Ilnur CevikNga İlnur Çevik | Daily Sabah

Ata në Europë që derdhnin lot krokodili për Turqinë pas serisë së shpërthimeve në Ankara dhe Stamboll, janë përballuar me një goditje të fortë pasi terrorizmi tregoi në mënyrë spektakolare fytyrën e tij të shëmtuar në Bruksel. Prandaj, terrorizmi është një kërcënim që na kanoset të gjithëve, jo vetëm turqve. Terrorizmi nuk është një dilemë vetëm për Turqinë, por për të gjithë njerëzimin.

Tani të gjithë duhet të biem dakord me faktin se nuk ekzistojnë terroristë të “mirë”, por të gjithë janë të këqij dhe duhet të zhduken me çdo mjet të mundur.

Kjo do të thotë se nuk duhet të bëni dallim midis terroristëve të ISIS-it dhe terroristëve të PKK-së. Duhet ta shihni se të gjithë i përkasin një shporte në përhapjes e frikës në mesin e njerëzve dhe poshtërimit të njerëzimit.

Turqia është një shembull i mirë i kësaj. Në dy muajt e fundit, ISIS-i ka ndërmarrë tre sulme terroriste kamikaze, një në Ankara dhe dy në Stamboll. PKK-ja nga ana tjetër, ka lëshuar dy sulme vetëvrasëse me bomba në Ankara në të njëjtën përjudhë. Këto sulme duket se janë të koordinuara nga një qendër e vetme, e cila me shumë gjasa ndodhet në Damask.

Prandaj, Europa duhet të përballet me faktin se PKK-ja është po aq e rrezikshme sa ISIS-i. Të dyja duhet të trajtohen si kërcënime terroriste që duhet të zhduken së bashku. Por, në vend të kësaj, kemi parë se Belgjika lejoi PKK-në të ngrejë një tendë ngjitur me ndërtesën ku kryeministri [turk] Ahmet Davutoğlu mbajti një samit me liderët e Bashkimi Europian për gjendjen e vështirë të emigrantëve sirianë. PKK-ja u përpoq t’i justifikonte aktivitetet e veta terroriste në atë tendë, çka ishte fyese për delegacionin turk në këto bisedime, por edhe për popullin turk. Kështu, kur ndodhin sulme të tilla si ato të ISIS-it në aeroportin e Brukselit dhe stacionin e metrosë, ne nuk duam të luajmë me fatkeqësinë që ka rënë mbi popullin belg, por ndihemi të obliguar të themi se kur ju përpiqeni të justifikoni aktet terroriste duke thënë se “këta njerëz janë terroristë të mirë dhe kanë një kauzë”, atëherë ju vetëm se e ftoni terrorizmin në pragun e shtëpisë suaj.

Pikërisht këtë kishte në mendje Presidenti [turk] Rexhep Tajip Erdoğan kur tha se zyrtarët europianë, e në mënyrë të veçantë ata belgë, nuk kanë asnjë të drejtë ta mbrojnë PKK-në duke e lejuar të ngre një tendë për të promovuar pikëpamjet e organizatës terroriste. “Çfarë do të bëjnë belgët kur të shpërthejnë bombat në rrugët e tyre?” Mbrojtja e njerëzve të këqij, mbrojtja e terroristëve sjell vetëm telashe.

Nuk ka terroristë në botë, veprimet e të cilëve mund të justifikohem me një kauzë. Të gjithë janë të këqij, të lig dhe duhet të ndalohen. Këtë ka thënë Erdoğani që prej fillimit, por njerëzit kanë bërë një vesh shurdh ndaj paralajmërimeve të tij.

Nuk do të gjeni asnjë turk që të kënaqët me sulmet terroriste në Bruksel. Përkundrazi, ju i dini shumë mirë vuajtjet që kanë shkaktuar veprime të tilla terroriste. Trauma kombëtare  që ka krijuar na ndihmon vetëm që ta kuptojmë dhe simpatizojmë popullin belg. Megjithatë, nuk presim që komuniteti ndërkombëtar të filloj ta kuptoj zemëratën dhe zhgënjimin tonë kur na lënë vetëm në luftën kundër terrorizmit, ndërkohë që duket se u japin një dorë atyre, sidomos terroristëve të PKK-së.

Dje ishim ne. Sot shënjestra ishte Belgjika dhe e gjithë Europa. Nesër mund të jenë SHBA-të. Nuk ka vlerë të vihen alarme për terrorizëm siç bënë amerikanët dhe gjermanët në Ankara, të cilat ishin të projektuara për të na poshtëruar e për të sabotuar më tej turizmin tonë. Prandaj, ka ardhur koha që vendet të ndalojnë e të mos i përdorin terroristët kundër njëri-tjetrit, por ta luftojnë terrorizmin të gjithë së bashku në mënyrë serioze.

Observer.al


© Ndalohet kopjimi i këtij materiali pa lejen paraprake të Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.