Në foto: Shkrimtari Ismail Kadare.

Nga Dr. Hysamedin Feraj

Kjo është vetëm një parafjalë, një fillim i butë për mbrapshtitë e shumta të Ismail Kadaresë në fushën e mendimit shqiptar, posaçërisht e mendimit politik. Kadare ka një ngjashmëri me atë që quhet tregu “gabi” në Shqipëri nga që ushtrohet më së shumti nga gabelët, ose së paku kështu perceptohet. Fjala është për tregun që merr në Perëndim mallra të përdorura, të vjetëruara ose që thjeshtë nuk përdoren më nga të zotët e tyre, ndodhë edhe “firmato”, dhe i shet me çmime mjaft të lira, nganjëherë me kile. Racionaliteti i këtij tregu është se këto lloj mallrash blihen më lirë. Edhe Kadare ka shkuar në Perëndim ku merr ide e mendime të përdorura dikur, të vjetëruara tani dhe ua shet shqiptarëve. Problemi është vetëm se i mungon racionaliteti i tregut të gabit: tregtarët e gabit i tregtojnë ato mallra sepse janë më të lira, ndërsa idetë, si të vjetra si të reja kushtojnë njëlloj, në kuptimin se si një libër i shekujve të kaluar, si i sotëm kushton gati njëlloj. Shitoret ku blenë Kadare duket se kanë 4 karakteristika:

a) reaksioni europian;
b) orientalizmi;
c) serbofilia;
d) antishqiptarizmi.

Magazinat europiane që ruajnë mallra (ide) me këto karateristika duket se janë rrethet në Francë në të cilat jeton dhe frymëzohet Ismail Kadare. Një e përbashkët e gjithë këtyre rretheve është vjetërsia. Kadare qëmton nëpër Europë gjithë idetë e vjetëruara dhe i sjellë t’ua shesë shqiptarëve:

Monocentrizmi

Një mënyrë e vjetëruar mendimi europian është monocentrizmi, përfytyrimi i një qendre rreth të cilës organizohet dhe rrotullohet gjithçka: në qendër dielli dhe rreth tij planetet; në qendër atomi dhe rreth tij grimcat e tjera; në qendër të atomit bërthama dhe rreth saj thërrmijat; në qendër e vërteta e vetme dhe rreth saj organizohet dija; në qendër Papa dhe rreth tij kishat e shtetet; në qendër mbreti (diell) dhe rreth tij të tjerët; në qendër shteti dhe rreth tij politika; ne qendër Partia dhe rreth saj gjithë jeta e vendit; në qendër Sekretari i Parë dhe rreth tij Byroja Politike; në qendër… Ismail Kadare dhe rreth tij të tjerët! Në qoftë se gjërat nuk rrotullohen rreth qendrës, rreth forcës gravitacionale të qendrës diçka nuk është në rregull, situata është në kundërshtim me ligjet e natyrës, nga universi me qendër diellin (heliocentrizmit) deri tek mikrothërmijat me qendër atomin (atomistika)! Mendimi centrik dhe monocentrik është diskredituar, vjetëruar, dekonstruktuar me kohë ne Europë si mendim, dhe si praktikë politike totalitare e totalizante: dielli është një nga qendrat në univers (astronomia e sotme); atomi nuk organizon rrotullimin e grimcave rreth tij mbasi lëvizja e tyre është kaotike (teoritë e kaosit); nuk ka një të vërtetë por ka shumë të vërteta (veçanërisht Derrida dhe të tjerët); nuk ka një qendër fetare papale por shumë të tilla njëkohësisht (Huntington dhe të tjerët); nuk ka një qytetërim qendror por ka qytetërime të njëkohshme, të shumëkohshme, të përkohshme… Teknologjinë mendore të centrizmit në Europë e ka zëvendësuar dhe po e zëvendëson teknologjia e decentrizmit, ekscentrimit, policentrimit, të përkohshme, kalimtare… Kadare e gjen këtë mall të vjetëruar europian, centrizmin e fillimit të modernes që është përdorë dy-tre shekuj nga europianët, dhe tani që është braktisë ose po braktiset me shpejtësi prej tyre e merr dhe e sjellë ne Shqipëri t’ua shes shqiptarëve… shtrenjtë! Mbledhës i vjetërsirave!

Eurocentrizmi

Mendim centrik është shfaqur si eurocentrizëm: në qendër Europa dhe rreth saj Bota. “Lindje” dhe “Perëndim” përcaktohen nga qendra e Europës. Edhe vetë Europa, duke u nisë nga qendra e vet, ndahet në Europë Perëndimore dhe Europë Lindore. Edhe SHBA ndonëse Japoninë e kanë afër në Perëndim i thonë Lindje e Largët. Kjo terminologji është vendosë nga bashkëudhëtimi i eksploratorëve europian me pushtetin e fushave të tjera, dhe kur mendohej se bota është e sheshtë. Eurocentrizmi i përthyer si “Perëndim” është bërë masë normative-vlerësuese e qytetërimeve të tjera: qytetërimi europian perëndimor është i përparuar, i mirë, i pjekur, modern…; qytetërimet e tjera janë të prapambetura, jo të mira, të papjekura. Qytetërimet, kulturat dhe popujt e tjerë duhet t’i afrohen qendrës, të zhvillohen e përparohen (“developmentalizmi”), të bëhen të mirë (“orientalizmi”), të piqen (“kolonializmi”), të modernizohen (“modernizationism”). Çka nuk është Perëndimore nuk ka vlerë. Vlerë ka çka është Perëndimore. “Perëndimi” bëhet vlera qendrore me të cilën maten të tjerët. Tërë ky arsenal ideshë dhe literature kolonialiste, developmentaliste (zhvilluese), sidomos orientaliste dhe modernizuese në Europën e sotme është sfiduar, modifikuar, shfuqizuar, vjetëruar. Kadare në idetë e tij politike i merr pikërisht aspektet e vjetëruara të tyre, idetë e nxjerra jashtë përdorimit, sidomos të orientalizmit dhe i sjellë në Shqipëri për t’i shitur në tregun e ideve. Mendimin orientalist të Kadaresë e ka argumentuar në mënyrë metodike e sistematike me qartësi të jashtëzakonshme Enis Sulstarova në librin e tij shumë të rëndësishëm për ligjërimin shqiptar “Arratisje nga Lindja” (DUDAJ 2006).

Logocentrizmi

Vetë Perëndimi kishte një masë tjetër për të matur edhe veten: arsyen logjike. Kështu modernja perëndimore është logocentrike. Edhe vetë vlerat morale si e mira dhe e keqja, normat morale të së mirës e të së keqes, përbërësit kulturorë, traditat, historia etj., e vet dhe e të tjerëve, siç thoshte Engelsi, do të dilnin para gjyqit të arsyes dhe ose të justifikonin veten ose të hiqnin dorë nga ekzistenca e vet. Në modernen europiane arsyeja ka qenë bërë kriter dhe vlerë qendrore me të cilën mateshin gjithë vlerat e tjera: liria, barazia, dinjiteti, përparimi, qytetërimet etj., etj. Kështu p.sh. njerëzit kanë dinjitet të posaçëm sepse janë qenie me arsye; të drejtat e lirisë i kanë vetëm njerëzit që kanë arritur një pjekuri të arsyes dhe në përputhje me shkallën e zhvillimit të arsyes. Prej këtej dilte kufizimi i lirisë (politike) tek fëmijët deri sa të arrinin moshën e pjekurisë, kufizimi i lirisë së të sëmurëve psikikë, anormalëve etj. Arsyeja logjike i tregon njeriut rrugën a kalimit nga barbaria në qytetërim, nga “gjendja natyrore” në civilizim, jep të drejtën e pushtetit dhe sundimit. Ashtu si individi që nuk e ka të zhvilluar plotësisht arsyen nuk meriton të gjitha të drejtat e lirisë, ashtu si individit i takon liria në përputhje me zhvillimin e arsyes ashtu edhe popujve dhe qytetërimeve u takon aq liri sa e kanë të zhvilluar pjekurinë e aryes. Shkenca zëvendëson kishën, shkenca beson në një të vërtetë dhe gjithçka tjetër është e rrejshme; ka një sistem vlerash të drejta, një qytetërim të drejtë etj., të cilat na i tregon shkenca sepse mund t’i provojë shkencërisht. Shkenca na dëshmon se shoqëria, kultura, qytetërimi, arti, feja etj., europerëndimore janë të vërtetat, normalet, të arsyeshmet, ta saktat etj., ndërsa shoqëritë, kulturat, qytetërimet, artet, fetë e tjera nuk janë në rregull sepse janë shpirtërore-emocionale e jo të arsyeshme. Këtij logocentrizmi Niçe i hyri ta thërrmojë me çekiç në fillim të shek XX, ndërsa Derrida dhe të tjerë e çmontuan (dekonstruuan) nga mendimi perëndimor në përfundim të shekullit dhe e provuan si paragjykim për të legjitimuar sundimin e Perëndimit mbi pjesën tjetër të botës e cila nuk meriton lirinë sepse nuk është me arsye të zhvilluar sa duhet. Tirania e arsyes u provua sidomos në regjimet totalitare socialiste ku gjithçka do të zhvillohej e planifikuar nga komisione planifikimi me njerëzit më specialistë të fushave përkatëse shkencore si ekonomia deri tek veshja dhe ushqimi i përditshëm i individit. Këto paragjykime të vjetëruara për qytetërimet, kulturat dhe popujt e racat Kadare i gjurmon ku kanë mbetur nëpër Europë dhe i merr t’i sjellë si mall Europe për t’ua shitur shqiptarëve si “gabi” rrobat “firmato”.

Katolikocentrizmi

Në mesjetë qendra e Europës Perëndimore në masë të madhe ishte kisha katolike. Qendra u shpërbë ngadalë e dhunshëm në shumë qendra: kisha anglikane, protestane, luterane, kalviniste etj. Në fund kisha e humbi qendërsinë dhe vendin e saj në qendër e zunë arsyeja, politika dhe shkenca. Ideja se feja dhe kisha duhet të jenë qendra u shua nga modernja europiane. Aq më shumë u braktis ideja se qendra do të duhej të ishte feja dhe kisha katolike. Ideja e qendërsisë së fesë dhe kishës katolike i takon periudhës paramoderne mesjetare dhe as fillimit të modernes europiane. Ideja se qendra e qytetërimit dhe jetës perëndimore duhet me qenë kisha katolike u mbrojtë një kohë nga mendimi që quhet reaksionar europian si de Maistre, Donoso-Cortés apo Papa Piu IX, por pa sukses. Për modernen europiane mesjeta dhe qendërsia e saj kishin vdekur. Kadare shkon, e merr këtë ide të vjetëruar paramoderne, mesjetare, reaksionare europiane dhe dëshiron t’ua shesë shqiptarëve si mallin e fundit europian: Europa është mesjetë, është fanatike katolike, prandaj që të dukeni europianë kthehuni të gjithë në katolikë. Kadare nuk ndalon në idetë dhe mendimin modern europian, qoftë edhe tek modernja e hershme, e vjetëruar tanimë, por shkon tek ide e mendime europiane që vetë Europa i konsideron të vdekura, i mbledhë këto ide dhe i sjellë për shitje në Shqipëri. Gjeneral i mendimit të vdekur! Në përgjithësi mendimi bashkëkohor europian po shkon drejt decentrimit dhe prandaj drejt braktisjes së të gjitha centrizmave të modernes. Por Kadare nuk mund t’i kapë produktet kaq të çmuara europiane. Ai mbetet një mendimtar i vjetëruar, i prapambetur centrist, dhe nga centrizmi katolikocentrik.

Dihotomia

Strukturë qendrore e tekstit të modernes europiane ka qenë dihotomia: struktura e mendimit me kategori polare, binare, dyshe të kundërta si mirë/keq, e vërtetë/ e gabuar, hyjnore/profane, ditë/natë, dritë/errësirë, mashkull/femër etj. Këtë strukturë mendore të modernes e ka nxjerrë në dukje dhe dekonstruktuar veçanërisht Derrida, ndërsa konstatimin dhe rrjedhojat e saj në mendimin shqiptar i ka analizuar filozofi Artan Fuga veçanërisht në librin “Shtegtim drejt guvës së gjarpërit”. Një strukturë e posaçme dihotomike mendimi ka qenë edhe ndarja e qytetërimeve të globit tokësor në dy kategori: “The West and The Rest”, Perëndimi dhe Kusuri. Në kusurin përfshiheshin qytetërimet aziatike, afrikane, ameriko-latine etj. Në njërën anë vihej qytetërimi perëndimor dhe në anën tjetër gjithë të tjerët që merreshin si një, si tjetri i ndryshëm. Qytetërimi perëndimor mendohej si i përparuari, tjetri si i prapapmbeturi. Shumë procese, por veçanërisht proceset globalizuese e kanë shthurur këtë përfytyrim dihotomik. Europa e sotme e kupton qytetërimin europian si një nga qytetërimet e botës. Përfytyrimi dihotomik për qytetërimin e mirë perëndimor dhe jo të mirë tjetër i ka lënë vendin përfytyrimit të shumësisë së kuptimit të vetë “të mirës” dhe “të keqes”; definimit të “të mirës” dhe “të keqes” nga qytetërimet; mungesës së një pike vështrimi të paanshme për vlerësimin objektiv të tyre duke qenë vetë jashtë çdo qytetërimi etj. Sigurisht europianët perëndimorë e konsiderojnë qytetërimin e vet më të mirin. Por kjo është njëlloj edhe për anëtarët e qytetërimeve të tjera që i shohin qytetërimet e veta si më të mirat. Në shumë qytetërime të tjera vlerësohen arritjet e qytetërimit europian perëndimor. Në qytetërimin perëndimor vlerësohen shumë arritje të qytetërimeve të tjera. Shpresohet, pa ndonjë bazë (Rorty), se qytetërimit në kontakt me njëri-tjetrin do të marrin prej njëri-tjetrit elementet që shihen si të mira. Mendimi i Kadaresë është dihotomik. Kadare përpiqet ta marrë, ta ruajë e ta sjellë në Shqipëri mendimin e vjetëruar dihotomik europian “The West and The Rest”. Kjo përpjekje shfaqet veçanërisht në orientalizmin e tij.

Orientalizmi

Një shfaqje me shumë rëndësi e mendimit eurocentrik dihotomik ka qenë ndarja në Perëndim dhe Lindje, Oksident dhe Orient. Në këtë përfytyrim Oksidenti ishte “racional, i virtytshëm, i pjekur, normal”, ndërsa Orienti është “iracional, deviant, i pazhvilluar, inferior”. Shthurja e këtij mendimi në Europën Perëndimore ka filluar herët, është përshpejtuar mbas Luftës së Dytë Botërore dhe është dekonstruktuar rëndshëm nga vitet 1970 e këtej. Një moment i rëndësishëm ka qenë studimi i Edward Said “Orientalism” (1978), i cili nxiti një numër të madh punimesh të frymëzuara drejtpërdrejtë prej tij. Nga ky këndvështrim u dekonstruktua mendimi europian për qytetërimet afrikane. Shumë studime si “Zbulimi i Afrikës”, “Ideja e Afrikës” etj., hulumtuan përfytyrimet e Perëndimit për Afrikën duke analizuar fuqinë e antropologëve, misionarëve dhe ideologëve, përfytyrimet për subkontinentin, për qytetërimet afrikane etj; Në këtë vijë u realizuan shumë studime si “Përfytyrimi i Indisë”, përfytyrimet për Azinë në përgjithësi etj. Me strukturat mendore dihotomike të tipit “The West and the Rest” dhe strukturat e orientalistikës Kadare përpiqet të argumentojë si të vlefshme tek shqiptarët vetëm “The West – Perëndimoren” dhe të fshijë të tërin “The Rest – Kusurin”, veçanërisht “orientalen”. Me lehtësi Kadare fshinë nga trashëgimia dhe prania e tashme tek shqiptarët trashëgiminë bizantine dhe osmane, të dyja lindore (orientale) dhe nxjerrë në dukje vetëm “oksidentalen”. Me lehtësinë që i krijojnë strukturat e vjetëruara mendore Kadare fshinë dy të tretat e përbërësve kulturor shqiptar, elementet bizantin-ortodoks dhe osman-islamik, e, po të shtohen edhe elementet pagane mjaft të pranishme, madje edhe në besimet fetare, del se Kadare fshinë me lehtësi tri të katërtat e elementëve identitarë të kulturës shqiptare. Në qoftë se pranon se ka diçka orientale tek shqiptarët, në stilin e mendimit orientalist, atë e pranon vetëm si fatkeqësi, sepse sipas këtij mendimi të vjetëruar në Europë orientalja është e keqe, iracionale, e papjekur etj. Sot në Europën Perëndimore gjithë programi i orientalistikës dhe përfytyrimet e prodhuara prej saj për popujt, qytetërimet, kulturat, filozofitë konsiderohen të vjetëruara dhe të papërdorshme. Ndërsa mendimi i Kadaresë është orientalist. Ismail Kadare ka shkuar në Europë, i ka marrë këto ide të vjetëruara dhe të papërdorshme dhe i sjellë në Shqipëri për t’ua shitur shqiptarëve si “gabi” rrobat e vjetra.

Dija-pushtet

Orientalistika ka qenë disiplinë akademike perëndimore dhe përfytyrimet e prodhuara prej saj kishin autoritetin e shkencës. Kjo dije thoshte se Orienti është iracional, i papjekur, i pazhvilluar. Dijet për orientin paraqiteshin si dije shkencore, pra me autoritetin e të vërtetës. Mishel Fuko ka argumentuar se çdo dije është njëkohësisht pushtet, se nuk ka ndarje midis shkencës e politikës, artit, mitit, fesë etj. Analiza e dijeve të prodhuara nga orientalistika tregoi se ato ishin dije që synonin pushtetin e Perëndimit mbi Lindjen dhe qytetërimet e tjera (si afrikane, indigjene amerikanolatine etj.). Idetë e orientalistikës bashkoheshin me idetë e modernes së hershme për lirinë. Mendimi liberal, duke përfshirë mbrojtësin me të shkëlqyer të lirisë, Xh. St. Mill, kishte argumentuar se liria u takon vetëm individëve të arsyeshëm, të pjekur, të zhvilluar dhe, ashtu si individëve, vetëm popujve të arsyeshëm, të pjekur, të qytetëruar. Fëmijët dhe popujt e papjekur duhen marrë nën kujdesin e të pjekurve, nën paternalizmin e popujve të qytetëruar. Në qoftë se, siç provonte shkenca orientaliste popujt joperëndimorë ishin të papjekur, atëherë atyre nuk u takonte liria. Kështu kolonizimi i Orientit nga Oksidenti është i legjitimuar, jo vetëm i drejtë, por edhe në të mirë të Orientit. Orienti kishte krijuar, si kundërpërgjigje, stereotipet dhe përfytyrimet e veta (të pabazuara) për “Oksidentin” si materialist, i pashpirt, imoral etj. Tanimë mendimi orientalist, përfytyrimet e krijuara prej tij për popujt e tjerë të Afrikës, Azisë etj., në emër të shkencës janë provuar si dije për pushtetin e Perëndimit mbi Lindjen, e kolonializimit. I dekonstruktuar si thjeshtë dije-pushtet, si ideologji kolonalizimi, në mendimin e sotëm europian “orientalizmi” është dije e vjetëruar e shekujve të fillimit të modernes europiane. Në mendimin liberal ideja e Millit për lirinë e popujve është vjetëruar nga zhvillimet e mëvonshme të këtij koncepti nga filozofët liberalë europianë. Ndërsa Kadare e bën këtë tog të ideve dhe përfytyrimeve orientaliste, të vjetëruara e të nxjerra jashtë përdorimit në Perëndim, burimin kryesor të furnizimit të mendjes së vet dhe vjen t’i shesë tek shqiptarët këto ide si “gabi” mallrat e vjetra.

Homogjeniteti

Një karakteristikë e mendimit të modernes së hershme europiane ka qenë mendimi me kategori homogjene. Mendimi dihotomik homogjenizonte njëkohësisht dallimet e shumta në kategori polare. Në rastin e orientalizmit i fshinte të gjitha dallimet ndërmjet qytetërimeve dhe besimeve si indian dhe hinduistë, konfucian e budist, islamik e arabe etj., dhe i përmblidhte në një kategori “Orienti” përballë kategorisë tjetër homogjene “Oksidenti”. Dekonstruimi i sistemeve homgjene të kuptimit nga postmodernja gati e ka nxjerrë jashtë përdorimit në Perëndim. Vendin e tij e ka zënë secilën herë e më shumë ideja e heterogjenitetit, larmisë, të veçantës, ndryshimit dhe repektimi i të ndryshmes. Me mendimin e vet homogjenizues Kadare fshinë larminë e Europës së sotme, madje ndryshimin e Europës së sotme me Europën e kaluar mesjetare katolike, e homogjenizon në një term “europiane – perëndimore” si të ishte një e vetme pa ndryshime, pa larmi. Mbasi homogjenzon edhe gjithë Lindjen duke përfshirë në një term “orient” njëlloj qytetërimin kinez, bizantin e osman dhe qytetërimet e kulturat e sotme të rajoneve të tëra të botës, krijon strukturën polare të “së mirës” dhe të “së keqes”. Me këtë strukturë mendore homogjenizuese Kadare e ndanë kulturën shqiptare në “oksidentale” e “orientale” dhe kërkon homogjenizimin e saj duke zhdukur “orientalen”, “të keqen”. Gjithë veprimtarinë e tij e ka përqendruar në homogjenizimin e kulturës shqiptare në dy drejtime: homogjene si “qytetërim Perëndimor” dhe homogjene si “fetarisht katolik”. Edhe vetë këto dy nocione i homogjenizon në një duke barazuar “europian”, “qytetërim perëndimor” me “= katolicizëm”. Për këtë strukturë mendore homogjenizuese të tij larmia e elementëve përbërës të kulturës dhe larmia fetare e shqiptarëve përjetohen vetëm si pengesa, si diçka e keqe që duhet hequr. Mendimi homogjen dhe homogjenizues është dekonstruktuar dhe vjetëruar në Europën Perëndimore. Prandaj Kadareja, si qëmtues mallrash të vjetëruara, shkon, e merr dhe e sjellë ta shesë në Shqipëri.

Si përmbyllje

Si përmbyllje mund të përmbildhen, sa për fillim, disa karakteristika të mendimit të Kadaresë: mendimi kadarean është centrik, katolikocentrik, dihotomik, orientalist, homogjenizues, përjashtues i tjetrit të ndryshëm. Të gjitha këto janë mendësi të një moderneje të hershme europiane që janë dekonstruktuar, çmontuar dhe vjetëruar në “Oksidentin” europian, sidomos në Francë. Në mendimin e vet Kadare ka qenë dhe ka mbetur një modern i hershëm, i vjetëruar, jashtë kohe. Ndokush mund të nxjerrë përfundimin dëshpërues se nëse edhe Kadare që ka qenë i privilegjuar në kontaktet me Europën, dhe edhe sot jeton në Paris, ka mbetur një europian i vjetëruar, atëherë pak mund të shpresohet se shqiptarët e zakonshëm, në fshatrat e thella e metropolet urbane qenkan europianë. Përfundimi i tillë nuk është krejt pa bazë. Vëzhgime dhe studime dëshmojnë se shqiptarët mund të jenë më afër kulturës amerikane se europiane. Qytetërimi dhe sistemi i sotëm europian është larguar shumë nga fillimet e modernes. Në shumë drejtime ajo është në modernitetin e vonë ose, madje, në postmodernitetin, në zhvendosjen që shumë vite nga vlerat materiale e tradicionale në ato postmateriale e postmoderne. Idetë, vlerat dhe kultura e modernes së hershme dhe klasike konstatohen shumë më tepër në SHBA e cila pak a shumë ka mbetur në atë sistem vlerash me të cilat emigroi nga Europa e fillimit të modernes dhe klasikes moderne. Kultura shqiptare ka filluar të marrë diçka nga kultura, qytetërimi dhe sistemi i vlerave të modernes së hershme e klasike europiane. Por ndërkohë Europa ka ecur shumë në rrugën e vet pioniere, hulumtuese, eksperimetuese për një shoqëri më të mirë. Përfundimi se “derisa Kadare nuk është europian aq më pak janë të tjerët” është edhe i pabazë: Kadare nuk është as njeriu më i kulturuar shqiptar, dhe as njeriu më i përshtatshëm për ndryshimin e sistemit të vet të vlerave dhe ecjen me hapin e Europës. Ai tanimë është shumë i vjetër. Dhe mbi të gjitha i vjetëruar.

Ironia e mbrojtësve të Kadaresë

Kohëve të fundit mbrojtësit e Kadaresë janë sjellë në mënyrë pamëshirshëm ironike me të. P.sh. kanë thënë se Kadare nuk ka kërkuar konvertimin kolektiv të shqiptarëve në një fe, në fenë katolike, nuk e urren islamin, nuk është islamofob, nuk e urren bizantin dhe besimin ortodoks, i vlerëson të gjitha besimet e shqiptarëve, nuk ka ide raciste etj., etj. Kjo duket si një mënyrë ironike për t’i thënë të mos i ketë këto ide. Problemi është se Kadare kërkon mbështetje për thirrjen e lëshuar para gati pesëmbëdhjetë vjetësh që shqiptarët të kthehen në katolikë, mbështetje për idenë se Europa nuk na pranon pa u kthyer në katolikë, mbështetje për idenë se qytetërimet orientale janë të këqija dhe na kanë sjellë të këqija, mbështetje për idenë se… Ndërsa mbështetësit e tij ia mohojnë se ai i ka këto ide. Po atëherë mbetet pa kuptim se çka i duhet Kadaresë mbështetja e tyre, në qoftë se nuk i mbështesin idetë e tij për të cilat po sakrifikon kaq shumë veten. Një pjesë e tyre me sa duket e dinë mirë se idetë politike të Kadaresë janë mallra shumë të vjetëruara për epokën e sotme të mendimit europian. Dhe duan ta shpëtojnë.

Dr. Hysamedin Feraj autor i shumë artikujve publicistikë, kritikë dhe analitikë mbi politikën shqiptare në të kaluarën dhe të sotmen. Është autor i tekstit universitar “Hyrje në shkencat politike”, autor i monografisë “Skicë e mendimit politik shqiptar”, dhe i shumë eseve kritike si “Kriza e përkryer në Shqipëri”, “Pamundësia e kozmopolitizmit shqiptar” etj. Është pjesmarrës si lektor i ftuar në Universitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë Universitetin e Prishtinës, Universitetin Ndërkomëbtar të Vlorës, në seminare, konferenca dhe këmbime përvojash në Universitete Europiane dhe të SHBA-ve.

Obsever.al

20 KOMENTE

  1. Ky shkrim, vlersoj me qasje shume te drejta, vjen si nje qetesues pas deklaratave hapabarkese te shkrimtarit te madh dhe njeriut te lig I.Kadare, te cilit, si duket, do i dale shpirti me kto mend, ne pushimoret servile prane dyerve ku jepet cmimi nobel ne letersi…
    ps: vetem skuptova ku shfaqej serbofilia e tij, persakohe katolikocentrizmi dhe dihotomia e tij nuk e lejojne te jete serbofil ?!

  2. Ah çmimin Nobel e ka në mendje vdes për të ,ky fundrrinë komuniste e kalorës i krishterimit .

    “Thuaj: “Vdisni me mllefin tuaj” se me të vërtetë Allahu është i Dijshëm për atë se çka ka në ato gjoksa” (Al Imran 119)

  3. ma injorant se kto nuk kom pa.po ne mes te anglis kryebashkiakun e zgjodhen musliman.po ju jeni injorant kurr nuk keni me e kuptu se europa nuk na ka dashte kurr qe ne 1912 se europa nuk don servila.si ju shoku ismail kaderrja

  4. Te ishin kaloresa armiq ja bojshim hallall po keta jane qe shkrujne e i lexojne po vete dhe pas ca vitesh i mohojne po vete. Por evropes i duhen se ata u bajaten me rrenat e veta ,tani duan ti japin pak nuanca orientale

  5. Asht e ” vërtet” se krishti ka origjin Europiane dhe katolicizmi” ka lind “në Suedi
    Ka shkrimtar dhe shkronjëtar,shkronjëtarëve ju shkon gjuha aty ku dhem dhomi.

  6. O azilant po çfare te detyroi te ikesh ne France? Per ty o njeri i pavlere do ishte ekstradimi te jepje llogari per krimet qe ke bere kunder tjereve o spiun. Nese shqiptaret qe iken ne 1990 i quajte jashteqitje dije qe ti je kryehaleja me e madhe.

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.