Sherre “vëllazërore”

4

Fushata denigruese ndaj imamit të Xhamisë së Pazarit në Tiranë u duk sikur nisi nga revoltimi i një pjesëtari të thjeshtë të xhematit, pasi ky kishte njohur në një video kurrizin e hoxhës së tij. Në video, hoxha është filmuar nga pas shpine vetëm një çast, – aq sa mund të ngulet një thikë në kulaç, – teksa fshinte djersët e një personi që këndonte me dajre e ritëm tallavaje fjalë lëvduese për Perëndinë. Ky person rezulton të jetë shehu i një teqeje në Shijak, me kombësi siriane.

Pjesëtari i xhematit hedh videon në profilin e vet në Facebook, duke akuzuar hoxhën për devijim nga rruga e drejtë dhe përqafim të një tarikati sufi, që ushtron risi fetare, në kundërshtim me traditën.

Kaq u desh që të ndizet kashta e diskutantëve religjiozë virtualë. Shumë u habitën, disa u tronditën dhe ca të tjerë gati sa nuk shkalluan, kur shikonin nga pas kurrizit imamin, që guxonte t’i fshinte ballin sheh-këndonjësit në ekstazë.

Një sekondë e gjysëm sekuencë tashmë u bë tharmi për të gatuar një kazan të madh me gjykime, hamendësime dhe përfundime mbi personalitetin dhe aktivitetin disavjeçar të hoxhës. U tha se hoxha shkonte fshehurazi në teqe rregullisht (vetë hoxha e mohoi, duke thënë se ishte thjesht mysafir në shtëpinë e shehut), u tha se hoxha është sufi i kamufluar, u tha se hoxha ishte tani rreziku numër një për Islamin e pastër.

Në fakt, imami i mohoi të gjitha këto akuza. Shumë besimtarë të së njëjtës xhami, që e njihnin nga afër imamin prej vitesh, gjithashtu i mohuan, duke dalë garant se kishin të bënin me një hoxhë të drejtë dhe me parime, që nuk kishte shfaqur asnjë shenjë sufizmi në predikimet dhe sjelljen e tij. Megjithatë, të revoltuarit dëgjonin aq sa dëgjon dikush që i është nxehur gjaku keq në mes të sherrit.

Fatmirësisht, flakët nisën të viheshin nën kontroll pasi disa imamë të njohur të kryeqytetit bënë thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje, në përputhje me moralin islam. Kjo ishte njëra anë e medaljes.

Në anën tjetër, harqet ishin tendosur. Në emër të dashurisë hyjnore, humanizmit, lirisë së besimit dhe, ajo që është më e rëndësishmja, në emër të paqes dhe harmonisë midis vëllezërve të një besimi, fronti kundërshtar lëshoi shigjetat verbale me balsam, duke e etiketuar palën tjetër si “turmë histerike, fanatike dhe turfulluese”, ndërsa fenomenin si “gangsterizim të shoqërisë”.

Edhe hoxhallarët që bënë thirrje për vetëpërmbajtje nuk mund të dilnin pa lagur. Ata ishin apatikë dhe frikacakë, sepse nuk ndëshkuan në publik të gjithë ata shitës ushqimorë, kasapë profesionistë, badybilldierë, shërbyes përmbarimorë, rreshterë etj., që komentuan në fejsbukun e shokut të tyre lirisht, ashtu si ua thoshte rradakja.

Kësaj i thonë: “Ku ishe? – Asgjëkundi. Çfarë bëre? – Asnjë gjë.” E njëjta frymë, e njëjta praktikë, e shprehur madje me të njëjtët terma nga të dyja palët. Ç’dallim ka, për shembull, midis “bidatçiut të fshehur”, që përdor njëri krah, me “pseudohoxhallarët me sjellje hipokrite” nga krahu tjetër?! A nuk është të kërkosh ndëshkimin e një njeriu pse ka bujtur diku apo edhe pse është treguar pak kavalier me një “të padëshiruar”, njëlloj si t’i kërkosh një tjetri të ndëshkojë një grup njerëzish, sepse nuk të njëjtat shije me ty? A nuk qëndrojnë së bashku në të njëjtën dhomë apo paradhomë qoftë?

I nderuar do të ishte kush do të çlirohej i pari nga ky burg dogmatik, duke dëgjuar sërish me një vesh tjetër ligjërimet për dashurinë vëllazërore pa kushte, për faljen dhe mëshirën ndaj gjithkujt, për respektin ndaj mikut dhe mikpritësit, për dëlirësimin e zemrës dhe pastrimin e gjuhës, për virtytin dhe moralin hyjnor.

Observer.al


Opinionet janë të autorit e nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe qëndrimet e Observer.al

4 KOMENTE

  1. Muslimanit nuk i lejohet te shkoje ne vendet e kufrit dhe shirkut….cdonte atje???Allahu adhurohet ne xhami jo ne teqe.Allahu ne Kuran thote : vetem xhamite jane per adhurimin e Allahut…Allahu e udhezofte….eshte e vertete qe imami shkon rregullisht ne teqe….ky muhabet ka gati 1 vit. ..

  2. Eshte me shume nje pasqyrim i asaj e ka ndodhur se sa nje qendrim i mirefillte, apo perpjekje per t’i dhene drejtim ketij muhabeti. Ceshtja, sic e din edhe ti, eshte me e thelle dhe kerkon nje gjuhe teologjike per t’u diskutuar.

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!