Ka mbi 70 vite qe në tokën palestineze po luhet nje tragjedi me akte të cilat duken të pambarimta. Thelbi i kësaj tragjedie nuk është gjë tjetër vetëm se alibia që zionistët, një krah nacional-shekular i hebrenjve, pretendojnë të kenë shtetin e tyre duke u kapur vetëm tek njohja e përciptë dhe johistorike e fesë dhe të realitetit të atij rajoni.

Ajo përmblidhet në të ashtuquajturën “e drejta stërgjyshërore” hebreje mbi Jeruzalemin.

Kjo alibi në thelb, është aq injorante sa edhe dashakeqe, sepse e ndërton këtë të drejtë “stërgjyshërore” duke shkelur të drejtat “katragjyshërore” të civilizimeve të tjera.

Historianët flasin për Jezuralemin si “Uru-Shalem” (qyteti i themeluar nga Shalemi) një zot i një besimi politeist që adhurohej nga Kananitët rreth 5.000 vite më parë, shumë më parë se tre fetë e mëdha monoteiste të përcaktonin statusin e vet në këto toka.

Para se këto fe të mëdha të shpalleshin në këtë rajon, sipas Shibli Zaman, kananitët dhe egjiptianët sunduan Jeruzalemin për 3.500 vite. Ndërkohë që hebrenjtë në të gjithë historinë pesëmijëvjeçare të këtij qyteti, kanë sunduar me shkëputje të vazhdueshme vetëm 206 vite në total. Ndërkohë të krishterët e sunduan këtë qytetet për 392 vjet.

Ata që e sunduan dhe e qeverisën në kohë më të gjatë pas kananitëve, ishin muslimanët të cilët që nga koha e Rashidinëve, Fatimidëve, Memlukëve dhe në fund Osmanëve kanë sunduar për 800 vjet së bashku.

Bazuar në këto fakte të pakundërshtueshme historike, “e drejta stërgjyshërore” 206-vjeçare e zionistëve izraelitë duket qesharake krahasuar me të “drejtën katragjyshërore” të civilizimeve të tjera. Pikërisht bazuar mbi këtë premisë,  Asambleja e Përgjithshme e Kombevetë Bashkuara me rezolutën 181 e shpalli Jeruzalemin në nëntor të 1947-ës si “corpus separatum” (trup i ndarë) të administruar nga Kombet e Bashkuara, sepse Jeruzalemi i përkiste të gjitha feve të mëdha monoteiste në botë.

Themeli i konfliktit prej shtatë dekadash mes zionistëve dhe palestinezëve* është përpjekja e dhunshme e qeverive të Tel-Avivit për të privatizuar në kurriz të civilizimeve të tjera, shenjtërinë e Jeruzalemit. Ky, është thelbi i gjithë asaj që ka ndodhur dhe ndodh atje. Për ta justifikuar këtë, sebepologjia pastaj është e pafund. Pasi i ke shembur  mbi 20.000 komplekse ndërtimi palestinezëve, vrarë e zhvendosur miliona syresh, pasi i ke hequr të gjitha të drejtat civile, territoriale, pronësore, detare, ujore, nëntokësore e mbi tokësore, pasi i ke rrethuar dhe i ke lënë pa ujë, pa drita, nuk lejon importin e mallrave të konsumit bazë, vret kalamajt që luajnë futboll në breg të detit në syrin e gazetarëve të huaj, pasi shtyp me buldozier aktivisten amerikane Rachel Corrie sepse po mbronte shtëpitë palestineze nga shembja e paligjshme, pasi burgos minorenë, shkatërron shkolla dhe terrorizon gratë dhe pleqtë, pastaj vjen e thua se kam të drejtën e mbrojtjes nga raketat e palestinezëve.

Çfarë prisnin zionistët e Tel-Avivit, që një popull të gjunjëzohet deri në zhdukje të plotë se kjo u shkon për shtat disave?

Sami Frashëri ka një shprehje brilante e cila thotë se “nëse në një luftë armët rrëmbehen nga gratë, atëhere e drejta qëndron nga ana e tyre”. Ne Palestinë, armët janë marrë jo vetëm nga gratë por edhe nga fëmijët të cilët kanë parë të tërë familjen dhe shtëpinë e tyre të zhdukej brenda ditës.

Ajo që ndodh me Izraelin është një hipokrizi aq e madhe sa i ka kaluar përmasat e një balone me gaz e cila është ngritur në ajër dhe pret vetëm t’i përfundojë gazi. Izraeli sot nuk është një shtet në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, ai është një lobim dhe vetëm kaq. Nëse ky lobim mbaron atëhere vështirë të gjendet më një shtet i tillë, sepse ai nuk është themeluar mbi bazat në të cilat ngrihet një shtet normal; ai është një sajesë që lajtmotiv të vetin ka padrejtësinë ndaj popujve dhe feve të tjera. Vetë lëvizjet hebraike në botë dalin dhe protestojnë kundra asaj që po bën shteti zionist i sotëm.

Bota sot për çështjen e Palestinës është e ndarë jo vertikalisht por horizontalisht, mes një pakice elitare të establishmenteve politike, dhe një maxhorance të popujve të cilët janë të unifikuar në rresht pro kauzës palestineze. Elitat politike të korruptuara, hipokrite, të kapura nga lobet zioniste flasin për negociata dhe fajësojnë të drejtën për t’u mbrojtur të palestinezëve, ndërkohë që popujt të tërë, të cilat në OKB e kanë thënë fjalën e tyre, denocojnë me përçmim atë që mund të quhet aparteidi më egër dhe më i gjatë që ndodh sot në të gjithë globin.

Elitat e ndërkombëtare kanë rekorde jo fort të mira lidhur me ngjarje të tilla. Ju kujtohet kur UÇK e sapo ngritur kishte filluar mbrojtjen e familjeve të dhunuara  nga serbët? Ajo u quajt nga komuniteti ndërkombëtar në fillim si një organizatë terroriste, por pastaj ndryshuan qëndrim kur panë se kjo mund të jetë një lojë e mirë kundra rusit. Palestina, ndoshta është i vetmi rast më i gjatë në kohë, ku rezistenca ndaj pushtimit dhe mbrojtja e atdheut konsiderohet nga elitat ndërkombëtare si akt terrorist.

Një gjë është e sigurtë: padrejtësia nuk gëzon veti të përhershme!

Historia është mësuesi më i mirë për këtë. Ka kohë që pushtimi maskohet pas të ashtuquajturit “Proçes i Paqes”, ndërkohë që Jeruzalemi është kyçi për të përcaktuar statusin final të këtij konflikti.

Sa më shumë që padrejtësia i afrohet Jeruzalemit, aq më shumë konflikti është më afër zgjidhjes.

Guximi për të cënuar shenjtërinë e Al Aksasë është guximi për të shkruar fundin historik të atij që e dhunon.

Një version i këtij shkrimi është publikuar më parë tesheshi.com

*Organizata e Bashkëpunimit Islamik, në Deklaratën e Islamabadit në Sesionin e 48-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OIC “Partneritet për Unitet, Drejtësi dhe Zhvillim” të mbajtur 23 mars 2022, e ka ritheksuar se konflikti në Palestinë duhet parë si kauzë e të gjithë Umetit musliman, e jo vetëm si një konflikt izraelo-palestinez. (Shënim i redaktorit).

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.