Foto: abcnews.go.com |Fotoja e mëparshme është hequr pas ankesave nga përsonat e përfshirë.

OKINga Bordi Editorial | Vërejtje për artikullin hulumtues “Gratë e reja nga Kosova prijnë kampet në ISIS”, me autore Arbana Xharrën

E lexova me vëmendje artikullin hulumtues të zonjës Arbana Xharra të titulluar “Gratë e reja nga Kosova prijnë kampet në ISIS”, të publikuar në portalin Reporter.al (nga BIRN Albania), e më pas edhe në media të tjera. Përtej fakteve dhe shifrave të sjella në artikull, të cilat janë lehtësisht të verifikueshme, ajo që na shqetëson është retorika që përdor autorja për të bërë përshkrimin e situatës. Në shumë vende gjuha e përdorur është paragjykuese dhe shfaq fanatizmin e artikullshkrueses, e cila prej kohësh njihet për qëndrimet e saj anti-muslimane.

Përpjekjet për ta paraqitur terrorizmin si ngushtësisht të lidhur me të ashtuquajturin “ekstremizmin fetar” apo radikalizmin është dashakeqe nga ana e autores. As radikalizmi e as ekstremizmi nuk çojnë domosdoshmërisht ne terrorizëm. E ky është fakt i vërtetuar nga plot studime e autorë të fushës.

Sipas Xharrës jesh musliman është diçka e tmerrshme, siç shprehet ajo vetë në artikull, ku ndër të tjera thotë: “…por pastaj atyre të treve diçka e tmerrshme u ndodhi vitin e kaluar.” “Ata u bënë myslimanë striktë dhe u shkëputën nga miqtë e tyre,” vazhdon ajo më poshtë.

Ajo nuk i kursen as stereotipet në artikullin e saj kur thotë se “…ajo u fshesh pas një ferexheje të zezë”, duke iu referuar vajzës me emrin Laura.

Gjithashtu, ajo e paraqet praninë e shoqatave të ndryshme humanitare arabe dhe frymën fetare që përcollën pas 1999 si në kontrast me Perëndimin dhe aleatët e Kosovës. Edhe ky një stereotip tjetër që i paraqet muslimanët dhe Islamin si të kundërt apo të papërputhshëm me Perëndimin. Për me tepër që Xharra i paraqet këto fondacione si “grupe islamike”. Një lexues me ide të parafabrikuar nga mediat nuk e ka të vështirë të bëjë lidhjen mendore midis këtyre “grupeve islamike” dhe grupeve të sotme terroriste. Nuk e di nëse zonja e din apo jo, por termi “islamik/e” i referohet kryesisht një lëvizjeje politike, e nuk mund të përdoret për t’ju referuar muslimanëve apo shoqatave humanitare.

“Gra me ferexhe dhe burra me pantallona treçerekëshe dhe mjekër janë bërë pamje e zakonshme,” thotë ajo pak më poshtë. E kjo për zonjën përbën problem të madh. Ajo e ngatërron me dashje mbulesën me ferexhenë, e cila i referohet një cope që mbulon fytyrën, e kjo nuk është aspak pamje e zakonshme, por do thosha se përbën përjashtim. Por megjithatë, çdokush ka lirinë të zgjedhë. Burrat me mjekra që i përmend autorja, nuk tregojnë pamjen tipike të një ekstremisti fetar, apo radikali, por mund t’i përgjigjet fare mirë pamjes së çdo njeriu besimtar normal i cili ka vendosur të ndjek disa rregulla fetare, siç është lënia e mjekrës, e  për disa edhe mbajtja e pantallonave sipër kyçit të këmbës, si shenjë e modestisë.

Gjithashtu, disa nga referencat që autorja e hulumtimit përdor nuk janë te besueshme. Quilliam Foundation, (me themelues Maajid Nawaz), është një organizatë e njohur për demonizimin e muslimanëve dhe organizatave muslimane në Angli dhe në perëndim në përgjithësi, e nuk gëzon besueshmëri. Themeluesi i këtij fonacioni e paraqet vetën si një ish-musliman radikal, “ekspert” në çështjen e ekstremizmit. Ai është kritikuar hapur nga organizata muslimane në perëndim si nxitës i urrejtjes ndaj muslimanëve. Madje, Nawaz u shpall në vitin 2015 në mënyrë ironike si “UK Islamophobe of the Year” (Islamofobi i Viti në Mbretërinë e Bashkuar).

Ndërkohë referenca tjetër, Zuhdi Hajzeri, imam nga Peja, njihet nga të gjithë për qëndrimet e tij kundër Bashkësisë Islame të Kosovës dhe hoxhallarëve që kanë studiuar në vendet arabë, ndonëse universitetet si ai i Medinës në Arabinë Saudite apo Al-Az’harit ne Egjipt janë ndër më të njohurit dhe më të respektuarit në botën islame. Z. Hajzeri i përket një grupi individësh të cilët kanë nxitur hapur sektarizmin dhe urrejtjen fetare në vend me anë të portalit flotash.com dhe shkrimeve të tyre dezinformuese, me pretekstin e goditjes së ekstremizmit.

Një problem tjetër që ne shohim këtu është edhe financimi i këtij artikulli, nga fondacioni i Xhorxh Sorosit, Open Society Foundation. Por kjo meriton një trajtim të veçantë.

Ndërsa për sa i përket personave me ide ekstremiste/tekfiriste, apo atyre që i janë bashkuar ISIS-it, ata tashmë e kanë zgjedhur vetë fatin e vet. E nuk na shqetëson aspak demaskimi i tyre. Ajo që na shqetëson është shfrytëzimi nga këta lloj gazetarësh i situatës dhe i rrethanave për të goditur pjesën më të madhe të muslimanëve, e në këtë mënyrë edhe Islamin.

Duke u nisur nga retorika e përdorur në artikull, e shoqëruar me stereotipe anti-muslimane, spekulime me termat ekstremizëm dhe radikalizëm duke mos i sqaruar apo duke i përdorur pa vend ato,  por duke marrë shkas edhe nga shkrime të tjera të mëparshme të Arbana Xharrës, vlerësojmë se ajo po e përdor profesionin e nderuar të gazetares si armë kundër muslimanëve shqiptarë për një kryqëzatë personale të sajën dhe të familjes Xharra. Janë të njohura qëndrimet dhe thirrjet nëpër rrjetet sociale dhe media të familjarëve të saj kundër Islamit dhe muslimanëve. Ajo përdor rregullisht portalin Zëri.info për të demonizuar e përqeshur muslimanët sa herë që i jepet mundësia.

Fryrja e urrejtjes ndaj muslimanëve në një kohë që Islamofobia është në nivele shqetësuese nëpër botë, është një lojë e rrezikshme me pasoja jo vetëm për muslimanët, por edhe për shoqërinë mbarë. Tek e fundit, urrejtja dëmton në rradhë të parë mbartësin e saj, e më pas të tjerët.

Observer.al

4 KOMENTE

  1. Jeni treguar shume goje ëmbël me Arbana Xharren. Ajo meriton me shume se kaq. Eshte nje femër e pa skrupull e cila shpif perdite ne dem te shumicës se shqiptareve. Ajo nuk eshte vetëm anti-muslimane, por edhe anti-shqiptare, bashke me familjen e saj lunatike islamofobe.

  2. Pse po ju djeg juve? Ajo ka fole per ekstremizmin. Mire ua ka bere edhe nëse ka përdor gjuh te ‘pavend’ sic thoni. Duhet me qene te ashpër ndaj ktyne gjonave.

  3. Shkrim fantastik si pak të tjerë në analizimin e retorikës islamofobe që qarkullon. Propaganda e shoqërizimin të mjekrën/shamisë/etj me ekstremizmin dhe të këtij të fundit me terrorizmin është shumë e hollë dhe tejet e efektshme. Urime, vazhdo kështu!

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!