Në foto: Një polic i forcave specialie turke përballë xhamisë Aja Sofija në Stamboll.

Sadik UnayNga Sadık Ünay

Shteti turk ka çdo të drejtë ta mbrojë mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve të vet brenda normave  demokratike duke ndërmarrë masa sigurie të reja dhe dënime më të ashpra ndaj atyre që vërtetohet se mbështesin veprimet terroriste në çfarëdo forme.

Në botën e sotme të globalizuar ku përfitimet e integrimit socio-ekonomik bashkëjetojnë me përhapjen e terrorizmit ndërkombëtar dhe kërcënimet e sigurisë, demokracitë liberale duhet të ruajnë balancën e duhur midis sigurisë kombëtare dhe lirive fondamentale. Megjithëse, dinamizmi shoqëror dhe integrimi bëjnë thirrje për një zgjerim të pafundmë të lirive, mund të ketë periudha ankthi apo krize sistematike gjatë të cilave mirëqenia e shoqërisë zhvendoset drejt sigurisë kombëtare me anë të masave të jashtëzakonshme. Kjo tendencë është parë konkretisht në Shtetet e Bashkuara pas sulmeve të 11 Shtatorit, në Mbretërinë e Bashkuar pas shpërthimeve në Londër dhe në Francë pas sulmeve terroriste në Paris. Derisa autoritetet britanike dhe franceze i kufizuan përpjekjet e tyre duke ndërmarrë masa sigurie të jashtëzakonshme, por të përkohshme, në kryeqytetet e tyre, amerikanët shkuan shumë larg duke ribërë të gjithë strukturën e sigurisë së brendshme përreth Sigurisë Kombëtare. Megjithëse këto u panë si masa paraprake të nevojshme për të siguruar mirëqenien publike dhe sigurinë kundër terrorizmit ndërkombëtar, askush nuk i vuri në dyshim vlerat demokratike të këtyre vendeve, e as nuk pati ndonjë thirrje që të tregonte rritjen e autoritarizmit.

Që nga prishja e procesit të paqes (me kurdët) dhe shtimit të sulmeve terroriste që nga qershori i kaluar, Turqia po kalon një periudhë të jashtëzakonshme në historinë e saj politike. Luftë me intensitet të ulët në disa qytete dhe provinca në juglindje të vendit, e shoqëruar me sulme masive terroriste kundër forcave të sigurisë dhe civilëve në qytetet metropolitane. Ndryshe nga valët e kaluara të terrorizmit të ndërmarra nga lëvizja e terroristëve separatistë të PKK-së në periferitë rurale të Anadollit lindor, sulmet e tanishme mbajnë vulën e një aleance të gjerë midis PKK-së, aleatit të saj juglindor në Siri – Njësisë për Mbrojtjen e Popullit (YPG), DAESH-it (ISIS) dhe organizatave radikale të majta si Fronti i Partisë Çlirimtare Revolucionare Popullore (DHKP-C). Prandaj, forcat turke të sigurisë po bëjnë sforcime të mëdha që të luftojnë taktikat guerile për të “liruar” qytetet lindore nga paramilitarët e PKK-së, e në të njejtën kohë përpiqen të parandalojnë përsëritjen e shpërthmeve vetëvrasëse në shkallë të gjerë në zonat metropolitane si Ankaraja dhe Sambolli. Që nga vera e kaluar, kemi qenë deshmitarë të  pesë sulmeve të mëdha me bombë të kryera nga DAESH-i, PKK-ja dhe YPG-ja, të cilat kanë tronditur vendin, ndërsa rreth 300 civilë dhe forca sigurie kanë humbur jetën si pasojë e këtyre shperthimeve dhe konflikteve.

Në këto kushte kritike e të jashtëzakonshme, thirrja e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan për të ripërkufizuar nocionet e “terrorit” dhe “terrorizmit” me qëllim forcimin e ligjeve antiterrorizëm, duket të shihet si një përpjekje në kohën e duhur që ka për synim forcimin e reflekseve vetëmbrojtëse të demokracisë turke. Kjo për arsye se reformat ligjore të ndërmarra në dekadën e fundit në kontekstin e negociatave me BE-në dhe procesin e paqes e kanë strukturuar Turqinë si një demokraci liberale tolerante kur aktivitetet që mund të klasifikohen si “propagandë terroriste” ose “mbështetje logjistike” nuk janë penalizuar për hir të përparimit të procesit të paqes dhe ruajtjes së harmonisë shoqërore. E megjithatë, udhëheqja e Partisë Demokratike Popullore (HDP) (krahu politik i PKK-së), ka refuzuar të shndërrohet në një entitet politik normal dhe ligjor dhe ka ruajtur lidhje organike me terroristë aktivë. Menjëherë pas prishjes së procesit të paqes si pasojë e zhvillimeve në Siri dhe shpresës së udhëheqjes së PKK-së për të marrë ndonjë lëshim nga Turqia duke i bërë shantazh me integrimin rajonal pan-kurd, HDP-ja hoqi dorë nga retorika e saj paqësore dhe iu kthye pozicionit të saj margjinal të justifikimit të terrorizmit.

Prandaj, shteti turk ka çdo të drejtë ta mbrojë mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve të vet brenda normave  demokratike duke ndërmarrë masa sigurie të reja dhe dënime më të ashpra ndaj atyre që vërtetohet se mbështesin veprimet terroriste në çfarëdo forme. Kjo mund të përfshijë masa të tilla si heqjen e imunitetit ligjor të disa deputetëve dhe monitorimin më afër të rrjeteve vendëse dhe ndërkombëtare të gazetarëve, akademikëve apo drejtuesve të organizatave joqeveritare të cilat i sigurojnë mbështetje, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte, organizatave terroriste. Fakti se disa nga kamikazët e sulmeve të fundit ishin studentë universitarë dhe se disa makina me eksploziv janë gjetur në disa kampuse universitare tregon se “lufta e re kundër terrorizmit” do të arrijë disi elementë akademikë në Turqi. Mbetet përgjegjësia e aktorëve politikë dhe burokratikë që të gjejnë një strategji të efektshme kundër terrorit, duke ruajtur respektin maksimal për të drejtat demokratike dhe duke ruajtur imazhin e Turqisë në komunitetin ndërkombëtar.

Observer.al


© Ndalohet kopjimi i këtij materiali pa lejen paraprake të Observer.al
  • I nderuar lexues, nëse e vlerëson punën tonë, na ndihmo që zëri ynë të arrijë sa më shumë njerëz duke pëlqyer faqen tonë në fb. Mjafton të klikosh më poshtë butonin like. Faleminderit!

ASNJË KOMENT

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!