Ndiqeni!

Enes Neza

Themelues dhe Kryeredaktor i Observer.al
Student i doktoraturës në fushën e medias dhe komunikimit. Është i interesuar mbi studimet rreth Islamofobisë, ksenofobisë, racizmit, identitetit, religjionit dhe studimeve kulturore.
Ndiqeni!

Sulmet terroriste të këtij fillim shekulli kanë ndryshuar përgjithmonë mënyrën tonë të jetesës. Në një mënyrë apo një tjetër ato kanë prekur jetën e secilit prej nesh. Që nga humbjet e njerëzve të afërt, shtimi i kontrolleve në aeroporte, shtimi i sigurisë, survejimet, arrestimet, burgosjet pa gjyq, por më e rëndësishmja, ato kanë ndryshuar përceptimin tonë për botën.

Bota e pas 11 Shtatorit nuk është më e njëjta. Doktrina e “Luftës ndaj Terrorit” e shpallur nga Bushi menjëherë pas sulmeve supozohej ta bënte botën një vend më të sigurtë, më të qetë, më të paqtë. Por nuk ndodhi kështu. Ajo solli më shumë terrorizëm, më shumë të vrarë, më shumë kufizim të lirive dhe më shumë frikë.

Atëherë me të drejtë çdokush mund të fillojë të vërë në dyshim jo vetëm efikasitetin e kësaj doktrine, por edhe qëllimin e saj.

Dhe në fakt, disa nga këto ngjarje të mëdha që kanë lënë shenjë në jetën tonë, që nga 11 Shtatori e deri te sulmet aktuale në Paris, janë shoqëruar me dyshime dhe kundërthënie, të cilat kanë vënë në pikëpyetje versionin  zyrtar dhe narrativen mediatike me të cilën janë shoqëruar.

11 Shtatori

Sulmet terroriste të 11 Shtatorit ndaj Kullave Binjake nuk shënuan vetëm fillimin e shekullit të ri, por njëkohësisht edhe fillimin e një epoke të re në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rendin global.

Nga shumë autorë dhe studiues, këto sulme janë parë si justifikim i Shteteve të Bashkuara për të filluar një luftë për dominim në arenën ndërkombëtare.

Sipas Thierry Meyssan, autor i librit “Mashtrimi i Madh”, sulmet e 11 Shtatorit ishin një “False Flag”, një term që përdoret për operacionet e fshehta të ndërmarra nga shërbimet sekrete. Ku  operacioni realizohet në atë mënyrë që të duket si një akt i kryer nga një grup apo entitet i jashtëm, një armik, apo shtet tjetër. Sipas autorit, operacionet ishin të drejtuara nga ekstremistët e krahut të djathtë në qeverinë amerikane dhe industria ushtarake, të cilët kërkonin një casus belli që të mund të ndërmerrnin aksione ushtarake në Afganistan dhe Irak.

Libri vë në pikëpyetje versionin e qeverisë amerikane në lidhje me ngjarjet e 11 Shtatorit dhe ngre një sërë pyetjesh mbi detajet e ngjarjes, e cila sipas shumë vëzhguesve shënoi edhe fillimin e shekullit të 21-të dhe ndryshimin e rendit botëror gjeopolitik:

Së pari, ai thotë se veprimet që shkaktuan shembjen e kullave binjake në zemër të New Yorkut dhe dëmtimin e godinës së Pentagonit nuk ishin si rezultat i sulmit nga pilotët të huaj vetëvrasës, por ishin aksione të organizuara nga një grup brenda administratës amerikane; një komplot botëror me qëllim manipulimin e opinionit dhe ndryshimin e rrjedhës së historisë.

Së dyti, lufta në Afganistan nuk ishte si përgjigje ndaj ngjarjeve të 11 Shtatorit, pasi plani për pushtimin e Afganistanit ishte përgatitur kohë më parë në bashkëpunim me britanikët. Presidenti Bush gjeti mbështetjen e grupeve evangjelistë për të nisur një kryqëzatë kundër Islamit sipas strategjisë së njohur si “Përplasja e Qytetërimeve”. “Lufta kundër terrorit” ishte një pretekst, thotë autori, për të kufizuar liritë e individëve në Shtetet e Bashkuara e më pas edhe në vendet aleate, në mënyrë që të vendoset një regjim ushtarak.

Së treti, autori pohon se Osama bin Laden, i akuzuar si mendja e sulmeve të 11 Shtatorit,  ishte një krijim i CIA-s, i cili asnjëherë nuk hoqi dorë së punuari për shërbimin sekret amerikan.

Dyshime mbi vërtetësinë e versionit zyrtar mbi 11 Shtatorin janë hedhur edhe nga autorë të tjerë si grupi i “Studiuesve mbi të Vërtetën e 11 Shtatorit” të cilët kanë gjetur me dhjetëra prova që hedhin poshtë versionin e qeverisë në lidhje me sulmet.

Sipas tyre përplasja e avionëve me kullat binjake nuk mund të jetë shkaku i rrëzimit të tyre pasi ato ishin projektuar për t’i bërë ballë sulmeve të tilla. Shumica e karburantit të avionëve është djegur në 15 sekondat e para të përplasjes, thonë ata, ndërkohë që kullat vazhduan të qëndronin në këmbë edhe pas kësaj. Sipas ekspertëve temperatura që nevojitet për të shkrirë hekurin është mbi 1500 gradë celsius, pra rreth 500 gradë më e lartë se temperatura e djegies së një avioni. Nga 236 kampione hekuri të analizuara, është gjetur se 233 prej tyre nuk janë ekspozuar ndaj një temperature më të lartë se 260 gradë celsius. Ndërsa copat e tjera nuk i kalonin 640 gradët.

Autorët kanë sjellë edhe dëshmi nga të mbijetuarit. William Rodriguez një roje sigurie në Kullën Veriore dhe i fundit që u largua nga aty, ka dëshmuar se ka dëgjuar shpërthime të fuqishme në bazamentet e ndërtesës. Ai ka thënë se zhurma e shpërthimit u dëgjua përpara se të fillonte shembja e kateve të sipërme. Ky pohim është mbështetur dhe provuar edhe nga një studim i bërë nga autorët Craig Furlon dhe Gordon Ross me titull “Faktet zizmike: 11 Shtatori ishte një punë e brendshme”, duke vërtetuar se këto shpërthime ndodhën rreth 14 deri në 17 sekonda përpara përplasjes së avionëve me Kullat Binjake.

Godinat e ndërtuara nga hekuri i fortë si në rastin e Kullave Binjake, zakonisht nuk pësojnë “shembje progresive”, ose thënë ndryshe, nuk shemben mbi veten e vet, si në rastin e shembjeve të kontrolluara. Shembje të tilla ndodhin vetëm me ndërtesat me strukturë prej betoni.

Sipas Dr. Judy Wood, një ish-profesor i inxhinierisë mekanike, shembja e kullave brenda 10 sekondave është shumë afër shpejtësisë së rënies së lirë, e cila të vetmen rezistencë ka ajrin. Ai thotë se një shembje e tillë nuk  mund të ndodhë pa pasur një burim energjie shumë të fuqishëm.

Godina numër 7 u rrëzua në mënyrën klasike të një shembjeje të kontrolluar, ku ndërtesa ra mbi bazën e vet, duke i shtuar akoma më shumë dyshimet.

Ndërsa Pentagoni nga ana tjetër, pësoi një goditje, e cila sipas ekspertëve ishte shumë e vogël për t’u shkaktuar nga një avion Boing 757 prej 100 tonësh.

Kurse avioni me numër fluturimi 93 u përplas në një zonë të pa banuar. Pjesët që u gjenden ishin shumë të vogla për te qenë ato të një avioni. Ndërkohë, të gjitha pemët në zonën përreth aksidentit u prenë, duke e bërë të pamundur çfarëdo lloj analize kimike.

Ndërsa në lidhje me pilotët që rrëmbyen avionët, ata jo vetëm që nuk zotëronin asnjë dokument aftësie për të pilotuar avionë, por as nuk rezultonin në asnjë listë emërore pasagjerësh. Madje, më pas doli se disa prej tyre jo vetëm që nuk kishin vdekur në përplasjen e avionëve, por ishin gjallë dhe jetonin shëndosh e mirë në Lindjen e Mesme. Qeveria nuk ka qenë në gjendje të ofrojë si provë qoftë edhe biletat e tyre për të vërtetuar se ata ishin në bordin e avionëve të cilët thuhet se i rrëmbyen.

Vrasja e Osama bin Laden

Vdekja e Osama bin Ladenit ka
ngritur shumë pikëpyetje e teori konspirative. Përfshirë ata që thonë se ai kishte vdekur vite përpara se të shpallej si i vrarë, apo se ai është akoma gjallë. Këto dyshime kanë ardhur si pasojë e hedhjes së trupit të tij në det nga ushtria amerikane dhe vendimit për të mos paraqitur asnjë dëshmi me fotografi apo analiza të ADN-së për publikun e gjerë.

Mungesa e provave fizike

Burimi i parë i skepticizmit në lidhje me versionin zyrtar ka qenë refuzimi i qeverisë për të ofruar prova fizike që mbështesin pohimin e saj. Pavarësisht se sulmi është përshkruan në detaje nga zyrtarët amerikanë, asnjë provë fizike nuk i është ofruar publikut, gazetarëve apo palëve të treta të pavarura, të cilat e kanë kërkuar këtë informacion duke u bazuar në ligjin amerikan për lirinë e informacionit. (Freedom of Information Act).

Varrosja në det

Dyshimet në lidhje janë shtuar akoma më shumë nga deklarimi i ushtrisë amerikane se trupi i Bin Ladenit është hedhur në det. Zyrtarët amerikanë janë justifikuar me faktin se kjo masë ishte e nevojshme pasi asnjë vend nuk do ta pranonte trupin e tij në territorin e vet në mënyrë që ai të varrosej brenda 24 orëve, siç e kërkon tradita islame. Një justifikim shumë i çuditshëm duke pasur parasysh se SHBA-ja nuk e kishte respektuar asnjëherë më parë këtë praktikë islame. Sipas profesorit Peter Romaniuk, kjo u bë për shkak se ushtria amerikane dëshironte që askush të mos bënte shumë pyetje në lidhje më këtë.

Por, “të çarat” në versionin zyrtar nuk mbarojnë më kaq. Publikut i është thënë se Osama bin Laden prej vitesh ka qenë në arrati, derisa vendndodhja e tij u zbuluar nga shërbimet sekrete dhe më pas u vra me anë të një sulmi të forcave speciale amerikane.

Ky version është kundërshtuar nga një artikull hulumtues i publikuar në muajin Maj të këtij viti në “London Review of Books” me autor gazetarin e njohur amerikan Seymour M. Hersh, një veteran i gazetarisë hulumtuese amerikane, i cili në shumë raste e ka vënë “në siklet” qeverinë duke nxjerrë në dritë raste si “Masakra e My Lai-t” në Vietnam dhe abuzimet që bëheshin në burgun e Abu Graibit në Irak.

Sipas tij, versioni që qeveria amerikane i ka ofruar publikut në lidhje me vrasjen e Osama bin Ladenit ka qenë një komplot i nivelit më të lartë në bashkëpunim me inteligjencën pakistaneze.

Hersh pohon se shërbimet sekrete pakistaneze (ISI) e kanë mbajtur Bin Ladenin të burgosur për afro gjashtë vjet në qytetin e Abbottabadit dhe më pas ia kanë dorëzuar amerikanëve në një sulm të simuluar. Prandaj, sipas Hersh, versioni i zyrtarëve amerikanë është thjeshtë një “sajesë”.

Shtëpia e Bardhë ka pohuar se do ta kapnin Bin Ladenin të gjallë po të ishte e mundur, por u vra gjatë operacionit. Hersh thotë se kjo nuk është e vërtetë. “Nuk ka pasur asnjë luftim në momentin që ata janë futur kompleks (vendi ku mbahej Osama),” shkruan Hersh.

Artikulli merret gjithashtu edhe me pretendimin e Shtëpisë së Bardhë mbi varrosjen e Bin Ladenit në det. “Pjesët e mbetura (të trupit), përfshirë kokën e tij, e cila kishte vetëm dy plumba, u hodhën në një qese plastike dhe gjatë kthimit me helikopter në Jalalabad disa pjesë të trupit u hodhën në malet e Hindu Kush – ose të paktën kështu pohon anëtari i forcave speciale,- shkruan Hersh, i cili citon një zyrtarë të lartë të shërbimit sekret amerikan.

Historia e Bin Ladenit me sa duket nuk merr fund me vdekjen e tij. Për aq kohë sa do të mbeten pyetje pa përgjigje dhe detaje që nuk janë të qarta, ka shumë gjasa që të dëgjojmë akoma të flitet për të.

Sulmet ndaj gazetës satirike franceze Charlie Hebdo

Në një artikull të publikuar vetëm pak ditë pas sulmit ndaj Revistës satirike franceze Charlie Hebdo, akademiku dhe gazetari i njohur Paul Craig Roberts shkruante se sulmi i kishte të gjitha karakteristikat e një operacioni të “sajuar”, (False Flag). Sulmi ndaj karikaturistëve ishte një sulm profesional dhe i disiplinuar, i ngjashëm me ato të forcave speciale të mirë trajnuara.

Nga ajo që jemi mësuar të shohim, terroristët janë të përgatitur të vdesin gjatë sulmit, ndërsa dy profesionistët që sulmuan Charlie Hebdo-n ishin të vendosur të arratiseshin, dhe ia dolën. Çuditërisht, identiteti i tyre u zbulua nga një kartë identiteti që thuhet se ishte harruar në makinë nga të arratisurit. Por një gabim i tillë prej fillestarësh është në mospërputhje me profesionalizmin e sulmuesve dhe të kujton pasaportën e pa dëmtuar që “u gjet” mes rrënojave të Kullave Binjake në bazë të së cilës u zbulua identiteti i rrëmbyesve të avionëve më 11 Shtator.

Ka shumë gjasa që karta e identitetit e gjetur në makinë t’i përkiste vëllezërve Kouachi, të cilët më pas  u vranë nga policia, e jo dy profesionistëve që sulmuan Charlie Hebdo-n. Një fakt tjetër i rëndësishëm është se personi i tretë, Hamyd Mourad, i dyshuar si shoferi i makinës së terroristëve,  kur e pa emrin e tij që qarkullonte në mediat sociale si i dyshuar e kuptoi rrezikun që i kanosej dhe menjëherë u vetëdorëzua në polici për t’u marrë në mbrojtje pasi rrezikonte të vritej edhe ai si terrorist nga forcat speciale.

Mourad-i pati deklaruar në polici se kishte një alibi të hekurt. Nëse kjo ishte e vërtetë, atëherë kjo e bënte atë provën e gjallë të  një sulmi “të sajuar”. Mediat nuk e përmendën asnjëherë faktin se i vetëdorëzuari kishte një alibi të fortë. U përmend vetëm se u vetëdorëzua.

Gjithashtu, një e çarë tjetër në versionin zyrtar mbi ngjarjen ka të bëjë me prokurorin që u mor me çështjen, i cili pati një rol shumë të rëndësishëm në hetimet e Charlie Hebdo-s. Për arsye akoma të panjohura, njeriu më i rëndësishëm i këtij hetimi vendosi të vrasë veten me 8 janar, në mes të natës, ndërkohë që shkruante raportin mbi ngjarjen.  Edhe këtë rast mediat e kaluan pa bërë shumë pyetje, por thjeshtë e paraqiten si person me probleme mendore.

Një tjetër gazetar i njohur, Kevin Barrett, kryeredaktor i Veterans Today shkon akoma më larg me dyshimet mbi ngjarjen. Ai akuzon Izraelin si orkestrues të sulmit. Një muaj para ngjarjes, Dhoma e Ulët në Francë votoi për njohjen e Palestinës. Pas kësaj, krejt papritmas, “terrorizmi islamik goditi Francën”. Ai ngre pyetjen: “A po ndëshkohet Franca për votën e saj pro Palestinës?”

Ai sjell një rast tjetër mjaft interesant. Në fund të vitit 2013, gjykata malajziane në Kuala Lumpur e shpalli fajtor Izraelin për gjenocid ndaj Palestinezëve. Pak muaj më pas avionët malajzianë filluan të rrëzohen e të zhduken.

Barret ka akuzuar Izraelin edhe për sulmet e 11 Shtatorit duke thënë se agjentët e “Mosadit izraelit ishin personazhet kryesore të ngjarjes. Ndërsa pamjet e ofruara në atë kohë nga mediat menjëherë pas sulmeve ku shfaqen disa arabëve duke festuar djegien e Kullave, në fakt ishin spiunë të Mosadit e  jo arabë.” thotë ai.

Këto na bëjnë të gjithëve të ngremë disa pyetje:

Pse muslimanët do të ndjeheshin më të ofenduar nga disa karrikatura të prodhuara nga mendja e sëmurë e disa karrikaturstëve të një reviste satirike franceze se sa nga qindra mijëra muslimanët e vrarë në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore si rezultat i ndërhyrjes së Perëndimit gjatë 14 viteve të fundit?

Nëse muslimanët donin që karrikaturistët të paguanin për atë që kishin bërë pse të mos i denonconin në gjykatë për nxitjen e urrejtjes? Imagjinoni çfarë do të ndodhte nëse një revistë europiane do të guxonte të satirizonte hebrenjtë ashtu siç bëri Charlie Hebdo? Në fakt, në Europë mund të burgosesh vetëm për faktin e vënies në dyshim të holokaustit apo hetimin rreth tij.

Nëse muslimanët ishin përgjegjës për sulmin ndaj Charlie Hebdo-s, çfarë qëllimi arritën? Deri tani asnjë. Në fakt, sulmi që iu mvesh muslimanëve, apo “esktremistëve islamikë” ka dëmtuar simpatinë e Europës për Palestinën dhe e ka nxitur Perëndimit që të ndërmarrë fushata edhe më të egra kundër vendeve muslimane në Lindjen e Mesme.

Disa mund të mendojnë se “terroristët islamikë” janë aq budallenjë sa ta qellojnë veten. Por si mund ta lidhin këtë me profesionalizmin e treguar gjatë sulmeve të 11 Shtatorit dhe Charlie Hebdo-s?

Këto e shumë pyetje të tjera mbeten akoma pa përgjigje.

Sulmet terroriste të 13 nëntorit në Paris

“Franca është në luftë!” – deklaroi disa herë presidenti Hollande vetëm brënda 12 orëve pas sulmit terrorist në Paris që la 130 të vdekur e rreth 350 të plagosur, duke tronditur mbarë botën. Ajo që ra menjëherë në sy ishte fakti se Hollande akuzoi menjëherë ISIS-in për sulmin, përpara se ata ta merrnin përsipër si dhe përpara se vetë policia të kuptonte se cilët ishin përgjegjësit.

Fraza e presidentit francez u solli të gjithëve në mendje Xhorxh Bushin menjëherë pas 11 Shtatorit. Madje, pati disa media që shfaqen foto ku krahasohej reagimi i dy presidentëve menjëherë pasi ishin njoftuar se vendi i tyre është sulmuar. Fotot krahasuese shfaqin dy presidentë mjaft të ftohtë, pa ndonjë habi të theksuar, pavarësisht se në të dyja rastet bilanci ishte tragjik.

Hollande deklaroi menjëherë gjendjen e jashtëzakonshme dhe shpalli edhe tre ditë zi kombëtare. Kjo nënkupton kufizimin e lirive shoqërore, përfshirë bastisjet e banesave pa paralajmërim, shtetrrethim, kontroll të mediave nga qeveria, mbikqyrje të shtuar, kontroll të rreptë të kufijve, bllokim të rrugëve, shtypje të protestave dhe manifestimeve popullore etj.

Edhe këto sulme janë përcjellur me dyshime të forta në lidhje me përgjegjësit e vërtetë, njerëzit e përfshirë dhe mënyrën si mediat e kanë raportuar ngjarjen.

Ngjashëm si në rastin e 11 Shtatorit dhe Charlie Hebdo-s ku “u gjet” mjeti i identifikimit të njërit prej terroristëve, edhe kësaj here si për çudi ka ndodhur e njëjta gjë. Mediat raportuan se pranë njërit prej trupave të atentatorëve është gjetur një pasaportë siriane, por që më pas rezultoi se ishte fallco.

Dyshimet u shtuan akoma më shumë pasi doli në dritë se disa nga “atentatorët” e dyshuar si pjesëmarrës në sulme të cilët u paraqitën nga mediat me foto dhe me emra, në fakt nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen.

Rasti i parë ishte ai i gazetarit kanadez, Veerender Jubbal, fotoja e të cilit ishte modifikuar që të dukej si një nga terroristët e masakrës së Parisit. Disa të rinj të pasionuar pa videolojrave kishin modifikuar me fotoshop foton e “viktimës”. Ata kishin zëvendësuar iPad-in e tij me një Kuran, duke i shtuar edhe një jelek bombë. Kur gazetari e pa foton e tij nëpër mediat sociale dhe e kuptoi se nuk ishte thjeshtë një shaka nxitoi ta sqaronte këtë në profilin e tij në Twitter. Madje, gazeta më e madhe spanjolle, La Razón e kishte vënë foton e tij në faqen e parë. Më pas gazeta kërkoi falje për pakujdesinë e saj.

Gjithashtu, një i ri nga Rripi i Gazës është shokuar kur ka parë foton e tij në media të akuzuar si militant i ISIS-it i përfshirë në sulmet e Parisit. Sami Abu Rus, një student i gazetarisë në Gaza tha për mediat se ishte shokuar kur e kishte parë foton e tij të shpërndarë nga mediat e ISIS-it të cilat e lavdëronin si një nga “luanët” që kishte sulmuar Parisin.

Abu Rus, i cili jeton në kampin e refugjatëve të Al-Nuseiras, tha se kurrë nuk kishte dalë jashtë Rripit të Gazës. Ai e mori vesh për foton vetëm pasi i kishin treguar disa miq. Me shumë gjasa fotoja është marrë nga profili i tij në Facebook.

Rasti tjetër ishte ai i një gruaje nga Maroku, fotoja e të cilës u publikua nga tabloidi britanik Daily Mail si kamikazja e vrarë gjatë sulmeve në Paris. E përditshmja britanike u kritikua ashpër për publikimin e fotos së gruas së pafajshme marokene, e identifikuar gabimisht si “femra e parë bombë” në Europë. Nga verifikimet e mëtejshme nga mediat rezultoi se gruaja në foto nuk ishte Hasna Ait Boulahcen, siç ishte identifikuar nga Daily Mail,  por një marokene e quajtur Nabila Bakkatha.

Në një intervistë për CNN-in, Bakkatha tha se një ish-mikesha e saj  fotografe ia kishte shitur fotot e saj gazetarëve, të cilët kanë shfrytëzuar ngjashmërinë me kamikazen e vrarë Ait Boulahcen.

Gruaja e pafajshme marokene i rrëfeu CNN-it se tashmë jeta e saj është shkatërruar nga ky keqpërdorim që i është bërë identitetit të saj nga mediat. Ajo thotë se nuk mund të dal as nga shtëpia e saj. “Jeta ime ka ndryshuar në mënyrë drastike. Nuk shkoj më në punë. Nuk mund të shkoj më askund, pasi tani jetoj me frikë të vazhdueshme,” tha ajo. Ndërkohë, ajo ka nisur një proces për të paditur gruan që ka shitur fotot e saj dhe gazetarin që i ka blerë.

Ndërkohë dyshimet në lidhje me sulmin terrorist në Paris nuk kanë munguar as nga akademikë. Profesori i ekonomisë, Michel Chossudovsky, një njohës i mirë i Lindjes së Mesme, në një artikull të gjatë të publikuar te Global Research ka kritikuar ashpër Francën dhe ka thënë se shërbimet sekrete franceze ishin lajmëruar më herët për një sulm të stilit të 11 Shtatorit. Gjithashtu, ai vë në dukje se pavarësisht sulmit tragjik ku humbjen jetën njerëz të pafajshëm, vendet si Franca dhe Shtetet e Bashkuara janë të përfshira direkt me anë të shërbimeve sekrete në mbështetjen e organizatave terroriste në Lindjen e Mesme. Dhe se e gjitha kjo në fakt i shërben doktrinës së shpallur pas 11 Shtatorit, e njohur si “Lufta kundër Terrorit”. Sipas tij, të gjitha këto janë për të justifikuar politikën e jashtme dhe kufizimin e lirive të qytetarëve.

Edhe Joachim Hagopian, ish-ushtarak amerikan, shkruan se shërbimet sekrete franceze e dinin më përpara për sulmin. Gjithashtu, Turqia i kishte paralajmëruar autoritetet franceze dy herë në lidhje me tre nga atentatorët, por Franca nuk i kishte kthyer asnjë përgjigje. Sipas The Guardian, autoritetet franceze e kontaktuan Turqinë vetëm pas sulmit. Sipas Hagopian, forcat e sigurisë e dinin për sulmin e planifikuar, por me qëllim nuk e kanë ndaluar.

Ashtu si në rastin e 11 Shtatorit kur gazetari i BBC-së raportoi për shembjen e Kullës 7 rreth njëzet minuta përpara se se ajo të shembej, edhe sulmi i Parisit u paralajmërua në Twitter 2 ditë përpara se të ndodhte. Gjithashtu, Wikipediabrenda dy orëve nga sulmet kishte postuar një përshkrim të detajuar të ngjarjes të shoqëruara me futnota ku specifikohej “Siria”, “5 a 6 terroristët,” dhe “3 kamikazët”. Gjithashtu, Wikipedia kishte postuar lajmin ku presidenti Hollande deklaronte gjendjen e jashtëzakonshme rreth një orë përpara se Presidenti ta bënte atë deklaratë në media.

Po atë ditë, forcat e sigurisë po bënin një simulim për një sulm terrorist. Një gjë e ngjshme kishte ndodhur edhe para sulmeve terroriste të Charlestonit, Baltimores, Bostonit dhe 11 Shtatorit.

Ajo që i shton akoma më shumë dyshimet është fakti se dy javë para sulmeve në Paris, më 29 tetor, drejtori i CIA-s John Brenna ishte takuar me homologun francez, me ish-shefin e MI6 dhe ish-këshilltarin izraelit për çështjet e sigurisë. Brennan e ka pranuar se shërbimet sekrete e prisnin një sulm terrorist në Europë.

Pas çdo sulmi terrorist, apo krimi, pyetja më e natyrshme që bëhet është se kush përfiton nga kjo?

Për perëndimorët, Asadi dhe Rusia. Në kohën kur ndodhi sulmi në Paris diplomatët më të lartë perëndimorë po udhëtonin drejt Vienës me qëllim gjetjen e një mënyrë për të zëvendësuar Asadin. Tani pas sulmit vëmendja është zhvendosur tek ISIS-i. Ndërsa Rusia nga ana tjetër ka arritur t’i bindë të gjithë se rreziku më urgjent është ISIS-i dhe jo Asadi.

Por ka edhe nga ata që theksojnë se përfituesit e vërtetë nga e gjithë kjo zallamahi janë kompanitë e armëve, të cilat kanë patur një rritje në shitje që prej sulmeve në Paris. Kjo për shkak se, siç pritej, Franca u betua se do të hakmerrej nga terroristëve. Amerika nga ana tjetër deklaroi hapur mbështetjen ndaj Francës dhe të “drejtën e saj për vetëmbrojtje”. Çka nënkupton një përfshirje më të madhe në konfliktin sirian dhe një përshkallëzim të situatës atje.

Dhe për ta mbyllur, ka edhe prej atyre që përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme e shohin si fillimin e Luftës së Tretë Botërore, por kësaj here arena nuk do të jetë Europa, por Lindja e Mesme. 

Ky artikull është publikuar për herë të parë te tesheshi.com

Observer.al


Referencat:

  1. James H. Fetzer, “Why Doubt 9/11? – Overview of New 9/11 Research”, twilightpines.com
  2. Craig T. Furlong & Gordon Ross, “Seismic Proof – 9/11 Was An Inside Job”. Studimin mund ta shkarkoi këtu.
  3. Thierry Meyssan, “9/11: The Big Lie”.
  4. John Hudson. “The Associated Press’s Case for Releasing the Bin Laden Photo”, The Wire.
  5. “Freedom of Information Act”, Wikipedia.
  6. Matea Gold, David S. Cloud dhe Eryn Brown, “Osama bin Laden dead: Bin Laden’s burial at sea fuels ‘death hoax’ rumor”, Los Angeles Times.
  7. Seymour M. Hersh. “The Killing of Osama bin Laden”, London Review of Books.
  8. Seymour M. Hersh“Masakra e May Lai” në Vietnam, Pierretristam.com.
  9. Paul Craig Roberts, “Charlie Hebdo”. Paulcraigroberts.com.
  10.  “Paris “Charlie Hebdo” attack”: another Zionist false flag?”. theeventchronice.com. Artikulli është fshirë nga faqja.
  11. “Israel was prime force behind 9/11 attacks: American scholar”. presstv.com
  12. “Historia e gazetarit kanadez, si e bënë të duket si një nga kamikazët e Parisit”. tesheshi.com
  13. “Canadian pictured as Paris terrorist in suspected Gamergate smear”, the Guardian.
  14. “Gamergate Supporters Are Responsible for the Terrorist Photoshopping of Journalist Veerender Jubbal”, vice.com
  15. Profili i Veerender Jubbal në Twitter.
  16. “Gaza man shocked after being wrongly identified as Paris attacke”, Maan News.

3 KOMENTE

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.