Tuesday, April 23, 2024

Normalizimi i Islamofobisë dhe racializimi i identitetit musliman

Qasjet negative dhe racizmi i hapur kundër muslimanëve po bëhen gjithnjë e më të dukshme në diskursin publik në Europë. Partitë populiste të ekstremit të djathë i kanë forcuar pozitat e tyre, duke u fokusuar te “kërcënimi islamik” ndaj Perëndimit dhe politikat anti-emigracion.

Mëngjesin e 15 marsit bota u zgjua me lajmin e tmerrshëm të sulmit terrorist në dy xhami në qytetin e Christchurch-it në Zelandën e Re, ku një terrorist i ekstremit të djathë ekzekutoi me armë automatike 51 viktima të pafajshme, besimtarë muslimanë. Në mesin e tyre kishte burra, gra e fëmijë, ku më i vogli ishte vetëm tre vjeç. Ata ishin mbledhur për të kryer një nga aktet me paqësore të mundshme – faljen e namazit të së premtes. Një akt i tillë terrorist me pasoja tragjike, pa dyshim, i ka tronditur të gjithë, por nuk vjen aspak si diçka e paparalajmëruar kur merr në konsideratë faktin se islamofobia është kthyer në një industri fitimprurëse milionadollarëshe me mbështetjen e organizatave dhe politikanëve të niveleve të larta, ndërsa thirrjet për dhunë ndaj muslimanëve janë shtuar në mënyrë të frikshme.

Qasjet negative dhe racizmi i hapur kundër muslimanëve po bëhen gjithnjë e më të dukshme në diskursin publik në Europë. Partitë populiste të ekstremit të djathë i kanë forcuar pozitat e tyre, duke u fokusuar te “kërcënimi islamik” ndaj Perëndimit dhe politikat anti-emigracion. Interneti e ka lehtësuar shumë hapësirën, ku sjelljet raciste ndaj muslimanëve gjejnë lehtësisht rrugën për në debatin publik. Ngjashëm, gjuha e urrejtjes dhe sulmet në rritje kundër emigrantëve dhe njerëzve me ngjyrë, të mbështetura edhe nga retorika e politikanëve të ekstremit të djathë në shumë vende perëndimore, po bëhen gjithnjë e më të theksuara. Trendi izolacionist dhe politika, si ajo e Brexit-it, nga njëra anë, dhe masat ekstreme të ndërmarra nga Presidenti Donald Trump për ndalimin e hyrjes në Amerikë të popullatës të vjen nga disa vende me shumicë myslimane, si dhe retorika e tij e vazhdueshme kundër Islamit si fe që “na urren ne”, nga ana tjetër, i ka shërbyer rritjes së urrejtjes anti-muslimane dhe shtimit të incidenteve islamofobe. Po ashtu, diskursi institucional dhe shtetëror perëndimor ndër vite, i ushqyer nga industria milionadollarëshe e sigurisë, me rritje të theksuar në intensitet pas sulmeve të 11 Shtatorit, ka ushqyer rilindjen e një ento-nacionalizmi, i cili e ka origjinën në mitologjitë nacionaliste të Europës dhe shteteve të saj pasardhëse koloviste, të nxitura nga rënia e perceptuar ekonomike dhe shoqërore.

Megjithatë, diskursi anti-musliman nuk është i kufizuar vetëm në fjalimet e politikanëve dhe politikat shtetërore. Një rol të rëndësishëm në përforcimin e narrativave kundër muslimanëve e luajnë edhe mediat mainstream. Ato vazhdimisht i portretizojnë muslimanët si “alienë”, si “tjetri”. Me anë të shpjegimeve selektuese dhe jashtë kontekstit, agjencitë e lajmeve dhe industria e zbavitjes kanë kontribuar në përkeqësimin e imazhit të Islamit dhe muslimanëve. Në mediat kryesore ka dominuar lidhja e vazhdueshme që i është bërë Islamit dhe muslimanëve me dhunën dhe terrorizmin, duke krijuar kështu njëfarë “ankthi shoqëror”. Kur një ndjesi dhe mendësi e tillë përbrendësohet nga individë ekstremistë, mund të çojë edhe në akte të tmerrshme, si ato në Zelandën e Re.

Në Manifestin e tij, terroristi Brenton Tarrant fliste qartë për ndikimin që ai kishte pasur nga ideologjia e ekstremit të djathë dhe personat e ngjashëm me të, si Anders Breivik. Nuk mund të minimizohet as frymëzimi që ai ka pasur nga politikanët, si Trump-i, i cili ngrihet në qiell si simboli i identitetit të bardhë. Në Manifestin e tij ai shpaloste hapur retorikën ksenofobe, me theks të veçantë kundër muslimanëve. Etiketimet e përdorura prej tij janë terma të njohur e mjaft të përdorur në retorikën e ekstremistëve të djathtë. Duke iu referuar emigrantëve si “pushtues”, ai i bënte jehonë gjuhës së përdorur nga vetë presidenti amerikan Trump dhe politikanë të tjerë të ekstremit të djathtë në Europë.

Për më tepër, Australia, nga e ka prejardhjen terroristi Brenton Tarrant, është formuar si shtet me anë të një luftë që ka pasur për bazë gjenocidin ndaj vendasve dhe përzënien e pjesës më të madhe të emigrantëve jo të bardhë. Për më tepër, pas sulmeve tragjike të 11 Shtatorit, Australia menjëherë u rreshtua në mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke dërguar trupa ushtarake në Afganistan, e më pas në Irak. Ndonëse disa do të kishin preferuar që të mbahej fshehur ndikimi që ka pasur ideologjia e ekstremit të djathë te aktet terroriste të 15 Marsit në Christchurch, e vërteta është se vetë terroristi Tarrrant donte që bota ta dinte se nga ishte frymëzuar ai.

Ndryshe nga ekstremistët fetarë që radikalizohen nëpër vende të izoluara të shoqërisë dhe cepat e errëta të internetit, ekstremistët e djathtë si Tarranti e marrin frymëzimin nga mediat mainstream dhe retorika e politikanëve ekstremistë të zgjedhur nga populli. Po ashtu, nuk duhet anashkaluar fakti se sot të rinjtë në shumë vende perëndimore po rriten në një periudhë ku racizmi, ksenofobia dhe armiqësia kundër muslimanëve janë bërë deri diku pjesë e kulturës së përgjithshme dhe janë kthyer në forma të pranuara të diskriminimit.

Në epokën e “Luftës ndaj Terrorit” Islami dhe muslimanët trajtohen vazhdimisht si armiku i shtetit dhe diskriminimi ndaj tyre është bërë pjesë normale e shoqërisë. Ndonëse Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, menjëherë e cilësoi aktin si terrorizëm, disa media hezituan në fillim dhe nuk e përdoren termin “terrorist”. Madje, pati raportime mediatike mjaft problematike, sidomos në lidhje me autorin e masakrës. Ndërkaq media të tjera nuk i dhanë ngjarjes rëndësinë e duhur.

Në Shqipëri, raportimet për sulmin terrorist në Zelandën e Re kanë qenë sipërfaqësore. Kjo ka reflektuar në një farë mënyre dhe reagimet e vakëta ose dhe mungesën totale të reagimeve të shumë politikanëve shqiptarë. Po ashtu, shumë media shqiptare e minimizuan rëndësinë që kishte fakti se terroristi kishte të shkruar në armën e tij emrin e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut. Përdorimi i emrit të tij është pjesë e një mozaiku më të gjerë figurash prej të cilave autori i masakrës duket se ka gjetur frymëzim.

Ndërkohë, në faqet e para të disa gazetave perëndimore nuk u përdor fare etiketimi terrorist. Ai, thjesht, u quajt një “vrarës në masë”. Madje, disa media, si Daily Mirror, shkuan shumë larg duke e quajtur terroristin “djali engjëllor” që u shndërrua në vrasës. Ndërkohë, në raste të tjera sulmesh terroriste, ku kanë qenë të përfshirë njerëz me prejardhje muslimane, këto media nuk kanë hezituar ta përdorin etiketimin “terrorist islamik”. Ndërkaq janë treguar të kujdesshme ose e kanë mënjanuar përdorimin e këtij termi kur autori ka qenë i bardhë. Kur personat që kryejnë akte të tmerrshme janë të bardhë, duket se për mediat ata meritojnë njëfarë humanizmi në mënyrën si portretizohen. Ata paraqiten në mënyrë komplekse dhe si raste të izoluara të njerëzve me probleme mendore. Ndërkohë, ata që ndajnë të njëjtat bindje ekstremiste me ta nuk kanë pse të shqetësohen nga kundër reagimet. Atyre nuk u kërkohet që të shprehin keqardhje ose të kërkojnë ndjesë, e as nuk kanë pse të shqetësohen për ngjyrën e lëkurës. Kërkimi i faljes për aktet terroriste duket se është i rezervuar vetëm për muslimanët, të cilët paragjykohen në grup për veprimet e disa individëve. Studimet kanë treguar se sulmet e kryera nga persona me origjinë muslimane raportohen disa herë më tepër në media në krahasim me sulmet e kryera nga persona të tjerë. Kjo pavarësisht faktit se raporte të shumta tregojnë se numri i akteve terroriste nga persona me origjinë muslimane janë më të pakta në numër se sulmet e kryera nga grupe ekstremiste të ndryshme. Pra, ka një paraqitje në mënyrë disproporcionale në media.

Kjo dritë negative, nën të cilën paraqiten muslimanët në media, retorika e përdorur nga politikanët dhe politikat shtetërore anti-muslimane, janë të lidhura ngushtësisht me zhvillimin e “racizmit strukturor” ose islamofobinë me rrënjë në portretizimin kulturor të “tjetrit”. Ndonëse Islami dhe muslimanët nuk janë racë në kuptimin biologjik, përsëri mund të flasim për racizëm në rastin e islamofobisë. Për të kuptuar këtë mjafton të marrim në shqyrtim mënyrat si manifestohet islamofobia në nivel shoqëror. Sipas një studimi të kryer nga Craig Considine, ligjërues i sociologjisë në Universitetin “Rice” në Shtetet e Bashkuara, rreth 60 për qind e sulmeve islamofobe në Amerikë në vitin 2015 kishin lidhje me paragjykimet mbi racën, etninë dhe prejardhjen e të dhunuarve. Mbi 50 për qind e muslimanëve kanë përjetuar sulme islamofobe për shkak të identitetit të tyre musliman. Agjencitë e lajmeve u japin më shumë mbulim krimeve të kryera nga muslimanët. Sulmet nga muslimanët kanë pasur një mbulim prej 450 për qind më shumë se krimet e kryera nga jo muslimanët. Po ashtu, në mbi 90 për qind të rasteve prodhimet kinematografike i paraqesin muslimanët dhe arabët në mënyrë stereotipike dhe negative. Ata paraqiten si personazhe ogurzinj, me mjekra të gjata, lëkurë të errët dhe si terroristë. Ndonëse muslimanët në Perëndim janë heterogjenë dhe u përkasin racave dhe etnive të ndryshme, ata vazhdojnë të portretizohen si potencialisht të rrezikshëm dhe kulturalisht si të prapambetur.

Një tregues tjetër i racizmit dhe islamofobisë së strukturuar janë politikat shtetërore. Vende si Amerika dhe Britania e Madhe kanë ngritur një sistem të tërë për të mbikëqyrur qytetarët e zakonshëm muslimanë. Me anë të programeve të financuara nga shteti, si Programi për “Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm” dhe politikat e tjera kundër radikalizimit, njerëzve të shtresave dhe profesioneve të ndryshme u kërkohet që të denoncojnë pranë autoriteteve çdo sjelle “të dyshimtë” që vjen nga secili musliman, pavarësisht moshës. Problemi me politika të tilla është se ato që konsiderohet si veprime të dyshimta nga autoritetet përfshijnë tregues fizikë, si rritja e mjekrës, mbajtja e hixhabit ose rrobave të caktuara tradicionale, shkuarja e shpeshtë në xhami ose edhe aktivizmi qytetar, sidomos ai me nota të forta politike. Me anë të pjesëmarrjes së qytetarëve të thjeshtë dhe bashkëpunimit të udhëheqësve fetarë lokalë, shteti trajnon njerëz, duke u treguar se si t’i dallojnë karakteristikat e personave që kanë shanse për “t’u radikalizuar” ose për t’u bërë të dhunshëm.

Mund të shihet qartë se përditshmëria e muslimanëve dhe paraqitja e tyre e jashtme kriminalizohet nga vetë shteti, keqportretizohet nga mediat dhe paragjykohet nga shoqëria, duke e kthyer në problem vetë faktin e të qenit musliman. Trajtimi i muslimanëve në mënyrë të tillë i ka shndërruar ata në qytetarë të dorës së dytë në vendet ku jetojnë. Për këtë arsye, muslimanët dhe çdo qytetar tjetër që perceptohet si i tillë e shohin vetën të rrezikuar dhe viktima të mundshme të sulmeve me bazë urrejtjen fetare. Prandaj, është e rëndësishme që shoqëria të ndërgjegjësohet për ekzistencën e islamofobisë dhe ta pranojë atë si diçka reale që prek thellësisht jetët e njerëzve. Është e rëndësishme që Islamofobia duhet të adresohet në nivel shoqëror dhe shtetëror, duke e trajtuar me seriozitetin që meriton. Duhen formuluar strategji pët ta luftuar islamofobinë në fusha të ndryshme, si arsimimi, punësimi etj. Gjithashtu, duhet kriminalizuar gjuha e urrejtjes on-line dhe në mediat audiovizive.

Në përmbyllje është e rëndësishme të kemi parasysh se ndonëse akti terrorist në Zelandën e Re ka ndodhur me mijëra kilometra larg nesh, fakti është se gjuha e urrejtjes antimuslimane dhe islamofobia e strukturuar është e pranishme edhe në rajonin tonë. Ideologjia ekstremiste që e frymëzoi aktin makabër të Brandon Tarrantit është ushqyer dhe e frymëzuar edhe nga politikat raciste dhe ksenofobe të disa vendeve ballkanike. Prandaj, është e rëndësishme që Islamofobia të mos nënvlerësoet, por të adresohet sa nuk është vonë, përpara se ngjarje të tilla të dhimbshme të ndodhin përsëri, ndoshta edhe këtu te ne. 

Një version i këtij artikulli është publikuar më herët në Revistën Shenja.

Observer.al

Enes Neza
Enes Neza
Kryeredaktor dhe themelues i Observer.al. Doktorant në studimet mbi rrjetet sociale. Disa nga fushat e interesit përfshijnë studimet mbi Islamofobinë, ksenofobinë, racizmin, identitetin, fenë dhe studimet kulturore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Popular

Të ngjashme
Related

A po rikthehet Islamofobia sot si pas 11 Shatorit?

Si dikur pas 11 shatorit, edhe sot me luftën e Izraelit në Gaza mediat perëndimorë e shfrytëzojnë maskën e çlirimit për të çuar përpara agjendat e tyre koloniale.

Debati mbi Islamofobinë: nuancat dhe semantika

Manifestimet e Islamofobisë në vendet me shumicë muslimane shpesh errësohet nga fokusi i madh që i kushtohet këtij fenomeni në kontekstet perëndimore.

Pse bota hesht për ndalimin e abajas në Francë?

Perëndimi e mbrojti fort të drejtën e grave iraniane për të hequr shaminë, ndërsa tani që qeveria franceze po kufizon të drejtat e tyre, të gjithë heshtin.

Turqit qipriotë: një popull musliman i izoluar nga Islamofobia

Nga Paul Bristow  Kjo javë shënoi Ditën Ndërkombëtare për Luftimin...
Verified by MonsterInsights