Nobelistë dhe liderë botërorë letër të hapur OKB-së: shpëtoni rohingat

13 fitues të Çmimit Nobel dhe 10 liderë botërorë, kanë shprehur zgjënjimin e tyre ndaj dështimit të udhëheqëses së Mianmarit për të siguruar të drejtat e rohingave.

0
Në foto: Kryeministrja e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, dhe nobelistë e liderë botërorë, të cilët i janë drejtuar OKB-së me një letër ku i kërkojnë që të ndërhyjë për të shpëtuar muslimanët rohinga nga gjenocidi që po kryhet ndaj tyre nga budistët dhe forcat ushtarake.

Me dhjetëra fitues të Çmimit Nobel e kanë kritikuar liderën e Mianmarit, Aung San Suu Kyi se nuk u ka siguruar muslimanëve rohinga të drejtat bazike të njeriut në shtetin Rahkine, duke i kërkuar asaj që të ndërmarrë veprime të menjëhershme për t’i dhënë fund “spastrimit etnik dhe krimeve kundër njerëzimit” ndaj muslimanëve.

Në një letër të hapur drejtuar Organizatës së Kombëve të Bashkura, 23 përsonalitete botërore, përfshirë 13 fitues të Çmimit Nobel dhe 10 liderë botërorë, kanë shprehur zgjënjimin e tyre ndaj asaj që ata e shohin si dështim të udhëheqëses së Mianmarit për të siguruar të drejtat e rohingave. “Pavarësisht apelimeve të përsëritura ndaj Aung San Suu Kyi, ne jemi të frustruar për faktin se ajo nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë për t’u siguruar të drejta të plota dhe të barabarta rohingave,” thuhet në letrën e firmosur. “Znj. Suu Kyi është liderja, prandaj ka përgjegjësinë kryesorë të drejtojë me kurajo, humanizëm dhe dhembshuri,” thuhet më tej.

Gjatë javëve të fundit, më shumë se 27 mijë vetë të minoritetit të përsekutuar musliman kanë ikur si pasojë e operacioneve ushtarake të drejtura nga shumica budiste e Mianmarit në shtetin Rakhine. Të mbijetuarit rohinga kanë dëshmuar se kanë parë tmerre me sy; përdhunime, vrasje dhe djegie për se gjalli të shumë njerëzve nga ushtarët. Këto dëshmi kanë ngritur alarm botëror dhe kanë nxitur protesta të shumta. “Rohingat janë minoriteti më i përsekutuar në botë (sot), të cilët për dekada me rradhë i janë nënshtruar fushatave të margjinalizimit dhe dehumanizimit,” thonë autorët e letrës.

“Nëse dështojmë e nuk ndërmarrim veprime, shumë njerëz mund të vdesin urie, edhe nëse nuk i vret plumbi. E mund të përfundojmë si vëzhgues pasiv të krimeve kundër njerëzimit, të cilat na çuan edhe njëherë të ngremë duart lart e të themi “kurrë më” për të disatën herë.” Një dhunë e tillë ka lënë gjurmë të pashlyeshme në memorien kolektive: gjenocidi  në Ruanda 1994, po ashtu spastrimet etnike në Darfur, në perëndim të Sudanit, në Bosnje dhe Kosovë. Grupi i ka kërkuar 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që ta fusë “krizën” në axhendën e vet si një “çështje urgjente” si dhe i ka bërë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm që ta vizitojë Mianmarin në javët e ardhshme”.

Muslimanët rohinga lëngojnë prej vitesh në varfëri dhe diskriminim nga qeveria e cila u mohon atyre nënshtetësinë. OKB-ja dhe grupet e shumta për të drejtat e njeriut i kanë bërë thirrje Mianmarit në mënyrë të përsëritur që t’u garantojë atyre të drejta të plota. Qeveria e Bangladeshit ka qenë në presion të vazhdueshëm që t’i hapur kufijtë për refugjatët, por vetëm sa i ka përforcuar më shumë rojet kufitare për të parandaluar të ardhurit. 

Observer.al

ASNJË KOMENT

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!