Në foton ilustruese Arbana Xharra, kryeredaktore e Gezetës Zëri si dhe disa postime te saj islamofobe në rrjetin social Facebook.

Nga Nada Dosti

Qenka bërë trend së fundmi në mediat sociale shqipfolëse një mënyrë për të përhapur gjuhë urrejtjeje nëpërmjet fotografive shpjeguese dhe krahasuese. Si gjithmonë, ndër viktimat e kësaj lloj gjuhe, jo rastësisht, janë muslimanët dhe veçanërisht muslimanet me shami.

Njëjtë pati vepruar para disa ditësh njëfarë Mirela Jubani, që sipas facebookut është rezidente në Itali. Nuk dihet shumë për Mirela Jubanin, në ekziston vërtetë apo është thjesht një person që fshihet pas këtij pseudonimi. Megjithatë, është e qartë se ajo nuk e kursen aspak fjalorin e ulët për çdo koment të saj, që çuditërisht i adresohen vetëm Shqipërisë dhe çdo gjëje që ndodh në të (edhe pse thuhet se ajo vetë është nga Podgorica).

Në profilin e saj, ajo poston fotot e mëposhtme:

Postimi i Mirela Jubanit. Fotoja lart është censuruar. Fytyrat e përsonave në foton poshtë i kemi fshehur për të ruajtur privatësine e tyre.

Postimi i Znj Jubani nuk është aspak etik.

Së pari, me këtë postim ajo ka shkelur privatësinë e vajzave që shfaqen në foto, duke mos marrë leje për publikimin e saj.

Së dyti, ajo ka shpifur, sepse vajzat janë shqiptare nga Tirana dhe jo nga Gjakova dhe fotografia është bërë në vitin 2015, e jo në vitin 2016. Postimi nuk është i shoqëruar me ndonjë koment, por mesazhi është i qartë dhe i ka hapur rrugë një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj një komuniteti të tërë.

Po sikur të bëja edhe unë një krahasim, psh. një foto të vitit 1878 nga koleksioni Marubit me një foto të femrave të sotme, më saktësisht të vitit 2015 në Tiranë me rastin e 8 marsit. Kam preferuar që për etikë dhe bindje personale të ndërhyj në fotografitë në fjalë, pasi jam kundër çdo lloj objektivizimi të imazhit të femrës.

Ndoshta Znj. Jubani mund të jetë frymëzuar nga kolegia “shpirtërore” Arbana Xharra, e cila disa ditë më parë pati postuar statusin e mëposhtëm:

Postimi i Arbana Xharrës, kryeredaktorës së gazetës Zëri në Kosovë.
Postimi i Arbana Xharrës, kryeredaktorës së gazetës Zëri në Kosovë.

Duke hamendësuar për “një investim ideologjish”, ajo nuk merr parasysh asnjë faktor të ndryshëm si: interpretim tekstesh, shkolla interpretimi dhe mendimi, si dhe faktorët ekonomikë  dhe socialë. Është e çuditshme se si vërejtje të tilla dalin vetëm nga zërat pseudo-specialistë të Islamit dhe jo nga njerëzit e specializuar të kësaj fushe! Këta kanë guximin edhe të përcaktojnë se ku fillon dhe ku mbaron mbulesa, apo besimi në Zot.

Është e vërtetë se ditëve të sotme çdokush ka lirinë e shprehjes, por kjo liri shkon deri aty sa nuk cënon një grup të caktuar, si grupet raciale, etnike, fetare apo me prirje seksuale të ndryshme. Gjuha e urrejtjes së [këtyre] “femrave” në fjalë shkon deri aty, saqë cënon jo vetëm një grup fetar, por edhe gjininë në fjalë për shkak të shamisë që mbart.

Po përse femra muslimane sulmohet kaq shumë?

Në thelb të synimeve feministe qëndrojnë katër elementë të rëndësishëm që një femër të jetë mbartëse e vlerave emancipuese: arsimimi, integrimi në shoqëri, shanset e barabarta (me gjininë tjetër) si dhe karriera.

E vërteta është se shamia nuk sulmohet sepse përbën kërcënim ndaj vlerave emancipuese, por sepse bie në kundërshtim me parimet komerciale që përkrahin “kulturën e konsumizmit”. Nga ana tjetër, kapitalizmi e përdor femrën jo vetëm si produkt, por edhe si konsumator. Si rrjedhojë, kjo lloj fryme pseudo-feministe kundër shamisë fuqizon strukturat e fuqive të përfshira dhe “me investime afatgjatë”, e mbi të gjitha bie në kundërshtim me vetë parimet feministe.

Liria e individit nuk qëndron tek të qenurit i zhveshur, apo qoftë edhe të qenurit i veshur. Liria qëndron tek zgjedhja. Pavarësisht presionit ligjor dhe social, femrat muslimane përpiqen të arsimohen, të integrohen në shoqëri, të kenë shanse të barabarta dhe gjithashtu të kenë edhe një karrierë.

Nëse mbajtja e shamisë është shtypje e lirisë, atëherë a nuk është shtypje e lirisë edhe imazhi i femrës perfekte nëpër revista apo programe televizive, ku na diktohet se si duhet të lyhemi, të vishemi e të sillemi?!

Oberver.al

©Ndalohet kopjimi këtij materiali pa lejen paraprake të Observer.al! | Titulli i artikullit është redaksional.

  • I nderuar lexues, nëse e vlerëson punën tonë, na ndihmo që zëri ynë të arrijë sa më shumë njerëz duke pëlqyer faqen tonë në fb. Mjafton të klikosh më poshtë butonin like. Faleminderit! 

Nada Dosti

Autorja është gazetare freelance dhe themeluese e portalit tematik Muslimania.al

1 KOMENT

  1. Selam alejkum.
    Se pari jam plotesisht me te njejtin medim tuajin ne kete artikull dhe se dyti sugjeroj qe te merren masa mbrojtese te ndryshme sipas mundesise dhe rrethanave, duke mos u lene shans qe te perseriten keto fenomene, sa here te duan kto lloj ” njerezish”. Se pari, keto motra muslimane qe u eshte cenuar e drejta e tyre ne menyre direkte dhe eshte perdorur imazhi i tyre kundrejt cdo ligji dhe etike shoqerore, duhet te autorizojne nje avokat ose me shume qe te hap aktakuze kunder ketyre shfaqjeve dhe cenimeve te lirive personale.
    Vertete muslimani eshte i urdheruar nga Zoti i tij qe te beje durim ne sprova te ndryshme,por ne te njejten kohe nder qellimet dhe synimet baze dhe themelore te legjislacionit (sheriatit) Islam, eshte mbrojtja e nderit dhe e vetes.
    Mjaft dhe le tu mbyllet goja pergjithmone, ketyre mercenareve te propagandes antiislame.

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.