Presidenti amerikan Donald Trump duke përshëndetur pranë Kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanjahu para se të njoftonte planin e tij të Lindjes së Mesme në Uashington në 28 Janar 2020 [Reuters / Brendan McDermid]

Nga Richard Falk

Këto janë kohërat më të çuditshme. Për këtë pothuajse të gjithë jemi dakord.

Po humbasim jetë të tëra në të gjithë botën ose nga pandemia e COVID-19 ose si rezultat i krizës shkatërruese sociale dhe ekonomike të shkaktuar nga kjo pandemi. Në një moment të tillë, nuk është për t’u habitur se po del në pah më e mira dhe më e keqja e njerëzimit.

Dhe, më e keqja e mundshme, e cila shkon përtej këtyre parathënieve, është këmbëngulja e gangsterëve të gjeopolitikës në manifestimet e tyre të ndryshme.

Intensifikimi i sanksioneve të Shteteve të Bashkuara në mes të krizës shëndetësore për vendet tashmë të prekura thellë si Irani dhe Venezuela është shembulli më i mirë. Kjo shfaqje e epërsisë në gjeopolitikë theksohet nga refuzimi i saj për shumë thirrje humanitare të profileve të larta për pezullimin e sanksioneve, të paktën për kohëzgjatjen e pandemisë. Në vend të pezullimit dhe empatisë, kemi përballë një Uashington të shurdhët që i mëshon më shumë politikës së tij të “presionit maksimal”, duke grabitur kështu në mënyrë perverse mundësinë për ta kapërcyer këtë nivel dhimbjeje.

Një tjetër histori e errët është vallëzimi makabër izraelit rreth paligjshmërisë shkatërruese të aneksimit të pjesëve të zaptuara të Bregut Perëndimor të premtuar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Këmbëngulja e vazhdueshme mbi faktin se çdo aneksim i territorit të pushtuar palestinez shkel drejtpërdrejt normat themelore të së drejtës ndërkombëtare, nuk duket se po merret më seriozisht. Ndoshta për shkak të kësaj, Izraeli është i gatshëm të aneksojë pa u munduar të japë justifikime ligjore për tejkalimin e rregullit të miratuar gjerësisht dhe të interpretuar në mënyrë të ngurtë që një shtet sovran të mos lejohet të aneksojë territor të huaj të fituar me forcë.

Ky shembull i aneksimit përfshin gjithashtu një përgënjeshtrim ekstrem të ligjit ndërkombëtar humanitar siç është mishëruar në Konventën e Katërt të Gjenevës. Kjo i jep Izraelit njëanshmëri për të ndryshuar statusin e tokës në Bregun Perëndimor, nga ai i pushtuar që nga viti 1967 në atë të autoritetit të tij sovran territorial. Për më tepër, një aneksim i tillë i planifikuar sfidon drejtpërdrejt autoritetin e Kombeve të Bashkuara, të cilat me një konsensus të vazhdueshëm e kanë konsideruar praninë e Izraelit në Bregun Perëndimor, Jeruzalemin Lindor dhe Gazën si të bazuar vetëm në dhunë dhe pushtim, duke bërë që çdo modifikim të varet vetëm nga një autorizim paraprak, shprehje e pëlqimit palestinez, e cila është e vështirë të imagjinohet se do të jepet ndonjëherë.

“Debati” mbi sigurinë e Izraelit

Për të gjitha këto arsye nuk është për t’u habitur që edhe kokat e mëdha izraelite, përfshirë ish-krerët e Mossadit dhe Shin Bet, si dhe oficerët e ushtrisë në pension, po i bien alarmit. Sigurisht, asnjë në këtë debat të brendshëm izraelit nuk e kundërshton aneksimin pse shkel ligjin ndërkombëtar, kundërshton autoritetin e OKB-së ose Bashkimit Evropian dhe injoron të drejtat e palëkundshme palestineze.

Të gjitha kundërshtimet në Izrael për aneksimin shoqërohen me referenca ekskluzive që kanë të bëjnë me një sërë shqetësimesh në lidhje me ndikimet e pretenduara negative mbi sigurinë e Izraelit. Në veçanti, këta kritikë nga brenda institucionit të sigurisë kombëtare të Izraelit janë të shqetësuar për kërcënimet e mundshëm nga fqinjët arabë dhe tjetërsimin e mëtejshëm të opinionit publik ndërkombëtar, veçanërisht në Evropë, dhe deri diku kritikët shqetësohen për dobësimin e solidaritetit të hebrenjve amerikanë dhe evropianë ndaj Izraelit.

Ana pro-aneksimit, në debatin për politikën e Izraelit, përmend gjithashtu shqetësimet e sigurisë, veçanërisht në lidhje me Luginën e Jordanit dhe kolonitë, por jo vetëm kaq. Për dallim nga kritikët, përkrahësit më të zjarrtë të aneksimit janë kërkuesit e tokave.

Ata kërkojnë një të drejtë biblike hebraike për Judenë dhe Samarinë (e njohur ndërkombëtarisht si Bregu Perëndimor). Kjo e drejtë përforcohet duke iu referuar traditave të rrënjosura kulturore hebreje dhe lidhjeve historike në shekuj midis një pranie të vogël hebraike dhe këtyre tokave të konsideruara të shenjta.

Ashtu si kritikët izraelitë të aneksimit, mbështetësit nuk e ndjejnë nevojën të shpjegojnë, apo edhe të vënë re, mosrespektimin e ankesave dhe të drejtave palestineze. Aneksionistët nuk guxojnë të parashtrojnë një argument që mbështet faktin se pretendimet hebraike janë më të merituara për t’u marrë në konsideratë sesa pretendimet konkurruese kombëtare të palestinezëve. S’ka dyshim se çështja e tyre është shumë e dobët kur bëhet fjalë për idetë moderne të ligjit dhe etikës së të drejtës.

Siç ka ndodhur gjithmonë me narrativën sioniste, ankesat dhe aspiratat palestineze,  madje edhe ekzistenca e një populli palestinez, nuk është pjesë e imagjinatës së tyre, përveçse si një pengesë politike dhe demografike.

Në të njëjtën kohë, gjatë gjithë kohës sionizmi ka qenë taktikisht oportunist në lidhje me zbulimin e plotë të projektit të tij. Në vend të kësaj është përqëndruar në atë që mund të fitojë në rrethana të caktuara, si e vetmja gjë që i ka interesuar ndonjëherë.

Kur marrim në konsideratë zhvillimin e rrjedhës kryesore të sionizmit që nga fillimi i tij, vërejmë se nuk ka hequr kurrë dorë nga aspiratat afatgjata të margjinalizimit të palestinezëve në një shtet të vetëm hebre që do të mbizotëronte tërë “tokën e premtuar” të Izraelit. Në këtë kuptim, plani i ndarjes së OKB-së megjithëse u pranua si zgjidhje asokohe, nënkupton një gur për të rikuperuar sa më shumë tokën e premtuar. Gjatë 100 viteve të fundit, nga një këndvështrim sionist utopia u bë realitet, ndërsa për palestinezët realiteti u bë distopik.

Gangsterët e gjeopolitikës

Mënyra se si çështja e aneksimit po adresohet nga Izraeli dhe SHBA-të është po aq përjashtuese sa edhe mohimi i të drejtës themelore të palestinezëve, të cilët do të dëbohen si një popullsi endacake për t’u mbajtur kështu të fragmentuar dhe mundësisht sa më të përçarë, në mënyrë që rezistenca dhe kundërshtimet e tyre të mund të heshten në mënyrë efikase.

Netanjahu arriti të sigurojë miratimin për planin e tij të aneksimit në marrëveshjen e qeverisë së unitetit me ish-rivalin e tij, tashmë partner të koalicionit, Benny Gantz. Parakushti i vetëm për propozimin që ai ka vendosur të paraqesë pas 1 korrikut është miratimi i kufijve të aneksimit të alokimeve territoriale të mishëruara në propozimin famëkeq të njëanshëm nën emrin “Paqja për prosperitetin” të paraqitur nga administrata Trump.

Edhe pa shpalosjen e planit të paqes së Trumpit, miratimi i heshtur i SHBA-ve për aneksimin nuk është vënë ndonjëherë në dyshim. Ai rrjedh nga miratimi i Trumpit për aneksimin e Izraelit në territorin e uzurpuar të Sirisë në Pllajën Golan në mars të vitit 2019.

Siç mund të pritej, Amerika e Donald Trumpit nuk po krijon asnjë fërkim, madje nuk i pëshpërit Netanjahut, të paktën për të ofruar justifikime ligjore ose për të shpjeguar efektet negative të aneksimit në perspektivat palestineze të paqes. Në vend të kësaj, sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, i dha dritë jeshile aneksimit të Bregut Perëndimor edhe para se Izraeli ta zyrtarizonte kërkesën e tij, duke deklaruar në mënyrë provokuese që aneksimi është një çështje që izraelitët duhet ta përcaktojnë vetë (sikur të mos kishin aspak rëndësi as palestinezët as ligji ndërkombëtar). Ai shtoi se SHBA-të do t’ia përcjellin privatisht sugjerimet e veta qeverisë së Izraelit.

Në sfondin e pazbuluar, thirrja e iniciativës së aneksimit duket se ka për qëllim që ta lidh OKB-në dhe të pengojë kritikat ndërkombëtare ndaj Izraelit. Pritet që aneksimi të përshëndetet nga retorika e fortë e denoncimit nga disa liderë evropianë dhe ndoshta dhe nga kandidati i mundshëm presidencial demokrat Joe Biden, por e pashoqëruar nga ndonjë shtytje serioze për një fushatë ndërkombëtare për të zmbrapsur këtë marrje të tokës palestineze.

Në bazë të përvojës në të shkuarën, ka gjasa që pas disa ditësh të mbulimit mediatik, shqetësimet të zbehen dhe bota do të shohë punën e vetë. Edhe palestinezët, të dekurajuar nga vitet e pritjes së pafrytshme, duket se po vuajnë, të paktën përkohësisht, nga një kombinim i lodhjes së rezistencës dhe iniciativave joefektive të solidaritetit.

E gjithë kjo situatë është një shenjë më shumë se marrëdhëniet izraelito-amerikane po menaxhohen në përputhje me “gjeopolitikën e gangsterëve”, dhe pa i kushtuar vëmendje të drejtës ndërkombëtare apo autoritetit të OKB-së. Një veprim i përbuzur që lë mënjanë ligjin dhe moralin ndërsa hapësira politike pastrohet me forcë për vjedhje të tokave. Veprim, i cili ndjek një model të jashtëzakonshëm të sjelljes zyrtare si në SHBA ashtu edhe në Izrael.

Së pari, ekziston kërkesa kërcënuese izraelite për aneksim. Së dyti, ekziston një kualifikim i vetëm që Izraeli duhet të marrë një vulë miratimi gjeopolitik nga qeveria amerikane përpara se të fillojë punë me aneksimin. Së treti, ekziston masa e qeverisë amerikane për ta hedhur topin përsëri në Izrael duke thënë se vendimi për aneksimin i takon vetëm Izraelit, por prapëseprapë do t’i japë Izraelit një këshillë personale për këtë çështje, e cila me sa duket ka të bëjë mbi taktikat e kohës dhe formës së paraqitjes, pa marrë parasysh këtu çështjet parimore.

Ekziston një melodi fantazmë që shoqëron këtë valle makabre. Izraeli zbut unilateralizmin e tij me një gjest të mbrojtjes gjeopolitike dhe me këtë sjellje, vepron sikur miratimi i SHBA-ve ka rëndësi më shumë sesa një mbështetjeje politike e thjeshtë. Ndërkohë, SHBA-të nuk e vënë në dyshim logjikën izraelite, megjithatë nuk dëshirojnë të pranojnë përgjegjësinë për një shfaqje haptazi të miratimit. Kështu, deklarojnë publikisht se Izraeli është i lirë të veprojë ashtu siç dëshiron duke u pozicionuar i tërhequr, të paktën tani për tani, nga çdo shprehje publike të miratimit ose mos miratimit në lidhje me aneksimin.

Nuk ka të ngjarë që kjo mund të shkaktojë ndonjë problem me t’u afruar data e korrikut,  veçanërisht pasi Izraeli do ta paraqesë aneksimin si një zbatim të pjesshëm të propozimit të Trumpit.

Unë dyshoj se mesazhi privat i SHBA-ve do të kthehet në një miratim të matur, të cilin padyshim që Netanyahu do ta përdorë si përmbushje të marrëveshjes me Gantz.

Ajo që bie në sy këtu mbi të gjitha është arroganca e politikës së aneksimit. Jo vetëm që rregullat dhe procedurat e rendit publik botëror janë lënë mënjanë, por ligjërimi i brendshëm për transferimin e të drejtave zhvillohet sikur njerëzit që preken më së shumti janë të parëndësishëm, një lloj “orientalizmi i brendshëm”. I tillë është realiteti i gjeopolitikës së gangsterëve.

Richard Anderson Falk ka shërbyer për një periudhë 6-vjeçare si Raportues Special i Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Palestinë. Ai është Profesor Emeritus i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin Princeton dhe Profesor i shquar në studime globale dhe ndërkombëtare në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara.

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.