Nga Eric Lewis | CNN

Të enjten, në New Hampshire (SHBA) Donald Trump-i dështoi të kundërshtonte një (mbështetës të tij – sh.p.) të panjohur i cili tha: “Kemi një problem në këtë shtet. Ata janë muslimanët! Ju e dini se presidenti ynë i tanishëm është një prej tyre. Ju e dini, ai nuk është as amerikan.”

Gjashtëdhjetë e gjatë për qind e mbështetësve të Trump-it besojnë se Obama është musliman, njësoj si 54% e të gjithë votuesve republikanë, sipas një sondazhi të Public Policy Polling.

Dikush mund të thotë: “Çfarë problemi ka nëse njerëzit besojnë se Presidenti është musliman? Në fakt ai nuk është musliman. Ai është një i krishterë praktikues. Por problemi është se feja e kandidatëve nuk është çështje politike.” Mahatma Gandi i famshëm ka thënë njëherë se ai ishte hindu, musliman, i krishterë, budist dhe hebre – por kjo para se ai te vritej nga një hindu fanatik.

Në vitin 2008, kandidati republikan për president, John McCain, ia ndërpreu fjalën një gruaje e cila e akuzonte Obamën se ishte arab, duke iu përgjigjur asaj: “Jo zonjë, ai vjen nga një familje e respektuar” (sikur këto të dyja të ishin të papërputhshme me njëra-tjetrën). Ndërsa Trump­-i dështoi duke mos iu kundërvënë kësaj gjuhe të shëmtuar. Dhe siç e ka zanon, ai reagoi më pas në Twitter duke thënë: “Mos jam unë i detyruar moralisht që ta mbroj presidentin sa herë që dikush flet keq për të? Nuk ma merr mendja!” në një postim tjetër në Twitter shtoi: “Të krishterët në vendin tonë (dhe në botë) kanë nevojë për mbështetje. Liria e tyre fetare është në rrezik! Obama ka qenë i tmerrshëm (në këtë drejtim – sh.p.), por unë do të jem i jashtëzakonshëm.”

Por, kjo nuk ka lidhje me mbrojtjen e Obamës apo të krishterëve. Ka të bëjë me dështimin për të njohur dinjitetin fetar të çdo amerikani, në vend që të vënë grupet e ndryshme kundër njëri-tjetrit në një lojë boshe.

Të dielën, Trump-i  tha për CNN-in se disa nga miqtë e tij më të mirë janë muslimanë. Megjithatë, ai tha edhe se nuk ishin suedezët ata që i hodhën në erën Kullat Binjake dhe tha se kemi një problem me muslimanët radikalë. Sigurisht, vrasjet në masë në Oslo u kryen nga një norvegjez, vrasjet në Oklahoma dhe Charleston u kryen nga supremacistët e bardhë. Demonizimi i një grupi të tërë vetëm e përkeqëson problemin dhe të bën pjesë të lojës së atyre që urrejnë.

Akuzimi i njerëzve si zezakë të fshehtë apo çifut të fshehtë – ndërsa tani si muslimanë të fshehtë – është një histori e vjetër në historinë e fanatizmit amerikan. Ekspozimi i këtij “sekreti të errët” racor apo fetar ka për qëllim që të zbulojë diçka “të turpshme dhe diskredituese”. Ndoshta është një shenjë progresi fakti që republikanët nuk kanë nevojë të nisin një fushatë thashethemnajash në lidhje me ngjyrën e lëkurës së Obamës. E megjithatë, është një shenjë regresi fakti që ai trajtohet me kaq mungesë respekti dhe me përbuzje.

Sipas kënvështrimit të kritikëve të tij ekstremë, ky President afro-amerikan shfaqet si i krishterë vetën nga jashtë, por në fshehtësi ai është musliman. Me musliman ata nënkuptojnë radikal, e me radikal nënkuptojnë terrorist. Ky nuk është gjë tjetër veçse një lloj mesazhi i fshehtë për të vënë në dukje “tjetrin” tek Obama dhe idenë se muslimanët nuk janë amerikanë të vërtetë. Kjo është një lojë me pasoja të rrezikshme, e cila u përkeqësua me incidentin e Trump­-it.

Pasi Donald Trump­-i dështoi ta ndërpriste këtë përçarës të lindur, folësi vazhdoi: “Gjithsesi, ne kemi kampe trajnimi, të cilat po shtohen, ku ata duan të na vrasin,” tha burri, i cili kishte veshur një bluzë ku shkruhej emri i Trump-it. “Pyetja ime është kjo: Kur do t’i heqim qafe muslimanët?”

“Jemi duke marrë parasysh shumë gjëra,” u përgjigj Trump-i. “E dini, shumë njerëz e thonë këtë. Shumë njerëz thonë se po ndodhin gjëra të këqija. Do t’i shohim këto e shumë gjëra të tjera.”

Ka rreth 5 deri në 7 milionë muslimanë në Shtetet e Bashkuar, shumica e të cilëve janë afro-amerikanë. Është grupi fetar me rritjen më të madhe. Pjesa dërrmuese e muslimanëve në Shtetet e Bashkuara jetojnë ligjërisht, janë të begatë, paqësore dhe të mirë edukuar.

Të enjten në mbrëmje, një fanatik u ngrit dhe i quajti muslimanët “një problem në këtë vend,” ndërsa kandidati kryesor republikan për president tha se “po merr parasysh shumë gjëra,” e nuk ka dyshim se ai do të dalë me një plan, të cilin ai do ta përshkruajë si “të frikshëm.”

Nëse një kandidat për president do t’i përgjigjej në këtë mënyrë një pyetësi në lidhje me hebrenjtë, homoseksualët apo njerëzit handikapë, reagimi me siguri do të ishte shumë i fortë e i mbushur me zemërim. Në shumë vende do të konsiderohej si hate speech, përfshirë këtu Gjermaninë, e cila tani po merr rreth 800 mijë refugjatë (muslimanë) nga Siria dhe Lindja e Mesme, e nuk po përpiqet t’i “heqë qafe”. Gjuha e urrejtjes (kundër muslimanëve) duhet të marrë fund! 

Observer.al

4 KOMENTE

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.