Pamje nga përkujtimi i Masakrës së Srebrenicës.

Nga Prof. Dr. Milazim Krasniqi

Autori është studiues, gazetar. Ai është autor i librit të njohur “Nacionalizmi Shqiptar” dhe shumë veprave të tjera.

Shpërbërja e trashëgimisë bizantine në shtetet dhe në shoqëritë ballkanike, me integrimin e tyre të përshpejtuar në NATO dhe në BE, është zgjidhja e vetme shpëtimtare. Ndryshe, këto shtete do të mbeten të pa afta për demokraci e liri, të paa fta për fqinjësi të mirë, të pa afta që të zhvillohen në drejtimin e duhur. Jo njëra ose disa, po që të gjitha.

Ballkani po zien si kazan (plehrash) edhe gjatë këtij fillimviti. Gjasat janë që këto tendenca kutërbuese do të vazhdojnë jo vetëm gjatë këtij viti, po edhe në vitet që vijnë. Prospekti momental është ky: Serbia përgatiti një test-agresion bizarr në drejtim të Kosovës me një tren që i ngjante një kishe ortodokse serbe mbi shina hekurudhe, duke lëvizur si e përhantë në drejtim të “Jerusalemit serb.” Në fakt, skenari ishte një hyrje bizarre në fushatën e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë, të cilat pritet të mbahen në pranverë dhe ku sërish do të shpërthejnë shkulme të fashizmit serb nga tandemi i moçëm, Shesheli e Vuçiçi.

Mali i Zi arriti ta parandalojë një grusht shteti dhe vrasjen e ish-kryeminstrit Gjukanoviç në ditën e zgjedhjeve paralamentare,por kërcëninet ruse ndaj këtij shteti të vogël po vazhdojnë. Ariu rus nuk po heq dorë nga viktimat e veta, që kur i piketon, I llogaritë si caqe legjitime të doktrinës së vet pansllaviste e imperialiste. Vetëm nëse e fiton anëtarësinë e plotë në NATO, Mali i Zi mund të llogaritë se i ka shpëtuar përfundimisht përqafimit të ariut rus. Ndërsa Bosnja e Hercegovina do të mbetet e kërcënuar dhe e shantazhuar nga tendencat separatist të Republika Srpskës, e cila po luan lojën e vet herë si apendiks serb e herë si dominion i ri rus. Strategët rus e llogaritin entitetin serb të Bosnjes si kartë nën mëngë për ta luftuar gjoja “transfersalen e gjelbërt” por në të vërtetë përmes kësaj karte duan ta rrisin ndikimin e tyre në zemër të Ballkanit.

Sa i përket Maqedonisë, edhe ajo vitin 2017 e ka filluar ters. Dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, ende nuk po shihet askund në horizont gjasa që të formohet një qeveri stabile, e cila do ta nxirrte nga kriza këtë shtet të brishtë ballkanik. Përderisa Maqedonia rrezikon të zhytet në krizë edhe më të thellë, nëse nuk e zgjedh shpejt një qeveri evropianiste dhe me mbështetjen thelbësore të shqiptarëve, fqinji i saj jugor Greqia është duke i lëpirë plagët e veta si ujku i plagosur. Greqia është e gjunëzuar, por edhe ashtu është e mbushur me mllef ndaj fqinjëve, Shqipërisë, Turqisë e Maqedonisë. E pllakosur nga kriza ekonomike dhe e vërshuar nga refugjatët, Greqia e ka humbur edhe atë pak shkëlqim europian që ka pasur dhe është rikthyer në zonën e errët të sinisë ballkanike. Po pse gjithë këto kriza, gjithë këto mllefe, gjithë këto mëri?!

Hakmarrja e historisë?

Kjo gjendje e turbullt e krizave e ka një histori të veten që si duket po merr hak.

Historia e turpit të shteteve të hershme të Ballkanit fillon me krijimin e tyre si shtete autonome ose të pavarura, sepse janë krijuar në mënyrë të pa natyrshme dhe thjesht gjenocidale. Krimet monstruoze të gjenocidit, në emër të krijimit të Greqisë, të Serbisë e Bullgarisë, janë në vetë themelet e këtyre tre shteteve ballkanike.

Për gjenocidin e kryer nga grekët, nga bullgarët dhe nga serbët ndaj muslimanëve në hapësirat ballkanike, kanë shkruar autorë me famë si Mark Mazoveri (Selaniku: qyteti i fantazmave) dhe Justin McCarthy (Vdekje dhe dëbim: spastrimi etnik i muslimanëve osmanë, 1821- 1922). Ata që nuk i kanë lexuar këta autorë, nuk e kanë as idenë e përmasave të krimeve të gjenocidit që janë bërë në emër të krijimit të këtyre tre shteteve ballkanike dhe shpërfytyrimit demografik të hartave të Ballkanit.

Gjenocidi i ballkanasve ndaj muslimanëve në përgjithësi e ndaj shqiptarëve në veçanti, filloi që me Kongresin e Berlinit (1878), Por, gjëma e madhe do të vinte në luftërat ballkanike. Shtetet ballkanike të asaj kohe, Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Mali i Zi, nën pretekstin se po e luftonin Perandorinë Osmane, u vërsulën kundër territoreve shqiptare dhe bën një gjenocid të tmerrshëm kundër këtij kombi të vetmuar. Popullisa shqiptare u masakrua barbarisht. “Vetëm në krahinat e Lumës e Dibrës, më shumë se 2000 muslimanë u masakruan nga trupat serbe. Vëzhguesit perëndimorë vlerësonin se përafërsisht 5000 muslimanë shqiptarë u vranë “mes Kumanovës dhe Shkupit” dhe 5000 në zonën e Prishtinës” (McCarthy:173).

Krimet gjenocidiale pati në të gjitha viset shqiptare ku shkeli këmba e kryqtarëve sllavë e grekë të Luftës së Parë Ballkanike. Ata që i shpëtuan vdekjës, u dëbuan nga vatrat e tyre shekullore. Kështu hartat e Ballkanit u riorganizuan, në aspektin demografik e shtetëror, me ç’rast serbët, malazezët grekët e bullgarët morën territoret shqiptare, të cilat atyre nuk u përkisnin. Ashtu Ballkanin e bënë tërkuzë, duke shkatërruar lidhjet normale shumë shekullore ndërmjet qyteteve e krahinave, ndërmjet lumenjve e detërave. Ballkani kurrë nuk është rehabilituar nga ky shkatërrim demografik dhe gjeografik.

Kryqtarët ballkanas nuk u ngopën vetëm me gjakun e shqiptarëve dhe me copëtimin e territoreve të tyre. Nën transin e triumfit të tyre barbar, shtetet ballkanike shkuan edhe më tej: në Luftën e Dytë Ballkanike, u vërsulën edhe kundër njëra-tjetrës, në një përpjekje irracionale që të krijonin ”Serbinë e Madhe”,“Bullgarinë e Madhe” dhe “Greqinë e Madhe.” Pra, kur nuk u ngopën me gjakun e shqiptarëve dhe të muslimanëve të tjerë, por filluan të hanin kokën edhe njëri-tjetrit, aq sa u dërrmuan. Prandaj, fillimi i Luftës së Parë Botërore i gjeti të dërrmuar dhe të poshtëruar në sytë e botës, për shkak të barbarive që ekspozuan para syve të saj në fillimin e shekullit XX.

Si rrjedhojë, në fund të Luftës së Parë Botërore, shtetet ballkanike ishin të margjinalizuara, objekt pazaresh të Fuqive të Mëdha fitimtare në Konferencën e Versajës. Kombinimet imperialiste me formimin e një shteti më të madh të sllavëve të jugut, ku u shkri edhe shteti problematik malazez, me një Bullgari të cunguar, me një Shqipëri uloke e me një Greqi të shpërbërë edhe nga lufta civile, nuk kishin si të krijonin raporte miqësie e stabilitet ndërmjet shteteve balkanike. Prandaj, me të filuar Lufta e Dytë Botërore, shtetet ballkanike sërish u përfshinë si objekte në skemat e konflikit botëror, të pa afta që të ndiqnin interesat e veta. Meqë u shndërruan edhe në arena të luftërave civile, shumica prej tyre përfunduan në “përqafimin” e ariut rus, përkatësisht të barbarisë staliniste. Ky sundim barbar zgjati gati gjysmë shekulli (1944-1990) duke çmoralizuar shoqëritë ballkanike deri në palcë.

Për shkak të fashizmit serbomadh, që synoi të restauronte “Serbinë e Madhe”, në vitet ‘90 filluan edhe luftërat e përgjakshme, nga të cilat dolën edhe disa shtete të reja në hartën e Ballkanit (Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova). Por, as me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe as me shkërmoqjen e komunizmit, Ballkani nuk e ka gjetur paqen e stabilitetin, ngase në themelet e disa prej këtyre shteteve, veçmas Serbisë e Greqisë, janë  përfitimet territoriale me anën e gjenocidit të pa ndëshkuar. Prandaj, këto shtete ende luajnë lojën që u ka dhënë rezultate, pra kërcënojnë e shantazhojnë shtetet e tjera, duke prodhuar jostabilitet e armiqësi. Fjala vjen, Greqia mban ligjin e luftës me Shqipërinë, nuk e pranon Maqedoninë e as Kosovën. Ndërsa, Serbia, kërcënon vazhdimisht Kosovën, ndërhyn në Bosnje e në Malin e Zi dhe mban tensione me Kroacinë.

Në një ambient të tillë të prodhimit serial të armiqësive, nuk ka mundësi të zhvillohet demokracia e të kultivohet liria në shoqëritë ballkanike. Ndërsa shtetet e vogla që ndihen të kërcënuara, bien në përqafimin e “partnerëve”, pra, shteteve të fuqishme, që të gjejnë disi derman nga kërcënimet e fqinjëve agresivë. Kësisoj, të gjitha shtetet ballkanike, sëbashku janë shtete të pa afta për jetë normale, në demokraci, liri dhe paqe. Andaj, Ballkani vazhdon të jetë si një kazan (edhe pleherash) qëzien dhe kutërbon vazhdimisht. Krimi në themelimin e disa prej shteteve ballkanike dhe pasojat e tij e kanë prodhuar edhe termin “ballkanizim”, si term që nënkupton egërsinë, barbarinë. Kështu është edhe sot, jo vetëm perceptimi por edhe realiteti ballkanik. Po të mos ishte kujdestaria ndërkombëtare e Shteteve tëBashkuara të Amerikës dhe e NATO-s, krizat që ziejnë, do të shpërthenin. Ose një nga një, ose në seri.

A ka zgjidhje për këtë kazan ballkanas?

Vështirësi serioze për të dalë shtetet dhe shoqëritë ballkanike nga kriza identitare dhe nga krizat e tjera shumëplanëshe, krahas ndërtimit të disave prej tyre mbi krimin e gjenocidit e të disa të tjerave si viktima të gjenocidit, paraqet edhe trashëgimia e errët bizantine e këtyre shoqërive dhe të këtyre shteteve. Pra,ata që thonë se krizat e shteteve ballkanike janë si pasojë e sundimit osman e kanë gabim, (përveç për aq sa trashëgimia osmane ka brenda vetës edhe elemente bizantine!) sepse trashëgimia osmane në ndërtimin e shtetit dhe shoqërisë, nënkupton rregull e hierarki të fortë. Ndërsa trashëgimia bizantine në këtë pikë është e kundërta e saj, është një luhatje ndërmjet tiranisë e anarkisë, me vetëshkatërrimin si produktin kryesor.

Shumica e shteteve dhe e shoqërive ballkanike e kanë brenda vetes këtë tharm vetëshkatërrimi, që fuqizohet në periudha krizash; kur merr hov tërbimi anarkist kundër shtetit, kundër institucioneve e sundimarëve (pushtetarëve.) Ky lloj tërbimi anarkist është më autentik në Greqi e në Shqipëri, por ndikimin e vet e ka të fortë edhe në Serbi, (e ka pasur në Rumani) e ka elemente të tij edhe në Kosovë. Prandaj, pa transformin e kësaj trashëgimie bizantine, në një vlerë tjetër europiane, vështirë se mund të dalin këto shtete e këto shoqëri nga shtjella e krizës identitare dhe e krizave shumë planëshe, ekonomike, politike, kulturore, fetare etj. Faktikisht, mundësia e vetme e transformimti të Ballkanit është integrimi i përshpejtuar i tij në strukturat e NATO-s dhe në Bashkimin Evropian. Vetëm nën këtë ombrellë mund të neutralizohet kujtesa e hidhur dhe  hakmarrja e historisë së padenjë të shteteve imperiale ballkanike dhe të çmontohet trashëgimia e errët  bizantine.

Rasti i Bullgarisë dhe i Rumanisë, që u pranuan në NATO e në Bashkimin Evropan, pa përmbushur standardet, është dëshmi e kësaj teze. Edhe menaxhimi i krizës finaciare e ekonomike të Greqisë, nuk mund të përfytyrohet jashtë Bashkimit Evropian. Mësimet nga e kaluara dëshmojnë se në rast se do të ishte jashtë BE-së, Greqia me atë krizë financiare dhe ekonomike, do të përfundonte në luftë civile dhe në një vetë shpërbërje; si nëperiudhën e Luftës së Parë Botërore kur u nda si një mollë në dy pjesë. Pra, shpërbërja e trashëgimisë bizantine në shtetet dhe në shoqëritë ballkanike, me integrimin e tyre të përshpejtuar në NATO dhe në BE, është zgjidhja e vetme shpëtimtare. Ndryshe, këto shtete do të mbeten të paafta për demokraci e liri, të paafta për fqinjësi të mirë, të paafta që të zhvillohen në drejtimin e duhur. Jo njëra ose disa, po që të gjitha.

Që nga fillimi janë formuar për të mos qenë shtete normale, qoftë dhe vetëm për faktin që janë ngritur në territore të zaptuara. Krimet e vjetra të shteteve si Serbia e Greqia, po vazhdojnë të prodhojnë marrëzi të reja, siç janë ndërhyrjet në Kosovë e BeH nga Serbia dhe provokimet ndaj Shqipërisë e Maqedonisë nga Greqia. Prandaj, duket sikur ka një mallkim në themelet e shteteve ballkanike, që janë ngritur me gjenocid. Ndërsa të tjerat janë si të mallkuara, vetëm për faktin që kanë fqinj gjenocidalë. 

Observer.al

Artikulli është publikuar për herë të parë në revistën Shenja me titull: “Kazani ballkanik zien nga krimet e vjetra dhe marrëzitë e reja”. Ripublikohet me lejen e autorit.

ASNJË KOMENT

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!