Ilustrimi nga Observer.al

Emine Alushi, siç e dimë të gjithë tashmë, është ajo mësuesja e medresesë së Shkodrës e arrestuar për shkak të një fjale goje, për shkak të akronimit drithërues katërgërmësh ISIS. Ajo, krejt naivisht, u shfaq duke e gjykuar grupimin e cilësuar terrorist si mbrojtës të pambrojturish para nxënësve që kërkonin, jo aq naivisht prej saj, të dinin të vërtetën rreth gjëmëmëdhenjve, që atyre e ne të gjithëve na janë bërë si “burri i nënës me babë gjallë” prej po aq terrorit informativ me bëmat e tyre terroriste.

Ndërsa Sabaf Keçi është dikush që nuk ekziston realisht si Emineja, dhe madje nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me. Ai është një ndër personazhet më brilantë të dalë nga galeria e pasur e Gjergj Xhuvanit si regjisor dhe e Birçe Haskut si aktor, që i përket gjithashtu një prej skenave gjithashtu brilante të kinemasë shqiptare, ballafaqimit të drejtorit, shokut Sabaf, me nxënësin Festim Tosku, për fjalët e tij, se, “Kina është vend revizionist”, duke thënë mësimin e historisë.

Bëhet fjalë, pra, për filmin “Parullat”. Kush e ka parë atë film, e ka të qartë atë skenë tragjikomike, ku mësues Sabafi, por dhe shoku Sabaf, pasi ishte dhe sekretar partie, i kërkon me ngulm Festim Toskut, që qëndron si një zog i trembur përballë skifterizmit të pamëshirshëm të tij, se kush e shtyri të thotë se “Kina është vend revizionist”, gjë që Festimi e kishte thënë për një moment nga nxitimi, duke tentuar të thotë të kundërtën, atë që kishte libri, se, “Kina është vend socialist”! Por shoku Sabaf, ky mishërim i vigjilencës komuniste, ky bir dhe burrë i denjë i partisë, shikonte tek thënia e Festimit jo thjesht një lapsus nga nxitimi, siç mësuesi i tij i historisë tentoi ta shpjegonte e ta justifikonte, por një plan të mirëmenduar armiqësor të fisit Tosku, pinjoll i një familjeje të deklasuar në fshat, që u zgjodh për të vjellë vrer kundër Kinës socialiste, duke e njollosur me revizionizëm, e bashkë me të dhe Shqipërinë, në miqësi e vëllazëri me vendin e madh marksist-leninist!

Dhe kjo është belaja më e madhe që e ka gjetur sot mësuese Eminen të çuar pas hekurave, ku përballë ka një Sabaf Keçi, si mendësi juridike e shoqërore njëkohësisht, që sheh pas saj një komplot të madh terrori.

Ka një shpjegim sociologjik e psikologjik se pse asaj gruaje i ka dalë ajo fjalë, që lidhet dhe me një mendësi të deformuar te disa breza muslimanësh që nga koha e kolonizatorëve. Këta të fundit u investuan fuqishëm për të vrarë tek vetëdija e masës së muslimanëve ndjenjën e superioritetit, të avantazheve morale dhe menaxheriale që u diktonin parimet fetare për të qenë gjithnjë në pozita udhëheqëse dhe të një modeli cilësisht imponues punësh e formash ushtrimi pushteti. Për këtë arsye, kolonizatorët bënë ç’është e mundur që t’i detyronin muslimanët që kohërat e arta të tyre, kur e qeverisnin botën në çdo lëmi, t’i përjetonin deri në nivel nostalgjie, të kishin një raport romantik me to, ndërsa aktualen, prozaiken, ta kishin një ferr vetëpersekucioni psikologjik, dëshpërimi social, ndjenje disfatizmi, një konstrukt mental që nuk e has asgjëkundi në modelin profetik të cilit ata i referohen.

Të mësuar me ndjenjën e shtypjes, një pjesë e tyre, të papjekur fetarisht, i dorëzohen lehtë çdo shfaqjeje me skërmitje dhëmbësh në emër të padrejtësisë. Është pikërisht kjo mendësi e deformuar që i jepet më pas lehtësisht emocionales, duke produktuar më pas në çalltisje të tilla, që dhe nga pikëpamja pedagogjike janë gafa të rënda. Por assesi nuk mund të jetë një problem me natyrë penale, sa për t’i vënë prangat një gruaje për një llaf goje, lehtësisht e kuptueshme që pas së cilës nuk fshihet asnjë lloj komploti. Mos harrojmë se jetojmë në një shoqëri ku ka dhe plot preferenca të ngjashme me natyrë terrori, madje deri në adhurim. Adhurohen haptazi diktatorë, figura që kanë vrarë e prerë mizorisht, por askujt prej tyre nuk i preket asnjë fije floku. Nëse një emision investigativ denoncoi Eminenë për një llaf goje, vetë Emineja përbën një denoncim për krimbëzimin dhe kriminalizimin e një shoqërie të sunduar nga padrejtësia, përfshirë këtu edhe median që e denoncoi. Kanë fytyrën e Sabaf Keçit! 

Publikuar më parë te portali tesheshi.com. Titulli është redaksional.
Observer.al

Ermir Hoxha

Autori është gazetar me mbi 20 vite eksperiencë në mediat më të njohura shqiptare. Njëkohësisht ai është themeluesi i portalit mbarëkombëtar Tesheshi.com.

ASNJË KOMENT

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!