Nga H.J.

Pavarësisht se frika e njohur si “Islamofobi” doli në pah në të gjithë botës kryesisht pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, rrënjët e saj e kanë origjinën që në kohë e kryqëzatave, madje dhe më herët.

Tani Islami është përhapur në të gjithë botën: muslimanët përbëjnë 6 për qind të popullsisë së Europës, mbi 45 milion. Deri në vitin 2050 vlerësohet se muslimanët do të jenë rreth 20 për qind e popullsisë dhe një në pesë vetë në Europë do të jetë musliman – çka konsiderohet edhe një nga arsyet e rritjes së Islamofobisë në mesin e europianëve përgjatë viteve të fundit.

Megjithatë, shkaku i vërtetë pas rritjes së Islamofobisë janë (ndër të tjera) edhe grupet radikale terroriste që kanë dalë në emër të Islamit.

Këto organizata radikale, me mendjen e tyre të çoroditur dhe larg esencës së Islamit, kanë shkaktuar frikë dhe urrejtje ndaj Islamit.

Sidoqoftë, qarqe të ndryshme anti-islame kanë luajtur rol kryesor në mbjelljen e kësaj frike në mendjen e njerëzve dhe krijimin e një industrie islamofobike në diskursin publik, dhe veprimtari të ndryshe, duke krijuar një industri me vlerë miliarda dollarë.

Koncepti i “terrorizmit islamik” në pothuajse të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe ngulitja e qëllimshme e Islamofobisë në qendrat botërore të politikës, ka për qëllim pengimin e ngritjes së botës islame, e cila zotëron qendra të pushtetshme financiare, burime të mëdha energjie dhe pasuri nëntokësore.

Politikat e ndërmarra nga qeveritë perëndimore dhe ligjet e miratuara, sidomos pas 11 Shtatorit, të cilat përgjithësisht kanë si qëllim muslimanët, kanë përshpejtuar rritjen e Islamofobisë.

Partitë e ekstremit të djathtë kanë luajtur rol të madh në nxitjen e armiqësisë ndaj Islamit. Këto parti përdorin retorikë islamofobe për të marrë më shumë vota e për t’u forcuar më shumë në kurriz të kësaj.

Partia Demokratike Kombëtare në Gjermani, Fronti Nacional në Francë, Lista Pim Fortuyn  në Hollandë, Liga e Veriut në Itali, Partia e Lirisë në Australi dhe Partia Popullore Daneze në Danimarkë janë vetëm disa nga partitë e djathta me një numër domethënës votash në Europë. Këto parti shenjëstrojnë emigrantët muslimanë në mënyrë të veçantë.

Emigrantëve muslimanë në Europë u duhet të luftojnë kundër ksenofobinsë dhe Islamofobisë njëkohësisht.

Mentaliteti etnocentrik që i sheh ata si të ndryshëm, e që i përjashton dhe i përbuz ata, duke i bërë objekt të sulmeve fizike dhe psikologjike me idenë se po kërcënojnë kulturën dhe mënyrën e tyre të jetesës është në rritje në shumë vende europiane.

Sulmet fizike, hedhja e gurëve ndaj xhamive dhe vendeve të punës, sulmet me molotov, rrahja e punëdhënësve dhe punëtorëve, simbolet naziste dhe slloganët fyese të shkruajtura nëpër mure, përdhosja e varrezave, sulmet ndaj shtëpive dhe familjeve, kërcënimet dhe sulmet verbale, janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballen muslimanët në Europë në mënyrë të vazhdueshme.

Megjithatë, si të gjithë emigrantët e tjerë, edhe muslimanët janë njerëz të cilët kanë lënë shtëpitë e tyre dhe përpiqen të integrohen në vendet ku shkojnë, duke dhënë një kontribut të madh ekonomik për shoqëritë ku jetojnë.

Diskriminimi dhe armiqësia ndaj tyre, përveç se është e padrejtë dhe intolerante, është padyshim edhe në kundërshtim me të Drejta e Njeriut dhe demokracinë moderne.

Gjithsesi, do të ishte e gabuar ta shikonim armiqësinë ndaj Islamit dhe muslimanëve në Europë si një kategori e vetme. Ata që mendonë se muslimanët po u marrin perëndimorëve punën dhe përfitime të tjera, ata që e shfrytësojnë këtë për të nxitur armiqësinë ndaj Islamit dhe muslimanëve, ata që mendojnë se rritja e numrit të muslimanëve do të eliminojë krishtërimin dhe/ose do të prishë kulturën perëndimore si dhe ata që e barazojnë Islamin me terrorizmin dhe radikalizmin, duhet të merren parasysh në mënyrë të ndarë.

Kjo është e vetmja mënyrë për t’i kapërcyer të gjitha këto frikëra: muslimanët e vërtetë duhet të përshkruajnë besimin e tyre me durim dhe moderim. Duhet të shpjegojnë dhe të tregojnë se Islami është edhe modern, nuk e kundërshton shkencën, demokracinë dhe logjikën, është përparimtar, e kundërshton terrorin dhe urdhëron për dashuri, vëllazëri dhe paqe.

Ata duhet të tregojnë se muslimanët nuk kanë për qëllim zhdukjen e krishtërimit dhe se vetë Kuranit i ka vlerësuar të krishterët.

Ata duhet të shpjegojnë (me durim) se mentaliteti i njësuar me terrorizmin, masakrat, sulmet vetëvrasëse, që kundërshton artin, shkencën e të gjitha bukuritë e që është armiqësor ndaj besimeve të tjera, nuk vjen nga Islami, por nga disa fanatikë të çmendur.

Perëndimorët, të ndikuar nga fanatizmi ekstrem, imagjinojnë sikur Islami e refuzon arsyen, tolerancën dhe modernitetin dhe mbron terrorin, radikalizmin dhe se vlerat islame nuk përputhen me demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Për këtë arsye, muslimanët duhet të angazhohen vazhdimisht në fushata ndërgjegjësuese, duke pasur parasysh se dezinformimi është ndoshta shkaku kryesor i Islamofobisë dhe se shumë njerëz që frikësohen (në mënyrë irracionale) nga Islami në fakt dinë shumë pak rreth tij dhe se ajo pak që mendojnë se dinë është e pasaktë.

Perëndimi, i cili mburret me rëndësinë që i kushton demokracisë dhe të drejtave të njeriut dhe barazisë me të cilën i trajton të gjithë, ka gjithashtu një përgjegjësi të madhe.

Gjeja e parë që duhet të bëjë perëndimi është marrja e masave ligjore kundër Islamofobisë dhe veprimeve raciste. Islamofobia duhet të shihet si krim për shkak të urrejtjes ashtu si anti-semitizmi.

Përparësia e perëndimit (në këtë drejtim) duhet të jetë në zhvillimin e një kulture të bazuar në dashuri, respekt, miqësi dhe vëllazëri, pa i përçmuar emigrantët.

Vendet perëndimore, organizatat ndërkombëtare dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të tregojnë një ndjeshmëri të madhe ndaj këtij fenomeni.

Kjo është një çështje urgjente për sa i përket paqes në botë. Duhet të vendosen ligje të reja, ndërsa publiku duhet të edukohet, në mënyrë që brezi i ardhshëm të jetë i lirë nga këto lloj paragjykimesh.

Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë të vetë autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën tonë editoriale.

Observer.al


(Nuk lejohet ripublikimi i këtij artikulli pa lejen paraprake të Observer.al)

ASNJË KOMENT

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.