Nga mbulimi mediatik i sulmeve terroriste, të fokusuara te sulmet me bazë fetare, kryesisht ato të kryera nga njerëz me prejardhje muslimane, të krijohet përshtypja se kërcënimi më i madh sot është “terrorizmi islamik”. Se fanatikët “islamistë” janë ata që kryejnë më shumë sulme se të gjithë të tjerët.

E megjithatë, statistikat nga agjencitë e inteligjencës na japin një pamje krejtësisht ndryshe.

Më pak se 2 për qind e sulmeve terroriste në territorin europian janë të motivuara nga feja. Ndërsa sulmet me prapavijë fetare “islame” përbëjnë vetëm 0.7 për qind të sulmeve terroriste në përgjithësi.

Sulmet terroriste të njëpasnjëshme që goditën Parisin, duke lënë 129 të vdekur e 352 të pagosur kanë ngjallur tmerr në të gjithë botën. Dhe me të drejtë. Por, ajo që po na shpëton në mesin e një gjurulldie mediatike informimi të pakonfirmuar dhe një gjendjeje çoroditjeje që ka kapluar popullin dhe autoritetet franceze është fakti se sulmet terroriste me prapavijë fetare të kryera në territorin europian përbëjnë një përqindje shumë të vogël. Në fakt, në pesë vitet e fundit, më pak se 2 për qind e sulmeve terroriste në BE kanë qenë të “motivuara fetarisht”.

Në vitin 2013, ka pasur 152 sulme terroriste në BE dhe vetëm 2 prej tyre ishin të “motivuara fetarisht.” Në 2012-ën, ka pasur 219 sulme terroriste në vendet e BE-së, 6 prej tyre ishin të “motivuara fetarisht.”

Në vitin 2011, nga 174 sulme terroriste në vendet e BE-së asnjë prej tyre nuk kishte “lidhje apo të ishte frymëzuar” nga ndonjë organizatë te terroriste me bazë fetare. Në vitin 2010, nga 249 sulme terroriste, vetëm për 3 prej tyre u tha nga Europoli se ishin “islamiste”. Në 2009-ën, nga 149 sulme terroriste, vetëm 1 thuhet se kishte lidhje me militantët islamikë.

Që nga viti 2011, të dhënat e Europolit për sulmet terroriste me prapavijë fetare “islamike” në territorin e BE-së flasin për një përqindje shumë të vogël, rreth 0.7 për qind. Të dhënat nuk përfshijnë sulmet kibernetike.Te dhenat mbi sumet terroriste-burimi Europol

Ndërkohë, për vite më rradhë, shumica e sulmeve terroriste në vendet e BE-së janë kryer nga organizatat separatiste.

Nga 152 sulme terroriste të kryera në vitin 2013, 84 prej tyre ishin të motivuara nga bindje etno-nacionaliste, ose separatiste. Kjo përbën më shumë se 55 për qind. Raporti tregon se grupet separatiste po “sofistikohen gjithnjë e më shumë”.

Arsyet fetare përbëjnë vetëm një pjesë tejet të vogël të sulmeve terroriste në përgjithësi edhe në SHBA.

Grupet militante “islamike” janë shumë mbrapa grupeve të tjera kur vjen puna në kryerjen e sulmeve terroriste në territorin amerikan. Sipas të dhënave të FBI-së të përpiluara nga Loon Ëatch i Universitetit të Princeton-it, ekstremistët “islamikë” janë përgjegjës vetëm për 6 për qind të sulmeve terroriste që nga mesi viteve 1980 deri 2005 – shumë pas në krahasim me grupet latine, grupet ekstremiste majtiste dhe esktremistët hebrenjë.

Sipas këtyre të dhënave, ka pasur më shumë sulme nga terroristë hebrenjë në Shtetet e Bashkuara se sa nga islamikët (7% kundër 6%). Këta hebrenjë radikalë kanë kryer akte terroriste në emër të fesë së tyre. Këta nuk ishin thjeshtë terroristë që rastësisht ishin edhe hebrenjë; por në fakt ata ishin hebrenjë ekstremistë të cilët kanë kryer akte terrorizmi duke u bazuar në pasionin për fenë e tyre, njësoj si Al-Kaeda me shokë.

Qendra për Terrorizmin dhe Sigurinë Kombëtare ka zbuluar se “pothuajse në të gjitha komplotet terroriste nga muslimanë amerikanë të zbuluara në vitin 2012” kanë qënë të përfshira forcat e rendit, përfshirë “informatorë dhe agjentë të fshehtë.” Kjo bazohet në praktikat e fundit të FBI-së për të përdorur agjentë të fshehtë ose të dyfishtë për të nxitur terroristë të mundshëm për të vepruar në përputhje me dëshirën e tyre për dhunë, në mënyrë që t’i arrestojnë gjatë aktit – një praktikë që sipas kritikëve i ngjan futjes në kurth. Qendra vuri re një ndryshim në vitin 2012: me përjashtim të sulmit në Arizona, të gjitha komplotet e supozuara ku përfshiheshin muslimanët e Amerikës janë “zbuluar dhe ndaluar në një fazë të hershme,” ndërkohë që në tre vitet e fundit, forcat e rendit shpeshherë kanë vënë re iniciativa për krijimin e terrorizmit “pasi janë mbledhur armë dhe eksploziv.”

Charles Kurzman, profesor i sociologjisë në Unversitetin e Karolinës së Veriut, i ka konsideruar ekstremisët “musimanë” amerikanë si “kërcënim shumë i vogël për sigurinë publike.”

raportin e tij ku gjurmon militantizmin e islamistëve në Amerikë, ai ka futur disa të dhëna befasuese.

“Shtetet e Bashkuara kanë vuajtur nga rreth 14 mijë vrasje në vitin 2013. Që prej 11 Shtatorit, terrorizmi “islamik” në Amerikë ka shkaktuar 37 të vdekur nga rreth 190 mijë vrasje që kanë ndodhur gjatë të njëjtës periudhë.”

Por, pavarësisht frekuecës së ulët të sulmeve terroriste “islamike”, nxitet një frikë e vazhdueshme tek njerëzit nga politikanët, forcat policore, e madje edhe nga mediat të cilat kanë prirjen t’i tejtheksojnë sulmet e motivuara fetarisht, duke lënë mënjanë sulmet e motivuara politikisht apo ato të motivuara nga mjedisi (ekoterroristët) etj.

Sipas Ken Sofer, drejtor i Sigurisë Kombëtare dhe Poitikave Ndërkombëtare pranë Qendrës për Progresin Amerikan, këto ngjarje tërheqin më shumë vëmendjen e mediave për shkak të retorikës që përdoret në këto raste.

“Njerëzit duan që t’i shpjegojnë [këto ngjarje] si një fenomen i lidhur. Por, ajo që e nxit një përson t’i kryej këto sulme është shumë e ndryshme në secilin rast.”

Ai shton se duke i paraqitur sulmet në vende të ndryshme si të lidhura me “terrorizmin islamik” krijohet përshtypja se dhuna është më e përhapur se sa është në realitet.

Si gjithmonë, mbulimi mediatik i kësaj ngjarjeje ka qenë në shproporcion, duke lenë menjanë sulmet terroriste në Liban nga të njejtët terroristë, të cilët vranë rreth 50 vetë dhe plagosën 250 të tjerë në kryeqytetin e Libanit, Bejrut. Nga autoritetëv vendase ky u konsideruar si sulmi më vdekjeprurës në kryeqytetin libanez që nga vitete ’90.

Mbulimi mediatik në këtë rast duket se është në përputhje me qëndrimet dhe qasjet politike të vendeve perëndimore.

Sulmet terroriste në vendet e Lindjes së Mesme paraqiten kryesisht si konflikte sektare, rajonale. Ndërsa të vdekurit si viktima të urrejtjes ndërfetare. Reagimet e politikanëve botërorë mjaftohen me një telegram apo deklaratë zyrtare ku dënohet sulmi. Në rastin e sulmeve terroriste në Liban Shtëpia e Bardhë u mjaftua me disa rreshta ku shprehte indinjatën dhe mbështeste institucionet shtetërore.

Nga ana tjetër, sulmet në Francë u konsideruan nga media dhe nga politikanët botërorë si “një sulm ndaj njerëzimit dhe vlerave tona të përbashkëta. Vetë presidenti Obama u shpreh se “Ky është një sulm jo vetëm në Paris. Është një sulm jo vetëm ndaj popullit  të Francës. Por ky është një sulm ndaj të gjithë njerëzimit dhe vlerave universale që ne i ndajmë.”

Qasje të tipit “të vdekurit tanë janë më të vlefshëm se të vdekurit tuaj”, duke lënë në errësirë mediatike tragjëdinë e “të tjerëve” i shërbejnë vetëm përforcimit të urrejtjes së ndërsjelltë dhe nuk i bëjnë nder aspak medias, e cila si mision të vetin ka informimin e paanshëm, e jo vetëm dhënien e një kënvështrimi të vetëm.

Libero-Bastardi isamici
Foto nga faqja e parë e të përdithmes italiane Libero

Ndërkohë, gjuha e përdorur nga disa media si reagim ndaj tragjedisë së Parisit ka qenë emocionale dhe në disa raste shumë e ashpër dhe e mbushur me gjuhë urrejtjeje. E përditshmja italiane Libero doli këtë mëngjes me një editorial me kryetitullin “Bastardi islamici”, (bastardët islamikë), duke ngjallur indinjatën e disa analistëve, të cilët e konsideruan këtë gjuhë si “idiote”, “budallaqe” dhe të papërgjegjshme, e cila ka si qëllim nxitjen e urrejtjes ndaj muslimanëve dhe përforcimin e  stereotipit sipas të cilit të gjithë muslimanët janë fajtorë për veprimet e një pakice të papërfillshme fanatikësh.

Ndërkombëtarizimit të mendimit të përpunuar mediatikisht nuk kishin si t’i shpëtonin edhe shqiptarët, të cilët kanë shpërthyer në komente raciste dhe isamofobe në rrjetet sociale, kryesisht në faqet e mediave kryesore shqiptare, si Top Channel etj. Tituj të llojit: “Franca, sa shpesh prè e sulmeve terroriste”, kanë nxitur komente të mbushura me urrejtje ndaj muslimanëve dhe arabëve në përgjithësi.

Numri i komenteve islamofobe është i panumërt, aq sa përpjekja për t’i lexuar të gjitha do të ishte një ndërmarrje e pamundur për këdo. Pavarësisht problemeve reale me të cilat përballet shoqëria shqiptare, me sa duket ne e gjejmë gjithmonë kohën për pak “Islamofobi online”.

Të indokrinuar mediatikisht dhe të pa informuar rreth realitetit ku jetojmë, shumë njerëz vazhdojnë të besojnë në mënyrë naive se “islamikët” dhe muslimanët janë problemi ynë i përbashkët më i madh, i cili duhet “hequr qafe”.

Për fat të keq, qëndrime të tillla janë vetëm fillimi i një vale të re islamofobie që pritet në Europë.Pas sulmeve të Charlie Hebdo-s pati një rritje të isamofobisë në Francë prej 150 për qind. Me sulmet e fundit terroriste, kjo përqindje pritet të rritet akoma edhe më shumë, viktima të së cilës do të jenë muslimanët e pafajshëm, faji i vetëm i të cilëve është të qenit muslimanë.

Observer.al


(Nuk lejohet marrja e këtij artikulli pa lejen paraprake të Observer.al)

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.