Në Europë, gjatë vitit 2015, ka pasur një rritje të madhe të akteve anti-semitike dhe islamofobike, rritje të gjuhës së urrejtjes online dhe diskurseve politike ksenofobike, sipas Komisionit Kundër Racizmit dhe Intolerancës të Këshillit të Europës (ECRI).

Gjetjet u bënë publike në raportin vjetor të Komisionit të publikuar para disa ditësh.

Raporti vuri në dukje dhunën kundër hebrenjve, muslimanëve, njerëzve me ngjyrë, emigrantëve dhe LBGT-së dhe theksoi se “ka pasur një rritje dramatike” në Europë.

“Në këtë kohë po përballemi me shumë kriza, megjithatë, rritja e antisemitizmit, Islamofobisë dhe racizmit është kërcënimi më madh për të ardhmen e Europës,” tha në një deklaratë sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Europës Thorbjorn Jagland.

Raporti vuri në dukje se Europa po sheh një trend në rritje të Islamofobisë, shpesh i shfaqur në pikëpamje ku Islami shihet si i kundër me vlerat europiane të demokracisë dhe sekularizmit, çka injoron në fakt realitetin e bashkësisë muslimane.

Gjithashtu u tha se fyerjet dhe sulmet fizike ndaj hebrenjve dhe institucioneve të tyre janë rritur ndjeshëm.

Raporti theksoi faktin se diskriminimi i njerëzve me origjinë nga Afrika ishte akoma “i përhapur” në shumë vende europiane. U tha se kjo është për shkak të “stereotipeve raciste tradicionale, të bazuara shpesh në imazhe të vjetra të njerëzve me ngjyrë që nga koha e kolonializmit dhe skllavërisë, te perceptimi i afrikanëve si emigrantë ekonomikë të padëshiruar, e deri të frika ndaj “tjetrit”, e simbolizuar me ngjyrën e lëkurës.”

Raporti thekson më tutje se numri i refugjatëve, azilkërkueseve dhe emigrantëve të tjerë që hyjnë në Europë është në rritje. Ata që ia dalin të mbërrijnë përballen shpesh me një pritje të zymtë, burgosje, ndihmë socialë të pamjaftueshme dhe me një opinion publik armiqësor në shumicën e vendeve europiane.

Jagland u kërkoi krerëve politikë që të marrin hapa vendimtare për të ndaluar këtë tendencë të rrezikshme.

Observer.al


(Nuk lejohet ripublikimi i këtij artikulli pa lejen paraprake të Observer.al)

ASNJË KOMENT

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!