Qendërsia e ‘paradigmës evropiane’ në sferën publike shqiptare ka çuar në krijimin e një ligjërimi kombëtar post-komunist përjashtues, në të cilin Islami dhe kultura myslimane përjashtohen nga të ushtruarit e çdo roli domethënës publik në shoqëri dhe paraqiten si pengesa kryesore për përmbushjen e identitetit evropian të shqiptarëve.

Nga Rezart Beka

Në Shqipëri, periudha pas komunizmit është karakterizuar nga një proces intensiv i ndërtimit të një identiteti të ri kombëtar post-komunist, i cili ka përfshirë, ndër të tjera, edhe rishikimin dhe rinegocimin e narrativës zyrtare kombëtare, identitetit fetar dhe përkatësisë kulturore.

Ndërtimi i një narrative të re shtetformuese e ka vendosur në qendër të një debati intensiv kombëtar çështjen e identitetit mysliman të shqiptarëve dhe vendin e Islamit dhe kulturës myslimane në shoqërinë shqiptare. Elita intelektuale shqiptare e ka perceptuar rolin e saj si përgjegjëse për farkëtimin e një narrative të re kombëtare, dhe, kësisoj, që prej rënies së komunizmit ka qenë në ballë të përpjekjeve intelektuale për të artikuluar karakteristikat kryesore të identietit të ri post-komunist shqiptar.

Ndonëse në periudhën post-komuniste Shqipëria ka përjetuar, deri në një farë mase, një lloj ringjalljeje të Islamit, gjithsesi efektet e kësaj ringjalljeje kanë qenë të kufizuara. Kjo, si pasojë e shekullarizimit të theksuar të shoqërisë post-komuniste shqiptare si edhe e indiferencës së përgjithshme të pjesëtarëve të kësaj shoqërie ndaj fesë. Kësodore, siç pohon edhe Clayer (2003), në periudhën post-komuniste, myslimanët shqiptarë e gjetën veten në pozitën paradoksale të të qenit “një shumicë numerike në një lloj situate ‘minorance’ intelektuale, sociale dhe politike” (f.294). Rrjedhimisht, artikulimi i një ligjërimi të ri identitar është kryer kryesisht nga elitat kulturore shqiptare me orientim nga perëndimi dhe nga vlerat e krishtera.

Për pjesën më të madhe, narrativa kombëtare post-komuniste është vërtitur rreth “mitit politik të rikthimit në Evropë” (Sulstarova, 2016, f. 52–68) ose‘Euroteizmit’ (Dani, 2016, f. 417) në të cilin identiteti shqiptar paraqitet si thelbësisht evropian dhe i krishterë, ndërsa integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian perceptohet si përmbushja e telosit kombëtar. Siç do të shohim në vijim, qendërsia e ‘paradigmës evropiane’ në sferën publike shqiptare ka çuar në krijimin e një ligjërimi kombëtar post-komunist përjashtues, në të cilin Islami dhe kultura myslimane përjashtohen nga të ushtruarit e çdo roli domethënës publik në shoqëri dhe paraqiten si pengesa kryesore për përmbushjen e identitetit evropian të shqiptarëve.

Është pikërisht në kontekst të ndërtimit të këtij kuptimi të veçantë të mitit politik të rikthimit në Evropë që elita intelektuale shqiptare ka përdorur tema islamofobike globale dhe ia ka aplikuar ato kontekstit shqiptarë në mënyra dhe forma që shpesh dallojnë dhe ndryshojnë nga artikulimi i tyre në ligjërimin islamofobik perëndimor. Në këtë mënyrë, Islamofobia është shndërruar në një element me ndikim në procesin e ndërtimit të një ligjërimi të ri kombëtar rreth myslimanëve dhe ka depërtuar ndjeshëm në sferat sociale, politike dhe kulturore. Ligjërimi publik shqiptar rreth feve është i shumëllojshëm dhe shumëdimensional.

Gjithsesi, qëllimi i kësaj eseje është kryesisht nxjerrja në pah e karakteristikave kryesore të ligjërimit post-komunist shqiptar në lidhje me rikthimin në Evropë, si edhe theksimi i mënyrave se si kornizat intelektuale islamofobike globale janë mobilizuar dhe dislokuar nga elitat kulturore shqiptare për të mbështetur natyrën përjashtuese të paradigmës kryesore të ‘rikthimit në Evropë’ dhe për të përjashtuar Islamin dhe myslimanët nga të ushtruarit e çfarëdolloj roli në debatet post-komuniste rreth formimit identitar dhe ndërtimit të një narrative të re kombëtare.

Përfundim

Analiza ka treguar se çështja myslimane është bërë një shqetësim kryesor në ligjërimin publik shqiptar. Elita kulturore është prirur ta paraqesë Islamin dhe kulturën myslimane si të papërputhshme me aspiratat evropiane të shoqërisë shqiptare. Për më tepër, Islami perceptohet si pengesa kryesore për integrimin e plotë të Shqipërisë në familjen evropiane’.

Diskursi i ri shtetformues është ndërtuar mbi një vizion binar ku Islami luan rolin e “Tjetrit” arketipal, kundër të cilit interpretohet identiteti i ri evropian dhe i krishterë i Shqipërisë. Përjashtimi i Islamit nga diskursi i formimit të identetit kombëtar post-komunist është mundësuar nga një lexim selektiv i historisë shqiptare, rinegocimi i miteve dhe tregimeve të vjetra nacionaliste, si dhe ndërtimi i identiteteve të reja.

Roli i temave globale islamofobike ka qenë që t’u sigurojë intelektualëve publikë shqiptarë mjetet e nevojshme intelektuale për ta trajtuar çështjen e Islamit në Shqipëri në mënyra që e përjashtojnë atë nga një pjesë thelbësore e identitetit kombëtar. Nocionet islamofobike janë përshtatur dhe rimodeluar në përputhje me specifikat e kontekstit shqiptar për t’i shërbyer më mirë vizionit të veçantë ose binar që informon mitin politik të ‘rikthimit’ në Evropë.

Në të gjithë këtë, Islami ose trashëgimia kulturore myslimane janë përjashtuar nga të ushtruarit e çdo roli në sferën publike dhe në procesin e ndërtimit të identitetit kombëtarë post-komunist. 

Shkëputur nga libri i sapobotuar ‘Islamophobia in Muslim Majority Societies’ (Ed. Ferid Hafez, Enes Bayrakli), Kapitulli 3: “Islamofobia në ligjërimin publik shqiptar”, me autor Rezart Bekën.

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.