Shpend KursaniNga Shpend Kursani.

Fantazma e urrejtjes po përndjek debatin rreth “ISIS-it”, “ekstremizmit të dhunshëm”, “radikalizimit islamik” e çka mos. Arsyes i lihet pak vend. Kur frika gjykon para arsyes, kuptimit i ngelet pak vend. Nuk do të argumentoj këtu se nuk ka hapësirë për t’u brengosur, por zilet e alarmit që po bien po e çojnë kuptimin tonë për fenomenin në fjalë në drejtimin e gabuar. Ka shumë për t’u thënë. Duke marrë parasysh kufizimet editoriale do të fokusohem në detajet e dy alarmeve, mes shumë të tjerave, të ngritura rreth “pushtimit arab” të Kosovës, që në mënyrë paradoksale është materializuar vetëm kohëve të fundit me daljen në dritë të raportimeve se gjatë 6-12 muajve të fundit asnjë Kosovar nuk i është bashkuar luftimeve (të huaja)! Kjo mund të jetë e vërtetë ose jo, por nuk ka rëndësi në këtë moment.

Alarmi i parë: Ndikimi arab në “kthesën” kundër Perëndimit.

Ata që i mëshojnë fort problemit të ISIS-it në Kosovë bëjnë një lidhje kolosale të pakuptueshme midis 300 luftëtarëve të huaj (kosovarë) dhe 1.8 milion banorëve të Kosovës. Kur i kontrolloj  mesazhet e mija është e vështirë të gjej një gazetar (vendas apo të huaj) që nuk e lidhë 0.0176 përqindëshin e 1.8 milion banorëve me “kthesën” e supozuar të të gjithë vendit kundër Perëndimit.

Së pari, çfarë lidhje ka fenomeni i luftëtarëve të huaj me qëndrimin e një vendi ndaj Perëndimit? Është njësoj sikur të pretendojmë se Franca është kthyer kundër Perëndimit pse ka 1,700 luftëtarë të huaj që kanë ikur nga Franca. Apo nëse vështrojmë këtë nga ana tjetër e medaljes, është njësoj sikur të pretendojmë se fakti që Turqia ka katërfish më pak luftëtarë të huaj për kokë banori se sa Franca, Turqia qenka bërë pro-Perëndimore e Franca kundër-Perëndimore. Logjika e thjeshtë pas kësaj lidhjeje është e mangët në aq shumë nivele saqë as një libër shumë i trashë nuk do të mjaftonte për ta dekonstruktuar.

Së dyti, duhet t’i hedhin një sy disa të dhënave për të cilat ka njerëz nga e gjithë bota që punojnë shumë për të na i vënë në dispozicion. Për shembull, kur New York Times-i raportonte për mënyrën se si sauditët e kanë “transformuar një shoqëri dikur tolerante në një front të ekstremizmit,” po ashtu deklaronte se kjo paraqet “një kthesë të jashtëzakonshme për një vend me 1.8 milion banorë, i cili jo shumë kohë më parë ishte ndër shoqëritë myslimane më pro-amerikane në botë.” Përdorimi i kohës së shkuar në formulimin e mësipërm është për t’u habitur, për shkak se kjo thjeshtë nuk i përgjigjet të dhënave empirikë në dispozicion.

Për shembull, sipas të dhënave të vitit 2015, 94 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë deklaruar se vendi duhet t’i bashkohet BE-së, ndërsa 89 për qind ishin në favor të anëtarësimit në NATO. Nga ana tjetër, kjo është ajo që mendojnë disa qytetarë të BE-së në lidhje me të njëjtën gjë: në Mbretërinë e Bashkuar rreth 52 për qind duan që vendi të dalë nga BE-ja. Njëkohësisht, 50 për qind e qytetarëve të tetë shteteve anëtare më të mëdhaja të BE-së kanë deklaruar se duan një referendum si ai i Mbretërisë së Bashkuar për një dalje të mundshme. Ngjashëm, vetëm 41 për qind e europianëve kanë një perceptim pozitiv për BE-në.

Le t’i hedhin një sy disa numrave të tjerë, kësaj here atyre që kanë të bëjnë me Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2015, 93 për qind e qytetarëve të Kosovës thanë se vendi duhet t’i forcojë marrëdhëniet me SHBA-të. Për më tepër, kjo është ajo që tregojnë të dhënat e Gallupit për vitin 2016: kosovarët janë në krye të listës së të gjitha vendeve perëndimore të cilat e miratojnë udhëheqjen amerikane në botë, me një aprovim prej 88 për qind. Kur vetë amerikanët janë pyetur për të njëjtën gjë, vetëm 55 për qind e kanë miratuar udhëheqjen e vendit të tyre në botë. E kjo është ajo që mendojnë disa në Europën Perëndimore për të njëjtën gjë: 49 për qind e italianëve, 57 për qind e gjermanëve, 52 për qind e francezëve dhe 64 për qind e britanikëve e aprovojnë udhëheqjen amerikane në botë.

Alarmet që ngriten në raportimet e lajmeve të kohëve të fundit për de-perëndimorizimin e Kosovës dhe gjoja “kthesën” e saj, mbeten mite, ashtu siç tregojnë provat e vërtetuara – pra, jo mendimet e mia personale. Na duhet ta pranojmë, megjithatë që këto të dhëna e tregojnë një dallim shumë të madh mes Perëndimit dhe Kosovës. E kjo është që edhe pse janë izoluar nga vetë Perëndimi për më shumë së një dekadë, kosovarët mendojnë dhe e dëshirojnë Perëndimin dyfish më shumë se sa që vetë perëndimorët e mendojnë dhe e dëshirojnë Perëndimin. Si ka mundësi që kosovarët e duan Europën  me shumë se vetë europianët dhe e duan Amerikën në botë më shumë se vetë amerikanët? Nëse ka vend për shqetësim për një “kthesë” të Kosovës, atëherë këto janë pyetjet që duhet të na shqetësojnë, e jo e kundërta.

Alarmi i dytë: Keqpërdorimi i termit “vehabizëm”

“Termet si kontejner” janë përdorur prej kohësh për të shkatërruar kundërshtarët politik në luftën për pushtet. Këto janë terma që shndërrohen në “kontejner” që përbëhen nga një përzierje terminologjish të cilat pjesa më e madhe njerëzve në një shoqëri të caktuar fillon t’i përçmojë më kalimin e kohës. Shiko Bernie Sanders-in, i shkreti, çfarë i duhet të heqë vetëm pse është etiketuar si “socialist” – një term pezhorativ (në kontekstin amerikan) të cilin ai po mundohet fort ta shpjegojë se “nuk ka atë kuptim me të cilin përdoret” ndërkohë që kundërshtarët e tij vazhdojnë rrugën e tyre drejt luftës për pushtet.

Do të ishte diçka ambicioze të merreshim me “termat si kontejner”, pasi nuk ka rëndësi se çfarë kuptimi kanë në të vërtetë. Ajo që ka rëndësi është përzierja e terminologjisë që bëhet pjesë e kë tij “kontejnerit”. “Vehabizmi” është një tjetër term i (keq)përdorur gjerësisht pas luftës në Kosovë dhe në Ballkan për gati dy dekada. Në Kosovë, “vehabizmi” ka këto ngjyrime: “radikal”, “Islam radikal”, “mjekërgjatë”, “femër e mbuluar”, “ekstremist”, “ekstremist i dhunshëm”, “ISIS”, “Al-Kaeda”, ec e bjeri në fije. Si i tillë, ka qenë një mjet mjaft i suksesshëm i përdorur në dy dimensione. Së pari, është përdorur nga anëtarët e komunitetit mysliman për të shkatërruar kundërshtarët e tyre nëpër këto institucione. Së dyti, është përdorur në publik për të shkatërruar këdo që nuk duket si “një mysliman i mirë liberal.” Rrallëherë ka pasur rëndësi nëse tjetri është me të vërtetë “ekstremist i dhunshëm.”

Për ta vërtetuar këtë, ka shumë pyetje që mbeten pa përgjigje nga përdoruesit më të shpeshtë të “vehabizmit” si term “kontejner” kundër atyre që nuk ngjajnë një “myslimani të mirë liberal.” Duke marrë parasysh këtë, kurdo që “imamët liberalë” janë gjendur të përfshirë në dhunë fizike (cilado të ketë qenë arsyeja), është vendosur si fakt i mirëqenë se janë  “vehabitë” ata të cilët i kanë sulmuar ata. Në rregull, ka shumë gjasa që kjo te këtë ndodhur. Tani, si ka mundësi që Lavdrim Muhaxheri (ekstremisti i dhunshëm) ka kërcënuar gjithashtu edhe disa nga imamët “vehabistë”, siç etiketohen në Kosovë? Si ka mundësi që një imam liberal i BIK-ut është sulmuar nga një tjetër imam liberal? Këto janë pyetje serioze, që vënë në dyshim shumë mite.

Ndërsa ata që e kanë përdorur termin “vehabi” si mjet politik për të shkatërruar të tjerët në luftën e tyre për pushtet, nuk kanë dashur që të bëhen këto pyetje. Kjo u bë e qartë kur raporti i QKSS- (Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë) e mori seriozisht problemin e luftëtarëve të huaj dhe i ngriti, e më pas u përgjigj këtyre pyetjeve në detaje, duke treguar hapur keqpërdorimin e këtij termi në luftën e disa njerëzve, më shumë për interesa politike se sa fetare.

Në fakt, raporti i QKSS- nuk është i vetmi rast kur janë ekspozuar këto dinamika. Në një libër të botuar tani së voni në vitin 2015,  Cecilie Endersen, në kapitullin e saj ku heton atë që në Shqipëri e quajmë “vehabizëm”, ka zbuluar se Lidhja e Hoxhallarëve (“vehabistët” në terminologjinë e përdorur në Kosovë) mund të jenë në fakt teologë pa asnjë lidhje me “vehabizmin” e supozuar dhe se “nepotizmi në një farë mënyrë e shpjegon refuzimin e Lidhjes ndaj Komunitetit Musliman si entitet ‘klanor’” (fq.231). Pohime të ngjashme për keqpërdorimin e termit “vehabizëm” për të shkatërruar kundërshtarin janë analizuar edhe nga një studiuese tjetër e Islamit në Ballkan, Ina Merdjanova (2013).

Kjo nuk do të thotë se nuk ekzistojnë “vehabistë” në kuptimin me të cilin përdoret publikisht, pasi kjo është e qartë (siç ka treguar edhe raporti i QKSS-së), por është e qartë se është keqpërdorur për shumë vite në përmasa të jashtëzakonshme. Gjatë 15 viteve të fundit shumë gazetarë kanë rënë pre e kësaj dhe nuk kanë qenë në gjendje t’i shohin këto dinamika – për arsye të kuptueshme, pasi t’i hysh kësaj pune duhen kërkime të mëdha në terren.

Tash t’i kthehemi pyetjes sonë shqetësuese: a mundet dikush të marrë përsipër një akt të paprecedentë brenda kufijve të Kosovës dhe ta hedhë veten në erë? Sigurisht, kjo nuk mund të përjashtohet si mundësi. Por çfarë lidhje ka kjo me shtrembërimet e paraqitura nga mediat deri tani?

Së fundmi, le të themi se përpjekjet e mia për t’i ekspozuar këto mite nuk janë të vërteta, ndërsa pikëpamjet e shtrembëruara të medias janë të vërteta. Nëse është kështu, atëherë a nuk duhet të ndalojmë së pyeturi pse kaq shumë Kosovarë kanë shkuar në Siri, e të fillojmë të pyesim pse kaq pak

Shpend Kursani është hulumtues për doktoratë në Departamentin e Shkencave Shoqërore dhe Politike pranë Institutit Universitar Europian ku merret me studimin e rasteve të shteteve të kontestuara të periudhës pas vitit 1945. Ai është gjithashtu edhe një studiues i jashtëm pranë QKSS ku ka bërë një kërkim të hollësishëm mbi xhihadizmin militant në zonat shqipfolëse në Ballkan.
Publikuar në gjuhën angleze te Prishtina Insight. Titulli është redaksional.

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.