Në foto: Pamje nga falja e namazit të Kurban Bajramit në Sheshin Skenderbej me datë 1 Shtator 2017.

Forumi Musliman i Shqipërisë (FMSH) ka publikuar për të tretin vit rradhazi raportin vjetor për situatën e Islamofobisë në Shqipëri. Raporti thekson se Islamofobia në vend mbetet një shqetësim i vazhdueshëm dhe pasojat e saj shikohen në përditshmërinë e besimtarëve. Sipas të dhënave të ofruara nga Raporti, viti 2018 ka reflektuar po ato probleme që kanë të bëjnë me paragjykimet dhe stereotipet e krijuara tashmë nëpërmjet mediave zyrtare apo edhe rrjeteve sociale prej vitesh.

Mbulesa e femrës muslimane vazhdon të jetë një nga problemet më delikate, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme për t’i dhënë zgjidhje. Një e dhënë jo e mirë është se gjuha islamofobike përdoret edhe nga gazetarë profesionistë, të cilët me opinionet e tyre përdorin shprehje të tilla. Pas një eksperience tre-vjeçare me problemet e hasura në përditshmëri, FMSH vëren në raport se problemet themelore janë po ato, madje, vende-vende janë ashpërsuar për shkaqe nga më të ndryshmet.

Problemeve të islamofobisë ju shtohen edhe problemet që kanë njerëzit në përgjithësi, duke parë që shoqëria shqiptare nuk ka gjetur akoma stabilitetin e duhur, madje mungesa e stabilitetit dhe problemet e ndryshme sociale e rëndojnë edhe më situatën. Bashkësia muslimane me problemet e saj, nuk qëndron jashtë shoqërisë. Përpjekje nga grupe të ndryshme muslimane dhe individë për përmirësim imazhi nëpërmjet bamirësisë dhe “zbutjes së plagës së varfërisë” ka pasur vazhdimisht vitin e kaluar dhe kjo ka ndikuar sadopak në këtë drejtim.

Islamofobia gjithashtu është një fenomen që nuk mund të shihet i ndarë nga ndikimet e ndërsjella dhe interaktiviteti në fusha të ndryshme të jetës njerëzore si politika e shoqëria, por edhe në marrëdhëniet e ndryshme që vendosin njerëzit dhe lëvizja e lirë e tyre. Ndërkaq, vërehet një integrim pozitiv i elementit musliman në të gjitha fushat, porse etiketimet “islamik”, “me burka e ferexhe” vazhdojnë rëndom dhe ndihet efekti i presionit disavjeçar mediatik, i cili do të vazhdojë edhe për disa kohë.

Më tej Raporti vazhdon duke dhënë një panoramë të përgjithshme të incidenteve islamofobe gjatë vitit 2018. Në kuadrin e të drejtave dhe të zbatimit të tyre nga institucionet e ndryshme, qofshin ato jo-shtetërore dhe të sektorit privat, po ashtu edhe në shtet, nuk ka ndonjë përmirësim të dukshëm, thuhet në Raport. Ankesat e dërguara pranë FMSH-së shfaqin të njëjtat probleme dhe sfida si vitet e kaluara, ku mbulesa e femrës muslimane, e drejta për ta ushtruar fenë në publik, gjuha islamofobike, gjuha e urrejtjes, e fenomene të ngjashme me to vazhdojnë të jenë një shqetësim për të gjithë besimtarët e bashkësisë muslimane.

Një apati në këtë drejtim vërehet edhe nga strukturat e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, kundrejt të cilëve ka pasur ankimime nga shtresa të ndryshme besimtarësh nga Tirana dhe qytete të tjera m’u për këto probleme. Besimtarët i kanë konsideruar si të vakëta reagimet e KMSH-së për ngjarje të ndryshme, sidomos me deklaratat e kryeministrit Edi Rama mbi “radikalizimin e myslimanëve” në fillim të vitit që shkoi. Strukturat shtetërore dhe nëpunësit kanë një mungesë të theksuar të njohjes minimale të kuadrit juridik mbi të cilin funksionojnë institucionet ku punojnë. Njëkohësisht nuk dinë të bëjnë dallimin midis të qenit të institucionit laik dhe bindjeve njerëzore, ku hyn edhe e drejta e ushtrimit publik të fesë. Kjo u vërejt edhe me hartimin e strategjisë kombëtare dhe “Modulet e trajnimit kundër terrorizmit në sistemin parauniversitar” (Lexo: “Çfarë fshihet pas trajnimit të mësuesve në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm?”), ku dalloheshin gjurmët e një pune të përshpejtuar.

Fryma që nxitet nga gjuha e urrejtejs kundrejt muslimanëve ndihet e pranishme nga ana mediatike, po ashtu kjo bëhet më e prekshme në rrjetet sociale, ku njerëzit ndjehen të lirë të shprehen në hapësirat e tyre personale, në interaktivitet me njëri-tjetrin në profile dhe në faqet e ndryshme, të cilat mund të klasifikohen sipas identiteteve njerëzore me përkatësi politike apo lokale. Janë disa analistë dhe gazetarë që vazhdojnë të shkruajnë apo flasin me etiketa të ndryshme islamofobike, që vazhdojnë të gjenerojnë këtë lloj fryme të papranueshme. Shihet një ndërhyrje e panevojshme e strukturave arsimore në qelizat e familjes, të cilat sjellin diskriminim gjinor edhe në veshje. Të gjitha këto do t’i gjeni sipas rubrikave në vijim të këtij raporti, ku secili rast është i dokumentuar.

Lexoni Raportin e plotë.

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.