Ballkani, “kryeqyteti” i Islamofobisë në botë

0

Nga Yiannis Baboulias

Ishte goxha shokuese për grekët kur dikush nga Twitter-i e vuri re shprehjen “Turkofagos” në snajperin e Brenton Tarrant, personit i cili vrau dhjetëra muslimanë në Zelandën e Re muajin e kaluar. E përkthyer shkurt, kjo fjalë do të thotë “turkongrënës”.

Historikisht ka pasur “medalje nderi” për luftëtarët të cilët u dalluan gjatë revolucionit grek të vitit 1821 kundër Perandorisë Osmane.

Sidoqoftë, është një kuptim i errët që rrjedh nga ky term, një kuptim të cilin grekët e dijnë mjaft mirë – e që e dinte mirë edhe terroristi i Zelandës së Re.

Ky term e ka origjinën tek lindja e kombit grek, kur “revolucionarët” nuk luftuan vetëm kundër ushtrisë osmane, por kryen spastrim etnik brutal kundër muslimanëve dhe hebrenjve.

Në atë kohë, një turk nuk ishte vetëm një ushtar osman: Ishte kushdo që nuk ishte i krishterë.

Aspektet më të errëta të termit “turkofagos” janë nxjerrë së fundmi nga e djathta ekstreme dhe grupet nacionaliste të cilat e përdorin termin për të nderuar vrasësit e muslimanëve.

Tarrant-i me gjasë e kuptoi termin gjatë udhëtimit të tij të gjatë nëpër vendet e Ballkanit, si Mali i Zi, Serbia, Bosnja, Kroacia, Bullgaria dhe e fundit Greqia.

Duhet të jetë pak e befasishme pse ai i zgjodhi këto destinacione. Në fakt, këto destinacione ishin qendra që kryen luftëra gjenocidale në Ballkan gjatë viteve 90’.

Në muzikën islamofobe e cila është mjaft e shpërndarë në disa pjesë të Ballkanit, termi “turk” ende përdoret si term përbuzës ndaj cilitdo musliman.

Shprehja shfaqet në vargjet e muzikës që Tarrant po e dëgjonte teksa ishte nisur për të kryer sulmin, një këngë nacionaliste serbe e cila lartësonte Radovan Karaxhiçin, kriminelin e luftës që udhëhoqi serbët e Bosnjës gjatë viteve 1992-1995.

“Turqit duhen vrarë” thuhej në njërën këngë duke iu referuar muslimanëve boshnjakë. Tarrant-i ishtë një admirues i zëshëm i serbëve të cilët kishin fituar famë në betejat kundër Perandorisë Osmane, të tillë si Milosh Obilic, një kalorës në folklorin serb, dhe Stefan Lazarovic, një princ serb i shekullit të 14-të.

Pas masakrës në Chistchurch, ish-Ministri i Punëve të Jashtëm i Kosovës Petrit Selimi kujtoi në Twitter se, “Luftërat dhe gjenocidet e kryera nga ideologjitë serbe në Kosovë dhe Bosnje, duket se janë bërë burim inspirimi për të djathtën ekstreme anembanë botës.”

Ndonëse ka të vërteta në këtë koment, do të ishte një vështrim i mangët që për këto zhvillime të lihej fajtor Serbia.

Ndonëse një nacionalizëm i ngurtë dhe virulent ende qarkullon nëpër Serbi, probleme të ngjashme kanë edhe vende të tjera në rajon.

Nuk do të ishte e largët po që se kthehemi në ngjarjet e viteve 1991-1995, kur lufta ishte në favorin e së djathtës ekstreme. Ky ishte konflikti i parë dhe i vetëm që e mbante mend toka e Europës, i cili u luftua me vija religjioze, gjë që ka krijuar një rindërtim historik të Islamofobisë.

Prania e së djathtës ekstreme në konfliktet e viteve 1990 është e pamohueshme. Krah për krah me milicinë e së djathtës ekstreme merrnin pjesë edhe vullnetarët në luftime.

Ky fenomen do ta rishfaqte veten në konfliktin në Ukrainë, kur neonazistët u paraqitën vullnetarë të luftojnë në të dyjat frontet, dhe në disa raste u kthyen për të ndarë me të tjerët bindjet në shtetet e tyre, si rasti i veteranit fracez Victor Alfonso Lenta, i cili u bë figurë themelore e protestuesve jelekverdhë në Francë.

Partia neonaziste greke Agimi i Artë, e cila u bë pika kyçe e lëvizjeve të djathta anembanë botës falë suksesit elektoral të vitit 2012, ka në gjirin e saj vullnetarë të këtillë.

Për shumë vite, hulumtuesit kanë provuar të sqarojnë rrethanat dhe veprimet në rastin e Bosnjës.

Ata arritën në përfundim se grupet ekstremiste ishin të pranishme dhe kishin marrë pjesë në masakrën e Srebrenicës, ku më shumë se 8,000 boshnjakë u masakruan.

Po ashtu, ata morën pjesë në sulme kundër muslimanëve që po shpërnguleshin. Këta vullnetarë të ekstremit të djathtë nuk morën asnjë dënim, u kthyen në Greqi, u aktivizuan në organizatat e tyre dhe më pas lufta në Bosnje mbaroi.

Përvoja që ata e morën në Bosnje në mënyrë të drejtpërdrejtë krijoi etosin dhe mitologjinë e së djathtës ekstreme në Greqi.

Vullnetarë të tjerë të ngjashëm bartën eksperiencat e tyre nga luftërat e Ballkanit në drejtim të politikave të vendit të tyre.

Shembuj mund të gjendën në milicinë bullgare e cila patrullonte kufijtë e vendit për të parandaluar kalimin e refugjatëve nga ana e Turqisë, dhe kjo ndodhi në periudhën e Luftës së Dytë Botërore.

Grupe të ngjashme janë bërë aktive rretheqark Ballkanit përgjatë linjës së refugjatëve që kalonte nga Greqia drejt Evropës Veriore, siç ishte grupi i çetnikëve në Bosnjë.

Tabloja është e qartë: Anembanë Perëndimit, e djathta ekstreme sot e paramendon Ballkanin (popullsinë më të madhe muslimane jashtë Azisë dhe Afrikës) si një qendër e fushëbetejës.

Në fjalorin e tyre, shprehja “Turk” shërben si një shkurtesë për t’i kërcënuar muslimanët, ndërsa refugjatët në vendet e tyre shihen si pushtues, detyra e të cilëve është të rrëzojnë civilizimin “judeo-kristian,” ashtu siç ka thënë disa herë kryeministri hungarez Viktor Orban.

Është edhe një tjetër arsye pse Ballkani është epiqendra e ideologjisë djathtiste ekstreme, një arsye e cila u bë aq e dukshme gjatë kundërshtimit të emrit të Maqedonisë së fundmi: Ballkani është ende një rajon i ngulfatur me kufinj etnik dhe nacional. Përderisa nacionalistët ekstremë trazojnë popullsitë minoritare anembanë botës, është Ballkani që shërben si teatër për ata që ëndërrojnë që luftën kundër Islamit ta luajnë me terma letrarë.

Mediat sociale dhe publikimet si Breibart i kanë dhënë të djathtës ekstreme një shtëpi të ngrohtë digjitale dhe u ka mundëruar atyre rrjetëzimin në mbarë botën.

Por janë kujtimet e konflikteve mjaft reale në Ballkan, përfshirë masakrat dhe krimet, ato që luajnë rol më të madh në ushqimin e identitetit të së djathtës ekstreme.

Kushdo që dëshiron ta luftojë ngritjen e të djathtës ekstreme dhe narrativës së tyre islamofobe nuk ka tjetër zgjidhje, pos të përgatitet për barutin që vjen nga Ballkani, vendi prej nga janë ushqyer impulset më të errëta të ekstremizmit për dekada të tëra. 

Yiannis Baboulias është gazetar, autor i një libri për Agimin e Artë që do të publikohet së shpejti, si dhe bashkëautor i projektit Precarious Europe.

Publikuar më parë në shqip te portali tesheshi.com

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.