Terrorizmin nuk e provokon aq shumë feja, sa e bënë atë ekspansioni i grykësisë së kapitalizmit grabitqar, dhe shërbimet militante të grupeve mercenare që janë në shërbim të dominim (kaosit) global! Pra, kur kërkohen terroristët, thjesht, duhet të kërkohen njerëzit që blejnë armatim të dyshimtë terrorist, e jo ata që i luten me sinqeritet Krijuesit.

Nga Fadil Maloku

Është një thënie e njohur diku që thotë se ;”Urrejtja ndaj islamit po bëhet gjithnjë më e madhe se sa dashuria ndaj demokracisë. Ose, dashuria ndajë demokracisë, po bëhet gjithnjë më e vogël, se sa urrejtja ndaj islamit”. Gjithashtu, edhe një tjetër që thotë; “Largohuni nga ekstremizmi në fe, sepse ekstremizmi dhe pamaturia në fe i kanë shkatërruar ata që kanë qenë para jush!”

Qytetarët e rëndomtë shqiptar nuk kanë ndonjë arsye të theksuar që t’i frikësohen Islamit burimor, ose, nuk kanë arsye ta urrejnë Islamin si fe me parime dhe fondamente monoteiste, paqësore! Ngase çështja e cilitdo besim mbrohet, garantohet dhe kategorizohet me legjislacion dhe me Kushtetutë dhe me ligje. Ata, kanë arsye shumë më tepër që t’u frikësohen interpretuesve injorant, mediave dhe rrjeteve islamofobe, e sidomos mercenarëve të frustruar islam e joislam!!

Në kushtet dhe rrethanat e disa proceseve dhe zhvillimeve globale, paragjykimi i Islamit si fe monoteiste (së bashku me Krishterimin dhe Judaizmin), sot në mediat globale dhe rrjetet sociale, është në rritje e sipër! Ajo çka është më shqetësuese, është fakti që interpretimet nuk po bëhen nga ekspertët profesionalë dhe njerëzit kompetentë të fushave dhe lëmive përkatëse, por nga mediokret mediatik, pastaj islamofobët dhe grupet e ndryshme dogmatike me prejardhje islame dhe joislame.

Natyrisht, interpretimet e tilla jo kompetente, sjellin edhe stigmatizim e stereotipizim që e vështirësojnë depërtimin e vizionit paqësor të Islamit të vërtetë! Dhe si pasojë, bashkë me këtë “mobilitet” dosido anti-islam, paraqitën edhe tendenca monopoliste mbi të “vërtetën” e vërtetë islame! Thënë me thjeshtë, paraqitën devijime apo ekstremizma të të gjitha llojeve dhe ngjyrave. Së këndejmi, këtyre tendencave nuk mund t’u ikin as shqiptarët e Ballkanit, e as boshnjakët që rastësisht apo jo rastësisht mbetën muslimanë me përkatësi fetare!

Tani, koha e globalizimit (si më tha një mik një ditë: “na çoroditi” krejt!) është e vërtetë kohë që ka prodhuar shumë armiq dhe shumë mundësi për keqinterpretime, për këto religjione monoteiste, e në veçanti për islamin! Shqiptarët, s’ka shans që të implikohen në këto “lojëra” morbide dhe të qëllimshme globale, për një arsye shumë të thjeshtë: ndjenja kombëtare gjithnjë ka qenë shumë më e fortë se ndjenja fetare. Por, ata fakt që do atakohen edhe për një kohë me stigmatizime e paragjykime nga më të ndryshmet, si nga “qendrat” islamofobe, ashtu edhe nga mediokritetet mediatike, te cilat të frustruara dhe të frymëzuara nga trendet globale, përpiqen t’i konfrontojnë gjoja “dallimet” fundamentale midis religjioneve monoteiste!

Midis këtyre qendrave “islamofobe dhe jo-islamofobe”, padyshim që sot më të “afirmuarit” dhe më të zëshmit në sferën e sigurisë politike e sociale, e sidomos kulturore, janë ata që ndërlidhen me termat e ekstremizmit dhe terrorizmit.

Ekstremizmi, si një platformë socio-politike dhe padyshim edhe fetare, ka të bëjë në fakt me grupe të atilla sociale, politike dhe fetare, të cilat kanë probleme serioze me identitetin e tyre të luhatur, kontestuar, apo edhe tē humbur për shkaqe të ndryshmet sociale, politike, kulturore, e civilizuese!

Në fakt, ideja apo synimi i njeriut, që nga fillimet e hershme socio-politike ishte dhe mbetet ai i “vetëkërkimit”, për origjinën e tij; se kush është ai, prej nga vjen, dhe ku po shkon? Një synim identik i “vetëkërkimit”, duket se ka të bëjë edhe me grupet, komunitetet, kombet, madje edhe religjionet edhe shtetet (ato të rejat sidomos)! Pra, imitimi apo identifikimi i shteteve (të reja dhe të vogla sidomos), me shtetet e mëdha dhe me influencë globale, është pothuajse normal dhe i dukshëm edhe në kohën tonë. Kjo vlen posaçërisht për SHBA-të, Rusinë, Kinën dhe Indinë.

Në këtë proces “vetëkërkimi” identitar, e pësojnë më së shumti vendet dhe shtetet e ndara (padrejtësisht e historikisht), shtetet e varfra, ato me territor të vogël, e sidomos vendet dhe shtetet që kanë pozitë strategjike në këmbimet tregtare, sociale e kulturore. Andaj, pakënaqësitë, mospajtimet lidhur me mënyrat e krijimit të raporteve (lexo; varësive të reja; ekonomike, politike, civilizuese dhe sosh kulturore) është e natyrshme të sjellin edhe mendime dhe gjykime “laramane” në (mos)kyçjet e reja me hegjemonët e kohës. Si pasojë, lindin edhe pozicionohen grupe të pakënaqura me këto procese e rrjedha; lokale, rajonale, kontinentale e globale. Për t’i kuptuar më mirë këto trende global, mendoj se është e udhës të shohim se cka po (nën)kuptohet përshembull me termin apo konceptin e shpërndarë dhe të njohur gjithandej në glob.

Çka është fundamentalizmi islam? 

Nëse dëshirojmë t’i japim një përgjigje tipike shkencore sociologjike, atëherë patjetër që fundamentalizmin islam duhet shpjeguar edhe si reagim ndaj krizës së identitetit të krijuar nga (post)modernizmi, ndaj tepricës së shoqërive konsumatorizmit, ndaj pafuqisë së imponuar nga padrejtësitë strukturore dhe liberalizimit global të tregut. Faktikisht dhe fatkeqësisht, këtë ĺloj fundamentalizmi (se janë prezent ne skenën globale edhe të tjerët…por, me pak gjithsesi) po e “ushqen” ekspansioni marramendës i tregut, (që rezultoi me kolapsimin e komunizmit dhe rënien e Murit të Berlinit) dhe interpretimi i fragmentarizuar që i bëhet Islamit të sotëm.

Duke e shikuar Islami burimor nga ky këndvështrim, po bëhet, apo të paktën pretendohet të imponohet, jo më si kundërshti ndaj perëndimit, por, si alternativë globale sociale e politike. Ndërkaq, duhet ditur dhe kuptuar që diskursi mbi fundamentalizmin islamik, në fakt në tregun global, është vetëm një katërpërcishi i asaj që është në të vërtetë. Këtu, para së gjithash nuk duhet harruar joshja që mund tëa krijohet në të ardhmen rreth temave mbi; egalitarizmin, përgjegjësinë rreth diversitetit (social, ekonomik, etnik, racor, etj); konsultimin dhe konsensusin, etj., që realisht i bie një ngatërrim (herë i qëllimshëm, e herë i paqëllimshëm) midis asaj që shquhet si edukim fetar dhe historisë fetare të religjioneve!

A janë njësoj edukimi fetar me historinë fetare, dhe pse ndodh terrorizmi?

Duhet kuptuar digresioni se, edukimi mbi etnopsikologjinë fetare dhe çështjet e fakteve rreth historive fetare, nuk janë e njëjta gjë. Ngatërrimi i këtyre dy kategorive, përveç keqkuptimit social, sjell edhe trauma në sferën shpirtërore (diversitet dhe ndarje kompleksive) dhe pasoja në sferën politike (paragjykime dhe stereotipizime absurde). Ato do ndikojnë edhe më tej në formimin, brumosjen dhe kalitjen e secilit individ edhe për shkakun se njeriu vërtetë akoma mbetet një “zoom politikom”, social që vulos të tashmen dhe të ardhmen e vet…., pandalur! Terrorizmin nuk e provokon aq shumë feja, sa e bënë atë ekspansioni i grykësisë së kapitalizmit grabitqar, dhe shërbimet militante të grupeve mercenare që janë në shërbim të dominim (kaosit) global! Pra, kur kërkohen terroristët, thjesht, duhet të kërkohen njerëzit që blejnë armatim të dyshimtë terrorist, e jo ata që i luten me sinqeritet Krijuesit.

Ky term, si dukuri dhe fenomen sociologjik, është edhe një formë tejet e komplikuar e “trajnimit” të dhunës politike. Për të thuhet që është edhe një lloj ekstremizmi me doza politike. Kurse, ekstremizmi më saktë, mund të definohet si një lloj sjelljeje e atillë sociale që “vegjeton”, gjithnjë midis asaj që është e lejuar dhe asaj që është e sanksionuar. Pra, ai është sikur një lloj “parakalimi” mbi një zonë të “minuar”. Për nga numri, ekstremistët asnjëherë nuk janë shumë, por janë zhurmues dhe fanatikë në qëllimet dhe synimet e tyre, çfarëdo qofshin, dhe prej kujtdo qofshin, ata. Në politikë, ekstremizmi zakonisht manifestohet si “një lloj animimi i qëllimeve të kornizuara ekstreme, që pretendon gjithnjë të fuqizohet përmes metodologjive normale! Në fakt, ekstremizmi mund të thuhet e përkufizohet edhe si një lloj devijimi i skajshëm, edhe për shkak se “vullnetarisht” ikën dhe sistemohet në normat sociale, sportive, politike, e sidomos ato fetare.

Ajo çka i jep “shpirt” dhe karakter fenomenit, apo “dosjes” së ekstremizmit janë kryesisht motivet dhe qëllimet politike. Motive dhe qëllime këto, që me karakterin e tyre politik, e katapultojnë ekstremizmin drejtpërdrejt në fushëbeteja dhe ngjyrime; fetare (monoteiste) e ideologjike (djathtiste e majtiste). 

Ekstremizmi ideologjik, një rrezik për religjionet monoteiste

Tani, ekstremizmi ideologjik djathtist (ai fetar), e kundërshton globalizimin për shkak të ruajtjes të fondamenteve fetare. Kurse ekstremizmi majtist (ai social -komunist), globalizimin e projekton si gogol, edhe shkaku i rrezikut nga varfëria. Kështu që procesi i “vetëkërkimit”, është mjaft kompleks dhe shumë dimensional. Është komplek për shkak se problemet identitare shpërfaqën tani si probleme akute që kërkojnë urgjenca definimi dhe qartësimi. Kurse shumë dimensional, për shkak se dilemat ekzistuese civilizuese, tek këto vende e shtete të vogla dhe të varfra, bëhet shpeshherë problematik dhe i rëndësishëm si për “sponzoruesit dhe arkitektët” e pavarësimeve dhe shteteve që u jepet peshë dhe rendësi, qoftë rajonale (Ballkani) apo kontinentale (Azia). Kështu që “krizat” identitare të stilit; “kush jemi ne, prej nga vijmë, dhe ku shkojmë”, edhe si shtet, vend e komb, sot janë përditshmëri!

Sipas Samuel Huntigtoni, kjo gjendje dhe “krizë” identitare, mund të tejkalohet përmes disa mënyrave. Përmes ndihmës së institucioneve shtetërore, elitave (politike, ekonomike, e kulturore), e natyrisht dhe popullsia, e cila duhet të informohet për nevojat, detyrimet dhe kahet e ndryshimeve eventuale, si edhe ndihma nga perëndimi (aludimi është; Amerika dhe Evropa). Duhet kuptuar që integrimet evropiane korrespondojnë me proceset globalizuese

Nevoja për një epistemologji sociale të religjioneve monoteiste

Nëpër shkolla publike, sot në botën postmoderne, nuk duhet të mbetet më një cilësim paragjykues dhe tentim stigmatizimi për religjionet monoteiste, ashtu siç ishte, apo edhe është aktualisht në pothuajse shumicën e vendeve të tranzicionit, por, është një nevojë imediate e kohës në mënyrë që t’i shmangemi fundamentalizmave, ekstremizmat dhe terrorizmat të të gjitha llojeve dhe niveleve.

Përvoja evropiane na dëshmon se njohjet shkencore (e jo ato pseudo-shkencore) të historive të religjioneve monoteiste (një sferë mjaft komplekse dhe e ngarkuar shpesh edhe me klishe pseudo-ekumenike) janë treguar si të shëndetshme edhe për faktin se, mes tjerash, a) kanë zbutur mendjet paragjykuese; b) kanë shëruar patologjitë sociale; dhe c) kanë reduktuar frustrimet e individëve, grupeve, komuniteteve, por edhe të popujve dhe shteteve të ndryshme evropiane. Pra, kjo iniciativë assesi nuk duhet kuptuar dhe interpretuar si tentim për të futur “mësim besimin fetar” nëpër shkolla publike, por si një koherencë kulturore. Pra si një njohje ndërfetare midis religjioneve dhe si përvojë e qëndrueshme, ku përmes njohjeve reciproke ndërtohen urat mes feve, konfesioneve, racave, civilizimeve dhe kulturave.

Mosnjohja apo mosdija e religjioneve për njëri-tjetrin nuk është përparësi, por, pengesë që ka prodhuar, po prodhon dhe do të prodhojë pasoja negative në njerëz dhe të mira materiale, si edhe një frustrim deri në nivel kontinental e global. Kjo prodhon padyshim edhe fenomenin tjeter aktual e me përmasa globale të shquar dhe te identifikuar si terrorrizëm.”Terrorizmi nuk ka as komb, as shtet, as … e as fe…! Bota ku po jetojmë shquhet si botë e rrezikshmërisë (Risikogesellschaft) së shkallës së lartë!” (Ulrich Beck, Risk Society, 325.2009)

Dilema “hamletiane” për mendimin tim qëndron në atë se a duhet ne nga pragu ynë lokal ta refuzojmë dhe ta kundërshtojmë këtë të keqe (gjë që jam tërësisht dakord), që ka marr përmasa të pa parashikuara, apo, duhet të mësohemi të “bashkëjetojmë”me te?

Përgjigjen (lidhur me terrorizmin) po e ka problem e gjithë bota ta gjej! Problemi, (tek shumica e sociologëve bashkëkohorë, te paktën me aq sa kam arritur ta shoh) qëndron të shkaqet. E ato, mund të gjenden gjithandej; edhe ne tendencën e dominimit, shfrytëzimit, ndryshimit, imponimit, subordinimit të kombeve, shteteve, vendeve, rajoneve apo kontinenteve. Por, edhe në synimet vetëpërjashtuese të shteteteve në rënie, kulturave dhe agjentëve tjerë dominues sot ne botë.Tekefundit, kjo është natyra e njeriut, shoqërive, shtetev, etj. Megjithatë, jo edhe e civilizimeve për të vetmin shkak, pasi civilizimi (qytetërimi) është term shumë më gjithëpërfshirës, më vetërcaktues, më vetëkërkues dhe shumë më vetë emancipues.

Pra, shumica e konflikteve etnike në botë nuk kanë si shkak përplasjet e qytetërimeve. Gjithashtu, shumica e anketave në vendet e Evropës lindore tregojnë se, pavarësisht prej përkatësisë në qytetërime të ndryshme, sipas kritereve të Huntingtonit, të intervistuarit kanë perceptime dhe pritshmëri të njëjta mbi demokracinë, integrimin evropian dhe çështje të tjera politike (White, Oates & Miller, 2003). Gjithashtu, sondazhet në vendet me shumicën e popullsisë të fesë islame dalin në përfundimin se në mikronivelin e këtyre shoqërive, demokracia parapëlqehet nga shumica e popullsisë. Fakti se në një numër vendesh muslimane janë në pushtet regjimet jodemokratike, nuk do të thotë se shumica e qytetarëve të këtyre vendeve nuk janë mbështetës të një alternative demokratike, diçka që implikohet prej studiuesve që e etiketojnë Islamin si kundërdemokratik” (Hofman, 2004: 672).

Mendimet dhe qëndrimet në këtë rubrikë janë të autorëve e nuk shprehin domosdoshmërisht politikën editoriale të Observer.al

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.