Sot, ndërsa bota po lufton  me virusin Corona (COVID-19), që tashmë ka marrë qindra mijëra jetë, India po lufton me një tjetër kërcënim për jetën: urrejtjen anti-muslimane. Javët e fundit, në mediat sociale dhe grupet e WhatsApp-it kanë vërshuar thirrjet për bojkotime sociale dhe ekonomike të muslimanëve  dhe ka pasur  sulme të shumta fizike ndaj tyre, përfshirë  vullnetarët që shpërndajnë materiale lehtësuese, duke i akuzuar padrejtësisht ata për përhapjen e virusit me qëllim.

E gjitha filloi kur autoritetet indiane njoftuan se gjetën një numër të madh të rasteve pozitive me virusin Corona në mesin e muslimanëve që kishin ndjekur një kongregacion masiv fetar në Delhi, të organizuar nga lëvizja ndërkombëtare misionare islame Xhemati Tablig. Ndërsa autoritetet u përpoqën të gjurmojnë të prekurit, udhëheqësit nga partia nacionaliste hindu në pushtet Bharatiya Janata (BJP) tashmë e kishin etiketuar kongregacionin e xhematit “krim prej talebanësh” dhe “terrrorizëm koronar“. Disa media kryesore bërtisnin “CoronaJihad” dhe hashtagu menjëherë u bë viral në rrjetet sociale .

Situata e krijuar me Xhamatin Tablig bëri që  Organizata Botërore e Shëndetësisë të tregohej më e matur: “Është shumë e rëndësishme që të mos i profilizojmë çështjet në bazë të linjave racore, fetare dhe etnike.” Ekspertët mjekësorë shqetësohen se një stigmatizim i tillë i një komuniteti do të bënte  dëm të madh gjatë një epidemie , duke i bërë njerëzit të kenë frikë, “çka do të çonte në fshehjen e rasteve dhe vonesa në zbulimin e virusit”.

Më 19 Prill 2020,  Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC) kritikoi  “fushatën e egër islamofobe në Indi që akuzonte padrejtësisht muslimanët për përhapjen e COVID-19”. Një orë pas asaj deklarate, Kryeministri indian Narendra Modi foli për herë të parë, në një postim në Twitter: “COVID-19 nuk sheh racën, fenë, ngjyrën, kastën, gjuhën apo kufijtë para se të godasë. Reagimi dhe sjellja jonë pas kësaj duhet t’i kushtojë përparësisë unitetit dhe vëllazërimit. Ne jemi bashkë në këtë.”

Sidoqoftë, virusi Corona vetëm sa ka ka theksuar më fort atë me çfarë muslimanët kanë qenë duke u përballur gjithnjë e më shumë në Indi që kur qeveria e Modit u zgjodh për herë të parë në vitin 2014. Udhëheqësit e BJP kanë bërë vazhdimisht komente nacionaliste hindu dhe anti-muslimane në fjalimet dhe intervistat e tyre. Nganjëherë këto kanë  inkurajuar dhe madje kanë nxitur sulme të dhunshme  nga mbështetësit e partisë, të cilët besojnë se kanë mbrojtje dhe miratim politik. Ata kanë  rrahur burra muslimanë  pse janë takuar me gra hindu. Grupet e lidhura me BJP kanë vrarë dhe plagosur një numër të anëtarëve të pakicave fetare për shkak të thashethemeve se ata kanë tregëtuar apo vrarë lopë e viça.

Politika qeveritare ka reflektuar gjithashtu njëanshmëri ndaj muslimanëve. Në dhjetor 2019, administrata Modi arriti të miratojë ligjin  diskriminues të nënshtetësisë, i cili për herë të parë në Indi e bën fenë faktor për dhënien e shtetësisë. Ligji në mënyrë të veçantë gjurmon kërkesat për azil të emigrantëve jomuslimanë të parregullt nga Afganistani, Bangladeshi dhe Pakistani. Sidoqoftë, ligji i  ndryshuar i nënshtetësisë, i shoqëruar me shtytjen e qeverisë për një proces verifikimi të nënshtetësisë në mbarë vendin që synon identifikimin e “emigrantëve të paligjshëm” ka çuar në frikën se miliona muslimanë indiane, përfshirë shumë familje që kanë jetuar në vend për breza me rradhë, mund të privohen nga të drejtat e tyre e nënshtetësisë, të izolohen e të burgosen.

Deri diku ishte shpresëdhënës fakti që qindra mijëra indianë protestuan  kundër këtyre planeve. Kjo tregoi se shumë nuk ishin dakord me diskriminimin dhe shënjestrimin e grupeve minoritare. Por ishte thellësisht shqetësues fakti që policia dhe zyrtarët e tjerë vazhdimisht  dështuan të ndërhyjnë  kur mbështetësit e qeverisë sulmuan muslimanët dhe të tjerët teksa protestonin kundër politikave të propozuara të qeverisë për nënshtetësinë. E megjithatë, policia u tregua e shpejtë për të arrestuar kritikët e politikës dhe për të shpërndarë demonstratat e tyre paqësore, duke përfshirë përdorimin e forcës së tepruar dhe vdekjeprurëse. Zyrtarët e BJP-së janë tallur dhe kanë kërcënuan protestuesit, e disa madje kanë bërë thirrje që protestuesit, të cilët ata i përshkruan si “tradhtarë”. të pushkatoheshin, duke nxitur dhunë të mëtejshme kundër muslimanëve.

Në shtetin veri-lindor të Asamit në Indi, një proces i tillë verifikimi i nënshtetësisë tashmë ka përjashtuar gati dy milion njerëz, si hindu, ashtu edhe muslimanë. Jomuslimanët që konsiderohen qytetarë të dyshimtë ose emigrantë të paligjshëm për shkak të dokumentacionit të papërshtatshëm, do të kenë një mundësi për të marrë nënshtetësi sipas ligjit të ndryshuar rishtazi, por muslimanët me një dokumentim të ngjashëm të pamjaftueshëm rrezikojnë të mos marrin nënshtetësinë dhe shumë mund të përfundojnë në  qendrat e paraburgimit që Assam dhe shtetet e tjera tashmë po ndërtojnë.

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.