Vuajtjet e muslimanëve Rohingya mund të kuptohen vetëm duke i parë me sy

“Një mision për mledhjen e fakteve në një kamp refugjatësh në Bandladesh zbulon tragjedinë e madhe dhe nevojën e domosdoshme të ndërhyrjes ndërkombëtare për t'i dhënë fund këtyre vuajtjeve.

5

Nga Maha Akeel |

Ata rrinin të heshtur në kampet e tyre të improvizuara, me shikimin e mbushur me frikë, dëshpërim e pasiguri. Në fillim ngurruan të na flisnin, por pas disa pyetjeve, nisën të na rrëfenin historitë e tyre të tmerrshme se si ishin sulmuar papritur e si u ishte dashur të arratiseshin nga shtëpitë e tyre të djegura, të ndjekur nga plumbat dhe granatat, pa asgjë me vete përveç rrobave të trupit. Mezi i kishin mbijetuar udhëtimit të rëndë me këmbë që kishte zgjatur disa javë, duke kaluar lumenj e xhungla për të arritur nga Mianmari Bangladesh. Disa kishin vdekur rrugës.

Shkova atje si pjesë e delegacionit të Komisionit për të Drejtat e NjeriutOrganizatës së Bashkëpunimit Islamic (OIC) që vizitoi kampet e refugjatëve Kutupalong dhe Balukhali në periferi të qytetit Cox’s Bazar në jug të Bangladeshit javën e kaluar. Ishim në një mision për të mledhur fakte për shkeljen e të drejtave të njeriut kundër minoritetit rohingya në Mianmar dhe për të parë nevojat humanitare në kampet e refugjatëve. Leximet rreth tragjedisë dhe fotot e kampeve nuk mjaftojnë të përgatitesh për shkallën e krizës humanitare dhe pamjet apokaliptike të kasolleve të varfra të shtrira në hapësira të mëdha që tashmë në vetëm katër muaj janë zgjeruar natyrshëm katër herë më shumë se madhësia fillestare. Nuk është çudi që tashmë ajo njihet si kriza e refugjatëve më rritjen më të shpejtë në botë.

Rreshta të tërë kasollesh e tendash prej bambuje e materialesh plastike. Thasë me rërë që mbulojnë shpatet e kodrave me baltë pranë kufirit me Mianmarin. Ky është vendi ku janë mbledhur mbi 650 mijë muslimanë rohingya, të cilët janë arratisur që nga gushti i 2017-ës nga ferri që ka terrorizuar Shtetin Rakhine në Mianmar ku ata jetonin. Ky numër i është shtuar 300 mijë të tjerëve që kanë mbërritur pas një vale të ngjashme në të kaluarën. Kjo do të thotë se tani më shumë rohingya jetojnë në Bangladesh se në atdheun e tyre.

Ata na treguan shenjat e plumbave, djegiet dhe lëndimet në trupat e tyre të brishtë. Askush nuk ishte kursyer – burra, gra, të moshuar, të rinj, fëmijë, e madje të mitur, ishin qëlluar dhe hedhur në zjarr nga ushtria burmeze dhe bandat budiste. Kur i pyetëm se pse ishin sulmuar, na thanë se kjo kishte ndodhur për shkak se ishin regjistruar në kartat e identitetit si rohingya, gjë të cilën qeveria e Mianmarit refuzon ta pranojë, e jo si identitetit Bengali, siç këmbëngul ajo.

“Një mision për mledhjen e fakteve në një kamp refugjatësh në Bandladesh zbulon tragjedinë e gjendjes së këtyre njerëzve dhe nevojën e domosdoshme ndërkombëtare për t’i dhënë fund racizmit, shtypjes dhe diskriminimit që i ka detyruar ata të arratisen e të vijnë këtu”.

Maha Akeel

Lotët që rridhinin në fytyrat e tyre të pashpresa, klithmat nga torturat që kishin kaluar e të dashurit që kishin humbur, flisnin qartë. Pikëllimi më i thellë ishte të dëgjoje dëshmitë e grave. Shumë prej tyre kishin parë të tmerruara teksa baballarët, bashkëshortët dhe fëmijët ekzekutoheshin para syve të tyre. Ndërsa ato ishin përdhunuar e torturuar në mënyrë çnjerëzore. Më shumë se gjysma e refugjatëve në kampe janë femra. Rreth 70 mijë gra shtatzëna, e mbi 36 mijë jetimë, vajza e djem, kanë gjetur strehim në këto kampe. Pothuajse 55 për qind e kësaj popullsie janë fëmijë nën moshën 17 vjeç.

Banorët e zonës ishin të parët që i pritën dhe i strehuan duke u ofruar ushqim e mjekime me aq sa kishin mundësi, derisa organizatat ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare erdhën dhe u siguruar qendra shëndetësore dhe arsimim bazë. Sidoqoftë, ekziston frika se fondet dhe ndihma e deritanishme do të fillojë të zvogëlohet pak nga pak. As ndihma e deritanishme nuk është e mjaftueshme.

Këtu nuk plotësohen as nevojat bazë për jetën, si uji i pastër, higjiena publike, ushqimi i mjaftueshëm dhe veshëmbathjet. Kohëve të fundit ka pasur përhapje të sëmundjeve si kolera dhe difteria. Megjithatë, rohingyat preferojnë të jetojnë në këto kushte se sa të kthehen në shtëpitë e tyre, pasi e dinë se do të vriten. Në Rakhine diskrimonoheshin për shkak të racës dhe fesë. U janë mohuar të drejtat themelore, përfshirë nënshtetësinë, duke ua bërë të qartë se ishin të padeshiruar. Të paktën këtu në kampe janë disi më të sigurtë, paçka se pa strehë mbi kokë, në mes të të ftohtit dhe të uritur.

Duke u bazuar në dëshmitë e regjistruara nga një numër i madh i viktimave rohingya, Komisioni për të Drejtat e Njeritut i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (IPHRC) beson se situata përbën një rast tipik të një fushatë të organizuar të spastrimit etnik, e cila sipas ligjit ndërkombëtar përbën krim kundër njerezimit e që duhet të ndalet me çdo kusht.

Nëntorin e kaluar Mianmari nënshkroi një marrëveshje me Bangladeshin për riatdhesimin e rohingyave. Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi këtë muaj. Qeveria e Bangladeshit do të donte të sigurohej për një rikthim të qendrueshëm e vullnetar të rohingave, që të jetojnë të sigurtë e me dinjitet. Por situata duhet të mbikqyret e të garantohet. Është akoma e paqartë se cilët do të pranohen mbrapsht, apo se ku do të lejohen të jetojnë duke qenë se fshatrat e tyre janë rrafshuar. Komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë t’i bëjë presion Mianmarit që t’i japë fund dhunës dhe të gjitha politikave e praktikave diskriminuese kundër rohingyave, t’u sigurojë akses të lirë e pa pengesa në organizatat humanitare. Dhe më e rëndësishmja, duhet t’i japë zgjidhje shkaqeve kryesore të racizmit, shtypjes dhe diskriminimit, duke përfshirë çështjen e nënshtetësisë, e cila u është hequr që në vitin 1982.

Maha Akeel është drejtoreshë e Departamentit të Informacionit në Organizatën e Bashkëpunimit Islamic (OIC). Më përpara ajo ka punuar si gazetare në media të ndryshme. Artikujt e saj janë publikuar në media të ndryshme botërore si The Independence, Huffington Post, Al Jazeera etj.
Observer.al

5 KOMENTE

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!