Mbi antisemitizmin dhe islamofobinë në Europë

A është islamofobia në Europë në hapat e anti-semitizmit të shekullit të 19-të?

0

Nga Sara R. Farris

Në vitin 1844, Karl Marksi publikoi një tekst të shkurtër, por domethënës, të titulluar “Mbi çështjen e hebrenjve”. Ishte një shqyrtim kritik i dy eseve të filozofit të famshëm në atë kohë Bruno Bauer,  i cili kishte argumentuar kundër të drejtave të barabarta për hebrenjtë në aspektin fetar. Bauer, duke i bërë jehonë zhurmave që qarkullonin në atë kohë, thoshte se në qoftë se hebrenjtë donin të konsideroheshin qytetarë me të drejta të plota, ata duhej të braktisnin fenë e tyre dhe të përqafonin iluminizmin. Sipas kësaj logjike, nuk kishte vend për fenë në një shoqëri sekulare.

Siç sugjeron edhe qendrimi i Bauer-it, racizmi anti-hebre në Gjermani dhe në vende të tjera të Europës në gjysmën e parë të shekullit të 19-të, justifikohej kryesisht në aspektin kulturor dhe fetar. Hebrenjtë diskriminoheshin dhe shiheshin me dyshim, pasi konsideroheshin një “komb i huaj, pa shtet”. Në fakt, vetëm pas daljes së “darvinizmit social” në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, “racizmi anti-semit” i përkufizuar në terma biologjikë, filloi të shfaqej në skenën politike, ku hebrenjtë diskriminoheshin hapur në bazë të inferioritetit të tyre gjenetik.

Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes sot është nëse Europa bashkohore po e trajton çështjen e muslimanëve në mënyrë të ngjashme me atë të hebrenjve para 170 vitesh? A është antipatia europiane ndaj muslimanëve e krahasueshme me atë fazë të parë të urrjetjes ndaj hebrenjve, një urrejtje e cila arriti kulmin në një nga faqet më të errëta të historisë së njerëzimit?

Pavarësisht ndryshimit midis këtyre dy konteksteve, suksesi i deritanishëm i të djathtës ekstreme në zgjedhjet e fundit në disa vende europiane, duket se na sugjeron se përgjigjia është një Po e madhes. Fitorja e këtyre partive i detyrohet përpkjekjeve të jashtëzakonshme të bëra nga propaganda islamofobike në dhjetë vitet e fundit. Në Francë, kryetarja e Frontit Kombëtar, Marie Le Pen – e cila fitoi një të katërtat e votave – u ka kërkuar mencave të shkollave që të mos u ofrojnë më fëmijëve muslimanë alternativa të tjera përveç mishit të derrit. Ne Britani, partia për Pavarësinë e Britanisë së Madhe bëri një fushatë kundër ndërtimit të një xhamie, duke u bërë më pas fituesja më e madhe në zgjedhje, me një rezultat mbreslënës prej 27,5 për qind të votave.

Shumë prej këtyre partive, përfshirë edhe ata që i kanë votuar, nuk e konsiderojnë veten racistë. Tek e fundit, problemi i muslimanëve – sipas sojit të Le Pen-it – ka të bëjë me prapambetjen e tyre, fanatizmin dhe mungesën e vullnetit për t’u integruar.

Me pak fjalë, është faji i muslimanëve.  Ashtu si çështja e hebrenjve në shekullin e 19-të,  çështja e sotme e muslimanëve shihen në premisat e diferencave kulturore dhe për këtë arsye paraqitet si legjitime dhe politikisht korrekte.

Pavarësisht se emigrantët në përgjithësi shihen si një kërcënim social dhe ekonomik për shoqëritë europiane dhe për punëtorët, janë muslimanët në mënyrë të veçantë ata që kanë mishëruar “tjetrin e keq”. Kjo nuk është arritur vetëm me anë të propagandës ksenofobike të ekstremit të djathtë, po dhe konservatorët, madje edhe liberalët e prative të krahut të majtë kanë kontribuar në këtë parodi.

Nga njëra anë, liderë konservatorë si kryeministri aktual i Britanisë David Cameron, ish-presidenti i Francës Nicolas Sarkozy dhe ish-kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni, në mënyrë të përsëritur kanë avokuar rrënjet e krishtera të vendeve europiane, ndërsa nga ana tjetër, një spektër më i madh i forcave politike, duke përfshirë liberalët dhe të majtët, kanë marrë pjesë në gjykimin e shamisë si simbol i prapambetjes dhe shtypjes. Zërat që ushqejnë ndjenjat anti-muslimane në Europë vijnë nga të gjitha anët e hartës politike.

Muslimanët janë bërë, në shumë aspekte, hebrenjtë e rinjë. Ata janë bërë “kokë turku” për ata europianë të cilët shohin tek ta projektimin e anktheve të tyre për të ardhmen. Politikanë konservatorë dhe të ekstremit të djathtë vazhdimisht i kanë intensifikuar dhe theksuar këto ankthe, në mënyrë që të forcojnë axhendat e tyre neoliberale dhe nacionaliste. Ndërkohë që shumë parti liberale dhe të krahut të majtë kanë imituar të djathtën raciste, ndoshta duke shpresuar se do t’u sjellë më shumë vota.

Marksi e kuptoi shumë mirë këtë proces. Ai kritioi Bauer-in për pretendimin se mungesa e emancipimit politik të hebrenjve ishte si pasojë e fesë dhe kulturës së tyre. Maksi theksonte se feja nuk kishte të bënte fare me diskriminimin e vazhdueshëm të hebrenjve. Paragjykimi ndaj hebrenjve dhe mungesa e të drejtave, argumentonte Marksi, duhet kuptuar në kontekstin më të gjërë të pabarazisë strukturore të shtetit.

Transformimi i muslimanëve në hebrenjtë e shekullit të 19-të nuk do të thotë se një gjenocid i ri është i pashmangshëm, apo se tragjedia e popullit hebre në Europën e shekullit të 20-të do të zëvendësohet me tragjedinë e muslimanëve në shekullin e 21-të. Historia nuk e përsërit veten në këtë mënyrë. Por historia mund të ribëjë rimë me veten. Vetëm puna e palodhshme e aktivistëve dhe organizatave anti-raciste mund të bëjë që potencialisht ky ritëm të parandalohet.

Dr. Sara R. Farris është asistente profesore në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Goldsmithit në Londër.

Observer.al

(Nuk lejohet ripublikimi i këtij artikulli pa lejen paraprake të Observer.al)

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.