Varrezat e luftës nxisin pajtim midis popujve. Ky pajtim përtej varreve më mbush me besim të plotë”, këto janë fjalët e Gjeneral Lejtnant Dora në prani të Atasheut Ushtarak të Ambasadës Gjermane, Stefan Miene, si dhe të Ambasadorit Gjerman në Shqipëri. Bëhet fjalë për inaugurimin e memorialit në vitin 2006 ne kodrat e liqenit të Tiranës, të as më shumë e as më pak, por 56 ushtarëve gjermanë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në ceremoninë përkujtimore, ishin të pranishëm një numër i madh përfaqësuesish të lartë të politikës dhe të sektorit ushtarak. Ndërsa Ambasadori Gjerman i asaj kohe, deklaronte: “Këto varreza duhen mbajtur dhe kujdesur me dashuri…”.

Kjo ngjarje m’u kujtua teksa po përcillja debatet e hapura rreth memorialit të instaluar po në kodrat e Liqenit te Tiranës. Memorial në përkujtim të rënies së 251 qytetarëve turq, prej të cilëve edhe me prejardhje shqiptare, në përpjekjet e tyre për të mbrojtur rendin demokratik dhe shoqërinë moderne turke nga grushti më i madh i shtetit, që mund të jetë parë ndonjëherë. Në fakt, me ardhjen e festes së Kurban Bajramit, në njëfarë mënyrë po shqetësoheshim për atmosferën e qetë mediatike, pa provokime të cilat kanë qenë pothuaj një ritual i vazhdueshëm që shoqëronte festat tona. Por, ja që nuk u zhgënjyem pozitivisht. Nuk vonoi dhe duhej të vinte një shkëndijë e fryrë e mbarsur nga të njëjtat media dhe nga të njëjtit njerëz, në zellin e tyre vigjilent për të mos lënë as edhe një minutë të shkojë kot. Një ngjarje, që kishte disa javë që kishte mbaruar dhe kompletuar, por, që duhej të shpërthente pikërisht në mesin e një festimi që merr përmasat gjigande në të gjithë vendin.

Ashtu siç edhe pretendimet e mëparshme mbi mbulimin e Skënderbeut, apo edhe të myslimaneve në plazhe, të deklaratave të prijëseve fetare, edhe tullumbacja e radhës duhej të fryhej me hidrogjenin mediatik për të shpërfaqur sa më lart mllefin, injorancën dhe fobinë që kullon nëndheshëm në katakombet e jetës bulevardeske të Tiranës. Ushtarët pushtues gjermanë mund të kenë memorialin e tyre në Shqipëri, madje edhe me ceremoni ndërshtetërore. Po ashtu, masakrues të shqiptarëve dhe çamëve, siç është rasti i memorialit të Thimio Lolit në Kranë të Delvinës, mund të kenë memorialin e tyre. Po turku… ah turku, kurrsesi! Ata nuk janë njerëz, janë bisha edhe kur vdesin për kauza fisnike si ruajtja e lirisë dhe demokracisë. Mustafa Kemal Ataturku mund të ketë emra sheshesh në Shqipëri, edhe pse ishte një diktator i sojit të veçantë, edhe pse s’ka të bëjë fare me realitetin e shqiptarëve. Diktatori egjiptian Mubarak, mund ta ketë emrin te Parku i Liqenit të Tiranës, edhe pse për tridhjetë vite masakroi dhe varfëroi popullin e vet.

Pjesa më e madhe e atyre që janë të përfshirë në debatet e kohëve të fundit, lidhur me memorialin e 15 korrikut, nuk kanë fare informacion, ose në rastin më të mirë kanë fare pak informacion të marrë nga media të tipit Fox News dhe nuk dinë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Nëse vërtet do ta kishin parë dhe ndjekur atë që ka ndodhur nga 15 korriku deri ne mesin e gushtit të vitit 2016, do ta kuptonin se ka qenë manifestimi më i madh i miliona vetëve në të gjithë Turqinë, të cilët qëndruan për një muaj rresht nëpër rrugët e qyteteve të atij vendi për të mbrojtur atdheun e tyre nga junta dhe diktatura ushtarake. E gjithë ajo që ka ndodhur atje, ishte më e madhe dhe përtej Erdoganit. Kudo që të kishte ndodhur kjo ngjarje, në çdo vend të botës, duhej nderuar dhe respektuar, se përbën rastin unikal kur i gjithë populli (në kuptimin e vërtetë të fjalës) ishte i gatshëm të sakrifikohej për lirinë dhe demokracinë e vendit të vet. Kjo është e vërteta. Çdo koment dhe nënkuptim, është thjeshtë tërheqje e ngjarjes drejt banales dhe errësirës së inateve, fobive, mllefeve dhe egove meskine.

Instalimi i memorialit te Parku i Liqenit të Tiranës, do të ishte një ngjarje thjesht normale nëse media e portale të caktuara nuk do ta bënin atë më të madhe se çfarë në të vërtetë ky episod mbart. Memoriali ka dy qasje. E para është politike dhe e dyta është kulturore. Politikisht besoj se debati është i mbyllur, sepse në ceremoninë e inaugurimit ishin prezent të dyja forcat kryesore politike në Shqipëri, ku secila prej tyre pati edhe përfaqësuesit e vet, që mbajtën edhe fjalën e rastit. Pra, në kuptimin politik. debati është i mbyllur. Ajo që i dha fuqi zhurmës, është qasja kulturore e cila aktivizoi mitet e kalcifikuara të historisë, të deformuara me sukses nga historiografia komuniste, dhe e ktheu të gjithë ngjarjen në një pusetë gjigande të dekompozuar plot me paragjykime, dashakeqësi dhe gënjeshtra.

Ideja kryesore e kundërshtimit kishte të bënte me atë se kjo ngjarje përfaqëson një “trup të huaj” në realitetin shqiptar dhe si e tillë duhej refuzuar. Madje u bënë edhe tentativa për peticione për ta shkulur që aty. Deri kur, një “Twitter” i një personi, i cili vetëquhej prift, deklaronte se nuk është mëkat të shkulej ai memorial, ashtu siç nuk do të ishte mëkat të shkulej busti i Enver Hoxhës. Kaq u desh, dhe njerëz të “paanshëm” kulturalisht vendosën letra higjienike në memorialin në fjalë. Pra, njohja, konsiderata dhe dashuria jonë për një akt sakrifikimi në emër të demokracisë dhe kundra juntës, përmblidhet thjesht në një letër higjienike. Kjo, edhe bën sens, duke menduar se demokracia shqiptare është kthyer vërtet në një letër të madhe higjienike ku vetëm higjienë nuk gjen ngado që ta rrotullosh. Por, ajo që është edhe më e rrezikshme, është konsiderata që kanë disa të ashtuquajtur klerikë mbi tolerancën në Shqipëri dhe mundësinë për ta kthyer atë në një tualet të nevojave të fqinjëve dhe më gjerë.

Nëse e shohim më me kujdes gjënë nga afër, do të vërejmë se nuk bëhet fjalë thjesht për një “trup të huaj”. Moralisht, ngjarja është burim frymëzimi pavarësisht vendit nga vjen. Veçanërisht moral frymëzimi për ne shqiptarët, të cilët kohët e fundit, nuk jemi mësuar të protestojmë për gjëra të mëdha dhe ideale të larta. Maksimumi i protestave tona ka të bëjë me interesat meskine të forcave politike për të kapur ndonjë vend pune, ndonjë post apo ndonjë tender. Por, jo vetëm moralisht, ngjarja kulturalisht implikon edhe shqiptarët për arsye se në Turqi jetojnë shqiptarë dhe me prejardhje te tillë sa dyfishi i popullsisë së Shqipërisë. Pra, ngjarjet e tyre na interesojnë gjithashtu. Jo vetëm kaq, por në ata miliona njerëz që protestuan, ka pasur po ashtu shqiptarë, ka pasur shqiptarë të vrarë dhe të plagosur në atë ngjarje. Erol Olçak dhe i biri i tij 15- vjeçar, Abdulla Olçak, u vranë nga puçistët në urën e Bosforit teksa protestonin kundra juntës natën e 15 korrikut. Eroli dhe i biri ishin shqiptarë me prejardhje nga Kumanova dhe e shoqja ishte shqiptare nga Shkupi. A thua e meriton emri i tij dhe i të birit të mbështillet me letrën higjienike të disave që nuk përfaqësojnë shqiptarët? Ndërkohë që sheshet tona kanë emra si të Ataturkut apo Simon Perezit që kanë kthyer qeveritë e tyre në aparteide kundra të drejtave dhe lirive civile bazë të njerëzve. Në vend që nga mendjelehtësia dhe pakujdesia të marrim nëpër këmbë dinjitetin dhe nderin e atyre që ranë për një kauzë të drejtë, është mirë të pastrojmë mendjen dhe sytë tanë nga “letrat higjienike” të historisë. 

Publikuar më parë te Panoramal.com.al

Observer.al

NA THUAJ EDHE TI MENDIMIN TËND!

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.