Friday, April 19, 2024

Roli i lobit pro-izraelit në nxitjen e islamofobisë

Sionistët e krahut të djathtë janë munduar që ta nxisin Islamofobinë në mënyrë aktive, ose të paktën ta shfrytëzojnë atë në mënyrë që të rrisin mbështetjen për Izraelin.

Nga Hilary Aked

Jo të gjithë islamofobët janë sionistë. Disa tregojnë pak interes për Izraelin. Disa të tjerë janë anti-semitë dhe islamofobë e nuk e pëlqejnë Izraelin, kryesisht për vetë deklarimin si shtet “hebre”, e jo për arsye të shpronësimit dhe spastrimit etnik të palestinezëve.

Por, shumë të tjerë e hyjnizojnë Izraelin. Lëvizja anti-islame, një damar i të djathtës ekstreme që po rritet në Europën veriore dhe perëndimore e në SHBA, e sheh Izraelin si një mburojë kundër asaj që e konsideron si ekspansionizëm islamik.

E respektojnë Izraelin për shkak se është shtet shumë i militarizuar, i bazuar në ideologjinë e ekskluzivitetit etnik. E shohin atë si një model për të ashtuquajturin “Perëndim”.

Ndërkohë, frika dhe neveria që fundamentalistët e krishterë kanë për Islamin i bën ata që të mos marrin parasysh asnjë referencë nga realiteti empirik, siç është ekzistenca e palestinezëve të krishterë, të cilët shtypen nga Izraeli në të njëjtën mënyrë si palestinezët muslimanë. Ata i kurorëzojnë qëndrimet e dy grupeve me nocionin e përbashkët të “trashëgimisë judeo-kristiane”.

E përsëris, ndërthurja e racizmit të sëmurë anti-musliman dhe mbështetja e pakursyer ndaj Izraelit nuk nënkupton domosdoshmërisht refuzimin e anti-semitizmit, siç kanë treguar edhe deklaratat e bëra në të kaluarën nga njerëz si John Hagee i grupit të quajtur Christians United For Israel (CUFI) , “Të Krishterët e Bashkuar për Izraelin”.

Duke nisur nga origjina biblike, idetë e tyre gjejnë shprehje në politikën e përzier me fe, e cila ka ndikim të madh, sidomos në Amerikën veriore.

Nga ana tjetër e ekuacionit, nuk do të ishte e saktë të themi se të gjithë mbrojtësit e Izraelit janë të angazhuar në përhapjen e ndjenjave anti-muslimane. Gazetari amerikan Peter Beinart, një sionist liberal, është shembulli i një mbështetësi të Izraelit, i cili ka qenë i përfshirë të paktën një herë në një iniciativë kundër Islamofobisë.

Megjithatë, shembuj të tillë janë të rrallë. Think-tanket izraelite si Reut Institute, e kanë pranuar prej kohësh se sionistët liberalë përbëjnë kërcënimin më të madh strategjik për lëvizjen e njohur Boycott Divestment Sanctions (BDS), “Bojkot, Shpronësim, Sanksione”. Ata kanë rastin më të mirë që të ndalojnë rritjen e saj duke u pozicionuar politikisht në qendër. E megjithatë, është sionizmi i krahut të djathtë ai që vazhdon të dominojë qarqet pro-izraelite.

Sionistët e krahut të djathtë janë munduar që ta nxisin Islamofobinë në mënyrë aktive, ose të paktën ta shfrytëzojnë atë në mënyrë që të rrisin mbështetjen për Izraelin.

Duke luajtur kartën e “civilizimit perëndimor”, vetë Benjamin Netanjahu e hedh Izraelin në vijën e parë në luftën kundër terrorizmit, siç shkruan në librin e tij të 1986-ës Terrorism: How the West Can Win, “Terrorizmi: Si mund të fitojë perëndimi”.

Fakti që Islamofobia është financuar nga fondacione pro-izraelie në Amerikë, siç janë Fairbrook Foundation dhe Nina Rosenwald’s Gatestone Institute, mund të shpjegohet më mirë duke ju referuar bindjes se thjeshtë frika ndaj muslimanëve e shton mbështetjen ndaj politikave çnjerëzore të Izraelit.

Ekstremistët më të egër si komplotistja Bat Yeor, promovojnë idenë se Europa do të “islamizohet” dhe do të bëhet “Eurabia” – një perspektivë të cilën ajo e lidh qartas me mbështetjen (apo siç e sheh ajo “mirëkuptimin”) ndaj Izraelit.

Në nivelin strukturor, radikalizimi i vuajtjes së palestinezëve nën pushtimin Izraelit, diskriminimi dhe  krimet e luftës, bën që ata të dehumanizohen në sytë e një pjesë të madhe të mediave botërore.

Ata punojnë për të zhvlerësuar jetët e palestinezëve e për t’i bërë ato të lira.

Në fakt, demonizimi i një armiku universal musliman, të egër e imagjinar, u jep mundësinë sionistëve të krahut të djathtë të arsyetojnë pothuajse çdo gjë – përfshirë masakrën e 500 fëmijëve në Gaza nga Izraeli verën e kaluar, duke i paraqitur muslimanët si irracionalë, që e duan vdekjen më shumë se fëmijët e tyre, të cilët i përdorin me dashje si mburoja njerëzore.

Diskursi mbi “radikalizmin” dhe “ekstremizmin islamik” na ofron teori pseudo-akademike të cilat mundohen të globalizojnë dhe shpjegojnë me anë të ideologjive kontekstin e veçantë politik dhe socio-ekonomik që ushqen dhunën në Palestinë.

Kështu që, te sionizmi dhe Islamofobia gjejmë dy lloj idesh, të cilat nuk janë sinonime të njëra-tjetrës, por që shpeshherë ushqehen nga i njëjti mjedis.

Lidhja midis tyre është një martesë e leverdishme interesash, e përbën një përzierje helmuese.

Hilary Aked është studiuese. Kërkimet e saj të doktoraturës janë të fokusuara te ndikimi i lobit izraelit në Mbretërinë e Bashkuar.

Observer.al

Të ngjashme
Related

Si mund ta përdorë Izraeli sulmin e Iranit për të nxitur Islamofobinë në botë

Proçka medemek hakmarrëse e shtetit shiit që dëmton kauzat e drejta dhe vetë muslimanët.

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar?

Dita Ndërkombëtare për Luftimin e Islamofobisë: një thirrje globale për veprim

Vetëm përmes veprimit kolektiv dhe një angazhim global për të luftuar Islamofobinë, mund të garantojmë sigurinë dhe dinjitetin e muslimanëve kudo që ndodhen.

Manipulimi me “Fenë e vjetër’ të shqiptarëve në letërsinë shqipe

Falsifikimi i fakteve dhe i të vërtetave historike dhe fetare, për gjoja “fenë e vjetër- “krishterimin dardan”, nuk i bën asnjë dobi krishterimit sot ndër shqiptarë.
Verified by MonsterInsights