Shkaqet dhe pasoja e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak

0

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar një raport të detajuar mbi shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat e Lindjes së Mesme, përkatësisht në Siri dhe Irak. Ky është raporti i parë i këtij lloji i cili në mënyrë të detajuar dhe i bazuar në një punë të gjerë empirike, identifikon shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së Kosovarëve në konfliktet Lindjes së Mesme. Duke krahasuar Kosovën me 21 vende tjera të Evropës Perëndimore, përfshirë edhe ShBA, Rusinë dhe Turqinë, raporti gjenë që Kosova dhe Bosnja kanë më së shumti luftëtarë për kokë banori në Siri dhe Irak. Megjithatë, rangimi dallon kur bëhet krahasimi i numrit të këtyre luftëtarëve për kokë banori në raport me popullsitë myslimane të këtyre shteteve ku si rrjedhojë janë pikërisht popullsitë myslimane të vendeve jomyslimane, si Finlanda, Belgjika, Danimarka, etj., që janë më shumë të prekura nga kjo dukuri. Në këtë rangim Kosova listohet e 14 mes 22 vendeve perëndimore me numrin e luftëtarëve për kokë banori mysliman.

Autori i raportit dhe ekipi hulumtues, kanë rënë në kontakt të drejtpërdrejtë me ish-ekstremistë të tekfirit, 6 ish-luftëtarë të Sirisë të kthyer në Kosovë dhe familjet dhe të afërmit e 12 luftëtarëve tjerë dhe gjenë disa aspekte dhe kushte individuale që lehtësojnë bindjen e tyre për të shkuar në Siri. Ato përfshinë, karakteristikat individuale të secilit që kryesisht janë të rinj dhe jo mirë të shkolluar; kanë kushte kryesisht të tmerrshme jetese; janë kryesisht të izoluar nga shoqëria dhe shpeshherë edhe nga vetë familja. Raporti poashtu gjen që disa nga këta individë bien pre e (keq)kuptimit të konceptit të shehidit i cili është i fortë në Islam, duke bindur këta individë t’iu nënshtrohen ideologjisë ekstreme ku shumë prej tyre të përfundojnë në Siri.

Si rrjedhojë e një analize të gjërë e të gjatë, QKSS vjen me disa rekomandime si në vijim:

Pamje nga konferenca e organizuar nga QSKK për prezantimin e studimit
Pamje nga konferenca e organizuar nga QSKK për prezantimin e studimit

(i) duhet të ketë qasje dhe zbatim të një programi gjithpërfshirës për rehabilitimin dhe reintegrimin e luftetarëve të huaj të cilët sipas QKSS-së dallojnë, sepse mes tyre ka tri kategori:

(a) ata që janë penduar edhe pse kanë shkuar në Siri por edhe pse kanë përqafuar tekfirizmin;

(b) ata që janë penduar pse kanë shkuar në Siri por jo pse e përqafojnë tekfirizmin;

(c) ata që nuk janë penduar as pse kanë shkuar në Siri e as pse e kane përqafuar tekfirizmin;

(ii) kështu që nuk mund të ketë një qasje të stilit “një kallëp për të gjithë”;

(iii) raporti po ashtu rekomandon që arrestimet dhe burgosjet duhet të shmangen sa më shumë të jetë e mundshme, përveç në rastet kur ka indicje dhe prova të mjaftueshme se individë të caktuar përbëjnë rrezik iminent për sigurinë nacionale dhe rending kushtetues;

(iv) duke konkluduar që është e pamundur që të rinjtë të de-radikalizohen nga institucioneve laike si të vetme, raporti rekomandon që duhet të ketë një bashkëpunim shumë të ngushtë mes institucioneve laike shtetërore dhe institucioneve fetare dhe vetë imamët legjitim e kredibil, ku këta të fundit duhet të jenë në ulësen e parë të përpjekjeve për de-radikalizim dhe parandalimin e shpërndarjes tutje të radikalizmit. Raporti ka edhe një sërë rekomandimesh për BIK-un, imamët, institucionet shtetërore, donatorët, dhe për sektorë tjerë shoqërorë e që më gjerësisht mund t’i lexoni në raport.

QSKK/Për të shkarkuar raportin e plotë klikoni këtu

Observer.al

ASNJË KOMENT

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!