Nga John Bell dhe John Zada

Një histori tipike nga Lindja e Mesme vijon si më poshtë: një burrë, në mes të një sheshi, pyet një plak të urtë ulur afër tij se çfarë është fati. I dituri ia kthen: “Një gërshetim i pafundmë ngjarjesh, ku secila ndikon tek tjetra.

Kur pyetësi i thotë se nuk po kupton, burri i mençur bën me gisht në drejtim të turmës në rrugë:

“Atë burrin po e  marrin për ta varur,” thotë ai. “A po ndodh kjo për shkak se dikush i dha atij një monedhë argjendi dhe ia mundësoi të blinte thikën për të kryer vrasjen, apo sepse dikush e pa duke kryer krimin? Apo sepse askush nuk e ndaloi ta bënte?”

Në javët dhe muajt e fundit, zëra që përsëriten deri në mërzitje, teori dhe opinione në televizione dhe mediat sociale, kanë hedhur idenë se dikush tjetër është krejtësisht përgjegjës për “krijimin” e ISIS-it.

Shumë prej këtyre ideve përqëndrohen te Shtetet e Bashkuara si fajtori i vetëm, i cili, nëpërmjet pushtimit të Irakut apo mënyrave të tjera të poshtra, ka krijuar këtë monstër.

Në përsëritjen e fundit të kësaj diagnose, Donand Trump-i, gjatë një fjalimi bombastik, ka fajësuar Obamën dhe Klintonin për krijimin e ISIS-it. Arsyeja për pretendimin e tij është e paqartë, por gjithsesi, çdo gjë vlen për aq kohë sa mund të shitet.

Përgjegjësia e kulturës

Loja e fajësimit nuk është e re. Jetojmë në një kulturë ku gjithmonë faji është i tjetrit. Ndiejmë njëfarë rehatie kur faji është i dikujt tjetër. Unë fitoj, ata humbasin. Prandaj, narrativa për konfliktet e pafundme përreth botës është e pranishme në lajme.

Megjithatë, kjo lloj mënyre të menduari e përbashkët, sidomos në politikë, fare mirë mund të jetë një shtrembërim i realitetit, i cili është padyshim shumë më i ndërlikuar.

Puna është se kushdo që është i interesuar të dijë se kush (apo çfarë) e “krijoi” ISIS-in (apo cila situatë), duhet të marrë parasysh se janë në lojë shumë faktorë, të cilët ndërthurën sëbashku si fijet e një sexhadeje apo uebi, dhe është e paqartë se ku nisin e ku mbarojnë këta faktorë. Ky nuk është lajm i mirë për ata që e duan botën bardhë e zi. Por me gjithatë, ky është realiteti.

Është e vërtetë se Shtetet e Bashkuara kanë shumë rol në ngjarjet e sotme në Lindjen e Mesme, përfshirë evolimin e ISIS-it. Pushtimi i Irakut dhe Afganistanit, “lufta kundër terrorit” dhe mbështetja për regjimet me dorë të hekurt në rajon përgjatë viteve kanë ndihmuar në dobësimin e shteteve dhe krijimin e një mentaliteti që shkakton regime të dhunshme.

Megjithatë, ky është vetëm një dimension i historisë së ISIS-it. Ashtu si pasojat e ndikimit të ISIS-it, që nga kriza europiane e refugjatëve, te terrori në Lindjen e Memse, te rritja e nivelit të sigurisë në aeroporte dhe profilizimi racor. Pra gjeneza e tij është po aq e ndërlikuar.

Paqartësia e ngjarjeve

Si mund t’i ndajmë nga njëra-tjetra ngjarjet që kanë ndikuar në krijimin  e këtij grupi? Le të marrin për shembull:

– Shkrimet e Sejid Kutbit, predikuesit egjiptian, i ekzekutuar nga regjimi i Gamal Abdel Naseri. Shkrimet e Kutbit u përhapen në Lindjen e Mesme në mesin e shek. XX dhe kanë shërbyer si frymëzim për shumë grupe, njëri pas tjetrit;

– Vendimi i Sadam Husejnit për të pushtuar Kuvajtin, i ndërthurur me sulmet e Osama Bin Ladenit kundër Shteteve të Bashkuara çuan në pushtimin amerikan dhe shpërbërjen e Irakut;

– Vendimi i Bashar Al-Assadit për të bërë një sy qorr ndaj militantëve sirianë që kalonin në Irak për ta luftuar forcat amerikane, disa prej të cilëve kanë qenë të nxitur për dhunë, pjesërisht edhe nga tirania e Assadit;

– Rrënimi i procesit izraelo-palestinez, i vënë në lëvizje kur Yigal Amir tërhoqi këmbëzën e armës së tij duke vrarë kryeministrin izraelit Izak Rabin, duke lënë kështu një plagë palestineze të hapur në psikologjinë e arabëve;

– Përpjekjet e përbashkëta të Iranit dhe ish-kryeministrit iraken Nuri Al-Maliki për të shtypur sunitët në Irak;

– Martesa e rastësishme dhe e dyshimtë e zyrtarëve të shërbimit sekret baathist iraken, ideologëve fetarë dhe ekspertëve të mediave sociale nga e gjithë bota;

– Financimi i rezistencës siriane nga Arabia Saudite dhe Turqia;

– Dhuna policore që çoi tunizianin Muhamed Bouazizi t’i vinte flakën vetës, duke ndezur Pranverën Arabe dhe trazirat që pasuan, të cilat dobësuan shumë shtete në rajon;

– Prania e teknologjisë që e lejon ISIS-in të amplifikojë mesazhin e tij dhe ta transformojë atë në një lëvizje globale koherente.

– Vendimi i çdo anëtari të ISIS-it për t’iu bashkuar radhëve të tij. Ndoshta për shkak të paaftësisë së vendeve dhe kulturave të tyre për t’i plotësuar nevojat e tyre e për t’u siguruar atyre një jetë normale – duke i tunduar ata tragjikisht drejt qëllimeve të errëta, larg nga ato jetë të zbrazëta e të tjetërsuara.

Shkaku dhe pasoja

Të gjithë këta faktorë, përfshirë edhe ata me të vegjlit që nuk janë raportuar asnjëherë, janë ndërthurur me njëri-tjetrin dhe kanë krijuar ISIS-in. Ku fillojnë dhe ku mbarojnë? Si ndërthurën me njëri-tjetrin?

Disave kjo mund t’u duket si drethi; një pasqyrim jo i qartë i shkakut dhe pasojës. Sigurisht, kjo nuk mund të konkurojë me pjesët e shkëputura të fjalimeve të Donald Trumpit, as me paragjykimet e lexuesve që kanë vendosur tashmë se cili është djalli i tyre i preferuar, e që e ndajnë fajin në varësi të rrethanave.

Megjithatë, kjo është në fakt natyra e gjërave: të gjitha ngjarjet përplasen dhe ndërthuren me njëra-tjetrën; të gjitha ndodhitë përbëjnë një tërësi organike.

Kjo mund të duket si mënyrë për të hequr përgjegjësinë, e megjithatë mund të jetë edhe krejt e kundërta. Ky arsyetim e bën më të rëndësishëm çdo gjë që bëjmë (apo që  nuk bëjmë), çdo veprim dhe çdo hap si komb, kultura apo individë. Prandaj të gjithë jemi nga pak përgjegjës. E këtu ndodhet përgjigjja.

Disa veprime kanë pasoja më të mëdha, e disa ngjarje kanë një shkak të qartë të drejtpërdrejtë. Megjithatë, t’ia hedhin fajin një aktori të vetëm apo një ngjarjeje është thjeshtë paragjykuese. Është një reflektim i një axhende dhe një varësie fëminore që kërkon një botë thjeshtë bardh e zi. Në këtë mënyrë realiteti shtrembërohet e ne bëhemi të verbër përballë kontributit dhe rolit tonë në lindjen e një të keqe të madhe apo të vogël, apo diçkaje të mirë, në një botë komplekse e të ndërlidhur.

John Bell është drejtor i programit për Lindjen e Mesme pranë Toledo International Centre for Peace në Madrid. Është një ish-diplomat kanadez në OKB. Ka shërbyer si këshilltar politik i përfaqësuesit të Sekretarit të përgjithshem të OKB-së në Libanin jug-lindor dhe si këshilltar i qeverisë kanadeze.
John Zada është gazetar i pavarur me banim në Toronto të Kanadasë.

Observer.al


(Ky material nuk mund të kopjohet pa lejen paraprake të Observer.al. Për informacione kontakto [email protected])

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.