Mania anti-islame e të djathtës italiane dhe përdorimi i krishtërimit si justifikim

E djathta italiane, e djathta e sotme, ku Giorgia Meloni së bashku me Matteo Salvini kanë udhëheqjen e padiskutueshme, ka zgjedhur të paraqitet në sytë e grushtit të saj elektoral të mundshëm si një pikë referimi dhe bastioni kundër një rreziku të supozuar dhe të afërt islam.

0

Nga Carlo Delnevo

Gjatë emisionit të 24 prillit 2019 në programin televiziv “Fuori dal coro/Jashtë korit”, gazetari Mario Giordano, përsëriste i fiksuar gjatë gjithë kohës, e kur flasim për kohë televizive bëhet fjalë për gati një përjetësi, me zërin e tij të çjerrët dhe shurdhues: “terroristët islamikë!”. E përsëriti këtë deri në rraskapitje dhe nuk dukej se donte të ndalej. Një skenar i stisur për të ngjallur ankth dhe ndjenjën e revoltës e neveritjes tek shikuesit.

Me të njëjtën koherencë logjike, performanca e Giordano mund të ishte përsëritur me rastin e çdo ndërmarrjeje të përgjakshme të ndonjë supremacisti të bardhë, duke bërtitur pafund: “terroristë të krishterë!”. Por këtu s’ka shumë të bëjë llogjika, por kanë të bëjë ideologjia dhe propaganda.

Giorgia Meloni e mori këtë videon e Mario Giordano të rraskapitur (me thënë të drejtën nuk ishte hera e parë dhe nuk do të jetë as e fundit që Giordano interpreton një shfaqje të tillë) dhe e poston në faqen e saj në Facebook duke komentuar: “Le t’i quajmë gjërat me emrin e tyre: TERRORIZËM ISLAMIK!”. Një Mario Giordano i shkëlqyer i shërbën narrativës si të mirët kur bëhët fjalë për masakrën e të krishterëve në Sri Lanka. Me “Fratelli d’Italia” do të shkojmë në Evropë për t’i thënë JO procesit të islamizimit që po vazhdon. Ne duam një Evropë që mbron komunitetet e krishtera të persekutuara në botë! 

Po pikërisht ajo, Giorgia Meloni, dora vetë, zonja e paturpshme që vendos luftimin e “fondamentalizmit islamik” në programin zgjedhor të partisë së saj; zonja e patundshme që pretendon se predikimet në xhami duhet të predikohen në italisht dhe jo në arabisht, sikur arabishtja të mos ishte gjuha përfaqësuese e islamit, dhe në përgjithësi një gjuhë që flitet aktualisht nga Deti i Kuq deri në skajet perëndimore të Afrikës Atlantike nga qindra miliona qenie njerëzore, por në vend të kësaj flitet sikur të ishte një kod sekret i përdorur për të transmetuar mesazhe që as ajo dhe as Digos nuk mund t’i kuptojnë.

E djathta italiane, e djathta e sotme, ku Giorgia Meloni së bashku me Matteo Salvini kanë udhëheqjen e padiskutueshme, ka zgjedhur të paraqitet në sytë e grushtit të saj elektoral të mundshëm si një pikë referimi dhe bastioni kundër një rreziku të supozuar dhe të afërt islam, një Islam i cili luftohet në nivelin e propagandës, qoftë duke shkelur të drejtën e muslimanëve për të ngritur vendet e tyre të adhurimit, dhe këtë të mbështetur nga një rrymë e mendimit neo-konservator për të cilën studiuesi akademik Lorenzo Vidino është përfaqësuesi më i njohur.

Një rrymë mendimi, të cilën e djathta italiane e ka përvetësuar, e cila ka zhvilluar teorinë e një islami dinak dhe të përhapur, i cili do të imponohej në Perëndim duke përdorur një udhë të dyfishtë: nga njëra anë do të synonte pushtimin paqësor allagramshi të pushtetarëve, duke hyrë nëpër shtëpi kulturore, shtëpi botuese, universitete; me anë të hapjes së xhamive kudo, ndoshta me para nga Katari dhe kush e di se nga ku tjetër, dhe duke shtrirë kështu sferën e tij të ndikimit; nga ana tjetër, do të vepronte në një nivel thjesht ushtarak, duke infiltruar terroristë të mundshëm nëpër anije me njerëz të dëshpëruar që lundrojnë nëpër ujërat e Mesdheut çdo ditë, veçanërisht në verë, duke kryer sulme të dhunshme terroriste që synojnë mbjelljen e panikut në popullatë dhe deri në zhdukjen e forcave mbrojtëse perëndimore dhe të krishtera.

Islami, sipas kësaj narrative, zëdhënëse të së cilës kohë më para ka pas qenë Fallaci, do të ndjekë një strategji të artikuluar me dy drejtime. Grumbulli i muslimanëve të cilët në dekadat e fundit kanë zbarkuar në Itali dhe Evropë si pasojë e procesit të migrimit, hapjes së xhamive dhe qendrave kulturore, ndërsa episodet e dhimbshme dhe të përgjakshme terroriste do të përbëjnë një model të vetëm përmbysës që synon ta bëjë Evropën dhe të gjithë Perëndimin asgjë më shumë se një “Dar al Islam” pra një tokë islamike.

E gjithë kjo do të presupozonte një qendër vendimmarrëse të aftë për të koordinuar strategjitë dhe veprimet që synojnë pushtimin e botës. Gjë tepër absurde dhe shumë larg nga realiteti. Kjo sepse bota muslimane ka mbi një miliard e gjysmë besimtarë, me një botë të artikuluar dhe komplekse, ku dallimet dhe rivalitetet janë të shumta dhe të imagjinohet një qendër e vetme okulte që koordinon dhe drejton veprimet e nevojshme për pushtimin e territoreve joislamike, thjesht nuk ka kuptim.

Njerëzit e Afrikës së Magrebit dhe nën-Saharës vijnë në Evropë në kërkim të punës dhe një jete dinjitoze, duke sjellë me vete historinë e tyre, zakonet, e mbi të gjitha besimin e tyre, por duke dashur thellësisht paqen dhe bashkëjetesën civile në vendet pritëse. I ashtuquajturi “terrorizëm islamik”, i cili s’ka të bëjë aspak me atë që përflitet nga narrativa në fjalë, është i nxitur dhe i organizuar pikërisht në një funksion anti-musliman, nuk është asgjë më shumë se reagimi i pakice të papërfillshme, ndërsa ne po flasim për disa mijëra individë nga një miliard e gjysmë muslimanë, një reagim që shpesh provokohet nga një Perëndim i përfaqësuar kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, dhe i cili kurrë nuk hoqi dorë nga ëndrrat e tij për hegjemoninë koloniale, duke përdorur sistematikisht bombardime çnjerëzore dhe ndërtimin e burgjeve ku praktikohet tortura, si Abu Graib dhe Guantanamo, duke përçmuar absolutisht shpirtin, njerëzimin dhe dinjitetin e tërë popullatës muslimane.

Për t’u kufizuar në të folurit vetëm në lidhje me dekadën e fundit, agresioni kundër Irakut dhe Afganistanit është shtuar me kalimin e kohës në plagën e përhershme të paqes të shkaktuar me themelimin e shtetit zionist dhe me politikën e tij jashtëzakonisht agresive të aneksimit neokolonial të territoreve palestineze. .

Kjo e djathtë ka mbledhur të gjitha stereotipet anti-muslimane të një arsenali që tani duhet t’i përkasë së kaluarës; shekujt e Kryqëzatave, beteja detare e Lepantos dhe rrethimi i Vjenës, et pour cause, siç thonë francezët.

Matteo Salvini, në kërkim të një miratimi, aktron teatrin e rruazave kishtare (tespih për të krishtetët) dhe ia beson zemrën e tij të patëmetës Mari, duke iu drejtuar asaj pjese të botës katolike që mezi e ka përtypur kishën post-pajtuese, dhe që varion nga sedevacantistët deri tek kishat protestante si të Imzot Viganò; një botë katolike për ca kohë tani e ndarë me thikë midis bergolianëve pak a shumë progresistë dhe konservatorëve të shkallëve dhe intensiteve të ndryshëm.

Me siguri, Matteo Salvini dhe Giorgia Meloni e dinë mirë se një Krishterim perëndimor nuk ekziston më prej shekujsh, se procesi i shekularizimit ka vazhduar si për inerci dhe se bota moderne është një botë që jo vetëm ka zhveshur çdo dimension shpirtëror nga sektori privat, por synon në thelb shtypjen totale të këtij dimensioni.

Dhe pikërisht këtu qëndron qenia krejtësisht “e huaj” e Islamit. Këtu qëndron pikërisht “tëhuajsimi” i vërtetë i islamit, një tëhuajësim që tolerohet shumë keq në vendet perëndimore laike dhe afetare, një tëhuajësim që ka të bëjë me refuzimin e një feje të reduktuar në një çësthje thjesht private, së bashku me refuzimin e dy planeve të ndara: ai shtetëror dhe shekular dhe ai shpirtëror dhe fetar. Nëse ka një Krijues, nuk ka gjë që mos t’i përkasë.

Dhe si mund ta anashkalojmë, si ta përtypim, por pak flitet për këtë, refuzimin që Islami i bën  “ribas” pra i huasë me interes, në një botë, asaj perëndimore, ku financat, fajdja, krijimi i parave nga asgjë përbëjnë shtyllat kryesore të ndërtimit?

Sidoqoftë, për përfaqësuesit e zakonshëm të kësaj të djathte, nuk përbën kërcënim shekularizimi, as një shoqëri që po shkon drejt një të ardhme shqetësuese ku qenia njerëzore e njohur deri më tani do të dëshironte të zëvendësohej nga një krijesë e shkëputur nga çdo përkufizim seksual dhe çdo funksion riprodhues, një botë ku erotizmi dhe funksioni riprodhues janë d’hor et dejà plotësisht të ndara, një botë ku në fakt shkenca dhe teknologjia janë e vetmja fe e aprovuar dhe e padiskutueshme, por, sipas dyshes Meloni-Salvini, Islami është kërcënimi i vërtetë dhe i tmerrshëm për një botë që ekziston vetëm në kokën e tyre. 

E djathta italiane, me Salvinin që tund rruazat dhe mban me vete Ungjillin, ka risjellur një krishtërim perëndimor të rishpikur. Nuk është rastësi që Papa Gjon Pali II, i vetëdijshëm për faktin se bota perëndimore është tani një botë krejtësisht e dekristianizuar, po flet për një ungjillizim të ri, domethënë për një botë që do të ungjillizohet përsëri.

Krishterimit perëndimor që nga kohërat më të lashta iu desh t’i nënshtrohej, jo një pushtimi jo-ekzistent islamik, por një procesi të thellë dhe të përhapur të shekularizimit. Një proces i sekularizimit që fillon nga larg, nga shumë larg.

Historikisht, shenjat e para të një ndryshimi të thellë në shoqërinë evropiane, e cila sheh një fuqi laike gjithnjë e më dominuese krahasuar me atë kishtare, janë parë që nga fundi i shekullit XIII, në atë që historiani i madh Johan Huizinga në veprën e tij më të famshme e quan vjeshta e mesjetës. 

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.