Janë përhapur shumë narrativa të rreme online që pretendojnë se muslimanët po i neglizhojnë rregullat e karantinës, përfshirë pretendimet se “muslimanët po mblidhen jashtë xhamive e kështu po përhapin virusin.”

Nga Basit Mahmood | Newsweek

Ka pasur një rritje në krimet e urrejtjes online gjate pandemisë së virusit Corona. Shumë muslimanë kanë frikë se gjërat mund të përkeqësohen me ardhjen e Ramazanit, tha një grup i pavarur monitorues.

Kjo ndodh në një kohë kur policia anti-terror ka thënë se po punon ngusht me forcat policore në të gjithë vendin për të hetuar grupet e ekstremit të djathtë të cilat “po shfrytëzojnë pandeminë” për të fituar “mbështetje për ideologjinë e tyre” me anë të teorive konspirative që po qarkullojnë online për xhami që thuhet se po mbahen hapur pavarësisht karantinës dhe pretendimeve se muslimanët do ta thyejnë atë gjatë Ramazanit.

Iman Atta, drejtor i Tell Mama, e cila regjistron krimet e urrejtjes anti-muslimane në Mbretërinë e Bashkuar, i tha Newsweek se organizata e saj ka vënë re një “rritje në incidentet online me urrejtje anti-muslimane” gjate pandemisë së virusit Corona.

Ajo tha: “Po bëhet një lidhje mes muslimanëve dhe virusit thua se ata po e përhapin me qëllim apo se nuk po iu binden masave të qeverisë e po mblidhen në grupe. Kjo është gënjeshtër e hapur dhe mashtrim i bigotëve të së djathtës ekstreme dhe anti-muslimanëve për të nxitur tensione dhe urrejtje ndaj muslimanëve britanikë.”

Ima tha se janë përhapur shumë narrativa të rreme online që pretendojnë se muslimanët po i neglizhojnë rregullat e karantinës, përfshirë pretendimet se “muslimanët po mblidhen jashtë xhamive e kështu po përhapin virusin.”

Disa postime në Twitter pretendojnë se xhamitë janë akoma të hapura gjatë karantinës. Po ashtu po qarkullojnë disa video të vjetra me muslimanë që falin namazin ku pretendohet se ata po i thyejnë rregullat e karantinës.

“Xhamitë ka të ngjarë të rrijnë mbyllur,” ka thënë zëdhënësi i Këshillit të Muslimanëve Britanikë (MCB).

“Shumë prej tyre janë mbyllur para se qeveria ta kërkonte një gjë të tillë. Nuk dihet të ketë qoftë një xhami të vetme që është akoma hapur. ”

Narrativa të tjera përfshijnë fajësimin e muslimanëve me afrimin e Ramazanit sipas të cilave ata po përgatisin takime me familjarë, çka mund të ndihmojë në përhapjen e virusit.

Iman tha: “Ka një promovim të vazhdueshëm të idesë se muslimanët janë përhapës të virusit, e për pasojë ata shihen si kërcënim.”

Iman shprehu frikën se në prag të Ramazanit mund të përhapen mashtrime të tjera në lidhje me muslimanët.

Ajo tha: “Kemi frikë se këto narrativa mund të përdoren për të tërhequr vëmendjen e atyre që nuk janë të vetëdijshëm se këto histori janë të rreme, e kështu të drejtojnë zemërimin e tyre kundër muslimanëve britanikë.”

“Të gjithë jemi të frikësuar e të shqetësuar këtë kohë. Këto emocione mund të kthehen shumë lehtë në zemërim nëse njerëzit besojnë se të tjerët nuk po degjojnë dhe po bëjnë gjëra që mund të përhapin virusin. Realiteti i trishtë është se shumë njerëz nuk i kontrollojnë faktet në lidhje me këto histori kur i shohin ato online.”

Me ardhjen e Ramazanit më 24 prill, në Mbretërinë e Bashkuar autoritetet presin që të ketë dezinformata të tjera.

Një zëdhënës i policisë anti-terror tha: “Terroristët dhe radikalizuesit do të kërkojnë gjithmonë mundësira për t’i shfrytëzuar në mbështetje të ideologjisë së tyre dhe Covid-19 nuk bën përjashtim.”

“Kemi parë video dhe informacione të rreme të shpërndara nga ekstremistë të krahut të djathtë, të cilt mund të nxisin frikë dhe urrejtje në komunitetin tonë.”

“Ne i hetojmë materialet që shkelin ligjet britanike mbi terrorizmin dhe aty ku është e mundur, kërkojmë heqjne e atyre përmbajtjeve duke punuar me kompanitë që ofrojnë shërbimet e internetit.

Ndërkohë, Këshilli i Muslimanëve të Britanisë (MCB) i ka bërë thirrje qeverisë dhe ekspertëve të medias që të mohojnë në mënyrë aktive teoritë e rrezikshme konspirative të cilat kanë për qëllim vetëm të prishin kohezionin shoqëror.

Sektretari i Përgjithshëm i MCB, Harun Khan, tha: “Në Mbretërinë e Bashkuar, muslimanët janë akuzuar se kanë neglizhuar rregullat dhe kanë vazhduar të falen në xhami, parvarësisht faktit se shumica e xhamive i kanë anuluar aktivitetet e tyre një javë para rekomandimeve të qeverisë dhe para komuniteteve të tjera fetare.

Ndërsa në Indi, ku dhuna ndaj muslimanëve ka kohë që është bërë e rrezikshme, kemi parë teori konspirative që fajësojnë muslimanët për pandeminë, e shoqëruar kjo me më shumë sulme ndaj muslimanëve.

“Me ardhjen e Ramazanit kemi parë akuza të shumta se muslimanët po përgatiten ta thyejnë ligjin, pavarësisht se nuk ka asnjë provë që të sugjerojë diçka të tilla. Madje ka prova të kundërta që tregojnë se muslimanët janë më të bindurit ndaj ligjit se sa popullsia e përgjithshme.”

Haruni shtoi se rritja e islamofobisë gjatë pandemisë së virusit Corona “Ka dëmtuar të gjithë punën e madhe të bërë nga muslimanët dhe komunitetet muslimane”, përfshirë “doktorët dhe infermieret në vijën e parë, transportin kyç, punëtorët që bëjnë dërgesa dhe vullnetarët në ndihmë të njerëzve të dobët.” 

Qeveria është e vendosur të bëjë thirrje për qetësi në këto kohera të pazakonta: “Kjo qeveri ka zero tolerancë ndaj lajmeve të rreme që kërkojnë të fajësojnë komunitetin e muslimanëve britanikë për përhapjen e Covid-19,” tha për Newsweek Stephen Greenhalgh, Ministër për Komunitetet Konservatore.

“Përhapja e qëllimshme e informacioneve të rreme për të minuar respektin dhe tolerancën tonë për njëri-tjetrin është fatkeqësi dhe shkon kundër të gjitha vlerave tona.

“Dua të falënderoj Tell Mama për punën faktastike që po bën për të kundërshtuar përmbajtjen e rreme dhe dezinformuese online.”

Konservatorët në pushtet janë akuzuar për Islamofobi, ndërsa Kryeministri Boris Johnson pati premtuar se do të niste një hetim për të gjitha format e diskriminimit përpara fundit të 2019. Qëllimi i atij hetimi nuk është publikuar ende.

Kompanitë e rrjeteve sociale janë të vendosura të tregojnë se po punojnë për të hequr postimet që janë në kundërshtim me rregullat e tyre.

Një zëdhënës i Twitter-it tha: “Jemi të vendosur të mbrojmë e t’i shërbëjme diskutimeve publike në mes të kësaj pandemie të pa precedentë të krizës së shëndetit publik. Ne nuk tolerojmë abuzimin dhe ngacimin e njerëzve për shkak të fesë.

“Ne heqim çdo përmbajtje që shkel rregullat e Twitter-it, përfshirë gjuhën dehumanizuese. Gjithashtu, kemi zgjeruar rregullat e sigurisë në lidhje me Covid-19.

“Gjithashtu kemi rritur automatizimin dhe përdorimin e mesimit të makinerisë për të ndërmarrë një gamë të gjerë veprimesh për abuzime të mundshme dhe përmbajtje manipuluese.”

Përshtati në shqip Observer.al.

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.