ervin-qafmollaNga Ervin Qafmolla

Pas një artikulli me gabime dhe shkelje të shumta etike dhe profesionale në Gazetën Zëri “Ish-pjesëtari i ISIS-it kërkon fonde për ‘luftimin e ekstremizmit” me autorë Arbana Xharra (kryeredaktore) dhe Enis Veliu, Zëri godet sërish me një kolumne që përmban të njëjtat gabime, plus ca më shumë.

Kësaj radhe, opinionisti Jon Leka ka trajtuar të njëjtën temë duke nxjerrë në pah keqkuptimet e mëdha, të tijat dhe të të tjerëve, që ekzistojnë për ekstremizmin e dhunshëm ndër shqiptarët. Leka duket sikur mundohet të mbrojë dështimin e pastër në raportim dhe redaktim të artikullit të Kryeredaktores së Zërit.

Shkurt, problemet kryesore të artikullit, para se të kalojmë te opinioni:

Në foto Albert Berisha gjatë rrefimit të tij për Gazetën Express.
Në foto Albert Berisha gjatë rrefimit të tij për Gazetën Express.

Artikulli praktikisht thotë se Albert Berisha është ish-pjesëtar i ISIS. Në fakt Berisha akuzohet nga prokuroria për pjesëmarrje në organizatën terroriste Al Nusra dhe jo ISIS. Duke qenë se për Berishën nuk ka një vendim të formës së prerë në pritje të Apelit, ai nuk mund të quhet se është fajtor për terrorizëm pa u shpallur i tillë në mënyrë përfundimtare. Gjithashtu, në artikullin e Zërit pretendohet se Berisha ka aplikuar për fonde përmes një OJQ-je që ka krijuar për deradikalizmin por pa përcaktuar nëse diçka e tillë është e ndaluar me ligj. Berisha, nga ana tjetër, mohon se ka aplikuar për fonde duke e akuzuar Zërin për shpifje dhe duke kërcënuar se do e hedhë gazetën në gjyq për më shumë se një shkelje në artikull.

Opinioni në fjalë, përmban nivele të tilla dezinformomi, fallcitetesh logjike dhe shtrembërimesh të fakteve dhe rrethanave saqë mund të konsiderohet argëtues. Titulli i tij “Industria e subvencioneve dhe radikalizmit” sugjeron se do të flasë për një epidemi të vërtetë OJQ-sh që aplikojnë për fonde. Nuk është rasti, sepse autori Jon Leka – i cili sipas profilit të tij në Facebook dikur quhej Xhemal Ahmeti dhe ka ndërruar emrin dhe mbiemrin – specifikisht cek vetëm Institutin për Siguri dhe Integrim të Berishës dhe “njerëzit e institutit të Florian Qehajas” siç e quan ai Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, dhe asnjë organizatë tjetër. Nëse ai bën sikur flet për fenomenin, fenomeni në fakt është vetëm një: Albert Berisha.

Për më tepër që autori ka probleme edhe me terminologjinë. OJQ-të e llojit që flet ai aplikojnë për grante, jo subvencione. Subvencioni nënkupton një shumë parash të dhëna nga qeveria apo një institucion publik për të mbështetur një industri apo biznes që çmimi i një malli apo shërbimi të mbetet i ulët dhe/apo konkurrues. Në rastin konkret bëhet fjalë për grante, jo për subvencione.

Përtej këtyre keqkuptimeve të vogla, mund të analizohen gabimet e mëdha. “Rasti i «Institutit për Siguri dhe Integrim – INSID» i ish rekrutit dhe rekrutuesit të «Shtetit Islamik» Albert Berisha e argumenton problemin më qartë se duhet”, shkruan Leka. Nëse kryeredaktorja e Zërit, Arbana Xharra, e akuzonte Berishën si ish-pjesëtar, pra rekrut të ISIS-it, Leka shkon më tej duke e quajtur edhe rekrutues. Ndonjë provë mbështetëse? Le të mos bëhemi qesharakë dhe të kërkojmë gjëra të tilla si prova e fakte në shumicën e storieve për ekstremizëm të dhunshëm në Kosovë.

Në foto: Xhemal Ahmeti, i vetëquajtur më pas Jon Leka.
Në foto: Xhemal Ahmeti, i vetëquajtur më pas Jon Leka.

Parimi se dikush është i pafajshëm derisa të shpallet fajtor nuk vlen as për kryeredaktoren Xharra e as për opinionistin Leka. I njëjti, gjithashtu si kryeredaktorja e Zërit duket sikur nuk e ka të qartë se ISIS dhe Al Nusra nuk janë e njëjta gjë sepse në vijim shkruan: “Albert Berisha, drejtori i institutit në fjalë iku dikur nga Kosova dhe iu bashkua grupit terrorist «Al Nusra»”.

“Kryesorja mirë që u pendua dhe u kthye. Ndërkohë ka një ligj që dënon njerëzit – pendimi lehtëson masën e dënimit por nuk falë aktin – që marrin pjesë luftërave të huaja e sidomos organizatave kriminele dhe terroriste siç është ajo ku u radhit dhe për të cilën rekrutoi (edhe me publicistikë) Albert Berisha”, shkruan Leka.

Kontroll i fakteve: “Që marrin pjesë luftërave të huaja” nuk vlen sepse Berisha akuzohet për pjesëmarrje në një organizatë terroriste vitin 2013, ndërsa ligji për pjesëmarrje në luftëra të huaja hyri në fuqi në vitin 2015 dhe nuk ka fuqi prapavepruese. Kështu është kur shkruan pa u informuar. “…e sidomos organizatave kriminele dhe terroriste siç është ajo ku u radhit dhe për të cilën rekrutoi (edhe me publicistikë) Albert Berisha” – sërish ka probleme e vendosur si fakt, sepse Berisha në mungesë të një vendimi të formës së prerë, akuzohet dhe nuk është fajtor. Gjithashtu, nuk sqaron se kë ka rekrutuar Berisha, por thjesht hedh këtë akuzë të rëndë. Sa për sqarim, Berisha akuzohet nga prokuroria për pjesëmarrje dhe jo për rekrutim.

Si argumente mbështetëse të pjesëmarrjes/rekrutimit të Berishës në organizata terroriste, Leka përmend faktin se Berisha në Facebook “sugjeron vahabistët (detashmentin qendror të rekrutimit) si kundër terrorizmit”. Çfarë argumentesh është në gjendje të sjellë Leka se ‘Vahabistët’ kosovarë qenkan rekrutues për terrorizëm? Po aq sa kanë sjellë edhe të tjerë para tij: Zero. Ai sjell vetëm keqkuptimin universal se ultra-konservatorët (nëse mund të quhen ‘Vahabistët’ të tillë) barazohen me terroristët. Gabim logjik banal.

Jep edhe argumente të tjera me postime në Facebook, asnjë prej të cilave nuk përbën argument, si parapëlqimet e Berishës për rrënimin e Bizantit dhe ngritjen e Perandorisë Osmane përmes rënies së Kostandinopojës e të tjera.

Pjesa më poshtë nuk do koment e as analizë, është pastërtisht dëfryese:

“Duke e trajtuar këtë tablo problemi kështu siç është nuk ke si mos të biesh pré e spekulimit që thotë se gjithë këta, që nga Albert Berisha e deri tek njerëzit e institutit të Florian Qehajas – që ka bërë bé mos të flas kurrë më me mediat – janë «agjenturë e shërbimeve sekrete perëndimore dhe vendore për t’i mbajtur nën kontroll forcat ekstreme islamike» në vend.”

Epilogu është thjesht brilant:

“Terrorizmi si akt – se paska qenë atje disa ditë – është e keqja më e vogël e Albert Berishës: ai vazhdon të rekrutojë njerëz për po atë ideologji që e çoi atje nga u kthye dhe nuk manifeston asnjë shenjë pendimi me habitusin e tij, përkundrazi mendon njëjtë dhe maskon radikalët me flatrat e engjëjve pse?”

Kryeredaktorja e Zërit, Arbana Xharra, (përveçse e ka botuar në gazetën e saj) e ka shpërndarë këtë shëmti në profilin e saj në Facebook, çka në fakt nuk është se ndihmon në forcimin e artikullit të saj problematik, por vetëm tregon sesa poshtë e më poshtë mund të bien standardet e gazetarisë.

Në vend që të lëshojë të tjerët të pastrojnë gabimet e saj duke i nxirë më shumë, ajo do të bënte mirë të përballej vetë në mënyrë të hapur dhe transparente përpara publikut me këto kritika. Kjo është një ftesë e hapur.

Shënim: Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) mbetet praktikisht i vetmi institucion joqeveritar dhe jofitimprurës i specializuar në Kosovë që ka bërë një punë domethënëse dhe konstruktive sa i takon ekstremizmit të dhunshëm. 

Observer.al


Titulli është redaksional.

1 KOMENT

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!