Intervistë me studjuesen Linda Hyokki: Europa ka një problem serioz me Islamofobinë

"Europa ka probleme me fenë në përgjithësi dhe Islamin në veçanti"

0
Studjuesja Linda Hyokki – finlandeze e konvertuar në Islam – diskuton arsyet e diskriminimit fetar, të luftës kundër islamofobisë, çështjën e hixhabit dhe mënyrën si të përballemi me narrativat e përditshme kundër muslimanëve.

Islamofobia është përshkruar si “frikë e tepruar, urrejtje dhe armiqësi ndaj Islamit dhe muslimanëve”. Çfarë ju shtyu të vendosni që studimet tuaja të doktoraturës t’i përqendroni tek islamofobia?

Linda Hyokki: Si akademike kam vënë re se në Finlandë ka mungesë hulumtimesh në fushën e Islamofobisë. Islami në përgjithësi konsiderohet si fe e emigrantëve. Pas fluksit të refugjatëve në vitin 2015, në Finlandë nisi një valë e re e retorikës anti-islame, prandaj mendova se do të ishte interesante dhe e rëndësishme të bëj disa kërkime në lidhje me finlandezët që janë rritur në ambient jofetar por që kanë zgjedhur Islamin si fe të tyre, si zgjedhje personale.

Çfarë mendoni se e shkakton islamofobinë?

Hyokki: Ka të bëjë shumë me fenomenin e njohur si “racializimi ndaj muslimanëve”. Muslimanët trajtohen sikur të ishin racë. Në këtë mënyrë, paragjykimi anti-musliman kthehet në racizëm. Përdoret e njëjta terminologji që përdoret në rastin e racizmit biologjik. Prandaj studiuesit shpesh flasin për “racizëm anti-musliman”. Islamofobia nuk ka të bëjë vetëm me stereotipet apo paragjykimet, por edhe me një formë diskriminimi të institucionalizuar. Po ashtu, është e rëndësishme të kuptohet se islamofobia nuk është thjeshtë një fenomen që u shfaq pas sulmeve të 11 shtatorit. Muslimanët kanë qenë subjekt i diskriminimit shumë më herët se viti 2001. Mjafton të shikojmë orientalizmin evropian për të parë se ndjenjat anti-islame kanë ekzistuar prej një kohe të gjatë.

Si shihen muslimanët e konvertuar në Finlandë?

Hyokki: Edhe nëse jemi finlandez të lindur dhe të rritur në Finlandë, sapo konvertohemi në Islam, shndërrohemi në “racën tjetër”. Nuk konsiderohemi më si pjesë e “kulturës vendase”. Politikanët e krahut të djathtë i kanë vendosur muslimanët përballë racës së supozuar nordike. Kur ish-kandidatja për presidente, Laura Huhtasaari e Partisë Finns, foli kundër burkës. u shpreh se gratë muslimane nuk kanë lirinë e zgjedhjes dhe i etiketoi ato si “tjetri”.

Komentin e saj se si grua nordike ajo ka lirinë të vendosë të vesh pantallona apo fund, unë e kuptoj si përpjekje për t’i përjashtuar gratë muslimane që jetojnë në Finlandë nga të qenit “ne” në dimensionin kulturor.

Standardet e dyfishta të qytetërimit perëndimor: “Shoqëria duket e paaftë për t’u përballur me një grusht grash të mbuluara. Dhe në fund të ditës, e gjitha me çka merremi është mënyra se si njerëzit vendosin të vishen. Le të marrim një tjetër shembull, siç është e drejta e poligamisë në Islam, e cila paragjykohet e sulmohet shumë. Kur e vëmë përballë stilit të jetesës “moderne,” të mardhënieve të hapura (polimorfe), njerëzit duket se janë më të prirur ta pranojnë atë. Në momenti që bën diçka për arsye fetare, ajo kthehet në problem,” thotë Hyokki.

Me çfarë lloje diskriminimesh përballen të konvertuarit në Islam?

Hyokki: Gjatë punës sime në terren kam intervistuar të dyja gjinitë,burra dhe gra, në përpjekje për të mbajtur shënim përvojat e tyre. Një vajzë më ka treguar se kur nëna e vet kishte marrë vesh se ishte konvertuar në muslimane, kishte marrë në telefon një numër për viktimat e fesë, nga frika se mos ajo kishte qenë viktimë e ndonjë trushplarjeje. Në një rast tjetër, një vajzë ishte diplomuar në shkollë të mesme si studentja më e mirë e shkollës. Dhe siç e don zakoni, ajo do të mbante fjalimin e diplomimit të atij viti. Por për shkak se ishte muslimane, drejtori i shkollës nuk e lejoi të fliste, duke u justifikuar se institucioni nuk dëshironte që një vajzë me shami të fliste në emër të shkollës. Po ashtu, kam folur dhe me të konvertuar të cilët punojnë në fushën e kujdesit shëndetësor të cilët kanë përjetuar abuzime dhe ngacmime në vendin e punës.

Nga vjen i gjithë ky diskriminim?

Hyokki: Në Finlandë, ashtu si në shumë vende të tjera europiane, Islami shihet si fe e huaj dhe e papërputhshme me stilin e jetesës europiane. Megjithatë, të konvertuarit finlandezë nuk duket se ndihen të konfliktuar. Si një muslimane e konvertuar, unë mund ta jetoj jetën time pa kompromentuar kulturën të cilës i përkas. Për shkak të rasteve negative të njerëzve që i janë bashkuar grupeve radikale si ISIS-i, të konvertuarit muslimanë konsiderohen në përgjithësi si trushplarë. Për pasojë, racionaliteti dhe aftësia e tyre për të marrë vendime të shëndosha për jetën e tyre vihen në pikëpyetje.

E vërteta është se ka shumë rrugë që të çojnë drejt fesë Islame. Disa njerëz mund ta zgjedhin Islamin pasi kanë nevojë për një panoramë të qëndrueshme në jetën e tyre. Të tjerë mund të jenë më të interesuar në aspektet shpirtërore të Islamit, si sufizmi. Pra nuk është gjithmonë bardh e zi. Në krahasim me muslimanët “vendas” që janë të lindur në shoqëritë europiane, ne si të konvertuar jemi përsëri më të privilegjuar për shkak të “bardhësisë” sonë.

Linda Hyokki është studjuese pranë Qendrës për Çështjet Islame dhe Globale (CIGA) dhe doktorante në Institutin e Aleancës së Qytetërimeve në Stamboll.

Intervistoi, Marian Brehmer. Marrë nga Qantara.de. Përktheu Nada Dosti.

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.