Mohamad ElmasryNga Mohamad Elmasry

Tre muslimanë amerikanë janë vrarë këtë të martë në një fjetore në Universitetin e Karolinës së Veriut. Krimi erdhi pas sulmeve të shumta anti-muslimane në Europë të kryera si hakmarrje për vrasjet e janarit (të bëra nga disa muslimanë) në Charlie Hebdo në Paris.

Me shumë gjasa mediat e mëdha perëndimore do ta portretizojnë autorin e atij që thuhet se ishte një krim anti-musliman, në të njëjtën mënyrë me të cilën i portretizojnë shumë kriminelë të tjerë anti-muslimanë; si të çmendur dhe fanatikë, të cilët kanë vepruar të vetëm. Si në raportimet e kaluara, ka shumë të ngjarë që të sugjerohet se vrasësit nuk ka vepruar duke u bazuar te ndonjë ideologji, apo si pjesë e ndonjë sistemi apo modeli të caktuar.

Po sikur disa sulme anti-muslimane të jenë të bazuara, të paktën deri diku, në ideologjinë e sotme perëndimore? Po sikur islamofobia  të jetë shndërruar në dicka të zakonshme, të pranuar, e cila tani paraqet një sistem mendimi hegjemonik, të paktën për xhepat e mëdhenj të disa njerëzve në disa vende të perëndimit.

Portretizimi i Islamit

Duke marrë parasysh atë që dime rreth mënyrës se si e portretizojnë mediat perëndimore Islamin dhe muslimanët nga njëra anë, si dhe teorinë e mediave dhe efektin mediatik nga ana tjerër, do të ishte naivitet të mos merrnin në konsideratë mënyrën e portetizimin të mediave perëndimore si faktor/shkaktar të mundshëm të krimit dhe ndienjave anti-muslimane. Në fakt, ka shumë gjasa që krimi dhe ndienjat anti-muslimane, të paktën pjesërisht, janë të shkaktuara nga portretizimin e njëanshëm, sensacional, i ngushtë dhe ndoshta fanatik që mediat perëndimore i bëjnë Islamit dhe muslimanëve.

Shumë dijetarë – përfshirë Eduard Saidin, Elizabeth Poole-n, Kai Hafezin, Milly Williamson-in, Karim Karim-in, Teun Van Dijk-un, Kimberly Powell-in, Dina Ibrahim-in e shumë të tjerë – kanë kryer studime akademike ku kanë analizuar mbulimin e mediave perëndimore në lidhje me Islamin dhe muslimanët.

Rezultatet kanë treguar se muslimanët shpesh portretizohen nga mediat e lajmeve si të dhunshëm, të prapambetur, fondamentalistë dhe si kërcënim për civilizimin perëndimor. Mediat perëndimore në lajmet e tyre rrallëherë e përmendin Islamin, me përjashtim kur duan ta lidhin me ndonje mizori. Ndërsa muslimanët rrallëherë përmenden në lajme në kontekste pozitive apo për mirë.

Shumë studime kanë zbuluar se muslimanët portretizohen si trup hegjemonist, pa diversitetet dhe pa ndryshime. Ndërsa analiza të tjera tregojnë se mbulimi mediatik i viktimave në vendet me shumicë muslimane injoron kontekstin dhe rrethanat, duke lënë të kuptohet se muslimanët në thelb janë të dhunshëm dhe të prirur për konflikt.

Raportime kontradiktore

Studime të tjera tregojnë se gjatë mbulimeve mediatike të dhunës globale dhe konflikteve rajonale ku të krishterët, hebrenjtë dhe jo-muslimanët vriten nga muslimanë, Islami identifikohet si shkaktar i drejpërdrejtë. Ndërsa kur muslimanët vriten nga hebrenjtë, të krishterët dhe jo-muslimanët, identiteti fetar i autorëve të dhunshëm minimizohet ose injorohet krejtësisht.

Konflikti aktual në Burma është një rast konkret. Ka pasur një mbulim minimal nga mediat perëndimore të përsekutimit të tanishëm të muslimanëve rohinga, të cilët sipas Human Right Watch, kanë qënë objekt i vrasjeve në masë; “krimeve kundër njerëzimit” dhe “spastrimeve etnike.”

Kohët e fundit, rrjetet mediatike të lajmeve në Amerikë kanë theksuar një lidhje të mundshme midis grupeve si Al-Kaeda dhe ISIS-i nga njëra anë, dhe doktrinës fetare islame nga ana tjetër. Disa analistëve, të cilët pretendojnë se “Islami është Problemi”, u janë dhënë hapsira të mëdha në shfaqje televizive të shquara, dhe edicione lajmesh. Ndërsa zërat e ekspertëve muslimanë janë injoruar në mënyrë sistematike.

Pavarësisht faktit se çdo akt terrorist i kryer nga ndonjë musliman është dënuar me forcë nga universitete të shquara islame, grupe dijetarësh muslimanë, organizata islame, qeveri muslimane dhe juristë të shquar muslimanë – janë parë deklarata të vazhdueshme nga përsonalitete të mediave të cilët ankohen se muslimanët nuk e dënojnë terrorizmin.

Përsonalitete të shquara të mediave

Në mënyrë mbreslënëse, disa përsonalitete të mediave në mënyrë sistematike kanë injoruar dënimin e terrorizmit nga muslimanët, e më pas bërtasin me zë të lartë se muslimanët nuk po dënojnë terrorizmin. Rupert Murdoch dhe Piers Morgan kanë deklaruar se në radhë të parë është përgjegjësia e muslimanëve që të luftojnë e të mundin grupe si Al-Kaeda dhe ISIS-i. Sigurisht, në këtë analizë injorohet fakti se muslimanët në shumë vende me shumicë muslimane shpesh janë të angazhuar në luftën kundër diktaturave të egra (të cilat shpesh përkrahen nga shtetet perëndimore dhe Amerika), varfërisë ekstreme dhe fushatave të rregullta të bombardimeve. Të gjitha këto kanë ndihmuar në krijimin e kushteve të cilat kanë mundësuar lullëzimin e grupe si Al-Kaeda dhe ISIS-i, të cilat vrasin shumë më tepër muslimanë se jo-muslimanë.

Në pjesën më të madhe të diskursit të mediave perëndimore, implikimi gjithmonë duket shumë i qartë; shoqëritë perëndimore duhet të jenë dyshues ndaj muslimanëve – të gjithë muslimanëve. Analistë të ndryshëm, kanë dalë në media të njohura për të ofruar vlerësime për numrin e terroristë muslimanëve, duke sugjeruar se muslimanët “paqësorë”, pikë së pari, janë në minorancë, dhe më e rëndësishmja, ata janë paqësorë vetëm sepse i kanë keqkuptuar mësimet e fesë së tyre të dhunshme.

Provat empirike gjithmonë injorohen – ku nuk ka asnjë të dhënë – që të tregojë semuslimanët janë më të dhunshëm se jo-muslimanët, dhe se shumica e muslimanëve besojnë se terrorizmi është diçka e urryer.

Diskursi i përdorur në programet televizive dhe lajme nuk të habit duke pasur parasysh problemin struktural që ka të bëjë me lajmet perëndimore, dhe më e rëndësishmja, disbalanca bazike në përmendjen e burimeve. P.sh., pse nuk i jepet Hamza Hansenit, një intelektual musliman amerikan i shquar, një hapsirë e rregullt në rrjetet e lajmeve krahas fanatikëve anti-muslimanë, të cilët kanë bërë karrierë duke “analizuar” burime nga tekstet islame, për të cilat ata nuk janë të kualifikuar që t’i intepretojnë?

Portretizimi mediatik

Më e rëndësishmja, portretizimi i mediave perëndimore gjithashtu ka vlerësime shkencore të papërshtatshme. Në një nga studimet më të mira dhe sistematik të filmave të Hollywood-it deri më sot, studiuesi i mediave Jack Shaheen-i ka analizuar 100 vjet të mënyrë së portretizimit të arabëve dhe muslimanëve në filmat hollywood-ianë.

Ai zbuloi se pjesa më e madhe e 900 filmave që ka analizuar i portretizojnë arabët dhe muslimanët si “brutalë, pa zemër, fanatikë fetarë të pacivilizuar dhe të prirur pas përdorimit të parasë për të terrorizuar perëndimorët e civilizuar, sidomos të krishterët dhe hebrenjtë.”

Askush nuk mund të sugjerojë në mënyrë të arsyeshme që mediat perëndimore duhet të injorojnë portretizimin negativ të të gjithë muslimanëve. Kjo do të ishte e paarsyeshme, sidomos duke pasur parasysh rëndësinë e terrorizmit global dhe përfshirjen e muslimanëve në ngjarje negative.

Megjithatë, nuk është e paarsyeshme që të kërkohet dhënia e konteksit gjatë raportimeve, një porterizim i drejtë, analizime kritike të shkaqeve të terrorizmit, një rritje të zërave muslimanë si dhe një mbulim mediatik që punon më shumë për të dalluar muslimanët e zakonshëm nga grupe si Al-Kaeda dhe ISIS-i.

Sipas literaturës shkencore, modelet e përfaqësimit janë të qarta. Një mbulim i drejtë, i balancuar dhe një portretizim mediatik simpatik i muslimanëve, pavarësisht se zakonisht Islami dhe muslimanët portretizohen në mënyrë negative dhe stereotipike, përfshirë disa nga mediat më të fuqishme.

Shumë vende perëndimore shqetësohen se në çfarë pike mund të fillojmë t’i konsiderojmë si përgjejgëse organizatat mediatike, të paktën pjesërisht, për ndienjat anti-muslimane?

Dhe në e rëndësishmja, kur do të fillojnë mediat perëndimore të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre?

Dr. Mohamad Elmasry është asistent profesor në Departamentin e Komunikimit në Universitetin e Alabamës së Veriut.
Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë të vetë autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën redaksionale të Observer.al

(Publikuar më parë te Al-Jazeera)

Observer.al 

ASNJË KOMENT

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!