Nga Lavdrim Lita

Viti i ri [në Itali] filloi me një stuhi artikujsh alarmues mbi rrezikun e ISIS-it në Ballkan. Shumica të shkruar mbi tryezën e punës, duke gjurmuar artikuj të tjerë në internet për të shkruar më pas një histori. Shqipëria ishte objekt i dy artikujve te La Stampa dhe Il Giornale. Midis tyre nuk ka asnjë ndryshim: i njëjti ton alarmues.

I dërguari i La Stampa-s nuk arrin të kuptojë, me letër në dorë, se lumi afër Cerrikut nuk quhet Erzen por Shkumbin. Pastaj, që korrespondenti nuk ka qenë ndonjëherë në Lushnje, e cila ka 60 mijë banorë, është më se e qartë, meqënëse për të “Lushnja është një fshat i Shqipërisë së Mesme.” Edhe citimet e të tjerëve janë të keqinterpretuara, si rrjeti i gazetarisë Balkan Insight, i cili bëhet Balkan Inside. të gjitha këto janë elementë që të bëjnë të kuptosh se artikulli është shkruar me “dorën e majtë”, pa asnjë fakt.

Në artikullin e La Stampa-s shkruhet për ndërtimin e xhamisë së madhe të Tiranës, financimet e të cilës nuk na qenkan shumë të qarta. Në të vërtetë, financimet për këtë xhami janë të qarta për të gjithë në Shqipëri. Mjafton të shohësh tabelën e punimeve. Komuniteti musliman dhe shoqëria shqiptare kanë vendosur prej vitesh për ndërtimin e kësaj xhamie, në mënyrë që njerëzit të mos falen më në rrugë gjatë festave. Të dhënat për xhaminë e madhe në Tiranë janë të gabuara, pasi nuk bëhet fjalë për 20 mijë metra katrorë, por për më pak se 6 mijë. Kohët e fundit në Tiranë është ndërtuar katedratja e re ortodokse, njëqind metra nga kisha katolike dhe xhamia e madhe.

Tek Il Giornale, autori gjurmon të njëjtat burime online me ato të kolegut, por duke bërë gabime të tjera. Poeti i njohur shqiptar, Ervin Hatibi, i cili ka vite që nuk shkruan në asnjë të përditshme, bëhet gazetari që shpjegon Islamin shqiptar. Në artikullin e Giornale-s flitet për “bektashinjtë e shumë urryer nga vehabitë”. Bektashijtë janë tarikat sufist, i themeluar në shekullin XIII nga Haxhi Bektash Veliu. Sipas të dhënave zyrtare të censusit të vitit 2011, bektashijtë përbëjnë vetëm 2.1% të popullsisë dhe janë një rrymë shumë e dashur mes shqiptarëve për shkak të natyrës tolerante e të hapur ndaj feve të tjera.  Në censusin e bërë në vitin 2011 (i fundit ishte në 1928) janë deklaruar muslimanë 56,6% e shqiptarëve, katolikë 10%, ortodoksë 6,7% dhe 2,5% ateistë.

Në të kaluarën kam shkruar disa artikuj rreth ISIS-it dhe lidhjet e tij me botën shqiptare. Në fakt nuk mund të mohohet se shumë përsona kanë shkuar në Siri dhe Irak si foreign fighters (luftëtarë të huaj). Megjitahtë, siç ka deklaruar kreu i Shërbimit Informativ Shqiptar (SHISH), Visho Ajazi-Lika, “fondamentalistët nuk mbështetën nga familja apo shoqëria”. Sipas autoriteteve shqiptare janë rreth 140 përsona që luftojnë në rradhët e ISIS-it.

Problemet e Shqipërisë nuk duhen kërkuar te një pakicë e vogël njerëzish të indoktrinuar dhe ndjekës të ideve fondamentaliste, por te rritja e varfërisë, papunësia, korrupsioni, padrejtësia shoqërore, klientelizmi dhe korrupsioni. Zyrtarisht, papunësia në Shqipëri është 17,5%. Një në dy të rinjë është i papunë. Por në të vërtetë është kjo shifër është akoma më e lartë. Rritja ekonomike prej 2,5% në 2015 nuk është reale. Rreth 80 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil vetëm në Gjermani. Shtypi italian nuk flet për këto tema, duke u lëkundur midis dy pamjeve të shtrembëruara: ajo e Shqipërisë si parajsa e re ekonomike nga njëra anë, dhe ajo e Shqipërisë si foleja e xhihadizmit.

Nuk kam lexuar kurrë në shtypin kryesor italian për histori bashkëjetese fetare, ku muslimanët ndërtojnë kisha e katolikët ndërtojnë xhami. E megjithatë histori të tilla ekzistojnë. Besimtarët shqiptarë, muslimanë e të krishterë, bashkëjetojnë prej shekujsh dhe histori të tilla si ajo e fshatit Malbardh janë ndoshta shembulli më i mirë se si kjo bashkëjetesë mund të praktikohet në kontekste të tjera.

Muslimanët e Ballkanit lindor janë popullsia muslimane më e moderuar në botë, pavarësisht se një pakicë e vogël është indoktrinuar me forma ekstreme të Islamit. Ja, për këtë duhet të shkruajmë, por me kompetencë e jo me tone alarmuese. 

Autori është gazetar. Merret me çështjet e Ballkanit. Për katër vjet ka punuar si drejtor i Qëndres së Publikimeve të Ministrisë së Mbrojtjes. 

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.