga studiues të tillë si Zempi dhe Chakraborti, ne nuk mund dhe nuk duhet ta reduktojmë islamofobinë vetëm në armiqësi kundër hixhabit ose “femrës së dukshme myslimane”. Nëse do vepronim kështu, do të na mungonin shumë aspekte të tjera përkatëse të manifestimeve të islamofobisë, siç i diskutova më sipër. Për shembull, heqja dorë nga shamia e kokës nuk do ta zgjidhte ndërseksionalitetin e islamofobisë, teksa gjithashtu etniciteti dhe ngjyra e lëkurës janë dy aspekte nëpërmjet të cilëve njerëzit myslimanë – dhe jomyslimanë (!) – janë njohur/perceptuar si myslimanë. Veç kësaj, argumentimi se islamofobia po rritet përgjithësisht për shkak të praktikës së hixhabit, jo vetëm që do t’i inkriminonte femrat myslimane, që duan ta vënë mbulesën, por i vë në pozitë të padrejtë, në të cilën do të duhej të bënin një zgjedhje midis praktikimit lirisht të besimit të tyre fetar dhe braktisjes së një pjese të identitetit të tyre për hir të shpëtimit të myslimanëve të tjerë nga islamofobia.

Megjithëkëtë, tjetërsimi i myslimanëve nuk do të mposhtet duke i bërë “të padukshme” femrat myslimane, edhe pse kjo mund të jetë diçka që islamofobët do ta prisnin ngrohtësisht. Sigurisht që islamofobët i bezdis fakti që t’i shohin femrat e mbuluara myslimane të pranishme në shoqëri, duke marrë pjesë në jetën civile – ndoshta nganjëherë edhe më aktivisht se qytetarët jomyslimanë – apo thjesht të suksesshme në jetët e tyre. Dhe, sigurisht do t’u shkonte për shtat atyre që e mbrojnë “asnjanësen dhe shekullaren” e hapësirës publike ta shihnin hixhabin të zhdukej, por atëherë ne do duhej të bënim pyetjen e madhe: çfarë e përkufizojmë saktësisht si asnjanëse? Islamofobia dhe tjetërsimi i myslimanëve është një instrument i nevojshëm për shoqëritë me shumicë jomyslimane për ta mbajtur të gjallë identitetin e tyre, ndërsa ai ushqehet me dikotomitë, që përshkruajnë çfarë janë myslimanët dhe çfarë nuk janë, si njëri dhe tjetri që nuk i përkasin “kulturës së ndriçuar, perëndimore, kristio-judeane” dhe ndonëse shamia e kokës është pjesë e asaj që ne e quajmë islamofobi për një gjini, nuk është i vetmi përbërës i paradigmës islamofobe si një të tërë.

Cili është ndërveprimi i islamofobisë me lëvizjet e ekstremit të djathtë në Europë?

HYÖKKI: Kjo është një temë e gjerë, shqyrtimi i së cilës nuk është plotësisht i mundur brenda sferës së dialogut tonë. Por, nëse do të komentoja ca prej aspekteve të saj, do të vija në dukje se multikulturalizmi dhe shoqëritë multienike ose multifetare, që janë realiteti ynë i gjallë në të gjitha vendet europiane, nuk janë të pajtueshme me politikat populiste të së djathtës, të karakterizuara tani gjithnjë e më tepër nga idetë e supremacisë së bardhë, në ngritje anembanë Europës, siç është e dukshme, për shembull, nga mbështetja e fuqishme e partive të tilla, si Fronti Kombëtar, PVV dhe FPÖ në zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare në Francë, Holandë dhe Austri. Qëndrimet antimultikulturaliste dhe antimyslimane janë nxitur nga ngjarje të karakterizuara nga sulme të dhunshme terroriste të kryera nga myslimanë, si dhe nga debatet e mëdha mbi dikotominë e lirisë së shprehjes dhe blasfeminë. Diskutimet mbi rolin e Islamit dhe të myslimanëve në shoqëritë europiane janë të ndërthurura aty për aty me debatet mbi multikulturalizmin në atë shkallë që sulmet mbi multikulturalizmin janë konceptuar njëherësh si sulme mbi praninë e Islamit, myslimanëve dhe praktikave të tyre. Ligjërimi në planin politik dhe në kontekstin finlandez është mbërthyer në një antipati të hapur ndaj multikulturalizmit, teksa, për shembull, deputeti i Partisë së Finlandezëve (Perussuomalaiset), Olli Immonen, deklaronte se ai po “ëndërronte për një komb të fuqishëm, të guximshëm, që do ta mposhtte këtë makth të quajtur multikulturalizëm”. Në Gjermani, partia e së djathtës ekstreme, AfD (Alternativa për Gjermaninë), doli në një fushatë politike me banderola që kishin slogane të tilla si “Shkolla pa Islamin” apo “Burkat? Ne pëlqejmë bikinët!” Për t’u kthyer te ngjashmëritë midis islamofobisë dhe antisemitizmit, ne duhet të kemi parasysh se kur u bënë të njohura banderolat, aktivistët gjermanë antiracistë e shprehën tronditjen e tyre, duke u kujtuar njerëzve afishe të ngjashme me slogane “Shkolla pa hebrenj”, të përdorura në periudhën naziste, për të treguar nëse një shkollë ishte e boshatisur, prej deportimit, nga nxënësit hebrenj. Unë e shoh shqetësuese një normalizim të tillë të ksenofobisë, përmes rasteve kur politikanë të partive të së djathtës ekstreme e përdorin retorikën antimyslimane në fushatat dhe deklaratat e tyre. Partitë e së djathtës ekstreme janë tani në pozicione me pushtet në shumë vende europiane, prej nga mund t’i përhapin lehtësisht idetë e tyre. Kur njerëzit e thjeshtë i shohin dhe i dëgjojnë ata të përdorin imazhe dhe argumente islamofobe, ky është një lloj justifikimi dhe inkurajimi për gjuhën e tyre të urrejtjes në median sociale.

A janë sulme sulmet në Zelandën e re të lidhura direkt me islamofobinë apo bëhet fjalë për diçka më të madhe dhe më të organizuar?

HYÖKKI: Burimi më i mirë për të parë një përgjigje të mundshme për këtë pyetje, për mua, është manifesti i qëlluesit. Ai i thekson idetë e tij mbi imigrantët si “pushtues”, që janë gati ta zëvendësojnë etnikisht dhe kulturalisht “popullatën e tij” me pasjen e “përqindjeve më të larta të lindjeve”. Me “popullatë të tij” ai nënkupton “europianët e bardhë”. Edhe pse nuk e përmend Islamin dhe myslimanët posaçërisht, veçse në pak raste, është e lehtësisht e kuptueshme, për shembull, nga referencat e tij për imigrantët në Francë se popullsia imigrante, për të cilën po flet ai, janë myslimanët, të cilët i përshkruan si Tjetri racial. Ai, para së gjithash, bashkëngjiti një letër drejtuar “turqve”, në të cilën vinte në dukje se “(…) nëse ju përpiqeni të jetoni në tokat europiane, kudo në perëndim të Bosforit, ne kemi për t’ju vrarë dhe kemi për t’ju dëbuar si buburreca nga tokat tona. Ne po vijmë për Kostandinopojën dhe do të shkatërrojmë çdo xhami e minare në qytet. Shën Sofia do të jetë pa minare dhe Kostandinopoja do të jetë edhe një herë me të drejtë në dorë të kristianëve.” Bie në sy se ai shpreh urrejtje të madhe për myslimanët e konvertuar dhe i quan ata “tradhtarë”. Nga kjo bëhet e qartë se kuptimi i tij mbi Islamin është tepër i racializuar, me kuptimin se kur një person kthehet në Islam është sikur karakteristikat e tij ose të saj të brendshme do të ndryshojnë, në atë mënyrë që i japin mundësi atij t’i shohë ata si të tjerë racialë. Ne duhet të mos e nënvlerësojmë faktin se ai zgjodhi një xhami si objektiv të tij dhe e racionalizoi këtë zgjedhje duke thënë se xhamia ishte vendi ku mund të godiste më shumë “zaptues”. Faktor i rëndësishëm në kuptimin e logjikës së tij është të merret parasysh se ai e shpjegonte interesin e tij ndaj kulturave të huaja, por qartësisht e mbron një botë të ndryshme, në kuptimin që kulturat/”racat” nuk përzihen me njëra-tjetrën, që tregon se ai kishte një motivim racist, supremacist të bardhë, për aktin e tij.

Ashtu si vrasësit e tjerë si ai, të bardhë, jomyslimanë, që vënë në shenjë një bashkësi myslimanë, janë përshkruar gjithmonë si “ujq të vetmuar” të prishur mendërisht (në mënyrë të rreme, sipas meje), është e domosdoshme të vërehet si lidhjet e tij, për shembull, me lëvizjen identitare në Austri ishin provuar më vonë. Kështu, po, akti kishte përfundimisht një nxitje islamofobe, por gjithashtu ishte i lidhur me rrjetin më të gjerë të një lëvizjeje të rrezikshme të mbështetur politikisht dhe financiarisht, e që fare mirë mund të miratojë e të mbështesë akte më të neveritshme, si masakra e Christchurch-it. Pyetja mbetet: sa e gjerë do të jetë rrezja e këtyre pasojave?

Bazuar në studimet dhe kontaktet tuaja që keni, a keni parë të ketë islamofobi në Ballkan dhe si shpërfaqet ajo?

HYÖKKI: Pavarësisht prej raportimeve nga kontaktet e mia lokale mbi diskriminimin ndaj femrave me hixhab dhe retorikës ksenofobe të përdorur kundër refugjatëve myslimanë si nga media dhe politikanë, unë nuk e kam pasur ende, për fat të keq, mundësinë e studimit të islamofobisë në Ballkan në atë masë sa të mund të flas me siguri për të dhe pa dyshim që hulumtuesit vendas mund të flasin më shumë mbi shfaqjet e tij në jetën e përditshme. Për sa e kam vizituar gjer më tani Bosnjën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën për qëllime të tjera, unë kam mësuar për historinë e gjallë të Islamit në këto lokalitete. E kuptoj se rajoni është i karakterizuar së tepërmi nga historia shkatërruese e gjenocidit etnik të kryer nga serbët ndaj myslimanëve të Ballkanit dhe se vrajat e luftës nuk janë shëruar ende – nuk e di nëse kjo do të jetë ndonjëherë e mundshme – duke u ardhur në ndihmë tensioneve ekzistuese aktuale. Megjithatë, mund të them se pasojat e islamofobisë historike, si të mbrojtur nga nacionalistët serbë, dhe lidhjet e tij me ideologjinë më të gjerë të supremacisë së bardhë-kristiane të kohës së sotme, mund të shihen në mënyrën si qëlluesi i masakrës së Christchurch-it në Zelandën e Re jo vetëm po i lartësonte luftëtarët serbë në shenjat që la në armët e tij, por në sloganin “Hiqe kebabin”, që i referohet një videoje muzikore propagandistike nga nacionalisti serb që mbron spastrimin etnik të myslimanëve. Kjo është gjithashtu një arsye pse unë besoj se islamofobia në Ballkan duhet marrë seriozisht në konsideratë nga hulumtuesit, ngaqë lidhjet dhe kontinuumi historik i urrejtjes janë shumë të thella dhe mbartin pasoja më të dëmshme për popullsinë myslimane të Europës në përgjithësi. Islamofobia ka gjithmonë shfaqje lokale, por siç mund ta shohim, lidhjet globale të rrjetit janë të forta. Prandaj, shpresoj se hendeku im në njohuritë mbi temën do të mbyllet një ditë me vizita kërkimore në vende të ndryshme të Ballkanit dhe me më shumë ndërveprim me hulumtuesit lokalë dhe organizatat vendore. 

Intervistoi: Latif Mustafa. Intervista është publikuar më parë në Revistën Shenja.

Të ngjashme
Related

Si mund ta përdorë Izraeli sulmin e Iranit për të nxitur Islamofobinë në botë

Proçka medemek hakmarrëse e shtetit shiit që dëmton kauzat e drejta dhe vetë muslimanët.

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar?

Dita Ndërkombëtare për Luftimin e Islamofobisë: një thirrje globale për veprim

Vetëm përmes veprimit kolektiv dhe një angazhim global për të luftuar Islamofobinë, mund të garantojmë sigurinë dhe dinjitetin e muslimanëve kudo që ndodhen.

Manipulimi me “Fenë e vjetër’ të shqiptarëve në letërsinë shqipe

Falsifikimi i fakteve dhe i të vërtetave historike dhe fetare, për gjoja “fenë e vjetër- “krishterimin dardan”, nuk i bën asnjë dobi krishterimit sot ndër shqiptarë.
Verified by MonsterInsights