T’i referohesh një pamjeje të caktuar, e të përcaktosh nëpërmjet saj një opinion, të cilin më pas e shet si një të vërtetë absolute, pa e shoqëruar me të dhëna të tjera më të imtësishme, mu prej merakut për të vërtetën, do të thotë të kesh më së pari jo probleme me shijet por me etikën dhe teknikat profesionale.

Vapës së këtyre ditëve korriku iu bashkangjit dhe një debat përvëlues, ai mbi dhunimin e pretenduar të ca grave prej burrave respektivë, në ambiente plazhi. Narrativa nervoze e gazetarit Mentor Kikia, në pozitën e një të përvuajturi mbi të drejtat njerëzore dhe gjegjësisht atyre të grave, përcillte pezmin e gatuar me revoltë ndaj atyre burrave, që sipas tij vetë ishin kredhur në det, ndërsa gratë i kishin lënë të përcëlloheshin brenda në çadër. E ilustronte klithmën e tij dëshpëruese, me një foto ku shfaqej një çadër në plazh, ajo që në gjykimin e tij ishte pikërisht burgu, ku ata, burrat ndëshkonin gratë e tyre. E përcillte këtë kumt Kikia pa qenë asnjë përqindje gazetar, edhe pse të qënit të tillë e ka bërë figurë publike, e ka bërë që t’i lexohet e t’i dëgjohet fjala që thotë.

T’i referohesh një pamjeje të caktuar, e të përcaktosh nëpërmjet saj një opinion, të cilin më pas e shet si një të vërtetë absolute, pa e shoqëruar me të dhëna të tjera më të imtësishme, mu prej merakut për të vërtetën, do të thotë të kesh më së pari jo probleme me shijet por me etikën dhe teknikat profesionale. Në këtë pikë, nuk do ishte e denjë që Kikia t’u jepte leksione studentëve të gazetarisë.

Nëse do kishte sadopak skrupulozitet profesional, më së pari Kikia do merrte njohuri mbi përgjithësisht etikën fetare – dhe jo domosdo vetëm islame – për etikën e paraqitjes së femrës në publik sa i përket veshjes, e po ashtu dhe në ambiente plazhi. Por dhe nëse nuk do ta bëntë këtë, meqë kërkon pak “impenjim akademik”, së paku të kishte siguruar një sondazh në bazë të një pyetësori, ku të kishte përfshirë një numër “grash të dhunuara” – në plazh apo shtëpi, por dhe në jetë në përgjithësi – prej burrash namuzqarë e të pandjeshëm, për t’ju afruar kështu sa më tepër të vërtetës me lëndën e marrë nga terreni. Dhe më pas, pasi të ishte siguruar mirë që e kishte prekur atë, të vërtetën, dhe që e zotëronte nga të gjitha anët, t’ja kishte servirur publikut, shoqëruar dhe me denoncimin përkatës për atë që mendon se nuk është e drejtë.

Nuk e ka bërë këtë. I është referuar krejt subjektivisht shijeve të tij, një përshtypjeje të pabazuar në të dhëna reale, dhe kështu i ka bërë një shërbim mjaft të keq profesionit me të cilin identifikohet në jetën publike, më shumë sesa ka shpërndarë të pavërteta e fyer gjithashtu, një komunitet të caktuar. Referuar komentit bujëmadh të Kikikës, duket sikur ai ka pikasur nga brenda çadrës përpëlitje grash, në tentativë për të dalë nga “furra”, ngujuar aty nga burra të pazemërt e brutalë.

Kikia është i lirë që të ketë gustot e tij, perceptimet mbi fenomene të caktuara, kontekstet me të cilat gjykon; por ku flet si gazetar je i detyruar të zbatosh një inxhineri të gjithëpranuar profesionale, si kusht për të qenë i besueshëm – në parim, besueshmëria është aspirata e çdo gazetari – dhe aspak rënës në qafë i gjithkujt që nuk mendon e jeton si ty.

Kalojmë tek znj. Çuli. Kaloi një situatë të vështirë muaj më parë shkrimtarja e njohur, për shkak të akuzave se çoi në litar dy poetë me notat ideologjike që iu vuri krijimeve të tyre, këtu e vite më parë nën komunizëm. Për këtë arsye duhej të ishte pak më e heshtur, më e tërhequr, më e tërbjetshme, për të marrë flamuj kauzash. Pretendon se i kanë rënë në qafë, Agron Tufa me shokë, por dreqi e mori pas gjithë asaj përfoljeje të emrit të saj si një ekzekutore ideologjike me majë lapsi, ku në mos 100 për qind, 50 për qind sigurisht që është – pasi nuk ka patur mundësi të mos jesh – duhej të kishte një droje për protagonizëm publik, aq më shumë kur bëhet fjalë për tema delikate që penalizojnë një komunitet të caktuar, dhe aq më tepër që, kur e ke bërë një ekzekutim, qoftë dhe pa dashje, mundesh të bësh dhe një tjetër, derisa lapsin dhe letrën nuk e ke lëshuar nga dora, dhe me gjasë dhe komunizmin e ke ende sistem mendimi.

Të ecësh me tezën shtampë se “mbulimi është mesjetar” e “zbulimi modern”, nuk është diçka që ka të bëjë ekskluzivisht me gjykime perëndimore; përkundrasi i ka rrënjët në totalitarizëm, gjëgjësisht në komunizëm. Dhe këtu lidhet natyrshëm vajzëria e Çulit, momenti kur ajo ngjizet me botëkuptimet mbi botën, e cila përkon me frymën revolucionare të së “vjetrës që duhet shembur” dhe së “resë që duhet të triumfojë”, që kulmon dhe me ndalimin katastrofik të ushtrimit të besimit.

Merreni me mend se ç’dogmatizëm e mban të mbërthyer znj. Çuli, teksa kjo flet në emër të lirisë! Një paradoks i llahtarshëm!

Në kaq vite mundësi për të dëgjuar, lëçitur, mësuar, mbi faktin që veshja e femrës muslimane nuk ka të bëjë as me burra-gardianë, as me mesjetë e as me modernizën, ajo nuk e ka për gjë të vetëturpërohet me gjykime foshnjarake që bijnë era padije e thellë. Ah, në qoftë për shije, edhe ajo është e lirë të ketë të sajat. Por siç dhe injoranca, as ato nuk përbëjnë argument.

Dhe në fund, diçka për gratë e çadrave e burrat e tyre namuzqarë. Gjersa askush nuk është ankuar se u kanë shkelur të drejtat, u kanë rënë në qafë, u kanë vjedhur pronën, rehatinë, paqen, të drejtën për ta jetuar e gëzuar jetën, atëherë lërini ta jetojnë e shijojnë si të duan, plazhin por dhe jetën në përgjithësi, me çadër apo pa çadër. Eshtë diçka që e thjeshton mrekullisht çështjen dhe u jep qetësinë dëshiruar të gjitha palëve, në lirinë për ta menaxhuar diellin mbi kokë në formën më të mirë, pa i hyrë në hise shoqi-shoqit. 

Publikuar më parë në portalin mbarëkombëtar tesheshi.com
Observer.al

Ermir Hoxha

Autori është gazetar me mbi 20 vite eksperiencë në mediat më të njohura shqiptare. Njëkohësisht ai është themeluesi i portalit mbarëkombëtar Tesheshi.com.

ASNJË KOMENT

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!