Pamje nga organizimi i KMSH-se ne shesh me rastin e "Nates se Kadrit". Foto: kmsh.al

cropped-OKI-1.pngNamaz-mitingu i Natës se Kadrit u shit nga ideatoret e tij si një përpjekje për të bashkuar besimtarët, ndërsa ata që nuk iu përgjigjen kësaj thirrjeje, e sidomos ata që e kundërshtuan dhe reaguan kundër saj, u konsideruan përçarës. U tha se nuk ka asgjë që namazet të falen në një vend sëbashku, sepse namazi ka dhe qëllim socializues në afrimin e besimtareve dhe bashkimin e tyre. U tha gjithashtu se pati njerëz që erdhën të falën për herë të parë dhe kjo ka vlejtur për t’i afruar ata. Po përpiqemi t’i sqarojmë duke e pasur të qartë se disa njerëz nuk kane për t’u sqaruar kurrë.

Pikë së pari, duhet sqaruar se të refuzosh një veprim jo të mirë për besimtarët nuk është përçarje, por detyrë për çdo musliman. Përkundrazi, përçarjen e bëjnë ata që sjellin shfaqje të tilla që nuk mund të pajtohen me ndërgjegjen dhe intelektin e shumë besimtarëve. Besimtarët ishin në rregull deri para futjes së kësaj risie. Ata u ndanë pas vendimit qe mori KMSH-ja dhe akuza për përçarje duhet t’iu faturohet pikërisht atyre që e morën këtë vendim, jo atyre që e denoncojnë. Akuza duhet t’iu faturohet atyre qe keqpërdorin ritualet e fesë dhe mbi të gjitha që sillen ne mënyrë arbitrare e imponuese, duke iu dhënë urdhër imamëve të mbyllin xhamitë.

Se dyti, duke pohuar se feja ka edhe natyre sociale se cilës i shërben falja me xhemat, ngatërrohet natyra sociale e fesë me natyrën demonstrative te aktit te faljes përpara kamerave ne shesh. Namazi i KMSH-së nuk ishte namaz me xhemat, por ishte namaz me audience. Është tjetër gjë një namaz në xhemat dhe tjetër një namaz në publik. Njerëzit nuk u nxorën në shesh për të prodhuar efekte socializuese e unifikuese (mjafton vetëm debati dhe indinjata qe kane shkaktuar me këtë veprim për të hedhur poshtë idenë se kanë pasur këtë qellim), por u nxorën për të ofruar shfaqje para kamerave. Kjo është njësoj si te mendosh se mitingjet e partive bëhen për të afruar dhe bashkuar militantet me njëri-tjetrin.

Pra, pervec natyrës intime, namazi ka edhe natyre kolektive dhe sociale, por jo publike dhe mediatike. Mbi të gjitha, mënyra sesi realizohet elementi socializues duhet të behet duke ndjekur përcaktimet që feja jep, pasi tjetër natyre socializimi ofron xhemati në shtëpi, tjetër xhemati në xhami dhe tjetër xhemati në shesh ku mblidhen të gjithë besimtaret e një vendi. Kjo e fundit bëhet vetëm nëpërmjet Bajramit sipas traditës profetike dhe jo nëpërmjet teravive. Sunneti i Profetit (paqja qoftë mbi të). përcakton jo vetëm se cilat falje mund te kryhet me xhemat, por edhe llojin e xhematit që kërkohet. Profeti (paqja qoftë mbi të) nuk ka përcaktuar gjë se teravitë duhet t’i mbledhin të gjithë besimtarët në një shesh, dhe krijimi i këtij precedenti e bën që të devijoje nga qëllimi që ka pasur feja për faljen e teravive me xhemat. Pra kërkohet diçka më shumë se ajo që kërkon feja dhe kjo është dalje nga Suneti. Nga ana tjetër, jo vetëm që kërkohet më shumë, por kjo imponohet me dhunë, duke na privuar të gjithëve nga xhamitë dhe mënyra tradicionale e faljes së teravive. Pra KMSH-ja ta bën farz bidatin e vet.

Nga ana tjetër, Bajrami falet ne shesh, sepse ka natyre festive (gjë që Nata e Kadrit nuk e ka) dhe është një mjet për të kultivuar solidaritetin e individit me tërësinë sociale ku ai bën pjese. Pra, natyra e xhematit të faljes së Bajramit nuk përmbush nevojën për socializim midis individëve, por nevojën për ndjenjën e përkatësisë në raportin midis individit dhe shoqërisë.

Duhet të bëjmë dallimin midis xhematit të xhamise dhe turmës. Ndryshe nga xhemati i xhamisë që është më famlijar dhe më intim, ku njerëzit kanë mundësi të afrohen me njëri-tjetrin, turma i shkrin dallimet dhe minimizon marrëdhëniet mes individëve apo grupeve të individëve brënda saj. Nëse do t’i referohemi autorëve kryesorë në trajtimin e socializimit, turmat janë shprehja më e fuqishme e individualizmit ku njeriu është me i vetmuar se kurrë. Duke u shkrire me turmën, njeriu humbet socializimin, pasi identifikohet me tërësinë e paformë të shoqërisë, e jo me elementet përbërës të komunitares. Turma nuk është komunitare, por individualiste. Turma asgjëson strukturën sociale, njëtrajtëson dhe rrafshon shoqërinë duke i lënë individët të zbrazët nga marrëdhëniet sociale. Për këtë arsye, turmat konsiderohen me tepër si mjedis ku ushtrohet pushteti dhe jo si mjedis ku realizohet socializimi.

Jo me kot, Hitleri e Musolini u bënë mjeshtrat e mitingjeve, të cilët shihen si mjeti nëpërmjet te cilit individi lidhet me pushtetin në mënyrë të hekurt. Mitingjet ofrojnë identitet për njerëzit që janë të paaftë ta ndërtojnë vetë një të tillë, ndaj dhe ato përdoren prej pushtetit, për të realizuar synimet e partisë. E përdorur në këtë mënyrë nga drejtuesit e KMSH-së nuk është gjë tjetër vetëm se një mekanizëm prodhimi pushtetesh false. Një mjet populizmi për të afektuar turma që nuk të përkasin. Natyrisht, ka momente kur njeriu kërkon edhe të atashohet me tërësinë sociale ku bën pjesë dhe për këtë arsye është Bajrami, i vetmi namaz, që kërkon të mblidhen të gjithë në një vend. Por edhe kjo siç thamë, bëhet vetëm dy herë në vit, për të rikonfirmuar përkatësinë me tërësinë sociale dhe kjo bëhet në mënyrë festive, që kapërcen disiplinën spirituale që kërkohet ngjate ramazanit.

Se treti, pohimet mbi dobitë e këtij tubimi devijojnë krejtësisht problemin. Nuk diskutohet se çdo veprim i gabuar mund të ketë edhe te mira, por ato nuk mund ta bëjnë atë të mirë. Fakti se ka pasur njerëz që janë falur për herë të parë aty (ndonëse në çdo xhami ka gjithmonë njerëz të rinj për Natë Kadri dhe nuk është vetëm sheshi qe i islamizon njerëzit) nuk i jep absolutisht legjitimitet veprës. Qëllimi i namazit tonë nuk është të bëjmë davet, por të kërkojmë falje prej Zotit dhe kjo bëhet në atë mënyre siç Zoti ka kërkuar prej nesh, në atë mënyre siç Profeti (paqja qoftë mbi të) na ka mësuar. Nga ana tjetër, efekti nuk matet në mënyrë sipërfaqësore empirike. Vërtetë mund të jenë afruar disa individë, por kush mund të na thotë sesa të tjerë mund të jenë larguar nga imazhi i keq i krijuar nëpërmjet televizorit?

Duhet të kuptojmë se në këtë shoqëri nuk janë të gjithë njerëzit turma dhe se ka shume njerëz që arrijnë të perceptojnë shijen propagandistike që të lë një organizim i tillë. Shume njerëz, kur të shohin në televizor se muslimanët “pushtojnë” sheshet edhe për Natë Kadri, gjë që nuk e kanë të nevojshme, do të përforcojnë konsideraten se kane të bëjnë me një turmë barbarësh të etur për t’u dukur dhe për të dëshmuar ekzistencën me mjete primitive, siç janë mitingjet. Kjo konsideratë do të ushqehet mirë pastaj nga “oratorët” që do të mbajnë ligjeratat e rastit, shumica e të cilëve ka një nivel intelektual që nuk e tejkalon dot as atë të një gjimnazisti.

Shndërrimi i namazit në shfaqje, show, spektakel, populizëm, e kthen adhurimin në mjet propagandistik të shëmtuar, gjë që natyrisht nuk lë shije të mirë te shumë njerëz me pak intelekt më shumë. Shqiptarët e kanë të freskët shijen e mitingjeve të partive, që janë shfaqjet më të shëmtuara të barbarisë sonë shoqërore. Kur të shohin të njëjtën prirje edhe të njerëzit e fesë, sigurisht që kjo nuk do të kalojë pa ua trazuar stomakun. Shto këtu edhe mbylljen e xhamive, njësoj si partitë që mbyllin shkollat e institucionet shtetërore për t’i detyruar punonjësit të dalin nëpër mitingje elektorale, gjithçka është e mjaftueshme për një pështirosje të pa përballueshme për çdo njeri me sadopak sqime qytetare. E gjithç kjo do të përforcojë stereotipet e krijuara vazhdimisht nga përfaqësuesit tanë, ku muslimanët karikaturohen si njerëz zhurmaxhinj, demagoge, injorante etj. Unë po shoh se Komuniteti Musliman po i ndihmon përforcimit të këtyre stereotipeve dhe jo eleminimit apo zbutjes se tyre.

Observer.al

1 KOMENT

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.