Vala e madhe e refugjatëve që kanë mbërritur në Europë gjatë javëve të fundit konsiderohet e pa parë që prej Luftës së Dytë Botërore. Vetëm numri i tyre i madh – pa marrë parasysh gjëra të tjera – ka ngritur shumë pikëpyetje, që nga ekonomia e diplomacia e deri të çështjet e sigurisë. Kjo pasi një fluks i tillë konsiderohet nga disa vende si një rrezik i mundshëm për sigurinë.

Lajmet per refugjatët janë shoqëruar me frikën se në mesin e tyre mund të ketë edhe luftëtarë të ISIS-it të cilët shfytëzojnë krizen e refugjatëve për të ardhur në Europë e për të kryer sulme terroriste.

Por, ka prej atyre që nuk janë mjaftuar vetëm me raportimet e gazetarëve rreth “rrezikut të fondamentalistë islamike” që mësyjnë Europën të maskuar si refugjatë.

Kohëve të fundit, një numër fotosh të caktuara në rrjetet sociale dhe faqet online të ekstremistëve të djathtë kanë bërë xhiron e internetit ku pretendohet se tregohen militantë të ISIS-it në mesin e refugjatëve që kanë mbërritur në Europë. Lajme të ngjashme janë publikuar edhe nga mediat shqiptare online gjithashtu.

Statusi: Flamurit të ISIS-it nuk iu desh shumë të shfaqej edhe në Europë
Cicerima: Flamurit të ISIS-it nuk iu desh shumë të shfaqej edhe në Europë

Një nga këto foto që u shfaq online gjatë javës së kaluar pretendonte se tregonte disa refugjatë që përlesheshin me policinë duke mbajtur një flamur të “Shtetit Islamik.” Fotoja u përhap shumë shpejt. Madje, pati edhe disa figura të njohura të Hollywood-it  që e shpërndanë foton.

Por, pas një verifikimi më nga afër të kësaj fotoje nga Gazeta britanike The Independet, doli se fotoja në fakt është publikuar për herë të parë para tre vjetesh. Pamja tregon një protestë të mbajtur nga muslimanët në qytetin gjerman të Bonit si kundërpërgjigje ndaj protestave anti-islame nga një parti e të djathtës ekstreme. Pavarësisht se flamuri duket i njëjtë me atë që përdor “Shteti Islamik,” ka edhe disa organizata të tjera në fakt të cilat përdorin të njëjtin flamur, shkruan Washington Post.

Është e rëndësishme të theksohet se në vitin 2012, i ashtuquajturi “Shteti Islamik” të cilit në atë kohë i referoheshin akoma si “Shteti Islamik i Irakut” ishte një degë e Al-Kaedës dhe kishte një mbështetje shumë të vogël jashtë kufijve të Irakut.

Pra, ai burri në foto nuk ka lidhje fare me krizen aktuale të refugjatëve, e me shumë gjasa as nuk po mban në duar një flamur të IS.

Kjo nuk është hera e parë që foto të tilla bëhen “virale” në rrjet. Në fillim të muajit shtator, një përdorues i Facebook-ut pretendonte se kishte zbuluar një refugjat që kishte ardhur në Europë, i cili më përpara kishte qënë luftëtar i “Shtetit Islamik”. Postimi menjëherë bëri xhiron e internetit dhe vazhdon akoma të shpërndahet – është shpërndarë rreth 90 mijë herë deri tani.

Statusi: E mbani mend këtë tipin? Vitin e kaluar pozonte në foto me ISIS-in, ndërsa tani është refugjat në Europë.
Cicerima: E mbani mend këtë tipin? Vitin e kaluar pozonte në foto me ISIS-in, ndërsa tani është refugjat në Europë.

Mëgjithatë, burri në foto – një sirian me emrin Laith Al Saleh – është zbuluar në fakt në muajin gusht nga Associated Press dhe është profilizuar. Rezultoi se burri kishte luftuar në Siri, por kundër “Shtetit Islamik”. Ai kishte luftuar kundër ekstremistëve të ISIS-it përkrah Ushtrisë së Lirë Siriane, e cila mbështetet në fakt nga Perëndimi. Shtëpia e tij ishte shkatërruar gjatë luftimeve dhe vetë ishte plagosur në kokë.

“Muajin e parë të revolucionit u plagosa në kokë,” i kishte thënë Saleh AP-së. “Qëndrova një muaj në shtëpi, e më pas u ktheva të luftoj prapë. Por pas një viti u plagosa përsëri, pasi një avion i qeverisë më gjuajti me raketë.”

Prandaj, Jo, ai refugjati në foton që u bë virale në Facebook nuk është një militant i “Shtetit Islamik” që po mundohet të infiltrohet në Europë.

Është e qartë se kriza e refugjatëve ka ngritur edhe disa shqetësime rreth sigurisë. Një zyrtar libanez i tha kryeministrit britanik David Cameron se 2 emigrantë në 100 që i drejtohen Europës mund të jenë militantë të ISIS-it, edhe pse zyrtari e pranoi se ishte një“parandjenjë” e tija, e nuk bëhej fjalë për informacione të marra nga shërbimet sekrete.

Një sondazh i fundit i publikuar nga Washington Post tregon njëfarë niveli mbështetjeje në mesin e sirianëve për “Shtetin Islamik,” ku sipas sondazhit 1 në 5 sirianë thonë se grupi ka pasur një ndikim pozitiv në Siri. Pavarësisht kësaj, kjo nuk është një tregues se ata do të donin të luftonin për ISIS-in.

Gjithsesi, “provat” që po qarkullojnë online se “Shteti Islamik” po shfrytëzon krizën e refugjatëve për t’u future në Europë janë shumë të dobta.

Këto imazhe (e shumë të tjera si këto) të njerra nga konteksti i tyre origjinal, po shpërndahen online me dhjetra apo qindra mijëra herë dhe po përdoren për të justifikuar idenë se Europa duhet të refuzojë me forcë hyrjen e refugjatëve. Një kërkim i vogël online tregon se këto histori virale nuk tregojnë në të vërtetë atë që pretendojnë se tregojnë. Ndërsa popullariteti i tyre tregon një injoracë të përhapur në lidhje me krizen e emigrantëve në Europë dhe luftën në Siri.

Prandaj kujdes: Ajo çfarë shihni nuk është ajo që duket!

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.