Qeveria austriake akuzohet se ka ekspozuar publikisht të dhënat e ndjeshme të 620 shoqatave dhe udhëheqësve muslimanë përmes të ashtuquajturës “Hartë Kombëtare e Islamit.”

Qeveria e djathtë austriake kërkon të mbrojë një qasje për domosdoshmërinë e një “Harte të Islamit” , gjë e cila ka ngjallur protesta nga komuniteti musliman i vendit dhe ka shtuar  gjithnjë e më shumë denoncimet ndërkombëtare.

Javën e kaluar, qeveria së bashku me disa profesorë nga Universiteti i Vjenës, botuan “Hartën Kombëtare të Islamit”, e cila u vu në dispozicion në një faqe në internet me emrat dhe vendndodhjet e mbi 620 xhamive, organizatave dhe udhëheqësve muslimanë.

Austria ka një historik të trishtuar kur bëhet fjalë për dokumentimin e veprimtarive të pakicave të saj. Ekziston frika se baza e të dhënave mund të rrezikojë jetën e muslimanëve duke i ekspozuar ata para ekstremistëve të djathtë dhe duke ngritur dyshime për të gjithë komunitetin musliman në tërësi.

Akademiku dhe studiuesi në fushën e anti-islamofobisë, Farid Hafez paralajmëron se disa anëtarë të bashkësisë islame janë të shqetësuar pasi “duke marrë parasysh ky informacion është publik, ne tani mund të jemi në rrezik më të madh për t’u sulmuar”.

Në foton ilustruese: pamje nga 'Harta e Islamit' e marrë nga webfaqja zyrtare https://www.islam-landkarte.at/

Polemika që ka shpërthyer rreth hartës nuk është vetëm për faktin se organizatat dhe xhamitë muslimane janë identifikuar dhe publikuar online, por gjithashtu sepse “disa prej këtyre shoqatave janë regjistruar në adresën e tyre private, nën emrin e tyre. Ekziston një seri e tërë e të dhënave rreptësisht konfidenciale që janë bërë publike”.

Një nga shoqatat më të njohura austriake synon të ngrejë një padi kundër qeverisë për krijimin e kësaj baze të dhënave që ajo e ka përshkruar si “të paprecedentë”.

Komuniteti Musliman në Austri gjithashtu deklaroi se “harta” stigmatizon muslimanët austriakë si “një rrezik potencial për shoqërinë dhe rendin ligjor demokratik të vendit”.

Në një deklaratë, Këshilli i Evropës, një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, e quajti databazën në fjalë si “armiqësore ndaj muslimanëve dhe ndoshta kundërproduktive”.

“Harta e Islamit” është pjesë e një projekti më të madh austriak të quajtur Qendra e Dokumentimit për Islamin Politik, i cili filloi në vitin 2020. Financuar me një buxhet vjetor prej mbi gjysmë milioni dollarësh, qëllimi kryesor i qendrës është të monitorojë organizatat dhe individët muslimanë për të hetuar orientimin e tyre fetar dhe politik.

“Krijimi i problemeve për shoqërinë civile muslimane”

Në nëntor të vitit të kaluar, policia austriake ka kthyer përmbys shtëpitë e aktivistëve dhe akademikëve muslimanë në përvjetorin e një masakre të udhëhequr nga nazistët në vitet 1930 të quajtur Kristallnacht, e cila përfundoi me arrestimin masiv të hebrenjve dhe shkatërrimin e bizneseve të tyre.

Midis aktivistëve të prekur nga këto kontrolle nëpër shtëpia ishte dhe akademiku Farid Hafez

Gjatë këtyre bastisjeve, askush nga të arrestuarit nuk u akuzua për ndonjë krim dhe shumë prej tyre u lanë më vonë të lirë. Aktivistët akuzuan qeverinë për shënjestrimin e tyre për arsye politike, duke lënë mbi 62 fëmijë të traumatizuar psikologjikisht.

“Problemi më i madh është ‘Qendra për Dokumentimin e Islamit Politik’, që është instituti që publikoi këtë hartë, duke përcjellë indirekt mesazhin se të gjitha këto 600 shoqata islame mund të kishin probleme me islami politik”, shprehet Hafez duke shtuar si ai po vazhdon dokumentimin dhe ngritjen e vetëdijes për sulmet e vazhdueshme nga qeveritë austriake kundër komunitetit musliman të vendit.

Një kritik e krahasoi lëvizjen e qeverisë austriake me ekstremistët e krahut të djathtë të Gjermanisë, të cilët mbajnë një listë të organizatave muslimane. Megjithatë, në këtë rast në Austri është vetë qeveria që drejton një nismë të tillë.

Hafez tha se ishte “e qartë që nga fillimi se diçka si kjo puna e hartës së Islamit, ose ndonjë projekt i ngjashëm, do të dilte në skenë dhe do të ishte në gjendje të gjurmonte të ashtuquajturin islam politik”.

“Unë besoj se e gjithë kjo ide e Islamit politik nuk është asgjë më shumë sesa një mënyrë për të stigmatizuar shoqërinë civile muslimane,” shtoi Hafez.

Pas botimit të tij, shtypi austriak i krahut të djathtë menjëherë e përdori hartën e Islamit për të hedhur dyshime mbi komunitetin musliman. Dhe ndërsa polemikat u rritën, Universiteti i Vjenës kërkoi që logoja e tij të hiqej nga projekti.

Zëri i menjëhershëm që pasoi “Hartën e Islamit” dha shpresë se një koalicion politik kundër politikave anti-islame të qeverisë austriake po shfaqet haptazi.

Edhe zëdhënësi i Partisë së Gjelbër Austriake, e cila është pjesë e një koalicioni qeverisës me Partinë Popullore të krahut të djathtë, e cila porositi projektin, u distancua duke thënë se “asnjë Ministër i gjelbër ose parlamentar nuk ishte i përfshirë ose i informuar për këtë”.

Për më tepër, Kisha Protestante e vendit ka kërkuar që harta të tërhiqet menjëherë.

“Hapi tjetër duhet të jetë mbyllja e plotë e kësaj faqe interneti,” thotë Hafez. 

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.