T’i përgjigjesh urrejtjes me dashuri

Një protestuese anti muslimane e vetme u prit me mirësjellje dhe përqafime nga kundërprotestuesit dhe u ftua të hynte në xhami e të mësonte rreth Islamit.

0
Gruaja nga Ohio duke marrë përqafime nga një anëtare e Qendrës Kulturore Islame Nur

Një grua nga Ohio e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila ishte e vetmja që u paraqit përpara një xhamie në zonë për të protestuar kundër besimit islam, u prit nga kundërprotestuesit e xhamisë me mirësjellje dhe përqafime. Ata e ftuan gruan që të hynte në xhami e të mësonte rreth Islamit. Ajo e pranoi ftesën.

Gruaja, e identifikuar , u paraqit ditën e shtunë përballe Qendrës Kulturore Islame Nur (Noor Islamic Cultural Center) në qytetin e Dublinit në Ohio në ditën e ashtuquajtur Tubimi Global për Njerëzimin, i cili në fakt është një protestë mbarëkombëtare kundër muslimanëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Annie, e ngarkuar me plot parulla, njëra prej të cilave shkruante “Jo sheriatit islam”, u prit nga shumë kundërprotestues të cilët u angazhuan me të në një debat shumë miqësor rreth Islamit, Kuranit dhe presidentit Obama, për të cilin ajo besonte se ishte musliman.

Në një video të gjatë të postuar në youtube, Annie dhe kundërprotestuesit u pajtuan se në Lindjen e Mesme ka shumë gjakderdhje. Gruaja gjithashtu “ankohej” se shumë muslimanë nuk e kuptojnë Kuranin – edhe pse pranoi se vetë nuk e kishte lexuar kurrë.

Një grua me shami pranoi të bënte një foto me të ku thuhej “Edhe unë jam amerikane”. Anie e pranoi ftesën e saj për të hyrë në xhami e për t’u takuar me anëtarët e tjerë, të cilët e duartrokitën atë në momentin që hyri në holl.

Përpara se të hynte, Annie u ndalua nga një polic, i cili ishte dërguar të mbante nën mbikqyrje protestën anti-islame, e cila nuk u zhvillua. Ai e pyeti nëse ajo kishte armë me vete. Ajo u përgjigj “jo”, por me shaka tha se si e krishterë ndoshta do të digjej në flakë sapo të hynte brenda xhamisë.

Një marshim protestë anti-islam është planifikuar të mbahet në rreth 20 shtete amerikane. Marshimi është kritikuar si një shfaqje e shëmtuar e që nuk përputhet me vlerat amerikane.

Observer.al

ASNJË KOMENT

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.