Dr. Majid RafizadehNga Dr. Mexhid Rafizadeh

Disa grupe terroriste tërheqin vëmendjen e medias në masë të madhe, ndërkohë që grupe të tjera nuk e kanë këtë vëmendje. Për shembull, mediat kryesore perëndimore i kushtojnë një mbulim të gjerë të ashtuquajturit “Shteti Islamik” (ISIS), ndërkohë që dështojnë të  ndërgjegjësojnë audiencën rreth milicive shiite radikale të mbështetura nga Irani.

Me sa duket ekziston një marrëdhënie simbiotike midis mediave mainstream dhe ISIS-it: organizata fiton publicitetin që i duhet, ndërsa rrjetet televizive rrisin audiencën dhe të ardhurat e tyre nga reklamat.

Grupe të mbështetura nga Irani si Kataib al-Imam Ali (KIA) përdorin taktika të tmerrshme të ngjashme me ato të ISIS-it. KIA është e njohur për videot e saj me prerje kokash dhe djegie trupash. Një tjetër milici e dhunshme është Asa’ib Ahl al-Hakk, e cila raportohet se merr afërsisht 2 milion dollarë nga Irani.

Duket se mediat preferojnë thjeshtësinë përpara ndërlikueshmërisë. Është më e lehtë të flasësh për ISIS-in se sa të bësh kërkime rreth grupeve të tjera terroriste dhe radikale. Fatkeqësisht, unë besoj se shumë reporterë nuk janë aspak të informuar për rrezikun që vjen nga këto grupe. Të flasësh për KIA-n apo Asa’ib Ahl al-Hakk kërkon një njohje të thellë të strukturës politike në Irak, Iran dhe Liban. Kërkon njohjen e lidhjeve midis Trupave të Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) dhe grupeve të tjera.

Ndërkohë që ISIS-i punon shumë për të pasur vëmendjen e mediave dhe ka përshtatur përdorimin e mediave sociale, milicitë e mbështetura nga Irani kryejnë sulme të fshehta dhe asnjëherë nuk i marrin përsipër ato. Qëllimi i tyre kryesor është të bëhen pjesë e udhëheqjes politike të një shteti dhe të informojnë vendimmarrjen nga lart. Hezbollahu ia ka arritur kësaj në Liban, ndërkohë që milicitë shiite në Irak të mbështura nga Irani kanë bërë të njejtën gjë.

Disa media i shohin këto milici si legjitime pasi janë të financuar nga një shtet (Irani në këtë rast). Shumë prej këtyre grupeve i raportojnë direkt Gjeneral Kasim Sulejmanit ose Liderit Suprem iranian Ajatollah Ali Khameneit. Për pasojë, nëse ato kryejnë ndonjë akt të dhunshëm, gjasat që ato të kritikohen janë më të vogla.

Sigurisht, mediat nxiten nga nevoja për përfitime në mënyrë që të mbijetojnë si organizata. Ato shkruajnë për tema në të cilat populli është i fokusuar, në mënyrë që tërheqin sa më shumë lexues, e për pasojë më shumë reklama. ISIS-i ka tërhequr vëmendjen e mediave botërore kryesisht sepse shenjëstron (edhe) njerëz jashtë Lindjes së Mesme. Shumë amerikanë dhe europianë kanë përshtypjen se nëse një organizatë është në gjendje të kryejë sulme në Paris, Londër, apo vrasje në masë – si në San Bernardino – atëherë ajo mund t’i kryejnë këto sulme terroriste kudo.

Megjithatë, është e rëndësishme që mediat të bëjnë më shumë përpjekje për të nxjerrë në pah edhe grupet terroriste më pak të njohura dhe mizoritë që ato kryejnë.

Autori është studiues iraniano-amerikan, autor dhe specialist i politikës së jashtme amerikane. Rafizadeh është presidenti i Këshillit Ndërkombëtar Amerikan.  Ai është anëtar i bordit të Harvard International Review pranë Universitetit të Harvardit dhe anëtar i Këshillit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Harvard. Ai është anëtar i Projektit Gulf 2000 në Universitetin e Kolumbias, Shkolla e Çështjeve dhe Punëve të Jashtme. Më parë ka shërbyer si ambasador pranë Këshillit Kombëtar Iraniano-Amerikan në Uashington.
Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.